Historia e revoltës së Qafë-Barit. Si u zhvilluan ngjarjet e 22 majit 1984
Më 22.5.1984, ora 7.30, të dënuarit Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla u kthyen në fjetinë pa realizuar normën. Komanda urdhëroi kthimin e tyre në galeri për të realizuar normën e punës. Të dënuarit Sokol Sokoli dhe Sokol Progri porositën të dënuarit të mos shkonin në punë. Policët Islam Doga dhe Fiqri Çakalli thërrasin të dënuarit që do shkonin në punë në zyrat e këshillit të riedukimit. Këta u thanë dy të dënuarve që duhet të plotësonin normën ose duhej të shkonin në birucë, të izoloheshin. I dënuari Tom Ndoja ua merr nga duart policëve Ndue Pishën dhe e largon. Policën orvaten ta marrin, por me Tomën bashkohen edhe Sokol Sokoli dhe Sokol Progri dhe u kundërvihen policëve me gurë e tulla që kishin ndër duar. Në këto kushte, ndërhyn një togë e përbërë prej 6 policësh me në krye komandantin e togës Edmond Caja, por këta thyhen nga një grup të dënuarish ku bënin pjesë: Sokol Sokoli, Sokol Progri, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baçinozi, Lush Bushgjoka, Kostandin Gjordeni.
Komandanti i togës së policisë Edmond Caja urdhëroi rreshtimin e të dënuarve në mensë. Komandanti i repartit ndodhej me shërbim në Rrëshen. U njoftua kryetari Degës së Punëve të Brendshme Pukë Edmond Çifligu. Nisi apeli emër për emër. Ata që kundërshtonin kërcënoheshin se do futeshin në birucë. Kostandin Gjordeni refuzoi të dalë nga mensa. Po kështu refuzoi edhe Sokol Sokoli, i cili bashkë me grupin e tij çau rrethimin e policëve. Rreth 20-24 të dënuar duke pasur në duar materiale të marra nga një godinë që po ndërtohej qëndruan te sheshi mbi fjetore duke përbërë një skuadër përballë forcave të regjimit.
Pas kësaj, të burgosurit hyjnë në mensë sërish, pikërisht në kohën kur vijnë komandanti i repartit dhe kryetari i DPB. Thirrën emrat e të dënuarve për të dalë jashtë. I pari ishte Kostandin Gjordeni. Në raportin zyrtar, pretendohet se i dënuari ka goditur murin me kokë, e pas këtij veprimi ka filluar përleshja midis të dënuarve e policëve, ndërsa në të vërtetë ai është goditur. Policët kanë marrë Gjordenin për ta çuar në izolim, por të dënuarit, nisur nga solidariteti ndaj njëri-tjetrit i kanë sulmuar me çdo mjet. Mensës i është mbyllur dera, por atë e ka hapur Tom Ndoja. Pas daljes nga mensa, të dënuarit kanë sulmuar policët me mjetet që kishin duke iu afruar derës kryesore. Në këtë çast, kryetari i DPB Pukë urdhëroi të qëllohej. Këtu plagoset Gjordeni. Në kamp erdhën zëvendësministri i Punëve të Brendshme Agron Tafa dhe drejtori i Drejtorisë Zbatim Vendime Penale Kasem Kaçi.
Pas dorëzimit u përdor dhuna në mënyrë masive.
Shënim: Ky shkrim nuk përfshin emrat e gjithë të dënuarve pjesëmarrës në revoltë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.