Tre heronjtë që thyen mallkimin e Burrelit

0
6834
blank

Në 3 gusht 1967, diktatura, pushtetarët, përfaqësuesit e rendit dhe aparatit të burgjeve në Shqipëri nuk ishin më si më parë. Gjatë mbrëmjes së lënë pas, kishin pësuar një goditje në një nga pikat e tyre më të forta që mbahej si e paprekshme: sigurinë e burgut të Burrelit. Mbrëmjen e 2 gushtit, tre të dënuar kishin tentuar të arratiseshin nga burgu për të cilin thuhej "Ky është Burrel, hyn e nuk del". Kush ishin Sazan Hadëri, Dhori Gërnjoti dhe Adem Allçi,të cilët sfiduan masat e sigurisë së lartë të Burrelit dhe i morën nga duart ca orë liri, diktaturës që u mbante jetën peng

Të përgatisje një arratisje nga burgu, kërkonte një guxim të rrallë, por të përgatisje një arratisje nga burgu i Burrelit, i ndërtuar që në kohën e mbretit Zog si burg i sigurisë së lartë dhe që, edhe gjatë diktaturës mbante armiqtë më të rrezikshëm të Partisë, kërkonte një forcë, mendore së pari, përtej së imagjinueshmes. Askush nuk kishte provuar më parë të largohej nga ai burg. "Prej aty nuk dilej!" Ky ishte mësimi i parë që nxinin të burgosurit, në formën e një teorie, e cila nuk kishte nevojë për eksperimente për t'u vërtetuar. Mirëpo, kishte mes të dënuarve të Burrelit, si mes të dënuarve të çdo burgu, edhe nga ata djem që sfidonin të pasfidueshmen dhe atë bënë mbrëmjen e 2 gushtit të vitit 1967, Adem Allçi, Dhori Gërnjoti dhe Sazan Hadëri.

blank
Adem Allci, ish-i denuar politik qe me 2 gusht 1967 theu burgun e Burrelit

Në intervistat e mëvonshme, i vetmi që jeton sot prej të treve, organizatori i kësaj arratisjeje, Adem Allçi, ka rrëfyer zhvillimet e asaj nate të paimagjinueshme, që për Sazanin ishte edhe e fundit e jetës. Rrëfimi i tij ndërthuret edhe me dëshminë e Dhori Gërnjotit, që u plagos me 6 plumba dhe u kap i pari, ndërkohë që Ademi mundi të largohej me kilometra të tërë derisa u rrëzua pa ndjenja prej lodhjes, por mbi të gjitha prej plumbit që e kishte kapur në shpatull gjatë arratisë ku e ndiqnin forca të shumta të armatosura. Dhori dhe Ademi u ridënuan në një proces gjyqësor ku të akuzuarit ishin të shtrirë në barrelë prej plagëve që kishin marrë, fillimisht me vdekje, por pastaj me 25 vjet burg, sipas njërës prej skemave të njohura të ridënimeve të këtyre rasteve, ku të dënuarit akuzoheshin për terrorizëm.

E kaluara e përbashkët

Të tre djemtë ishin burgosur për të njëjtën arsye: tentativë arratisjeje. Ishin dënuar, të tre, mbi 15 vjet burg.

Dhori Gërnjoti ishte një prej boksierëve më të mirë në vend, por duke parë vështirësitë e skajshme ekonomike, padrejtësitë shoqërore dhe mungesën e plotë të perspektivës sportive, në vitin 1962, u nis drejt Korçës për të kaluar kufirin, por u kap në fshatin Qytezë dhe pas 6 muajsh hetuesi, u dënua me 18 vite burg. Provoi disa kampe pune të detyruar, ku sërish u organizua me grupe që përgatisnin mundësinë e një arratisjeje, ndaj, duke u pikasur si person me rrezikshmëri të lartë, u dërgua në Burrel.

Adem Allçi tentoi të arratiset në fund të vitit 1962, përmes një pike tjetër gjeografike, duke kaluar kufirin me Jugosllavinë, por pas disa muajsh e kthyen në Shqipëri dhe pas një hetuesie 10-mujore, në shkurt të 1964-ës, e dënuan me 15 vite burg. Edhe ai lëvizi në disa kampe pune, në një prej të cilëve, në Rubik, u përfshi në një përleshje me 3 policë çfarë i shtoi dënimit edhe 10 vite të tjerë burg. Edhe ai, si një person i rrezikshëm, u dërgua në burgun e Burrelit.

Sazan Hadëri, nga ana tjetër, megjithëse ishte djali i motrës së një prej udhëheqësve të kohës, Shefqet Peçit, ishte i bindur se nuk mund të jetonte në Shqipërinë nën diktaturë  ndaj ishte përpjekur të largohej në Itali dhe e kishte pranuar këtë fakt me guxim në hetuesi gjatë vitit 1966, pasi u arrestua. Ndoshta për këtë aryse, u dënua me plot 25 vjet burg, të cilat i nisi në Laç, e mandej shkoi, dhe ai, në burgun e Burrelit.

Të tre djemtë ndodheshin në të njëjtën dhomë në burgun e Burrelit bashkë me 20 e ca të tjerë të dënuar. Ademi ka treguar që u kishte treguar dhjetë vetave për mundësinë e arratisjes, por për t'u ruajtur nga dekonspirimet e mundshme, askujt nuk i kishte thënë ditën apo orën, deri paraditen e 2 gushtit, kur ai i thotë secilit prej tyre, që dita për të thyer burgun kishte ardhur. Dhori dhe Sazani i kishin premtuar se do e ndiqnin pas në çdo hap, siç edhe bënë.

