Rudina Dema/ Rrëfimi i njeriut pa fëmijëri

0
591
blank

Nuk është hera e parë që vajza e ushtarakut, Hysni  Dema, tregon mundimet e kampeve të internimit, ku kaloi rreth 38 vjet. Por Kujto.al do të ndalet te fëmijëria e saj e munguar dhe në veçanti, te një ngjarje që ka shenjuar kujtimet e fëmijëve të internuar gjatë vitit 1951: ndarja nga e ëma. Këta fëmijë mund të ishin të lirë, por vetëm nëse do të ishin larg nënës. Rudina i kujton ato ditë si të kishin ndodhur dje, duke na i sjellë të gjalla përjetimet e një vajze 6 vjeçe... 

Deri sa kishte mbushur 6 vjeç, nuk mbante mend t’i kishte prerë dhe larë ndonjëherë flokët me detergjent. Në atë moshë, provoi për herë të parë përshesh me qumësht e simite. Në atë moshë veshi një fustan pa andra. Megjithatë, edhe pse iu gëzua të gjitha këtyre, nuk ishte e lumtur. Do të kishte qenë, sepse fëmijët munden, por jo ajo që sapo e kishin ndarë nga nëna.

Rudina kishte nisur të përndiqej që kur ishte në bark të nënës. Vajza e vogël e Hysni Demës, ish-komandantit të xhandarmërisë shqiptare, armik i Enver Hoxhës, i cili ishte arratisur në male e më pas në Greqi, ajo do të jetonte gjithë kohës në internim deri sa u bë grua. Muajt e vetëm të fëmijërisë që i kaloi e lirë, ishin larg nënës. E ëma ndodhej në Kampin e Tepelenës, ndërsa Rudina e Vogël, siç e thërrisnin të gjithë aty, pas amnistisë së vitit 1951 për fëmijët e internuar, erdhi në Tiranë, te motra e madhe, Tefta... por faljet për të bijtë e “armiqve” ishin thjesht dënime të reja, përndryshe nuk do të bëheshin.

Fillimisht nënën e saj, me burrin e arratisur maleve dhe shtatzënë me Rudinën, e kishin nxjerrë nga shtëpia e tyre e madhe. Rudina u lind në banjën e një shtëpie ku kishin gjetur strehim. Më pas, të gjithë familjen, nënën me katër fëmijë, e internuan në Berat. Rudina nuk i mban mend ato vite. Më mirë! E ëma, duke qenë e detyruar të shkonte në punë, e kyçte brenda të bijën. Lante mirë dyshemenë dhe hidhte përsipër sheqer, që ajo të kishte çfarë të hante kur ta merrte uria. Më pas i zhvendosën në disa kampe deri sa përfunduan në Tepelenë, kur në vitin 1951, erdhi falja për fëmijët. Atëherë, e ëma vendosi ta shpëtojë të bijën nga kampi, duke vënë në zemrën e saj saj një gur dhe në xhepin e Rudinës një pusullë që do e çonte te e motra në Tiranë.

“Nëna shkroi në një copë letër adresën e motrës në Tiranë dhe më tha: “Kjo copë letër do të të çojë te Tefta.” Mbaj mend që unë qava, qava shumë. Nuk është e lehtë të largohesh nga nëna, të të lëshojë nëna. Asnjë nënë nuk e bën këtë me dëshirë”, kujton Rudina, gati 70 vjet më vonë, në një intervistë për “Zërat e kujtesës” V, të botuar nga ISKK. Edhe pse fëmijët si Rudina kanë vuajtur shumë, kjo ngjarje u ka lënë gjurmë të veçantë. Ndaj dhe kujto.al ka vendosur të ndalet te këto përjetime, duke publikuar një varg dëshmish të fëmijëve që vuajtën internimin dhe ndarjen e detyruar nga nëna. Rudinën e Vogël e hipën në një kamion bashkë me një familje krutane, që e liruan nga internimi dhe kështu, mbërritën në Tiranë.

blank
Rudina Dema, 72 vjeç, kur ka dhënë intervistën për Zërat e Kujtesës

“Kur zbritëm, familja nga Kruja, megjithë një familje tjetër dhe unë bashkë me ta, hymë në sallonin e xhamisë. Atë skenë nuk e harroj derisa të vdes, se fëmijët nuk i harrojnë skenat tronditëse. Fjetëm në xhami atë natë. Të nesërmen në mëngjes herët, erdhi hoxha dhe hapi xhaminë. Ishte koha e lutjes. Sa hyri, shtangu i habitur:

“Po ju?”

