Si u dënua Dodë Paja 80 vjeç dhe u përndoq deri në vdekje nga Sigurimi

0
337
blank

Kujto.al publikon historinë e plotë të përndjekjes së familjes Paja, të vrasjes së Pjetrushit, arrestimit të vëllait të tij Dod Paja, i cili u burgos dhe u dënua në moshën 80 vjeç dhe u përndoq deri në vdekje nga Sigurimi i Shtetit dhe si u dënua Gjokë Paja, djali i Dodës pse mbrojti shokët në ushtri. Historia e tre burrave malësorë që u dënuan sepse nuk e prenë në besë mikun është shkruar nga nipi i Pjetrushit, Sokol Paja, gazetar pranë gazetës Dielli të Vatrës në SHBA.

Doda, 90-vjeçari që i bëri ballë burgut, torturave dhe Sigurimit (Pjesa e II)

Dod Paja ishte ndër njerëzit më me ndikim, jo vetëm në fshatin Rrjoll, por në shumë zona

blank
Dod Paja

të Malësisë së Mbishkodrës. Deputeti Haxhi Hajdari kishte lidhje miqësie shumë të fortë me Dodë e Pjetrush Pajën. Pas përplasjeve të deputetit kolonel Haxhi Hajdar Mani në Komitet Qëndor në mbrojtje të malësorëve, Haxhiut i vështirësohen pozitat dhe jeta i vihet në rrezik të madh. Deputeti Haxhi Hajdari i dorëzohet mikut të ngushtë Dodë Pajës, i cili së bashku më vëllanë Pjetrushin e mbajtën mikun e tyre dhe paguan mbi kurriz pushkatime, bombardime me top, burgosje, konfiskime, internime dhe përndjekje nga sigurimi i shtetit për 30 vjet me radhë. Dod Paja pranon të torturohet së bashku më vëllanë e tij Pjetrushin, të dhunohet familjarisht dhe nuk e tregojnë ku e mbanin të fshehur mikun e shtëpisë Haxhi Hajdar Manin në një kohë të tmerrshme ku mijëra ushtarë ishin shpërndarë në Malësi e në fshatin  Rrjoll në kërkim të deputetit rebel. Pas vrajses në Rrjoll të Haxhi Hajdarit dhe Nosh Pajës, Doda arrestohet nën akuzën e përkrahjes së tradhtarit të atdheut, se kishte kryer veprimtari armiqësore ndaj pushtetit popullor, se gjoja ishte vënë në shërbim të zbulimit jugosllav ku hetuesit e akuzojnë Dodën si kryetar të grupit të diversantëve në fshatin Rrjoll dhe si korrier e ndërlidhës të deputetit Hajdari me diversantët, aktivitete kundër Republikës Popullore, se ishte i vënë në shërbim të UDB-së dhe revizionistëve jusogllavë, se kishte komplotuar kundër lirisë e pavarësisë së Shqipërisë etj., akuza këto të sajuara nga sigurimi me qëllim dënimin me çdo kusht të Dodës si njeri të cilit komunistët në fshat ia kishin frikën për shkak të influencës e zgjuarsisë që ai kishte. Për shkak se Dodës i kishin pushkatuar vëllanë Pjetrushin, i kishin vrarë kushëririn Nosh Pajën, i kishin internuar kushërinjtë e tjerë, shteti komunist ia fali jetën duke mos kërkuar pushkatim, por maksimumin e dënimit për kohën. Hetuesi i Ministrisë së Brendshme, Ferhat Matohiti, mbylli hetimet në Tiranë më 20 qershor 1964 duke kërkuar fajësinë e Dod Pajës dhe kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet. Gjyqtari i çështjes në ngarkim të Dod Pajës, Vangjel Mano së bashku me gjyqtarët Avdi Dervishi dhe Sadullah Boriçi, gjyqtarë në Gjykatën e Shkodrës, me datë 29 korrik 1964 gjykuan Dodë Pajën duke e shpallur fajtor për akuzat për të cilat hetuesi i Ministrisë së Brendshme as nuk i provoi as nuk u lodh aspak t’i sqaronte veç i sajoi dhe i montoi për bukuri. Gjykata në fund të procesit miratoi të gjitha kërkesat e prokurorisë veçse nga 25 vjet, dënimin e Dodë Pajës e uli në 15 vite, çka për një plak të moshuar 80 vjeçar pothuajse ishte nënshkruar fundi i jetës së tij. Doda kaloi vitet e dënimit të tij në burgjet e Ballshit, të Vlorës, Spaçit dhe internimin në Savër të Lushnjës.

