Ylli Tabaku, i dënuar tri herë, vuajti 26 vjet, 8 muaj, 24 ditë burg komunist

0
2261
blank

Historia e kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë mund të tregohet edhe përmes dënimeve të këtij njeriu të vetëm që për 27 vjet punoi dhe vuajti në gjithë Shqipërinë

Ylli Ramazan Tabaku (1942-2021) ish-i dënuar politik në komunizëm ka një histori sa interesante aq edhe të dhimbshme. U arrestua fare i ri, 18 vjeç, vuajti shumë vite burgim dhe mbahej i burgosur duke qenë me diabet dhe i trajtuar me insulinë. Familja e tij erdhi në vitin 1951 nga Durrësi në Tiranë. Në vitin 1956 u internuan në Savër sepse iu arratis motra. Kishte të dënuar për çështje politike babanë dhe dy vëllezërit. Pas daljes nga burgimi i parë, banoi në Baldushk. Emigroi në Gjermani me eksodin e 2 korrikut 1990 dhe vdiq në Nussloch të Gjermanisë më 25.3.2021.

Dënimi i parë

U arrestua më 10.12.1960. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal, se do të arratisej në “Greqinë monarko-fashiste”. Duke qenë i internuar në Savër, u orvat të arratisej. Mungesa e tij ra në sy dhe për të u shpall kërkimi. Niset më 9.12.1960 duke pasur me vete 6 kg bukë, 5 pako gjalpë, 10 paketa cigare, 5 pako shkrepëse. Kur ishte në Gjyshaj të Lushnjës, një fshatar e dyshon dhe e ndalon më 10.12.1960.

Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me veprim në Lushnje, me vendimin nr.18, datë 24.3.1961, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 3 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.44, datë 17.6.1961 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Dënimi i dytë

Duke vuajtur dënimin në Fushë-Krujë, u orvat të arratisej së bashku me të dënuarin Maksut Xhumaka. Tentativa nuk pati sukses. Makina me të cilën shpërthyen derën e kampit nuk vazhdoi gjatë sepse u batua dhe ra në kanal. Arratisja dështoi dhe të dy të dënuarit shpëtuan mirë nga moria e plumbave që u derdhën mbi ta. U akuzua në bazë të nenit 229/1 (arratisja nga vendi i vuajtjes së dënimit).

Gjykata e Rrethit Krujë, me vendimin nr.10, datë 31.1.1967, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, gjykata vendosi 12 vjet heqje lirie.

Kohën e këtyre dënimeve e vuajti në Repartin nr.319 Vlorë (burg); Reparti nr.303 Tiranë për ndërtimin e Kombinatit të Mishit; Repartin nr.303 Tiranë për ndërtimin e Bllokut “Puna”; Repartin nr.303 Tiranë për ndërtimin e Uzinës “Traktori”; Reparti nr.303 Vlorë për ndërtimin e Uzinës së Sodës Kaustike; Reparti nr.307 Rubik për ndërtimin e Uzinës së Bakrit; Repartin nr.303 Elbasan për ndërtimin e Fabrikës së Çimentos; Repartin nr.323 Fushë Krujës për ndërtimi i Fabrikës së Çimentos; Repartin 321 Burrel (burg); Repartin nr.309 Skrofotinë, Vlorë; Repartin nr.303 Spaç; Repartin nr.321 Burrel (burg); Reparti nr.309 Ballsh. Gjatë kësaj kohë, kur ishte në fundi të dënimeve, ai u mbajt për një kohë të gjatë në spitalin e burgut në Tiranë, për shkak të keqësimeve ekstreme të shëndetit nga diabeti. Megjithatë, regjimi nuk e lironte nga burgu.

U lirua nga burgimi më 27.1.1979 nga Reparti nr.309 Ballsh.

Dënimi i tretë

U arrestua më 8.10.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal se kishte bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Gjykata e Rrethit Tiranë, e shqyrtoi çështjen me dyer të mbyllura, me vendimin nr.92, datë 9.3.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe me 5 vjet internim pas mbarimit të burgimit. Këtë dënim e vuajti në Repartin nr.309 Ballsh; ndërtimin e shtëpisë së pushimit në Durrës; Reparti nr.305 Përparim dhe në Repartin nr.325/1, për ndërtimin e Kompleksit “Dinamo” në Tiranë, ku u lirua më 15.5.1989.

Në foto: Të dënuarit: Ylli Tabaku, Hakim Bulku dhe Halit Zaimi në Repartin nr.307 Rubik në vitin 1965.

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here