Ne ishim gjithë qese të lidhura, torba-torba. U ngrit ai zotëria nga Kruja dhe i tregon historinë se nga vinim. Hoxha nuk foli. Kur mbaroi lutjen dhe zbriti poshtë, i pyeti të gjithë se si quhen e kush janë dhe ai krutani i thotë për mua: “Kjo nuk është vajza ime! Është vajza e një mikut tim. Në qoftë se unë nuk do ta gjej motrën e vet këtu në Tiranë, do ta marr me vete në shtëpinë time. Atje ku do të shkoj unë, do të vijë edhe vajza dhe do të bëhet bija ime. Derisa të dalë dikush e ta kërkojë. ” Mendoje se çfarë situate; në mes të katër rrugëve. Në listë ishte shkruar që unë do të shkarkohesha në Tiranë. Dega e Brendshme e dinte se ku ishte motra, por nuk e kishin njoftuar. Hoxha më mori e më çoi tek Pazari i Vjetër, atje ku sot është pallati i Kulturës; pazari ka qenë i rrethuar me dërrasa të gjata, dërrasa të vjetra, që nga koha e Zogut a ndoshta më përpara. Më futi aty dhe më çoi tek një familje tiranase, që më vjen turp dhe i kërkoj ndjesë që nuk më kujtohet emri. Ky ishte qeleshexhi, tiranas.”

Rudina ka gdhendur në kujtesë çdo fjalë dhe çdo lëvizje të atyre orëve. Përkushtimin e krutanit që porositi hoxhën, korrektesën e hoxhës që e mbajti premtimin dhe ngrohtësinë e qeleshexhiut që i dha për të ngrënë ushqim mbretërish. “Qeleshexhiu më ka kapur me të dyja duart, më ka ngritur hopa, dhe më ka ulur në tavolinë. Pastaj i thirri të birit dhe i kërkoi të shkonte e të merrte një simite dhe një tas me qumësht dhe më dha simite me qumësht. E mbushi plot. Aty kam ngrënë për herë të parë përshesh me qumësht dhe simite, të cilin e ha edhe sot. E ha për kujtim, e ha me shumë kënaqësi. Dhe ai zotëri nuk pati merak të më kapte me dorë, kur rrobat e mia ishin si rroba lypësish. Nuk e di se si ta përshkruaj veshjen time. Palltoja ime ishte aq e vjetër, plot me arna ngjyra-ngjyra të mbivendosura mbi njëra-tjetrën, sa mezi merrej vesh ngjyra që kishte pasur. Krutani i kishte treguar hoxhës, që Rudina ka një letër poshtë palltos. Unë aq e fiksuar isha pas letrës, sa nuk e hiqja pallton nga frika se më humbte adresa e Teftës. Dhe nuk e hoqa pallton nga trupi, por e hapa vetëm pak me dorë, që ai të lexonte adresën e Teftës me pallton veshur. Por prapë kam qenë me fat.” Urdhëroi të birin të lajmëronte Teftën e cila e kishte mësuar lajmin nga radioja, e kishte kërkuar ngado Rudinën, por nuk e kishte gjetur.

“Erdhi Tefta, dhe unë sa e pashë, pa dashje, prej hovit, rrëzova tasin e qumështit, edhe pse isha e pangrënë. Dhe i jam hedhur në qafë. Imagjinoje gëzimin tim! Tefta nuk më çoi direkt e në shtëpi, por më çoi te një berber që ka qenë këtu te dyqani i Kacelëve (kam parasysh Tiranën e Vjetër). Berberi ishte tiranas dhe kishte qenë mik i babës. Tefta i thotë ta mbulonte karrigen me gazetë dhe të m’i qethte flokët zero”. Ai nuk e mbuloi karrigen, por flokët ia qethi. “Hipa në një stol dhe ashtu më qethi zero. Dhe i janë mbushur sytë me lot kur pa lëkurën e kokës time gjithë shenja, plagë prej kruajtjes. I tha Teftës: “Shyqyr që erdhe, se kjo do të vdiste vetëm nga sëmundja e morrit”. Dhe ashtu do të ndodhte: do të shkonte infeksioni në gjak. Prej aty, Tefta më mori e më çoi në shtëpi.”