Torturat ndaj Dodë Pajës në hetuesi

Terrori ishte mënyra më e përdorur nga komunistët me anë të së cilës ata donin të nënshtronin të burgosurit dhe kryesisht ata që ishin në hetuesi. Individët që nuk pranonin të firmosnin akuzat rriheshin e torturoheshin për vdekje. Dodë Paja pranoi të ushtroheshin mbi trupin e tij çdo lloj torture dhe, jo vetëm që nuk pranoi asnjë fajësi gjatë procesit, por edhe mohoi firmosjen e akuzave të prokurorit. Në gjyqin e zhvilluar në Shkodër, e reja e Dodës, Marije Paja ka dëshmuar se Doda kur u paraqit në gjykim ishte i dhunuar dhe në kokë kishte gjak e të nxira në fytyrë. Gati gati mezi identifikohej prej dhunës shtazarake në birucat e hetuesisë. Me qëllim që Dod Paja të pranonte akuzat e prokurorit, u la për ditë radhazi pa bukë e pa ujë, tortura me shtrëngimin e prangave gjermane, djegie e mishit me hekur të skuqur, u qëllua me grushte, me shkelma, me shufra hekuri e me çdo mjet tjetër që kapnin duart e hetuesit. Dod Paja edhe pse nuk pranoi kurrë akuzat u dënua dhe u torturua mizorisht për të vetmin faj se nuk kishte pranuar akuzat dhe se nuk dorëzoi mikun e shtëpisë, deputetin Haxhi Hajdari.

Përndjekja nga Sigurimi i shtetit

Pas lirimit të Dodë Pajës nga burgu, menjëherë Sigurimi i Shtetit mori masa që ta mbante nën vëzhgim e mbikëqyrje të rreptë me qëllim arrestimin dhe dënimin e dytë të Dodës. Sigurimi i shtetit i vë nga pas Dodës pesë bashkëpunëtorë me qëllim gjetjen në ndonjë faj dhe riburgosjen e tij. “Besniku”, “Shega”, “Xhepi”, “Maranaj” dhe “Gështenja e Rrjollit” ishin pseudonimet  e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, të cilët orvaten që të monitorojnë Dod Pajën, natë e ditë me qëllim një ridënim të mundshëm, jo vetëm të Dodës, por edhe të familjarëve të tij. Sigurimi i Shtetit dërgoi disa herë emisarët e tij në shtëpinë e Dodë Pajës me qëllim që ta provokonin e ta fajësonin. Ishte zgjuarsia e Dodës, intuita e tij dhe në disa raste ndërhyrja me forcë dhe agresivitet ndaj bashkëpunëtorëve të Sigurimit prej Marije Pajës, nuses së Gjokës, djalit të Dodës që kishte dëbuar  e zmbrapsur bashkëpunëtorët që po përgatisnin grackën e Dodës. Sigurimi i Shtetit i hapi Dod Pajës dosjen e përndjekjes më 2 gusht 1978 në Shkodër. Punonjësi operativ që do ndiqte hap pas hapi Dod Pajën u caktua Koço Gjini nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij. Shefi  i seksionit të kundërzbulimit në degën e sigurimit të Shkodrës, Ylli Hila, e projekton Dodën në kuadrin e kontrollit operativ si të vënë nën shërbimin jugosllav. Një çmenduri komuniste veç ideja sesi një plak mbi të 90-tat do të rrëzonte apo rrezikonte pushtetin e kohës. Përndjekje e frikëra të tilla i duheshin sigurimit me qëllimin e vetëm që të frikësonte popullatën civile e ta mbante nën frikë e terror të rreptë e të bindur ndaj pushtetit e partisë. Bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Besniku” në raportimin e tij të parë më 23 korrik 1978 deklaron se Doda nuk kishte dalë nga shptëpia dhe se rrinte i vetmuar. Sigurimi e instrukton bashkëpunëtorin “Besniku” që ta provokonte Dodën për të kaluarën, për dënimin, për familjen për shtetin komunist në mënyrë që çdo gjë që të deklaronte Dod Paja ta përdorte për ta fajësuar në vazhdim. Koço Gjini i kërkon bashkëpunëtorit të Sigurimit “Besniku” se në kushtet kur Doda nuk thotë gjëra që e mpleksin me Sigurimin të provokohet duke i thënë se e reja e tij, Marija, kishte shfaqur pakënaqësi me tufëzimin e bagëtive. Sigurimi kërkonte me çdo kusht një arrestim të dytë të Dod Pajës, ose të familjarëve të tij.

