Hyrie Kupi rrëfen për kampin e Tepelenës

0
2735

"Kam ngrënë supë me groshën që ka lënë ushtria italiane apo orizin me krimba kazani sipër... Tani e beson ti? Ne kemi qenë fëmijë edhe jemi rritur në kamp. Unë u martova në kamp." 

Vajza e Abaz Kupit, Hyrie Kupi, rrëfen 51 vitet që ka kaluar në internim gjatë periudhës komuniste në Shqipëri.

Rrëfimi i plotë

Nuk mund ta them tamam ashtu, se më duket sikur nuk e besojnë të tjerët. Unë do ta them, se atë kam jetuar vetë, që kam ngrënë supë me groshën që kishte lënë ushtria Italiane apo orizin, me krimba kazani sipër. Tani e beson ti? Ne kemi qenë fëmijë edhe jemi rritur në kamp. Unë u martova në kamp. Unë mbaj mend po... nëna na thoshte që ne kemi ikur në Itali. Në 1941 ishte lufta Italo-Greke.

Na morën nga Himara, se nuk i mjaftonte Himara. Megjithatë, internimi i italianëve ka qenë krejt ndryshe nga ky i shqiptarëve. Kjo ka qenë torturë. Internimi i parë, kemi qenë në Spille të internuar, kemi gjetur një familje vetë. Atje kemi ndenjur një vit e gjysmë, 1939- 1940.

Babai, pasi bëri rezistencën në Durrës, që nuk e përmendin asnjëherë. Abaz Kupin nuk e thonë kurrë, rrallë ndonjëherë mund ta thonë. Ai u arratis, edhe ne pas kësaj arratisjes së babait, nga viti 1939, qershor i ’39 ose prill në mos gabofsha 7 prill ka qenë, e deri në vitin 1944, ne kemi qenë të internuar. Pasi erdhëm nga Italia, na dërguan në Kalanë e Gjirokastrës. Atje na futën në burg.

Në vitin 1941, ne në dorë të italianëve kemi qenë. Babai ishte komandat i përgjithshëm i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, edhe për babain komunistët e ai gjirokastriti, Bedri Spahiu, hynte e dilte tek shtëpia jonë. E mbaj mend unë, se kam qenë në shkollë, në klasë të dytë, edhe ai sillte trakte, mbushte çantën edhe më tregonte kujt t'ja çoja. Erdhi lirimi, në kohën kur Italia kapitulloi e pastaj babi iku, edhe u çlirua pastaj Shqipëria.

