“Tepër sekret”, 1959/ Kadri Hazbiu: Gjendje e rëndë,  mbi 800 të burgosur të sëmurë, s’kemi ku ti kurojmë 

0
1236
blank

Dokumenti i rrallë, ku krerët e regjimit e pranojnë gjendjen alarmante,  të të burgosurve të sëmurë, të cilëve ju mohoheshin medikamentet dhe kushtet minimale për t'u kuruar apo për t'u operuar në raste urgjente...

Të dënuarve politik gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri  u shkeleshin çdo ditë  të drejtat më themelore të njeriut. Pa ushqim, me punë të sforcuar e në kushte çnjerëzore, por mbi të gjitha pa kurim  dhe trajtim spitalor, madje edhe në rastet e urgjencave kirurgjikale, të dënuarit politik ishin çdo ditë në luftë me vdekjen.

Në vitin 1959 gjendja ishte tmerrësisht e rëndë për të sëmurët e dënuar në burgjet komuniste. Vetë ministri i brendshëm, Kadri Hazbiu  e zbulon këtë fakt të rëndë në këtë dokument me siglën “tepër sekret”, të cilin e sjellim  ekskluzivisht,  në “Kujto. al – Arkiva online e viktimave të komunizmit”. Shkresa jep alarmin  për qeverinë duke kërkuar të ndërhyhet për të shtuar kapacitetet  në spitale e për të kuruar të burgosurit e sëmurë që sipas Kadri Hazbiut ndonjëherë varionin deri 700 apo 800 të sëmurë në një kohë. Ministri i Brendshëm kërkon “të krijohen kondita kurimi më të përshtatëshme për personat me sëmundje psiqike, tuberkolare, infektive dhe për ata që kërkohet ndërhyrje e shpejtë kirurgjikale”.

Më tej Kadri Hazbiu thotë se gjendjen e ndërlikonte  “më shumë fakti që shtrohen së bashku në të njëjtat godina të sëmurë me sëmundje të ndryshme, ndër të cilët edhe me sëmundje infektive”.

Po ashtu dokumenti zbulon se në vitin 1959 turbekulozi po bënte kërdinë mes të burgosurve. Në Tiranë ishte hapur një spital për të burgosurit me turbekuloz me 120 shtretër, i cili në 1959, sipas Kadri Hazbiut ishte i tejmbushuar disa herë mbi kapacitetet.

Ky dokument me të dhëna të vyera e të pakontestueshme  arkivore  vërteton të gjithë dëshmitë gojore të ish të burgosurve politikë për kushtet e tmerrshme  dhe trajtimin çnjerëzor të tyre sidomos kur ishin të sëmurë, në burgjet e regjimit komunist.

Faktet dëshmojnë se qeveria shqiptare nuk lëvizi as gishtin e vogël për të përmirësuar kushtet e të burgosurve. Shkresa e Kadri Hazbiut  ishte dërguar në Komitetin Qendor të PPSH-së dhe në Kryeministri.

Shkresa ishte përcjellë në ministritë përkatëse nga Kryeminsitri Mehmet Shehu dhe përgjigja e kthyer ishte negative. Nuk mund të shtoheshin kapacitete të reja, dhe se duhej pritur vitit 1961 për ta futur në planet e shtetit këtë propozim.  Duke  parë natyrën burokrate të kësaj përgjigjeje mund të kuptohet se si kishte vijuar më tej  gjendja e të burgosurve politikë edhe në vitet në vijim. Më poshtë i sjellim të plota  dokumentet, të cilat ruhen në Fondin e Këshillit të Ministrave të vitit 1959.

 

Dokumentet e plota

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIJA E PUNËVE TË BRËNDËSHME

“TEPËR-SEKRET”

DREJTORIJA E POLICISË POPULLORE

Ekzemplar Nr. 1

Nr. 3165 Prot.

Tiranë, më 1/12/1959.

