1973/Dëshmia e Pal Zefit për revoltën e Spaçit

0
916
blank

Pal Zefi lindur në vitin 1940 në Rrushkull të Durrësit ishte një prej katër personave të ekzekutuar me vdekje me vendimin e parë që mori Gjykata e Lartë e vendosur në Spaç pas revoltës që u bë në këtë kamp më 21-23 maj 1973. Ai ishte personi prej të cilit nisi revolta e Spaçit, pasi gjendej në izolim. Ai vuante dënimin qysh kur ishte arrestuar  më 18.8.1971. Fillimisht në Rrëshen më 22.5.1973 e pastaj të nesërmen në Spaç. Megjithatë, akuza është nënshkruar prej tij vetëm më 23.5.1973. Dëshmia e Pal Zefit në hetuesi është interesante për të ndërtuar dinamikën e zhvillimit të atyre ngjarjeve.

Më 22.5.1973, në Rrëshen, hetuesi Shaban Dani, e akuzoi për “pjesëmarrje në një organizatë kundër pushtetit, sabotazh dhe goditje të përfaqësuesit të pushtetit”. Në pjesën kryesore, Pal Zefi përgjigjet:

“Akuzat që më bëhen i kuptova. Pranoj vetëm akuzën e goditjes së personave përfaqësues të pushtetit kam goditur dy nënoficerë dhe oficerin operativ të Repartit nr.303 Spaç, por emrat nuk ua di. Gjithashtu pranoj të kem agjituar e propaganduar kundër pushtetit popullor vazhdimisht në kampin e të dënuarve, pse arsye se këtë pushtet nuk e dua, sepse më ka dënuar në mënyrë të padrejtë e më mban në burg, më ka dënuar me privim lirie dhe nuk më ka futur në regjim burgu, por më ka çuar në kampe duke bërë punë të detyruar. Për këtë arsye unë kam refuzuar vazhdimisht me dalë në punë për të punuar në minierë.

Në muajin janar (1973) kam ardhur në Spaç. Gjeta këtu vëllain tim Gjokë Zefi, i dënuar bashkë me mua me 8 vjet heqje lirie. Si erdha këtu më futën në punë në minierë si minator. Në shkurt bashkë me vëllanë vendosëm mos të punojnë duke kërkuar të na çonin në Burgun e Burrelit. Komanda na dërgoi në Burrel. Qëndruam 3 muaj papunë dhe më 20 mars (1973), vëllanë tim e hoqën nga Spaçi, e dërguan në Ballsh, duke na ndarë nga njëri-tjetri, e cila për mua ishte një provokim i rëndë që më bënte komanda. Më 20 prill 1973 komanda duke përdorur forcën më ka futur në birucë e më ka izoluar për një muaj. Gjatë kësaj kohe më kanë torturuar duke më dhënë ushqim me mungesa dhe të helmuar për të më dobësuar  organizmin, gjë e cila më revoltoi kundër pushtetit. Si mbarova dënimin, më 20 maj i kërkova rojës së brendshme të më nxirrte nga biruca, por ai më tha se nuk do më nxirrnin dhe aty kisha për të vdekur. Të nesërmen, roja i brendshëm erdhi të më heqë batanijen si zakonisht, por harroi derën e birucës pa e mbyllur me kyç duke e lënë vetëm me shul nga jashtë. Si iku ai unë përmes hekurave futa dorën dhe si dola jashtë kam gjetur një shufër hekuri. E mora me vete dhe hipa në tarracën e banjave. Roja i brendshëm më pa dhe më kërkoi të kthehesha në birucë. Unë i thashë se i gjallë nuk hyja. Pas pak këtu erdhi punëtori operativ (Fejzi Liço-shënim) bashkë me 5-6 policë. Më bënë thirrje të hyja në birucë. I thashë se dënimin e kreva dhe nuk hyja më aty. I kërkova të mos më afroheshin se do t’i godisja. Këtë çast m’u afrua Mehdi Noku për të më kapur. E godita me shufrën e hekurit një herë në krah. M’u afrua një polic, por dhe atë e godita me shufrën e hekurit në krah. Më kapën e më shtrinë në tokë, por kur më panë kështu, të dënuarit që po bëheshin gati të shkonin në punë ndërhynë e më hoqën nga duart e policëve. Si u çova në këmbë godita operativin me shpullë në fytyrë dhe me të dënuarit e tjerë u shpërndamë, por nuk hyra në birucë.

Vendi kur u përlesha me policët dhe oficerin ka qenë para pallatit, kur të dënuarit e tjerë që na dolën në mbrojtje ishin në tarracën e banjave dhe pastaj ata kanë mbërritur poshtë.

Unë vazhdimisht që kur jam arrestuar në Durrës dhe tani, dënimin tim e kam konsideruar të padrejtë, kjo më ka shtuar më shumë urrejtjen kundër pushtetit e partisë. Sa herë më ka rënë rasti në repartin e Spaçit kam folur para të dënuarve kundër partisë dhe pushtetit pa droje, duke u thënë se ky pushtet është diktaturë për popullin e shtypur, se njerëzit nuk kanë liri e demokraci të plotë për faktin se ai nuk ka liri shtypi, të kritikojë e kërkojë të drejtat e veta; se populli vuan nga kushtet ekonomike, se pagat janë të ulëta, ndërsa kuadrot e partisë e të pushtetit marrin paga të mëdha e bëjnë një jetë të mirë e të privilegjuar.

Kam thënë se organet e sigurimit të shtetit e shtypit popullin në përgjithësi duke i bërë provokime dhe në fund i fusin edhe në burgje duke qenë të pafajshëm ashtu si më kanë futur edhe me mua bashkë me vëllanë”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here