Shuhet Hysen Haxhiaj, njeriu që mbylli rininë në Spaç dhe Qafë-Bari

0
314
blank

Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Hysen Haxhiaj. Haxhiaj u arrestua në dhjetor 1976 dhe u lirua nga burgu vetëm në vitin 1990, pasi u ridënua edhe një herë gjatë vuajtjes së dënimit. Provoi burgjet më të rënda të kohës së tij, Spaçin dhe Qafë-Barin dhe punën e stërmundimshme në minierat e bakrit dhe piritit. Në një intervistë të disa kohëve më parë, Hyseni tha sesa dramatike ishte sot, për ish-të dënuarit, mungesa e një kërkese faljeje. Këtë gusht, mbi 34 vjet pas rënies së diktaturës, Hyseni u nda nga jeta, ashtu si shumë ish-të dënuar politikë, pa e marrë një ndjesë për vuajtjet e padrejta

 

Regjimi komunist nisi t’i shkaktojë dhimbje të paharrueshme Hysen Haxhiajt, që kur ai ishte 5 vjeç, kur i arrestuan babanë, në sy të gjithë familjes, një ditë gushti, ndërsa ishin duke korrur misrin në fushë. “Duke ulëritur, e kapa dorën e babait dhe e tërhiqja të mos e merrnin”, ka treguar Hysen Haxhiaj vite më parë, në një dokumentar të realizuar nga Fiqiri Sejdiaj, transmetuar nga Report TV, në emisionin Dosja K. “Aty, njëri nga policët, më gjuajti me një shufër thane. Edhe atë dhimbje s’e harroj as sot, as kur të vdes”.

Hysen Haxhiaj u nda nga jeta më 5 gusht 2025. Dhe deri në atë çast, mbarti shumë dhimbje të shkaktuar nga regjimi komunist. U traumatizua në fëmijërinë e hershme, kur nga familja e tyre, çuan në burg të vëllanë dhe babanë. U “pushkatua shpirtërisht”, si do të shprehej ai, në moshën 25-vjeçare, kur e ndaluan të përfundonte studimet e larta, duke i përmbysur gjithë ëndrrat për jetën. E shkëputën nga familja, pak vite pasi e kishte krijuar atë, për ta mbajtur larg saj për 14 vjet. Pjesën më të madhe të këtyre viteve, ai i kaloi në Spaç e Qafë-Bari, i torturuar nga puna e rëndë, kushtet çnjerëzore dhe dhuna e policëve.

Rritja mes mundimeve

Përveç tronditjes shpirtërore, pas arrestimit të babait, familja e Hysenit do të përballej me vështirësi ekonomike. Kishin mbetur pa krahë pune, por do të mbeteshin edhe pa shtëpi e pasuri, pasi në vitet ‘47-‘48 iu sekuestruan gjithë ç’kishin dhe i nxorën në mes të katër rrugëve. Në këto kushte u detyruan të largoheshin nga fshati i lindjes dhe të kërkonin mbështetjej te të afërmit gjetkë. U vendosën në Durrës, ku jetuan në një bodrum të nëndheshëm. Hysen Haxhiaj ka treguar se për t’u përgatitur për provimet e maturës, shkonte te muret e kalasë së qytetit, pasi brenda dhomës së errët ku mblidheshin 7-8 veta, ishte e pamundur të studionte. Në atë dhomë, vinin të flinin edhe vëllezërit e tij më të rritur që punonin në fermë dhe që disa herë i kishte marrë policia dhe i kishte mbajtur në birucë për 2-3 ditë, me motivin se nuk  kishin pasaportizim për të qëndruar aty.

Ndërkohë duhej të përballej me urinë. Ai ka thënë se nuk arrinte të ngopej as me bukë kur racioni për adoleshentët ishte vetëm 400 apo 600 gramë. “Plus kjo lagështi, që e ndiej edhe sot në kockat e mia dhe që nuk kanë shërim deri në vdekje”, ka thënë ai duke kujtuar ato vite, ku e keqja më e madhe ende nuk kishte mbërritur.

Pas përfundimit të gjimnazit, nuk i dhanë bursë për studimet e larta dhe shkoi ushtar në repart pune, pasi të bijtë e familjeve “armike” nuk mund të kryenin ushtri të rregullt. Me t’u kthyer nga ushtria, me ndërhyrjen dashamirëse të ish-mësuesit të tij letërsisë, punoi për 3 vjet si mësues në Gjuricaj të Ishmit. Studioi me kohë të pjesshme duke përfunduar shkollat profesionale mekanike dhe elektrike.