Aty pastaj na kapën. Vëllain e futën në burg. Vëllai ka qenë 17-18 vjeç, se babai mori dy vëllezërit me vete, mori të madhin edhe të voglin. Ai i mori të tre djemtë para se të ikte edhe u tha: Kush i del zot dhe kush është më trimi nga ju, që të rrijë këtu me familjen.  Ama, kur të më japë besën që do të rrijë me familjen, do rrijë më nënën dhe me motrat. Doli Bardhi, vëllai i dytë: O bab, unë do rrijë me këto, tha. Ndenji ky dhe babai mori me vete dy vëllezërit e tjerë. Ata shkuan nëpër shkolla, u bën, ky i shkreti prej asaj dite, e deri në vitin 1990, s'ka parë dritën e diellit me sy. Fillimisht, ne kemi shkuar drejt e në Tepelenë, ishim tre motrat edhe nëna. Kur shkuam ne në Tepelenë, vëllai ishte në Porto Palermo. Kishte bërë 5 vjet burg edhe e dërguan të internuar në Porto Palermo. Nga Porto Palermo pastaj, e sollën atje ku ishim ne, në Tepelenë. Fillimisht, kur kemi parë kampin e Tepelenës, të rrethuar me tela, se ne po vinim nga internimi... Por nuk krahasohej ai internim me këtë. Tani ndoshta dhe nuk bën të them që ka qenë më i mirë ai internim nga ky internim, por na kanë trajtuar më mirë. Na thoshte nëna: Nuk na kanë trajtuar kështu. Shkuam ne, e thoshin: Erdhi familja e kriminelit, erdhi familja e kriminelit. Nëna ime ishte si një mbretëreshë. Na morën në futën në kamp, atje ku gjetëm të gjitha të mbushura barangat... ato ishin baranga ushtrie, e merrni me mend vetë. Na futën atje brenda. Pasi ndenjëm... Jo, erdhën njëherë, oj nënë oj nënë, si na kanë dërguar në Tepelenë, ça kishim veshur. Duke na internuar nga Kruja, për në Tepelenë, me një valixhe. Tre vajza dhe nëna, katër. Edhe ato, s'di se si i morëm. Tani, unë s'mbaj mend shumë mirë, se prapë e re shumë kam qenë. Për të mbajt mend, Kampin e Tepelenës e mbaj mend. Kam qenë 17 vjeç, edhe kur shkuam atje, u tmerruam edhe i thamë nënës: çfarë do bëjmë ne këtu?! Filluam kapnim nënën: Si do jetojmë ne ktu, çfarë do bëjmë ne këtu? Mirëpo, nëna kishte një gjë që ishte shumë e fortë edhe shumë e zgjuar, dhe babain e ka dashur jashtë mase, e ka adhuruar.  Që në momentinë e parë që kemi hyrë në kampin e Tepelenës, ajo na jepte kurajo dhe na fliste për babain. ''Si babai juaj s'ka, ai ka qenë trim!''; Edhe ne filluam ta adhuronim babain nga nëna, se ne ku e njihnim... Dita e parë, kemi shkuar të marrim gjellën e kazanit, për të marrë ushqimin të hanim. Kishim ardh pa bukë, pa gjë. Na dhanë ato një tas, nja dy-tre lugë.

