Amik Kasoruho për të atin e pushkatuar: Jeta e tij, leksioni që nuk do doja të mbaronte kurrë

    0
    511
    blank

    Qemal Kasoruho është një nga të pushkaturit pas plasjes së dinamitit në oborrin e Ambasadës Sovjetike. Njihej si ekonomist, si poliglot, si antifashist që kishte luftuar kundër pushtuesve... Ndërsa Amik Kasoruho na tregon si ishte ai si baba, edhe pse pak qëndroi me të, pasi Qemali u pushkatua në moshën 49 vjeçare dhe baba e bir i kishin ndarë që më parë

    Shkurti i vitit 1951 përbën një nga kulmet e terrorit komunist në Shqipëri, me një ngjarje që hyri në histori si “Bomba në Ambasadën Sovjetike” dhe me një masakër që u mori jetën 22 njerëzve të pafajshëm, intelektualë të arsimuar në Perëndim dhe persona të spikatur për aktivitetin e tyre tregtar dhe ekonomik. Që në fillim të atij muaji, në zyrat e Tiranës, ishte përpiluar lista e njerëzve që duhet të arrestoheshin dhe disa kilometra më tutje, në fshatin Mënik, banorët e zonës kishin parë të hapej një gropë, ku do të hidheshin trupat e të pushkatuarve, natën e 26-27 shkurtit. Plasja e dinamitit në oborrin e Legatës së Bashkimit Sovjetik që ndodhi midis këtyre ditëve, pasditen e 19 shkurtit, ishte thjesht një pretekst.

    Në kujtim të atyre ditëve terrori të 69 viteve më parë  dhe në nderim të viktimave të pafajshme të shkurtit 1951, sot, kujto.al po sjell disa mendime dhe kujtime të Amik Kasoruhos, përkthyesit, shkrimtarit dhe publistit të njohur, për të atin, Qemal Kasoruhon, një nga të pushkatuarit e shkurtit 1951.

    Qemali ishte një ekonomist dhe poliglot, që kishte punuar si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, në vitet ’30-’40. Aktiv në luftën kundër pushtuesve italo-gjermanë, atij iu desh të fshihej për t’i shpëtuar ndjekjes së nazistëve, e megjithatë, pas luftës, nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë. U dërgua ca kohë në Rubik derisa erdhi viti 1951, kur u arrestua dhe u dënua, pa gjyq, me pushkatim. I biri, Amik Kasoruho, që pas viteve ’90 u bë i njohur si një nga përkthyesit më të mirë shqiptarë, në kohën kur i ati u arrestua, ishte në burg, i dënuar që 17 vjeç me 10 vjet për agjitacion dhe propagandë. Pas daljes nga burgu, jetoi dhe punoi në internim, si familjarët e gjithë të pushkatuarve të asaj nate. Atje u martua dhe u bë prind, ndërsa përndjekja, siç tregohet në këtë shkrim emocionues, vazhdoi edhe për fëmijët e tij, të cilët nuk u lejuan të vazhdonin studimet e larta. Shkrimi është botuar në vitin 2010 në revistën Psikologjia, ku tema e “babait” për të cilën është ftuar të shkruajë edhe përkthyesi i njohur, i ndarë nga jeta në vitin 2014, ka sjellë te ai emocione të fuqishme që kanë të bëjnë me figurën e të atit, që ka mbetur shumë i gjallë në kujtime, por që iu mor  atëherë kur modeli i tij, i duhej më shumë në jetë. Bashkë me këtë shkrim, po risjellim edhe dy poezi të birit për babain e pushkatuar, të shkruara shumë kohë më parë, në vitet ’50, kur ishte në burg. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar në ndjesitë e tij për të atin si kur ishte 24, edhe kur ishte 78 vjeç.

    “Babai...një qenie speciale” nga Amik Kasoruho

    ...Sa herë kujtoj rolin tim si prind, kujtoj shtrëngimin e dorës së tim eti, ndoshta nga të paktët dhe të fundit që kam provuar dhe që e ruaj si të jetë thesar. Frika se mos e humbas ndjeshmërinë e atij shtrëngimi, më bën të jem i kujdesshëm në marrëdhënien e dorës sime me atë të fëmijëve të mi.

