Shit orën!

0
1586
blank
Nga Alma Lico
Dimër, viti 1967. Prej mëse dy orësh mama priste në hollin e ftohtë të asaj godine të vjetër ku ishte vendosur Këshilli i lagjes. Dikur kish qenë një vilë e bukur dykatëshe e cila u ishte grabitur zotërve të saj. Madje për të kënaqur urrejtjen patologjike ndaj personave që posedonin pasuri të vënë ndër vite me punën e tyre, shteti komunist, si shumë familje të tjera në të njëjtat rrethana, i kish internuar ata të gjorë familjarisht. Askush nuk guxonte të fliste më për ta, dikur qytetarë të nderuar të asaj lagjeje.
Përveç një stoli të ngushtë të mbështetur në njërin nga muret anësore ku ishin ulur shtrënguar tre persona, asnjë karrike nuk ndodhej aty, as edhe një e vetme. Plot hallexhinj të tjerë kishin mbërritur para saj dhe në heshtje prisnin të takonin atë, të plotfuqishmen, Kryetaren. Ky “privilegj” rezervohej një herë në javë. Kryetarja ishte një grua e vrazhdë, e pamëshirshme, “virtute” këto që e kishin ngjitur në postin më të lartë të Këshillit të lagjes. E rrethuar nga servilë që lëpiheshin e druheshin prej saj, e kishte të lehtë të zbraste gjithë arrogancën dhe ligësinë që e karakterizonte.
Të veshur e ushqyer keq, ata dridheshin nga të ftohtit. Në përpjekje për t´u ngrohur sado pak, disa prej tyre fërkonin duart me njëra tjetrën, ose lëviznin këmbët në vend, mbi pllakat e dëmtuara e rrjepura vende-vende. Secili mbartte një hall jetik, dhe priste t'ia zgjidhte ajo e fuqishmja, shoqja Kryetare. Jetonin në përdëllim problemin e tyre. Askush nuk guxonte të fliste, ca më keq të revoltohej për shpërfilljen apo sorollatjet që kishin pësuar. Mund të akuzoheshin për propagandë kundër pushtetit të popullit, e pasojat ndëshkuese në kësi rastesh do të ishin shumë të rënda!!!
Teksa rrotulloi dhe një herë shallin rreth qafës, ime ëmë lëvizi pak nga vendi në drejtim të shkallëve hyrëse. Sytë e saj u ndalën tek një tabelë e mbushur me postera propagandues e sllogane komuniste. Parrulla --“Ç’do populli bën Partia, ç'thotë Partia bën populli” ishte vendosur në qendër të saj...sa cinike...sa e gënjeshtërt...të gjithë ata persona të dëshpëruar që po prisnin aty ishin popull...por askush nuk bënte çfarë donin ata...
Një zë i ulët i kujtoi të mos largohej, pasi mund të “humbiste” radhën, e pastaj duhej të priste edhe një javë tjetër për t´u takuar me Kryetaren.
Jo, nuk duhej ta humbiste atë takim. Mamës i duhej domosdoshmërisht një punë...një çfarëdo. Tre fëmijë të mitur për të ushqyer dhe rritur. Një vit më parë, atë dhe babain tim i kishin flakur nga puna si mësues të një shkolle fshati, me motivacion: "Të papërshtatshëm e të pabesueshëm për të edukuar brezin e ri". Sa e kishin dashur prindërit e mi atë profesion. Nxënësit e tyre vocrrakë, shkëlqenin si fitues të Olimpiadave konkurruese që zhvilloheshin çdo vit.
Ohhh...duhej të punonte. Të ardhurat nga puna e tim eti , prej disa muajsh punëtor në një fermë bujqësore, ishin tërësisht të pamjaftueshme për nevojat minimale të familjes.
E zhytur në mendime e pasiguri, pas ndonjë ore, një grua që priste si ajo e preku lehtë në bërryl.
- Eshtë radha jote!!
Mama u afrua dhe trokiti lehtë në zyrën e Kryetares. Nga brenda u dëgjua një “Hyr!!!” urdhëruese, aspak miqësore.
Dy sekonda më pas, ime ëmë u ndodh ballë për ballë me të. Nuk e kish takuar kurrë më parë. E ulur në një tryezë pune, ajo manifestonte madhështinë e sundimit të atyre njerëzve, që ethshëm prisnin jashtë asaj dere. Flokët e bëra permanent e të prera shkurt dhe ajo fytyrë aspak femërore të kujtonin gratë “heroike, revolucionare” të tribunave.
Me disa shkresa në duar, pranë saj qëndronte e heshtur dhe disi e ndrojtur një vajzë e re. Me sa duket ishte sekretarja. Një stufë e vogël cilindrike, me dru të ndezur e kishte ngrohur mjaftueshëm atë ambient.
- Ngriti sytë nga një regjistër që kishte mbi tryezë dhe me tonin prej oficereje garnizoni, tha:
- Prezantohu, shoqe, kush je!
- Oh...e kuptova...je anëtare e familjes reaksionare “Liço”. Pse ke ardhur këtu??
- Më duhet të punoj. Kam tre fëmijë për të rritur.
Kryetarja ia nguli sytë për një moment dhe u ngërdhesh në mënyrë qesëndisëse. Heshti për një çast dhe vijoi:
- Kërkon punë...ëëë...shoqe, shoh që paske në dorë një orë të mirë...Shit atë!!!...Kur të të mbarohen të hollat e saj, duku përsëri.
Pasoi një heshtje e shkurtër. Mama ishte përgatitur deri diku për marrjen e një përgjigjeje negative, por kurrë nuk kishte menduar refuzim me motivacion të tillë...Të shiste orën...për bukën e gojës...e mjaftueshme për disa ditë ose javë...
Në ato vite unaza dhe ora e dorës ishin dhuratat e para që një vajzë merrte nga i fejuari i saj. Ato kishin si të thuash vlerën simbolike të zyrtarizimit të lidhjes dhe të dashurisë. Ajo grua e pashpirt e njihte shumë mirë domethënien e të hequrit dorë prej tyre.
Pa i lënë kohë të reagonte e urdhëroi të dilte jashtë, pasi kish mbaruar punë me të.
Mama doli me shpejtësi prej asaj zyre. E bërë meit, u kthye në shtëpi. Qau, e fyer, e poshtëruar, e dërrmuar nga një tjetër grua, që ashtu si ajo ishte edhe nënë.
Nuk pati më rast të trokiste në zyrën e saj, pasi disa muaj më pas mbërriti internimi familjar...
PS. Mbase dikush që lexon këtë episod, me të drejtë do të thoshte:
Ohh...po në këtë vend kanë ndodhur tragjedi shumë të më mëdha, si ekzekutime, burgosje, internime familjare, farefisnore, sekuestrime të gjithë mallit e pasurisë, deri te lugët e pirunjtë. Nëna që u kanë vdekur fëmijët ndër duar, në kampet shfarosëse të internimit dhe u kanë hapur varret me thonjtë e tyre...e sa e sa të tjera. E vërtetë, e hidhur. Por kjo ngjarje, në dukje episodike mbeti e skalitur në kujtesën e sime ëme. Në kalvarin e gjatë të luftës për mbijetesë, shumë orendi të familjes si dhe stoli të vjetra të gjyshes sime, u shitën për një copë bukë. Por...si për të sfiduar në heshtje atë grua - përbindësh, ora e dorës së sime mëje ndodhet ende sot e kësaj dite në sendet tona me vlerë...si një relike...si për të na kujtuar se jo gjithçka mundën të na rrëmbejnë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here