1967/Demaskim në fabrikën e birrës në Tiranë

0
389
blank

Demaskimi dhe këshillimi ishin dy nga format që përdornin organet e punëve të brendshme kundër elementit që godisnin. Ishte veprimi që ndërmerrej nëse personi nuk do burgosej. Kishte më shumë efekt publik. Për demaskimin, më shumë se hallin e atyre që poshtëroheshin, ishte efekti për masën që dëgjonte veprimin. Për këtë arsye, mund të thuhet se demaskimi kishte karakter masiv. Poshtërimi publik, i shërbente futjes së frikës te personat e tjerë që të kishin kujdes e mos bënin veprime që do t’i çonin këtu.

Demaskimi dhe këshillimi ishin si një pritë që parandalonin rritjen e numrit të dënimeve politike. Mënyra e veprimit të tyre rregullohej me urdhrat e ministrit të Punëve të Brendshme, duke qenë “pjesë e pandarë e politikës së goditjes” ndaj elementëve që zhvillonin veprimtari “armiqësore e keqbërëse”, por që kërkonte “objektivitet e partishmëri”. Këshillimi e demaskimi merrej ndaj shtetasve shqiptarë e të huaj, mbi 14 vjeç.

Në dallim nga këshillimi që bëhej në mjediset e degës së punëve të brendshme nga funksionari përkatës, demaskimi kishte karakter publik për vepra që parashikoheshin nga kodi penal, të vërtetuara në rrugë operative ose nga kallëzime të shtetasve.

Këshillimi ose demaskimi nuk përdorej për persona të akuzuar për spiunazh, terror, diversion, sabotim, organizim, etj.. Demaskimi nuk përdorej për ushtarakët si dhe për banorët e brezit kufitar.

Përgatitja e dokumentacionin bëhej nga punëtori operativ i zonës ose drejtimit, bashkë me shefin e seksionit, me miratimin e kryetarit të degës së punëve të brendshme, duke marrë pëlqimin e sekretarit të parë të PPSH-së në rreth.

Dokumentacioni rreth demaskimeve është shumë i pakët, pasi shumica e tij nuk është ruajtur. Për këtë arsye, metodat e këshillimit dhe demaskimit janë pak të njohura. Edhe protagonistët që janë gjallë, fare pak ose aspak kanë dhënë dëshmi rreth këtyre formave të përdorura ndaj tyre. Një demaskim komunikohet në komunikatën nr.136, datë 14.4.1967 të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Njoftimi është si vijon:

“Më 12.4.1967, në një mbledhje të kolektivit të kombinatit ushqimor “Ali Kelmendi”, u demaskuan Kristaq Panariti dhe Surja Matraku, ish-oficerë të përjashtuar nga partia, punëtorë në fabrikën e birrës, për arsye se kanë zhvilluar agjitacion e propagandë kundër vijës së partisë e pushtetit popullor. Masa ka kërkuar largimin e tyre nga puna dhe çështja t’i lihet organeve kompetente, organeve të diktaturës së proletariatit. Të përmendurit pranuan pjesërisht gabimet e tyre dhe kërkuan që kolektivi t’u kishte dhënë dorën më parë në këtë drejtim. Me qenë se ata kanë qenë me qëndrim të mirë, nga organet tona është menduar të mos merren në ndjekje penale, por të mjaftohet me demaskimin që u është bërë”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here