    ...Kujtoj që e humba babanë kur isha 20 vjeç. Kur fillon mosha e vështirë e çdo njeriu, kur babai duhet dhe është një model i pazëvendësueshëm, nuk e pata. Jo gjithmonë fotografitë e pakta dhe kujtimet e moshës së hershme, apo rrëfimet e herëpashershme të nënës, mund ta mbushnin boshkllëkun që u krijua. E kujtoja të qeshur dhe përpiqesha t’u buzëqeshja detajeve të bukura të jetës. E kujtoja si më shpinte në librarinë e Lumo Skëndos për të më blerë libër e asnjëherë nuk harrova se libri ishte një shpërblim i mirë I gjestit të tij si prind, pasi më ndihmoi të kisha kurajën për të provuar edhe unë të isha prind I mirë si ai, për të përballuar sfidat dhe për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të vështira të tim biri. Por, kujtoj se ima atë asnjëherë nuk më këshilloi si të jetoja. Thjesht ai jetoi. Dhe unë e vështroja, apo vëzhgoja babanë. Ishte leksioni më i dashur që nuk do doja të mbaronte kurrë. U përpoqa shumë ta imitoja. Të gjitha gjestet dhe fjalët e tij duket sikur janë edhe brenda meje. Nuk di ta them sesi e përjetojnë fëmijët e mi rolin tim si prind, pasi është njëlloj e vështirë të vlerësosh punën tënde në lidhje me fëmijët e tu, po aq sa të shikosh ndryshimin e tipareve të fytyrës tënde pa pasqyrë…Një gjë nuk doja t’u lija “trashëgim” fëmijëve të mi, mallkimin e përjashtimit apo pamundësisë për të marrë një diplomë universitare. E përjetova unë përjashtimin nga gjithë shkollat e Shqipërisë, e përjetuan edhe fëmijët e mi që nuk patën mundësi për të shkuar në universitet, edhe pse kishin rezultate të shkëlqyera. Nuk është rasti për shfajësime para tyre, por ka qenë një ndër çastet më të vështira kur përgjigjen e kam përtypur me dhëmbë e nuk e kam thënë, kur fëmijët e mi më kanë pyetur: “Përse nuk na e japin të drejtën për të studiuar?” A thua kam dështuar si prind? E mendoj shpesh këtë pyetje, përgjigjen e gjej te qindra fate dhe raste të ngjashme, që kishin një emërues të përbashkët-diktaturën. Pjesa që shpëtonte nga ajo dhunë, që besoj se nuk mund të zhbëhet, është kultura që trashëgohet nga familja dhe dëshira për të pasur në radhë të parë fëmijë të mirë. Këtu besova se mund të shpëtoja diçka e t’ua jepja fëmijëve të mi. Sa e kam arritur, nuk e di. Gjithmonë kujtoj një thënie të Padre Pios: “Shpesh duam të bëhemi engjëj të mirë dhe lëmë pas dore dëshirën për të qenë njerëz të mirë”. Im atë u bë engjëll i mirë për mua, kam shpresuar dhe jam përpjekur të jem njeri i mirë.

    Atit tem

    Tash srish fëmi e ndiej un vedin prore

    kur mundi m’fal at jetë qi ti bore

    o Ati im qi u trete

    e rri mendon e nis e flas me vete.

    Si, kur kërthi, mbërthye më kish kllapija;

    deh kthen e bjena gazin prap t’u shpija!

    A s’lodhe tue kundrue

    ndër qjeje amshimi at hir që nuk u shue?”

    O kish ta dishe lotin qi s’loton

    si sytë verbue i a pati nan’s, si vlon

    kjo zemër e tyt biri

    kah rri e vron si nalt ndër qieje hiri

     

     

    Ti shkove: larg t’u tret hovi yt i dlirtë;

    ndër qiej të tretun pagjën e amshueme,

    andjen e mbrame, ndieve, shpirti i flurtë…

    Ty jeta t’la: nji hije endacake,

    me njolla gjaku të pluhnuem mbi tokën e tmerrueme brodhi heshtas…

    Viset e largta ku qeton prendimi

    për ne, mortar’t, për ty janë ag pa mort.

    E ti kundron se jeta urdhnin tand, me e dashtë të mirën, ruen ndër stina t’reja

    e ti lumnon: në t’kthjelltën pafundsi

    po gjen nj’at pagjë që qi t’iku, pse të vranë!

    Tiranë Fruer 1956

    Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

    PËRGJIGJU

    Please enter your comment!
    Please enter your name here