Në shtëpi, e motra, do i bënte fustane nga fustanet e saj dhe për herë të parë në moshën 6 vjeçe. Rudina mund të quante të plotësuara kërkesat më elementare të një fëmije, por ky normalitet do të zgjaste pak. Bashkëshortin e Teftës, i cili ishte italian, e dëbuan nga Shqipëria. Pak më pas, një nga vëllezërit, Sazani, i cili nuk kishte përfituar dot nga amnistia, duke mos pasur shpresë, tentoi të arratisej, por e kapën dhe e dënuan me burg. Tefta mbeti vetëm, shtatzënë në muajin e fundit, me një motër të vogël për t’u kujdesur dhe me vizitorë të papritur që nisën t’i bënin presion. Madje, policia vinte shpesh të kontrollonte edhe për Rudinën, nëse ishte aty apo kishte ikur. Në kushte të tilla Tefta vendos ta lërë Tiranën dhe t’i bashkohet familjes, nënës me një motër e një vëlla tjetër, që tashmë ishte internuar në Plug të Lushnjës. Hoqi dorë nga liria, sepse, dhe pse jo në kamp, nuk ishte e lirë. Më pas, e thërrasin dhe i thonë që nuk i lejohej të largohej: edhe ajo ishte internuar në Plug. Dënim pa vlerë! Ajo kishte ardhur vetë aty, sepse nuk kishte ku të shkonte...

blankNdërkohë, Rudina nuk mundi të qëndronte as dy vjet jashtë kampit. Klasën e parë e kreu në Tiranë, tek Liceu Artistik, ndërsa të dytën e më pas, në Savër të Lushnjës, ku për të shkuar, duhet të bënte disa kilometra çdo ditë. Fragmenti i një fëmijërie gati normale kishte mbaruar dhe ajo ishte kthyer sërish në kamp. Filloi të punonte që 7 vjeçe, sepse edhe fëmijët mund të paguheshin nëse e plotësonin normën. Sigurisht që Rudina nuk mundej, por e ndihmonin më të rriturit që u vinte keq për vogëlushen e imët që mblidhte kallinj misri në arë. Të motrat, që ishin më të rritura, punonin në qendër llaçi në Savër, sepse paguheshin më mirë. Banonin në kapanone disa familje, banjot i kishin jashtë, ujin gjithmonë të ndotur...

Kur i ati ndërroi jetë, ata u liruan nga internimi dhe shkuan në Lushnje, mirëpo në atë kohë, vëllai, Sazani, i cili kishte dalë nga burgu dhe ishte i vendosur për të ikur, u arratis sërish. Këtë herë me sukses dhe përfundoi në SH.B.A. Kur erdhi letra e tij nga Amerika, në vitin 1958, familja u internua sërish. Nga Lushnja, mbrapsht në Savër. Liria kishte zgjatur vetëm disa muaj. U kthyen në mjerim, në rrethim. Nga mungesa e rrobave, Rudina  mungonte në shkollë, deri sa në klasë të shtatë, e ngelën, edhe pse mësonte. Priste të kthehej i vëllai në shtëpi dhe vishte pantallonat e tij, që i mbante me ushkur, për të shkuar në shkollë, në mbrëmje. Ndërkohë fëmijëria nuk mund të mbahej me ushkur, kishte mbaruar.

“Në vitin 1961, këta nxorën një dekret tjetër: bënë një liri të kufizuar. Shqipërinë e Mesme e lanë të lirë; kush kishte dëshirë të shkonte e të jetonte në qytetet Lushnje, Fier, Rrogozinë, Elbasan, mund të shkonte.” Rudina shkon me Teftën në Elbasan, ku mbaron dhe gjimnazin, më pas, në vitin 1975, i internojnë në Belsh, ku qëndron tetë vjet deri sa lirohet dhe vjen në Tiranë. Këtu fillon punë dhe martohet pa humbur shumë kohë. Donte të kishte një fëmijë dhe e pati një vajzë, që lindi në fund të viteve ’80, e cila ndryshe nga e ëma, mundi të kishte një fëmijëri.

*Në foton kryesore, Rudina mund të ketë qenë rreth 10 muajshe në kampin e internimit. Citimet e Rudina Demës janë marrë nga “Zërat e kujtesës” V, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ISSKK, me autorë Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here