Arratisja spektakolare

Atë pasdite, në dhomën 25 hyjnë për të bërë apelin, dy kapterë të paarmatosur, siç e kërkonte rregullorja. Atëherë, Ademi i thotë njërit që kishte një letër për Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Me të dëgjuar emrin e lartë, kapteri, i thotë të dilte nga rreshti dhe t'ia sillte zarfin. Dhe Ademi, me një dorë i jep letrën dhe me një dorë e godet duke shkarkuar mbi kapterin fuqinë e grumbulluar në muskuj e nerva gjatë orëve të tëra të stërvitjes brenda qelisë. Dhori dhe Sazani godasin kapterin tjetër dhe pasi Ademi i merr çelësat kapterit të rrëzuar pa ndjenja vrapon drejt derës që të nxirrte në oborrin e ajrosjes. E hap, dalin në oborr dhe që aty hipin duke u kacavarur me duar, në tarracën e burgut. Mirëpo ndërkaq, një i burgosur ordiner që ishte futur enkas në dhomën e tyre për të raportuar planet e arratisjes të cilat tashmë kishin rënë në vesh të komandës së burgut, përmes ndonjërit prej atyre 10 të dënuarve, nis të thërrasë nga dritarja për të sinjalizuar rojat, të cilët vënë menjëherë në shenjestër tarracën, duke ndalur kështu që atyre tre vetave të mund t'u shtohej edhe ndonjë i dënuar tjetër. Djemtë hidhen nga tarraca për në oborrin lindor dhe nisin të vrapojnë drejt rrethimit të jashtëm që ndodhej rreth 10 metër larg burgut. Para rrethimit me tela me gjemba, rreth 2 metër të lartë, ndodhej një transhe me tela elektrikë që të arratisurit e kaluan dhe u hodhën në kolonat e betonit që shërbenin për mbajtjen e telave të rrethimit. Sazan Hadëri nuk mundi ta kapërcejë kolonën. Plumbat e rojave e ndalën vrullin dhe jetën e tij.

Ademi dhe Dhori nuk mund të bënin tjetër veçse të vraponin...por pas 100 apo 150 metrash, një plumb e kap boksierin e njohur në këmbën e djathtë, çfarë do ia ngadalësonte ndjeshëm ritmin. Do të vazhdonte të vraponte, megjithatë, nën dritën e projektorëve dhe zhurmat e plumbave, disa nga të cilët i hynë në trup, por ai nuk i ndiente, derisa u rrëzua përtokë, ku edhe e mbërriti turma turlifarësh e vënë në ndjekje të tyre: polica e burgut, policia e rendit, Korpusi i Burrelit dhe vullnetarët e popullit...Të shtrirë, siç qe, e goditën sërish në këmbë. “Kisha marrë gjashtë plumba, në kokë, në shpatull, dy në ije dhe dy në njërën këmbë. Por vazhdoja të isha gjallë dhe i fortë. Pa më dhënë asnjë ndihmë mjekësore më lidhën dy duart dhe më tërhoqën zvarrë si të kryqëzuar. Në oborr pashë kufomën e Sazanit Hadërit të shpuar nga 70-80 predha”- ka treguar vite më parë, Dhori Gërnjoti fundin e 2 gushtit të tij.

Ademi ndërkaq vazhdonte të vraponte. I ishte drejtuar malit të Dejës, por ndërsa ndodhej në kodrat e Macukullit, pranë fshatit Lis, pasi kishte vrapuar për rreth dy orë, edhe ai rrëzohet buzë një përroi. Në atë kohë vëren se kishte një plagë plumbi në shpatull. Ishte thuajse duke humbur ndjenjat kur dëgjon gjithmonë e më të afërta zërat e policëve dhe të lehurat e qenve të ndjekjes.

Do të vinte në vete nga sulmi i forcave të specializuara, të cilët iu vërsulën dhe e lidhën me litar duar e këmbë për t'i bërë një demonstrim në sheshin qendror të Burrelit ku ishin mbledhur autoritete të larta të rrethit dhe të ardhur nga Tirana.

Ridënimi dhe fundi i lirë i historisë së gjatë të dënimeve

Pas disa ditësh, të mbeturit gjallë nga kjo tentativë arratisjeje dolën para gjykatës dhe u dënuan me vdekje. Megjithatë, pas disa ditësh, Kuvendi Popullor solli dekretin që t'u falej jeta dhe të dënoheshin me 25 vjet burg. “Më dërguan fjalë në burg se faljen time e kishte kërkuar vetë Enver Hoxha, por kurrë nuk e besova. Më shumë besova se nuk donin të vrisnin një boksier me emër për të mos shkaktuar probleme në opinion”, i ka dhënë një farë shpjegimi mrekullisë, Dhori Gërnjoti, sportisti që iu ndërpre në mes karriera në boks, por që arriti të thyejë, bashkë me Adem Allçin dhe martirin, Sazan Hadëri, një rekord që mbeti në fuqi gjatë gjithë diktaturës: të arratiseshin nga burgu i Burrelit.

Dhori u lirua me një amnisti kolektive, në vitin 1987, pasi kishte kryer 25 vite burg. Ndërsa Ademi, në 30 prill të vitit 1990, pas 27 vitesh burg.

Lanë brenda qelive vitet më të mira, por dhe famën prej të pamposhturish që rrëzuan deri dhe mitin e Burrelit.

a.çano/kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.