Zef Pervizi: Polici ma nguli kokën në baltë…

0
394

Rrëfimi rrënqethës për urinë e fëmijëve në kampin e Tepelenës. Dëshmia e Zef Pervizit: ...ne ishim gjithmonë të uritur. Nëna vetëm qante. Atë pak bukë që merrte, na e jepte ne. Vetë kishte vënë një rrasë në brez që t'i mbante qemerin. Kishte mbaruar fiziku i saj…!”

Nga Admirina Peçi

Zefi ishte 9 vjeç kur preku fundin, në greminën e mbijetesës, në kohën e kampeve të internimit me tela me gjemba. Ishte djali i një antikomunisti të orëve të para, e si i tillë, u përball me egërsinë më të rreptë të regjimit, menjëherë pas arratisë së të atit.

Babai i tij, Ndue Gjergji, i lidhur me Mark Gjomarkun dhe rezistencën antikomuniste, ishte arrestuar ditën e varrimit të nënës së tij. Sigurimi i shtetit e kishte shfrytëzuar momentin e dhimbjes, për ti vënë prangat. Në qeli kishte gjetur kushëririn e tij, Ndue Pal Gjinin, i arrestuar 2-3 muaj më parë. Ishin dënuar të dy me vdekje. I kishin dërguar në Krujë për t'i ekzekutuar, bashkë me Xhemal Mukën nga Kruja. Por, 24 orë para ekzekutimit, të tre kishin thyer burgun e Krujës dhe kishin dalë në arrati.

Prej atij çasti, në familjen e Ndue Gjergjit dhe Ndue Pal Gjinit, nis kalvari i vuajtjeve të tmerrshme në kampet e internimit me tela me gjemba.

Zefi, djali i madh i familjes së Ndue Gjergjit, bashkë me nënën Mrikën, vëllain Pjetër e motrën Marie, i nisën drejt kampeve të internimit,  në Berat, në Kuçovë, në Turan dhe në Tepelenë.

Nga ky shtegtim, Zefi ka të fiksuara në kujtesën e tij copëza ngjarjesh, që  janë më të vërtetë rrënqethëse.

Kur i përmend Tepelenën, atij i vijnë ndërmend përjetime të tmerrshme.

Pothuajse të gjitha i lidh me urinë dhe vdekjen….

“Çdo ditë plasnin minat se na kishin vendosur në një vend ku kishte qenë ushtria italiane dhe gratë, nënat tona për të zier rrobat, vendosnin ndonjë kusi për të zier dhe plasnin minat. Mbaj mend një rast, një fëmijë nga Tropoja, Shemshedin Alisë, një djalë 11 vjeç, vritet dhe trupi i ishte bërë copa-copa dhe dy motrat, njëra 13 vjeçe dhe tjetra 12 vjeçe, kërkonin krahët dhe këmbët për t’i afruar. Motra e madhe mori dy çorape dhe i futi në xhep”.

“Nji ditë, u futa në kopshtin e policisë dhe doja të shkulja një pras. Si fëmijë që isha s’e shkulja dot se ishte akull, ishte dimër. U shtriva barkas që ta shkulja me dhëmbë. E çova deri në gjysmë prasin, kur dikush më vë një këmbë përsipër dhe ma ngjeshi fytyrën në baltë. Dhe më kapi nga trikoja që kisha veshur, të cilën nëna e kishte punuar me perin e batanijeve të kalbura. Ma shqeu dhe atë. M’u dhimbs më shumë trikoja se sa koka në baltë sepse s’kisha se ç’të vishja tjetër. Më ngriti, më futi një shpullë dhe më futi në një dhomë me ujë. Pastaj erdhi nëna duke më kërkuar, më mori dhe më çoi te kapanonet. U mundua të më vishte diçka…”

“Nuk e kuptoj se ku e gjetën ata njerëz atë lloj edukate kriminale, sa një fëmije 8 vjeç polici i vë këmbën mbi kokë sepse po ha një pras dhe e ia ngul fytyrën në baltë. Si u përgatit ai njeri kaq kriminel? Nga u përgatit aq kriminel? Çfarë ishte kjo lloj diktature që i përgatiste këta njerëz kaq kriminelë mbi gratë dhe mbi fëmijët? Është e tmerrshme ta mendosh...”

 Zefi ndalet pak dhe kujton një tjetër episod të trishtë. Ngaqë uria sundonte gjithë mendimet e tij prej fëmije, çdo shqisë e trupit ndërvepronte vetëm në këtë drejtim: Si ta mund urinë? Çfarë mund të fus në stomak që të mos e ndjej këtë gropë të tmerrshme?

