14 janar 1948, nata e martirëve të Tepelenës

0
391
blank

Një luftëtar ballist dhe një partizan. Një prift ortodoks dhe një baba bektashi…Një grup kaq i ndryshëm njerëzish në dukje, por që thelbin e kishin të ngjashëm. Ishin patriotë dhe besimtarë. Si të tillë, komunizmin nuk e kishin pranuar, ndaj diktatura i kishte dënuar. Atë natë janari, po shkonin drejt vendit të pushkatimit, por ngaqë po vriteshin pa faj dhe ishin besimtarë, kokën e mbanin lart

 

Nga Reshat Kripa

14 janar, katërmbëdhjetë burra ecnin me kokat lart të lidhur dy nga dy. Rreth e rrotull një tufë hienash të kuqe, me sytë e skuqur nga etja për gjak dhe uria për mish kufomash. Zoti me gjëmimet dhe vetëtimat e tij mundohej t’i ndalonte, por ata nuk besonin në Zot.  Zoti i tyre ishte vetë djalli.

Në krye të kollonës qëndronin krenarë Zenel Shehu dhe Syrja Bej Vasjari, dy ish-udhëheqës të luftës kundër pushtuesit, i pari komisar i batalionit partizan “Baba Abaz“, ndërsa i dyti komandant i batalionit ballist “Tafil Buzi“. Ecin dhe kujtojnë betejat e zhvilluara së bashku kundër pushtuesit italian në Mogila dhe Miricë, në Qafën e Kiçokut dhe në Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz.. Dy familje të mëdha të krahinës, dy miq të mëdhenj që nuk mund të luftonin ndryshe veçse në krah të njeri tjetrit, pavarësisht  nga  bindjet  e  secilit  prej tyre. Nuk kishin si shkonin ndryshe edhe në vdekje.

...

Pas tyre vinin të lidhur dy robër të Zotit, At Gjergj Suli dhe Baba Shefqeti. Edhe ata ecin dhe kujtojnë. At Gjergjit në  ato momente i kujtohen vargjet e një kënge të vjetër:

                                            

Papa Kristonë e vranë,

Dhe për të s’ra një kambanë!

               

Ndryshimi i vetëm ishte se ndërsa Papa Kristonë e helmuan andartët grekë, At Gjergj Sulin po e vrisnin vëllezërit e tij shqiptarë. Edhe për vdekjen e tij nuk u dëgjua asnjë kambanë. Thuhet se një prift i Leklit i ra kambanave në një orë jo të zakonshme Një gjë e tillë i kushtoi disa vite burg.

Baba Shefqeti ecte i menduar. Jo se i vinte keq për vdekjen. Tashti i kishte kaluar të gjashtëdhjetetretat. Në dorën që e kishte të palidhur, mbante një  palë  tespie ,  të  cilat  i  numëronte duke u lutur. Edhe në vdekje donte të shkonte me bekimin e Zotit, të cilit i kishte shërbyer për gjithë jetën. Një nga hienat e pa, ia rrëmbeu  dhe i vërviti në errësirën e natës.

- Zoti ta faltë gjynahun, se edhe ti vetë nuk di se ç’bën! – i tha babai me qetësi.

Në rreshtin e tretë ecte i qetë Baba Aliu, një tjetër shërbëtor i devotshëm i Zotit. Kur shkuan ta marin për ta pushkatuar një roje u përpoq ta mbante për krahu. Mendonin se Babai do të trembej para vdekjes. Kurse ai i qetë i tha:

- Mos kij merak se mbahem vetë, biri im!

Kështu shkuan drejt vdekjes këta martirë, ashtu siç kishin shkuar vite më parë bilbilenjtë.

...

Cili ishte qëndrimi i këtyre burrave në natën e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të Gjirokastrës? Lexojmë librin e Ibrahim Vasjarit, birit të Syrja Beut:

Sapo kishte kaluar mesnata. Errësirë. Jashtë, nëpër qiellin e grisur, përpëliteshin mes resh të largët, të ftohtë. Palcë dimri.               

- Kot   vrasim   mendjen    Syrja!    –    tha     Baba   Shefqeti.  –   gjithçka   është ëndërr. E vërteta është vetëm Perëndia, që është “Një“ dhe shokë tjetër nuk ka.

- Ashtu është Baba, kemi bërë gjumë të keq, - tha Syrjai.

- Gjumë? Pothuaj e kemi harruar fare gjumin, - tha Zeneli – sa shokë na janë vrarë?

- Dhe sa do të vriten akoma! – tha me një ironi të hidhur At Gjergji.

- Po kjo është ndryshe,krejt ndryshe, - iu përgjigj Zeneli – kjo është e pakuptueshme.

- Nuk ia vlen të kërkosh arsye, - tha Baba Shefqeti, - e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.

Të katër heshtën për një çast të mbyllur secili në veten e tij.

Çome Cini, një veteran ish-komunist, kujton në vitin 2005 tregimin e Misto Papajanit, një i dënuar tjetër me vdekje nga ky grup, që iu fal jeta: Mistua më tregoi edhe episode të tjera. Ishte mesnatë  kur  trokiti roja.

- Syrja Vasjari, - tha ai – hajde se të kërkojnë në zyrë.

Syrjai u ngrit dhe filloi të vishej.

- Mos u vish – i tha roja – se pesë minuta punë ke në zyrë.

- E di se ç’punë kam, - i tha  Syrjai  –  prandaj  do  të vishem. Nuk vij kështu.

- Mos na vono, - nguli këmbë roja, - se pesë minuta punë ke dhe do të kthehesh prapë.

- E di për ku jam nisur, - vazhdoi me qetësi Syrjai, - atje nuk shkoj i zhveshur.

Ne u përlotëm. Syrjai u vesh dhe u  rregullua  qetë qetë si për ceremoni. Pastaj  u  kthye nga ne, na pa të përlotur dhe duke u ndarë  tha:                                                                                                                      - Mos qani, bëhuni të fortë, se vdekja pesë  minuta është. Mbeçi me shëndet dhe mos na harroni! Të fala atyre që lemë pas! U thoni që nuk i kemi tradhëtuar ndonjë herë.

Kaq ishte dhe u ndamë për jetë me Syrjain.

...

Shënim: Nga fjala e Reshat Kripës, në një aktivitet përkujtimor për masakrën e 14 janarit 1948, botuar me titullin “Martirët e Tepelenës” në librin me përmbledhje artikujsh dhe kumtesash “Mos harroni, jemi edhe ne!”, Tiranë 2018

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here