 

K R Y E M I N I S T R I S Ë

(SHOKUT MEHMET SHEHU)

Për njoftim:

KOMITETIT QENDROR TË P.P.SHQIPËRISË

(SHOKUT HYSNI KAPOS)

T I R A N Ë :

Për këtë Ministri ka qenë dhe është problem çështja e kurimit të të dënuarëve të sëmurë me sëmundje të ndryshme dhe vetë dikasteri me mjetet që disponon nuk ka patur mundësi që të krijojë kondita të përshtatëshme për mjekimin e tyre.

Numuri i të dënuarëve të sëmurë ka qenë dhe është relativisht i math, disa prej tyre kanë ardhur të tillë kur janë arrestuar dhe disa të tjerë janë sëmurë gjatë kohës së qëndrimit në burg si rrjedhim i izolimit të tyre për një kohë të gjatë. Veçanërisht kërkohet të krijohen kondita kurimi më të përshtatëshme për personat me sëmundje psiqike tuberkolare, infektive dhe për ata që kërkohet ndërhyrje e shpejtë kirurgjikale.

Për të zgjidhur këtë problem kjo Ministri ka marë disa masa duke krijuar infermeri pranë ç’do kampi dhe burgu të pajisura me medikamente të nevojshme, ka krijuar në qytetin e Tiranës një spitalë me kapacitet prej 120 shtretësh, ku janë shtruar të dënuar që vuajnë si nga tuberkolozi ashtu edhe nga sëmundje të tjera, është hapur një aneks me 20 shtretër pranë spitalit të përgjithshëm civil.

Numri i math i të sëmurëve, i cili disa herë harrin deri 700-800 veta si dhe llojet e ndryshme të sëmundjeve kanë krijuar një gjendje të vështirë për të sëmurët për shkak të kapacitetit të paktë të vendeve të kurimit dhe sidomos e ndërlikon gjendjen më shumë fakti që shtrohen së bashku në të njëjtat godina të sëmurë me sëmundje të ndryshme, ndër të cilët edhe me sëmundje infektive.

Pëveç kësaj e vështirëson gjendjen në këto qendra kurimi, mungesa e pajimeve të domosdoshme dhe e mjekëve sepse godinat që shërbejnë për kurim ndodhen larg spitaleve, njëra në ish burgun e ri dhe tjetra që shërben për operacione dhe sëmundje psiqike ndodhet pranë spitalit civil shumë larg sallës së operacionit gjë që kërkon që i operuari të bëjë një rrugë të gjatë me një herë pas operacionit.

Nga kapaciteti i vogël i këtyre vendeve të kurimit ka ardhur që shumë të dënuar të cilët kanë patur nevoja të ngutëshme për operacion, kanë qëndruar dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë nëpër rrethe. Gjithashtu kjo ka shkaktuar që të mos ju përgjigjemi në kohë kërkesave të prokurorive dhe gjykatave në lidhje me përcaktimin e sëmundjeve psiqike të pretenduara nga shumë t’arrestuar gjë që ka zvarritur për një kohë të gjatë hetimet dhe gjykimet e të burgosurve.

Duke u nisur nga sa thamë më lartë dhe për të zgjidhur këtë problem urgjent, propozojmë të miren këto masa:

1) Spitali që kemi sot pranë burgut të ri me një kapacitet 120 shtretër të mbetet vetëm për të sëmurët prej tuberkolozi, me gjithë se të sëmurë të tillë ka më tepër se kapaciteti i sotëm i këtij spitali. Operacione në mushkëri këtu nuk mund të bëhen. Këta t’i sigurojmë duke hapur një vend në senatoriumin shtetror. Kjo zgjidhje për tuberkolozët mbetet e përkohëshme sepse siç dihet burgu i ri është në qytet, e si i tillë është në kondita jo të përshtatëshme. Brenda 2-3 vjetësh duhet të ndërtojmë një spital tuberkolozi pranë senatoriumit.