Sigurimsat nga “Besniku” te “Shega” e “Maranaj”

Pasi dështoi “Besniku”, Sigurimi i Shtetit futi në lojë bashkëpunëtoren e Sigurimit me pseudonimin “Shega”. Kjo shkon e takon Dod Pajën dhe e provokon duke e pyetur për kohën e burgut, konfiskimin e pasurisë, dënimin e çështje të tjera me qëllim që Doda të binte në grackë. Doda nuk shprehet dhe bashkëpunëtorja “Shega” nuk nxjerr asgjë prej tij. Sigurimi urdhëron përsëri bashkëpunëtorin “Besniku” që të afrohet përsëri me Dodën e ta provokojë me biseda rreth deputetit të vrarë Haxhi Hajdari, rreth statusit të Dodës në shoqëri para se të arrestohej, rreth miqve e lidhjeve të tij familjare. Pas Koço Gjinit, punëtori operativ që futet në lojë për të siguruar prova për Dodën quhet Nikoll Brigja. Ky i fundit e mëson bashkëpunëtorin “Besniku” sesi të përpiqet të ndërtojë bisedë me Dodën rreth marrëdhënieve të tij familjare, rreth vizitave në fshat e miqve të ngushtë. Nëse nuk gjenin prova direkte për Dodën, Sigurimi kërkonte që nëpërmjet miqve të tij të siguroheshin këto prova ose dëshmitarë. Prapë se prapë sigurimi pas disa tentativave nuk arriti të merrte informacionin e duhur. Kishin kaluar 2 vite përndjekje e monitorime të rrepta natën e ditën. Sigurimi ishte në vendnumëro. Doda ishte shumë i zgjuar dhe nuhaste çdo gjë. Sigurimi shton me çdo kusht presionin mbi bashkëpunëtorin e tij “Besniku”, i cili që në mëngjes herët shkon në shtëpinë e Dodë Pajës për të biseduar me të. Pikërisht në këtë ditë më 9 mars 1980 bashkëpunëtori i sigurimit “Besniku” u përzu nga Marije Paja, e reja e Dodës, e cila e nxori me dhunë përjashta shtëpisë duke i thënë të mos vinte më dhe të mos guxonte as të afrohej banesës së tyre duke i thënë: ti je spiun i poshtër. “Besniku” tronditet. Maska ra. Sigurimi shtanget se bashkëpunëtori u dogj para objektit të sigurimit. Punonjësi Nikoll Brigja luan të gjitha kartat. Fut në sistem të ndërveprimit bashkëpunëtorin “Besniku” që të shkojë me çdo kusht që të bisedojë me Dodën e t’i thotë se nuk është spiun dhe se Marija e kishte ofenduar padrejtësisht. Sigurimi ende s’po arrinte atë që donte. Presioni shtohej e bashkë me të shtohet qëndresa e familjes së Dodës. Marija, një trimneshë e malsore fisnike që i shërbente Dodës ndërsa ai përditë e më shumë po rëndohej fizikisht, mori fatet e familjes në dorë. Situata ende nuk ndryshonte. Në këtë kohë punonjësi operativ Nikoll Brigja detyron bashkëpunëtorin “Besniku” që të shkojë e ta pyesë Dodën se çfarë mendonte për vetvrasjen e Mehmet Shehut dhe punimet e Kongresit të 8-të  të Partisë me shpresën se do të merrej ndonjë informacion i vlefshëm për ta arrestuar Dodën. Pas “Besnikut” tashmë futet në lojë një tjetër spiun i sigurimit me pseudonimin “Maranaj”, i cili kishte detyrë me patjetër që të përgatiste terrenin për arrestimin e Dod Pajës. Kjo sagë përndjekjesh do të vazhdonin deri në vdekjen e Dodë Pajës. Sigurimi i Shtetit e mbyll dosjen e Dod Pajës më 6 tetor 1987 menjëherë pas vdekjes së tij. Sigurimi i Shtetit e ndoqi për 9 vjet Dod Pajën dhe nuk  arriti asnjëherë që ta mposhtte. Sigurimi i Shtetit ndërroi katër bashkëpunëtorë me qëllim që të bënte gjithçka që pas lirimit të tij, të përgatiste riarrestimin e tij, të familjarëve, miqve. Dod Paja humbi gjithçka, përveç nderit e dinjitetit. Vuajti në mënyrë të pashembullt, por qëndroi me fisnikëri përballë makinës gjakatare komuniste./kujto.al

Lexo:

Pjetrush Paja, nga pushkatimi te zhdukja e eshtrave prej komunistëve

Si u burgos Gjok Paja se nuk pranoi të tradhëtonte shokët në ushtri

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here