Bir i një gruaje me origjinë nga Shqipëria, i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fillimisht Richard-i mbeti i izoluar në Shqipërinë komuniste ku kishte ardhur me të ëmën, për të vizituar gjyshen e sëmurë. Më vonë, kur këmgëngulja e tij për t’u kthyer në vendlindje, mund të kthehej në ndonjë skandal diplomatik, shqiptaro-amerikanin e dënuan me burg dhe ai nuk doli më që andej. Shkëlqim Abazi, i burgosur në moshën 17-vjeçare, që e pati Riçin një nga mësuesit e tij të gjuhëve të huaja, sjell në librin “Repsi”, profilin e poliglotit që diktatura e katandisi në një mjeran
Nga Shkëlqim Abazi
Riçi (emri i shqiptarizuar i Richard Richy-t) kish lindur në Amerikë nga martesa e një vajze shqiptare me prejardhje nga fshatrat e Korçës, me një hebre francez. Përveç tij, çifti kishte edhe dy vajza dhe një djalë tjetër më të rritur që një jetë të tërë s’rreshtën së kërkuari nënën dhe vëllanë e dashur.
Në 1945, Riçi tetëmbëdhjetëvjeçar, shoqëroi nënën në udhëtimin e saj për në Shqipëri. Vinte këtu, të shihte për të fundit herë të ëmën e sëmurë.
Pas disa muajsh plaka vdiq dhe nënë e bir, mbas ceremonisë mortore, kërkuan të riktheheshin në vendin e tyre. Mirëpo tashmë politika titiste kishte infektuar krejt udhëheqjen komuniste shqiptare, me marrinë ksenofobe. Marrëdhëniet me U.S.A. dhe Britaninë ishin në zgrip, qytetarët e mbetur këtu u penguan të dilnin jashtë kufijve. Ngelën si me thënë, një lloj pengu njerëzor që i përdori regjimi si kontrapeshë në lojërat politike. Kështu, në pritje të një momenti oportun që s’po dukej të vinte, prisnin në ankth.
Vitet e para s’hoqën fort keq. U hallosën si mundën me të ngrëna dhe strehim, ngaqë pjesa tjetër e familjes në Amerikë u kujdesën mos t’iu mungonte gjë, iu dërgonin dollar. Me kalimin e viteve dollarët po mbërrinin rrallë e më rrallë, ndërkaq edhe kursi i këmbimit sa vinte e binte.
Nevoja për të përmbushur kushtet minimale për jetesë dhe për trajtim mjekësor për nënën tashmë në moshë, e detyruan Riçin të kërkonte mjete financiare shtesë dhe rrugë për t’i siguruar ato. Në mungesë të ndonjë profesioni të mirëfilltë, për më tepër ai ishte edhe i dobët fizikisht, s’i mbeti tjetër, veç të gjente shtigje alternative.
Ajo që dinte më mirë, ishte gjuha e nënës, e babait dhe gjuhët e disa komuniteteve që kish bashkëjetuar dhe ish shkolluar, në qytetin e lindjes.
Atëbotë mendjet më të ndritura të kombit, o ishin çuar para togave të ekzekutimit, o “dhisnin” në teneqe, burgjeve shfarrosëse të Burrelit e Gjirokastrës, zhyteshin e mbyteshin në llurbishtet moçalore të kënetës së Maliqit, në Berat e Vlashuk, në Beden e Thumanë etj.
Ndërkohë, gjysmë analfabetët komunistë të zbritur nga malet kërkonin të përgatisnin brezin e dytë të trashëgimtarëve të dinastisë. Natyrisht ata e kuptuan qartë se që të përjetësonin pushtetin, duhej të kishin pasardhës të kompletuar. Për të arritur synimin, përdorën çdo mjet.
Riçit që kish mbetur ndër të rrallët poliglotë, në këtë ishull shkretie, i trokiti fati në derë! Meqë njihte disa gjuhë të huaja edhe pse s’ish i diplomuar në asnjë fakultet, e kërkonin nëpër shtëpitë e parisë komuniste të jepte mësime private.
Kjo si fillim i vlejti të garantonte mjetet e jetesës, por edhe si një mundësi për të penetruar në nivelet e larta të nomenklaturës që mandej nëpërmjet këtyre lidhjeve, në një moment të volitshëm, të arrinte të realizonte ëndrrën e rikthimit në vendin e vet.
Por qyqari Riç s’i njihte djallëzitë komuniste, i kish bërë hesapet pa hanxhinë. Ata, sikurse kishin ardhur me luftë bërrylash në pushtet, i vunë sërishmi në zbatim këto metoda. Sa herë ua deshi puna kur hasnin rezistencë, eliminonin njëri-tjetrin. Ndaj Riçit iu desh të ndërronte shumë syresh. Me të rënë nga karrigia zotëria i vjetër, në vend të tij vinte një i ri edhe atij i lipsej t’ia niste prapë nga hiçi.
Tentoi mos lidhej me ndonjë pinjollen e tyre, po sapo kjo binte në sy, gjithë ingranazhet e makinerisë qeveritare viheshin në lëvizje deri sa skandali mbyllej.