2) Pranë spitalit Nr. 2 të përgjithshëm shtetnor është e domosdoshme që të krijohet një aneks me 100 shtretër nga të cilët 30 për kirurgji, 30 për pathollogji, 25 për psiqiatri dhe 15 për sëmundje infektive. Ky spital nuk mund të vendoset në vend tjetër për arësye se duhet të jetë pranë sallës së operacionit dhe mjekëve kirurg.

Për të krijuar këtë aneks duhen ndërtuar godina me kapacitetin që kërkohet ose të jepen dy godinat që janë ngjitur spitalit Nr. 2 dhe që përdoren aktualisht si depo farmaceutike të Ministrisë M. Popullore, të cilat mund t’adoptohen dhe të pajisen shpejt për zgjidhjen e këtij problemi urgjent.

Duke përdorur këtë aneks ne kemi mundësi t’i lirojmë spitalit civil dhomat për 20 shtretër që përdorim sot dhe godinën ku qëndron reparti i sigurimit të të burgosurve.

Për këtë problem kemi marrë mendimin edhe të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila është dakort për të gjitha, me përjashtim të vendit për ngritjen e kësaj qendre kurimi në oborin e spitalit Nr. 2, duke e arsyetuar se vendosja e të sëmurëve të dënuarë afër të sëmurëve të lirë, nuk bën përshtypje të mirë në të huajt.

Është e nevojshme që këto qendra kurimi të pajisen me mjete të domosdoshme sikurse gjithë spitalet e tjera.

Për të punuar në këto qendra kurimi të të burgosurve nevojitet ky personel: 1 Drejtor, të cilin e ka edhe sot në organikë Ministrija e P. të Mbrendëshme, 6 mjekë të spitalit civil, të cilët do të punojnë 1/2 norme, 2 Nd/mjek, 10 infermierë, 10 shërbyese dhe 2 përgjegjës materiali.

Me përjashtim të Drejtorit të Spitalit të cilin e kemi dhe të 6 mjekëve të spitalit civil që na i siguron vetë spitali personeli tjetër prej 24 personash që nevojitet për këtë qendër kurimi të na shtohen në organikë, në qoftë se këtë detyrë nuk do ta bëjë Ministrija e Shëndetësisë me personelin e saj.

Përsa i përket sigurimit të këtij spitali do të përdoren forca nga limiti i vetë Ministrisë Punve të Mbrendëshme.

Gjithashtu financimi dhe drejtimi i spitalit të bëhet nga kjo Ministri.

Lutemi t’aprovohen këto propozime.

 

MINISTËR’I PUNVE TË MBRENDËSHME

GJENERAL-LEITNANT

(KADRI HAZBIU)

(firma, vula)

***

Shokut Manush

Shokut Koço. T.

Shifeni dhe i jepni zgjidhje. Parimisht unë jam d’akord. Shtesë organike të mos bëhet, t’i përballojnë me kontingjentin e vetë. 2.12.59 (firma)

***

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E ARËSIMIT DHE E KULTURËS

KABINETI I MINISTRIT

Nr. 1610 Prot.

Tiranë, më 28.XII.959

Shoku Kryeministër,

Kërkesën e sh. Kadri e shqyrtova me sh. Koço Theodhosi. Që të rregullohet strehimi i të sëmurëve të burgosur, nuk është vetëm çështja për organika, por duhet të bëhen disa investime që mund të harrijnë deri 5 milionë lekë.

Me qenë se Ministria e Punëve të Mbrendëshme nuk ka ndonjë propozim konkret për investime, unë e ngarkova sh. Kadri që t’a studiojë mirë. Por në rast se do të dojë investime, mendoj që për këtë vit të vazhdojë si deri më sot dhe më 1961 të planifikohet adaptimi ose ndërtimi i ndonjë kapanoni.

Manush Myftiu

(firma, vula)

Burimi: Fondin e Këshillit të Ministrave, viti 1959

blank

blank

blank

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here