Internimi i familjes Pustina dhe Hoxha, nga vilat e bukura në stallën e lopëve

0
1630
blank

Historia pas vilave të bukura të rrënuara të Tiranës po shemben për t’u kthyer në pallate. Si u internuan familjet e pasura të kohës, kur komunistët erdhën në pushtet. I nxorën nga vilat e tyre për t'i degdisur në fshatra të thellë apo në stalla lopësh. Historia e familjes Pustina dhe Hoxha nga Tirana. Edhe pas viteve ’90 fëmijët e rritur në internim nuk mundën ta gëzojnë pasurinë e trashëguar, pasi shteti nuk i nxori qiraxhinjtë që kishte futur sistemi komunist dhe as nuk i mbrojti si vlera të trashëgimisë kulturore.

Vila Pustina u shemb më 28 shtator nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit me mbështetjen e Policisë së Shtetit. E ndërtuar në vitin 1927 nga Edip Pustina -intendent dhe financier i pallatit mbretëror gjatë monarkisë së mbretit Zog I, vila dy katëshe kishte një stil arkitektonik të përzierë, midis tipareve vendase dhe elementëve neo-klasikë të banesës ballkanase-europiane të fillimit të shekullit XX.

Bashkim Pustina ishte vetëm 4 vjeç kur familja e tij, e përbërë nga nëna, babai, tre motrat dhe dy vëllezërit u internuan nga Tirana në një fshat të Elbasanit. “Me 7 shkurt 1948 ne na internuan, mes dimrit erdhën këtu, na hypën në një Zis ushtarak,” kujton Pustina, i cili thekson se e mban mend sikur ka ndodhur sot. “Ushtarakë ishin, na morën të gjitha rrobat, plaçkat që kishim dhe na çuan në Elbasan,” shtoi ai.Shtëpia e tyre dy-katëshe në Tiranë, me tavane dekorativë druri, holli dhe dhoma të bollshme të shtruara me pllaka, të lidhura me tualetin, garderobën dhe lavandërinë me  shkallë monumentale dhe fasadë të trajtuar me shumë ornamente dekorative dhe motive floreale, u shpronësua nga shteti.

Kur Bashkimi me familjen e tij u kthyen nga internimi në Tiranë në vitin 1953, u detyruan të jetojnë në  një barakë lopësh pas kopshtit të shtëpisë.

“Ta them sinqerisht barakë lopësh, sa që vinte era bajga,” kujton 76-vjeçari, mekanik në pension, të cilin shpesh e gjeje duke rregulluar biçikleta në oborrin e shtëpisë, përpara se ajo të shembej. “Në atë barakë ne flinim si kafshët, mbi një dërrasë dhe shtrojë kashte, sepse nuk kishim asnjë gjë,” kujtoi ai.

Ngrehina ku u rrit Bashkimi ishte rreth 70 metra larg shtëpisë së tij të lindjes, por një botë

blank
Bashkim Pustina

e tërë i ndante të dyja.  Banjoja e saj ishte një barakë tjetër dërrase me kallama dhe baltë – ku bënin dush në dimër me ujë me sapun dhe shpëlaheshin me kova. “E kishim në një bahçe ngjitur me kopshtin e shtëpisë së vjetër,” shton ai.

Bashkimi kujton gjithashtu se nga mbrapa, vila kishte dikur plot pemë dhe i ati shpesh dilte ta pinte kafenë në bahçe me pamjen nga kopshti. “Baba dilte dhe pinte kafe te bahçja dhe unë si fëmijë më i vogël, i shkoja me tabaka, e shihte shtëpinë, por nuk kishte se çfarë të bënte,” kujton ai.   “Baba ka vdekë në 74’, me filxhanin e kafes në dorë, mbrapa murit ke ai fiku aty. Duke parë shtëpinë vdiq,” shtoi Bashkimi.

Ngjashëm me babanë e Bashkimit, edhe Dine Hoxha ishte tregtar dhe një nga ushtarakët e oborrit të mbretit Zog me gradën major. Në vitin 1929, me ndihmën e një arkitekti vendas ai ndërtoi një vilë që sot ndodhet në rrugën “Sotir Peçi”, paralel me rrugën e Durrësit, pranë bllokut të ambasadave në Tiranë.

Vila e familjes Hoxha dhe pronat e saj në Dibër dhe Tiranë u sekuestruan në vitin 1946 dhe familja u zhvendos të jetonte tek të afërmit disa metra larg. Aty lindi në vitin 1950 dhe nipi i tregtarit dhe ushtarakut të pasur, i cili mori të njëjtin emër – Dine Hoxha.

Ndryshe nga gjyshi i pasur, Dinen e ri jeta nuk do ta çonte në asnjë moment afër ndonjë oborri mbretëror.

“Punëtor e mo, me hekura, me saldime ke 21 dhjetori,” e përmbledh ai thatë karrierën e tij

blank
Dine Hoxha

profesionale. Sa për shtëpinë e gjyshit – ku këshilli i lagjes kishte futur familje të tjera, Dinia kujton se nuk guxonin ta diskutonin as brenda familjes.

“Vetëm këto të lagjes na thoshin: O Dine, është shtëpia e gjyshit tat kjo,” kujton ai. “Edhe unë në shtëpi nuk e zesha me gojë, derisa s’thonin gjë,” shtoi ai.

Vila është 3-katëshe, me një kat nëntokë dhe dy mbi tokë. Hyrja kryesore ka drejtim nga verilindja dhe ka shkallë monumentale me dy rampa. Ndërkohë, një pjesën juglindore të saj,  volumi i ndërtesës ka një tërheqje, e cila krijon një verandë në katin e parë dhe një lozhë në katin e dytë, të mbështetur mbi kolona. Në pjesën veriperëndimore të vilës ka një prizëm gjashtëkëndor, i cili ngrihet mbi një sistem kolonash që krijon në katin e dytë një tarracë të mbuluar me çati me kulme të harkuara.

*Marrë me shkurtime nga reporter.al, artikulli me autor Besar Likmeta

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here