Më pas, në vitin 1965, filloi studimet e larta në degën Matematikë-Fizikë në Shkodër, por regjimi, mesa duket për një çast i pavëmendshëm, tregoi shumë shpejt ashpërsinë e tij. Në vit të dytë, pa mbaruar provimet, Hysenin e përjashtuan nga Instituti si i padëshirueshëm për biografi të keqe politike. “Kjo qe drama më e madhe e jetës sime. Në moshën 25 vjeç, kur do kthehesha në shtëpi me diplomë, ma prenë jetën përgjysmë dhe më morën ëndrrat e mia, rininë time, jetën time, arsimin tim dhe më pushkatuan qysh atëherë”.

Ishte koha kur kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu mbajti një fjalim duke thënë se duhej të ishin të kujdesshëm me kuadrot dhe t’i kontrollonin nga biografia deri në 7 breza.

Ndarja nga familja dhe torturat e burgjeve

Pasi iu ndërprenë ëndrrat, që kishte nisur të thurrte, Hyseni u kthye në Durrës, ku punoi si mekanik. Ai krijoi familje, duke u bërë baba i një vajze, por regjimi edhe në këtë fazë kaq të rëndësishme të jetës, të mbushur me të tjera ëndrra dhe përgjegjësi, do të ndërhynte për të përmbysur gjithçka.

E arrestuan më 12 dhjetor 1976, në Golem të Kavajës, ku kishte shkuar për të takuar të bijën, e cila ishte te gjyshërit ato ditë. Edhe atë e arrestojnë si dikur babanë e tij. Policët shfaqen papritur dhe i vënë hekurat.  E bija ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë. Ajo ka treguar në programin Dosja K, se nuk e mbante mend çastin e arrestimit, por kujtonte takimet në burg, atmosferën e të cilit nuk e kuptonte dhe lutjet që i bënte Zotit që babai të kthehej sa më shpejt në shtëpi, pasi i kishin thënë se ishte në spital. “Na prishën familjen, na morën jetën, në moshën 34 vjeç dhe dola nga burgu 50 vjeç”, ka thënë Haxhiaj.

blank

Ai do të provonte torturat e hetuesisë dhe më pas të burgjeve. Pas dënimit me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë, më 15 prill 1977, e dërguan në Spaç. Në burg rëndonte ende hija e revoltës së 4 viteve më parë. “Kur erdha këtu në ‘77-ën, ky kamp ishte i dënuar dhe këtu kishte vetëm normë, dru, bishta kamze, bishta lopate, hekura deri në zero”. Ai ka thënë se ende në kyçet e duarve kishte shenjat e atyre hekurave, ndërsa ka kujtuar torturat e birucave; punën në galeritë e piritit ku temperatura shkonte 43 gradë Celsius dhe nga tavanet pikonte acid; ushqimin e keq dhe fjetjen asfiksuese të 50 të burgosurve politikë, në dhomën 6X4 m, në shtretër me 3 kate.

“Në 7 korrik 1981, bëmë apelin e darkës. Sa fillova të ha në mensë, më vjen një kapterr, më thotë: “po të presin lart”... Më futën në një dhomë, më kontrolluan, edhe më lidhën për së dyti. Më çuan në Rrëshen, 3 muaj bëra hetuesi, për agjitacion dhe propagandë. Më nxorën 3 të burgosur të mjerë që i gënjenin për një copë bukë, më dolën dëshmitarë, duke thënë që ky fliste dhe shante. Më dënuan edhe 10 vjet të tjera”.

Do të vuante në Qafë-Bari dhe Ballsh, deri sa do të lirohej nga burgu më 13 tetor 1990. E bija kujton emocionet e asaj dite kur i ati do të kthehej në shtëpi. Atëherë do të lidheshin sërish fijet e jetës normale familjare, të këputura me dhunë gati 14 vjet më parë, siç i kishin këputur dikur edhe për Hysenin e vogël.

blank

Ndaj sot, kur familja përcjell të dashurin e saj, kjo dhimbje është dhe më e fortë. Haxhiaj në një intervistë për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, të publikuar vetëm 3 muaj më parë, ka thënë sesa dramatike ishte mungesa e një kërkese ndjese për këta ish-të dënuar, që u burgosën sepse nuk donin një parti, por jo se nuk donin atdheun, Shqipërinë, apo popullin.

Sot, dhimbja rëndon mbi plagë që nuk arritën të mbylleshin, pasi mbi to shoqëria nuk zgjati kurrë dorën e ndjesës dhe kujdesit të sinqertë për shërim.

Shënim: Fotot janë marrë nga emisioni "Dosja K".

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here