Kur shkova unë atje, deri tek kazani dhe më thonë: Ajo është gjella që do të marrësh. Çfarë është ajo gjellë, thashë. Ajo, tha, atë gjellë po hamë të gjithë. Ne kemi disa ditë që po hamë këtë, tha. Ai mbushi nja tre katër garuzhde, i futi në një tas, dhe mbi tas, dolën dy gishtë krimbat e vegjël. Se aty ishin kunjtala, grosha që kishte ngel nga ushtria. E mora, shkova në shtëpi. Sa shkova aty lart, se kishim ato barangat: një shtretër poshtë edhe një shtretër lart. Ne ishim lart dhe kishim gjithësecili nga një vend, sa për t'u shtrirë. U ngjita unë me këtë në dorë dhe sa e lashë tasin aty, fillova duke qarë. Tha nëna: Pse qan? Thashë unë: Po kjo çfarë është? Nëna ishte shkodrane, edhe më thotë: “Po hajde se do ta kalojmë, s'ka gjë, edhe me këtë lloj gjelle do të jetojmë. Filluam pastaj, u mësuam, me gjellën e kazanit njëherë. Kjo ishte e përditshme, ndaç haje ndaç jo, ajo ishte gjella. E do, nuk e do, mos e ha, nuk i bëhet vonë askujt. Vdis kur të duash, atë do haje. Atë kemi ngrënë. Kishim 600 gram racionin e bukës. Me ato 600 gram, do e ndanim mirë, si mëngjesin, drekën, darkën. Urija kishte mbërritur kulmin! Unë mbaj mend për veten time, isha e gjatë, e gjatë, tani më duket vetja sikur jam shkurtuar shumë. Njerëzit kujtonin se isha 20 e ca vjeçe. Duke u rritur, urinë e kisha të tmerrshme. Vija në shtëpi edhe thoja, sa ngjitesha aty tek nëna, i thoja: “Ahh sa më ka marrë uria”. Po moj nënë, më thoshte, po, se të kemi ruajtur bukë. Bukë thatë, edhe gjellë me kazanin me krimba. Kjo histori vazhdoi 7 vjet. Njerëzit që nuk kanë patur asnjë fëmijë, zakonisht, me sa mbaj mend unë, në kamp kanë vdekur pleq e plaka, edhe fëmijë. Fëmijët që ishin në gjirin e nënës. Nënat ishin në mal për dru, me mua. Ato shkonin përditë në mal për dru. Ai rripi që shtrëngonin me drutë në kurriz, lodhja që sillnin drutë nga maja malit, dhe e pa ngrënë mirë; Ato kur vinin në darkë tek fëmija, jo që s'kishin gji për t'i dhënë, po nuk kishin as mundësi për të qënduar në këmbë. Edhe fëmijët, gjithë ditën, kishin ndenjur aty pa gji, pa asnjë gjë, duke i dhënë vetëm nga një pikë ujë, nga një pikë ujë, edhe kështu vdisnin. Kush grua ka ardhur atje me fëmijë të vogël, gjallë nuk e ka nxjerrë nga kampi! Biles kishte dhe raste... ajo s'ka ndodhur kurrë, vetëm shkonin hapnin një gropë në breg të lumit, e kanë marrë fëmijën qoftë prind, qoftë polica, e kanë çuar në breg të lumit, e kanë futur në një gropë. Përveç kësaj, që e kanë futur në atë gropë, fëmijën, në prezencën e nënës, (gjyshes apo familjes), se babai ishte arratisur, nuk e marr dot me mend se çfarë kanë bërë në atë minutë... Nesër pastaj, ajo grua vinte me ne në mal, për dru. Pastaj, shkonin çdo ditë të djelë në breg të lumit, dhe shkonte gjithësecila se i kishin vënë një shenjë varrit të vetë. Këto janë gjëra që kur i kujtoj, them: Unë i kam jetuar këto? Rri duke u menduar: Si ka mundësi, me aq bukë, si kemi jetuar? Vetë, që i kam jetuar vetë, dhe që e mbaj mend...

Se i kam disa gjëra, tamam para sysh. Jam rrëzuar një ditë nga mali, me gjithë dru në kurriz, se rruga ishte pingul. Rashë në tre-katër shkurre. Erdhën shoqet dhe polici më ngriti. Këtë e mbaj mend shumë mirë, thoja me veten time: Edhe me vdek, sa mirë do ishte për babin. Vajzë e re, të thuash... 7 vjet, sa ka ndenjur kampi. Tamam, tamam në ’49 është hapur, në ’54 është mbyllur, nuk i ka takuar tamam 7 vjet. Por njëherë drutë nuk janë prerë asnjë ditë, mali. Përveç kësaj, burrat shkonin në lumë, prinin, sharronin trupat e mëdhenj, i fusnin në ujë edhe i nxirrnin... E dija që në lumin e Vjosës punonin Bardhi vëllai, Viktori burri. Unë nuk isha fejuar akoma, por Viktorin e njihja. Punonin këtu dhe prisnin ato trupat. Drutë, pleh për baçet e policëve, pllaka guri, nga një pllakë të madhe; ato nuk e di se për çfarë i donin, edhe nga ato na kanë ngarkuar. Pastaj kemi shkuar në Turanë, kalonim urën e Vjosës matanë. Ishin disa male që tani nuk po më kujtohen. 4 apo 5 male që unë s'mund t’i marr me mend tani. Kur kam shkuar në Tepelenë dhe kam parë malin, thashë: Si ka mundësi, unë kam hypur në majë të atij mali përditë, edhe kam mbajtur dru?! Përveç se vinim me dru nga mali poshtë, po do i ngarkonim edhe njëhërë poshtë, t'ja çonim degës  Punëve të Brendëshme.

Jam Hyrie Kupi, vajza e Abaz Kupit. Kam bërë 51 vjet internim!

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here