Një ditë, një grua fshatare e Tepelenës, e veshur me të zeza, që dilte të shiste ndonjë gjë si dhe disa gra të tjera që shisnin domate, speca, pak djathë etj., atje në rrëzë të malit, po hante bukë. Kur e ndau bukën përgjysmë, unë i shkova afër, i mora copën e bukës dhe ika me vrap. Ajo u kthye dhe jo vetëm që nuk më mallkoi, por më tha: “Bir, hajde nesër këtu se do të sjell unë bukë”. Të nesërmen shkova atje dhe ajo e kishte ndarë bukën, më uli afër vetes dhe më dha edhe pak djathë. Atë ditë u ngopa me bukë për mrekulli…”.

Por një ditë ngopje, mes urisë së 5 viteve, ishte si një pikë uji në shkretëtirë. Zefi kujton se ishin bërë aq vigjilentë, sa çdo të mirë të Zotit a të natyrës, ata e inspektonin si skifterë të vegjël. Mana ferre që i hanin gjithmonë të kuq të papjekur, lënde dushku që ju frynin barkun apo barishte të egra, që mblidhnin nënat kur i çonin  në mal, për të mbajtur dru në shpinë…

“Çdo ditë, mezi prisnim të dilnim që të mblidhnim manaferra. Ishin mana të kuq, të papjekur, se nuk i linim që të piqeshin. Si bagëtia, dilnim në mëngjes për të mbledhur mana të kuq ferre të papjekur, sepse ishte kënaqësia më e madhe që të mund të fusje diçka në stomak…”.

Ishte e vështirë për nënën e Zefit,  Mrikën, të shihte çdo ditë tre fëmijët e saj, gjithmonë të uritur, që qanin çdo ditë duke kërkuar bukë. Zgjoheshin të uritur, duke qarë e flinin në mbrëmjë duke qarë, ndërsa kërkonin bukë.. Zefi thotë se nuk i hiqen kurrë nga mendja sytë e nënës së tij, të cilët asnjëherë nuk i pa pa lot.

“…nga mëngjesi deri në darkë, çdo ditë, kam qarë për një copë bukë misri. E kapja nënën nga këmisha dhe i kërkoja bukë. Ajo ecte përpara dhe qante se s’kishte ku ta merrte. Kishte futur një rrasë në brez për t’i mbajtur qemerin sepse trupi i saj kishte mbaruar. Dhe ajo nuk i pati ndonjëherë sytë e tharë, por gjithmonë të lagura. Ki parasysh një nënë me tre fëmijë, më të madhin 9 vjeç dhe më të voglin 3 vjeç, dhe të mos jetë e zonja t’u japë një kafshatë bukë dhe të mos ketë mundësi t’i veshë një copë rrobë, diçka. Dhe ta ketë gjithmonë barkun e saj të pangopur. Gjithmonë…!”

E pyes Zefin nëse mban mend të revoltohej ndaj realitetit ku ndodhej, a e pyeste ndonjëherë nënën pse ishin atje të mbyllur me tela me gjemba,  gjithmonë të uritur, pa bërë asnjë faj…

“I thosha nënës, shpesh, se përse ishim aq të varfër, aq të mjerë. Kaq. Pse s’kisha për të ngrënë. Përgjigja e saj ishte: “Nuk kemi ku të marrim, kaq na japin”. Çfarë mund të thoshte më tepër? “S’kemi ku të marrim, kaq na japin!” …Pastaj ki parasysh konceptin dhe mendjen e një fëmije 9 vjeç apo më pak. Vetëm do të hajë, por se nga vjen s’kupton më shumë.

Unë nuk di të ketë pasur brenda një kombi, një kamp të këtillë, kaq dhunues për të drejtat e njeriut, për fëmijët dhe për gratë, për dy krijesat më të pafuqishme të një shoqërie njerëzore”.

“…unë nuk di nëse ka në Evropë ndonjë sistem që ta ketë trajtuar kombin e vet, fëmijët e kombit të vet, gratë e kombit të vet, siç i ka trajtuar diktatura. Modeli më i shëmtuar i diktaturës është aplikuar te ne shqiptarët….

Pra, krimin që ka bërë diktatura mbi gratë dhe fëmijët, s’ia fal. Im atë ishte me armë në dorë. Ai ishte dhëmb për dhëmb me diktaturën, më vrave, të vrava. Por, unë çfarë borxhi i kisha? Nëna çfarë borxhi kishte? Motra 3 vjeçe çfarë borxhi kishte dhe vëllai 5 vjeç, çfarë borxhi kishte? Pra, nuk gjen model në diktatura, atë ç’ka ka bërë diktatura mbi shqiptarët, mbi fëmijët shqiptarë, mbi gratë shqiptare, mbi nënat shqiptare”.

Burimi:

Histori e ndërtuar sipas rrëfimit të Zef Pervizit në emisionin “Dosja K” në Report Tv

https://www.youtube.com/watch?v=d1E-Oxt4xfc&t=290s

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here