Statistika/ Gjenocidi komunist mbi klerin katolik në Shqipëri

0
145
blank

Statistika nga persekutimi i klerit katolik në Shqipëri. Më shumë se një e katërta humbën jetën të vrarë në ekzekutime, ose tortura. Mbi 40 për qind u burgosën dhe u internuan. As pjesa e mbetur nuk bëri një jetë të qetë. Praktikisht jeta e të gjithëve u trondit nga diktatura dhe pak, shumë pak, arritën ta shihnin ringjalljen e fesë në Shqipëri. Pjetër Pepa sjell në librin “Dosja e diktaturës”, shifrat e përndjekjes që, në një formë apo tjetër, shkatërroi gjithë klerin katolik 

 

Studiuesi Pjetër Pepa në librin e tij “Dosja e diktaturës” hap diksutimin nëse ajo që ndodhi me klerin, konkretisht klerin katolik, gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ishte gjenocid sipas kuptimit që ky i fundit është “krimi që synon të shfarosë, me metoda të organizuara, një grup etnik apo fetar”. Dhe pas këtij diskutimi autori sjell, në mënyrë të përmbledhur, disa të dhëna rreth përndjekjes që përjetuan anëtarët e klerit katolik përgjatë atij kalvari gjysmëshekullor, të cilat po i publikojmë më poshtë, për të nderuar edhe një herë këta njerëz që vuajtën padrejtësisht vetëm për shkak të besimit dhe angazhimit të tyre fetar.

 

"Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë rezulton se:

Janë pushkatuar 29 klerikë (13%)

Janë vrarë ndër tortura 29 klerikë (13%)

Janë burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%)

Kanë kaluar ndër kriza mendore deri në çmendinë 6 klerikë (3%)

Janë arratisur ose nuk janë lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%)

Janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%)"

Pjesa e mbetur, prej 15 klerikësh, 7 për qind e klerit, janë ndarë nga jeta në ankth e dhimbje.

Pra, në një mënyrë a një tjetër, shkruan Pepa, u asgjësuan 100 për qind.

Ai sjell, më poshtë, fatet tragjike të klerikëve, të vrarë, me apo pa gjyq. Haptas apo fshehtas. Të parët dhe të fundit. Në Tiranë a në Shkodër…

“I pari, patër Lekë Luli, vrarë tradhtisht në Bytyc të Tropojës nga djali i Bajraktarit, Jaho Salihi, më 16 korrik 1944. I fundit me vendim gjyqi, D. Mikel Beltoja më 10 shkurt 1974 do të përfundonte nga altari në morgun e studentëve të fakultetit të mjekësisë.

Me gjyq, do të pushkatohej i pari në Tiranë, D.Lazër Shantoja më 5 mars 1945; ndërsa në Shkodër D.Ndre Zadeja tri javë më pas, më 25 mars. Me metodat djallëzore të vrasjeve të fshehta apo helmatisjeve, i pari do të mbyetej Papa Pandi, me kokën mbi gjoks, fushave të Korçës, në vitin 1946 ndërsa i fundit Imz. Ernest Maria Çoba më 1980 në Tiranë dhe D. Lazer Jubani më 1982 Shkodër”. Mes tyre, shkruan autori, dhe me mënyra nga më të larmishmet, pothuajse gjithë të tjerët.

Pepa vazhdon të përshkruajë çfarë ndodhi gjatë atyre viteve, skenarët që ndërtoi Sigurimi për të eliminuar klerin, nga armët nëpër kisha te organizatat terroriste. Nuk u kursye as trashëgimia kulturore e ruajtur në insitucionet e fesë katolike.

“Seminare, shkolla, teatro, shtypshkronja e biblioteka, pra gjithçka ishte krijuar e trashëguar prej qindra vitesh, u asgjësua në pak kohë. Elita më e shquar e katolicizmit shqiptar u shfaros. Bilanci është rrëqethës: Nga 4 ipeshkvijtë ekzsitues, 3 u mbytën në torturat çnjerëzore, i katërti nën ankthin e izolimit, të hetimeve dhe të pushkatimeve. 7 shkrimtarët më të mëdhenj të katolicizmit shqiptar u zhdukën mizorisht: At Vinçenc Prendushi, Dom Ndre Zadeja, At Benardin Palaj, Dom Nikoll Gazulli, Patër Anton Harapi, Dom Lazër Shantoja e At Gjon Shllaku. Të shtatë u troturuan siç nuk mund të përshkruhet. E ky ishte vetëm fillimi. Sapo kishte nisur ajo tragjedi e masakër që, siç do të shprehej z.Sami Repishti: “Për katolikët shqiptarë nuk merr kuptimin e vërtetë e të plotë nëse nuk pohohet publikisht nga të gjithë e me bindje se nga 94 famullitarë të rregullt e 93 ndihmës-gjatë viteve 1944-49, u vranë, u torturuan e u burgosën 7 ipeshkvë, 4 monsinjorë, 56 famullitarë, 30 etër françeskanë, 13 etër jezuitë, 10 seminaristë etj”.Pra, vazhdon zoti Repishti, “Tortura nuk ka kuptimin e plotë në qoftë se nuk kujtohen fjalët që thanë burg Pandi Kristo: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj, vetëm sepse kanë qenë katolikë. Ata po, kanë të drejtë të ankohen”.

Autori përmend më pas torturat çnjerëzore që klerikë të ndryshëm, të rinj dhe të moshuar, kanë përjetuar në qelitë e komunizmit, disa aq të egra, sa u morën jetën klerikëve dhe e mbyll këtë kapitull me dëshmitë e zyrtarëve komunistë në gjyq apo pjesë nga raportet që zbulojnë sesi klerikët janë torturuar ose vrarë pa gjyq dhe pa faj.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here