Ndërkohë, shëndeti i nënës mori për tëposhtë, derisa një ditë në gjendje të rënduar, shpirti fluturoi. Vdekja e saj qe fundi i Riçit!
Paskëtaj i mbeti vetëm një synim: të arrinte me çdo mjet bashkimin me pjesën tjetër të familjes.
S’la mënyrë legale pa provuar, sensibilizoi trupin e pakët diplomatik perëndimor, të akredituar në Tiranë që për hir të së vërtetës, ndërhynë pranë qeverisë, po kot…
O ironi e hidhur! Përpara i nxorrën një fletore zyrtare, ku me firmën e kryetarit të Kuvendit popullor iu kishin dhënë nënshtetësi shqiptare!
Ky akt i papreçedent e derdhi kupën e dëshpërimit!
Asnjëherë s’i qenë drejtuar kurrkujt me ndonjë kërkesë për marrje nënshtetësie, as ai dhe as e ndjera, mëma e tij!
Kërkoi të drejtën, sipas tij të dhunuar. S’la zyrë pa trokitur! Por dyert, o s’i hapeshin fare, o edhe kur e prisnin, s’i jepnin zgjidhje, e përcillnin diku gjetkë. Edhe atje, po e njëjta histori dhe përfundimisht, shpresat u shuan.
Ec-e-jaket në zyrat e shtetit dhe në dyert e ambasadave, ranë në sy të ustallarëve të sigurimit, një pjesë e të cilëve e njihnin nga afër sepse, si mësuesin e fëmijëve, e prisnin dhe e përcillnin në familjet e tyre.
Këto trokitje e shndërruan Riçin në rrezik publik.
Hartuan planin “A”, por menduan të mos e zbatonin aty, jo pse ishte kushedi çfarë i vështirë, por meqë ish bërë figurë e njohur edhe ndër ambasada, i druheshin ndonjë skandali diplomatik.
Nisën endjen e rrjetës.
Se nga gjetën ca kushërinj të largët nga fshati I nënës që deri atëkohë s’ishin bërë të gjallë. I instruktuan dhe nisën zbatimin e planit “B”.
Riçi, edhe pse jetonte nëpër sallonet e të mëdhenjve të Tiranës, ishte krejt naiv për sa i përket lojës së kulisave. S’u desh shumë mund, që gjasme kushërinjtë e rigjetur ta futnin në qorrsokak. Ata I premtuan ta ndihmonin të largohej nga kufijtë e Greqisë. Sigurisht, të arratisej së bashku me ndonjë prej tyre.
I zhvatën një dorë të mirë parash, e çuan deri në Korçë dhe nga hotel “Morava”, e akomoduan në “hotelin pa qira”. Atje, ustallarët nëpërmjet kërbaçit dhe kulaçit, i premtuan sërish Amerikën (veçse tashmë kur të mbyllej procesi)!
I stisën një dosje voluminoze, me ca monstruozitete të papara e të padëgjuara, që as mendja djabolike e Allen Dallesit s’do mund t’i shpikte!
Kështu, Riçin paqësor e shndërruan në kryeagjentin botëror, në të dërguar special të C.I.A.-s për të organizuar me demek, përmbysjen e rendit komunist në tërë Europën Lindore, por që falë vigjilencës revolucionare dhe punës së shkëlqyer të sigurimit të shtetit dhe gjithë zinxhirit politiko-shtetëror, komunizmi ndërkombëtar kish shpëtuar edhe këtë herë!
Natyrisht gjithë këto ishin ëndrra në beze, të improvizuara nga ministri kriminel Kadri Hazbiu dhe gjenerali i zi Nevzat Haznedari. Po ç’rëndësi kishte?
Riçi, nën terror fizik e psiqik kish hedhur një firmë kuturu dhe përfundimi: “Dënohet me vdekje, me pushkatim!”.
Më pas, lojës me spiunë të mëdhenj botëror i duhej dalë në fund: “Dënimi i kthehet në njëzetepesë vjet!”.
Po realisht u dënua përjetësisht, derisa mbylli sytë në burgun e Shën Vasisë në Sarandë, pak para rënies përfundimtare të sistemit komunist.
Pas kësaj farse për “spiunin” e famshëm gjasme “Sorgen” e Shqipërisë, nisi kalvari I vuajtjeve në burgje e kampe pune. Filloi me kënetën e Thumanës, Laçi i parë, Laçi i dytë, Rubiku, Fushë-Kruja, Elbasani dhe në fund Repsi, ku do ta gjeja unë.
Në këtë kohë kish bërë dhjetë vjet, po që të mbyllte ciklin e plotë prej “spiuni klasi”, do duhej të bënte edhe afër njëzet të tjera, deri sa të përfundonte i thyer më dysh, me një numër në shishe, në varrezat e të dënuarve të Shën Vasisë.
Ai s’kish ndihma. Në të rrallë i vinin ndoca pak dollarë nga motrat dhe i vëllai nga Amerika, po kursi qesharak i këmbimit prej shtatëdhjetë e pesë lekë të vjetër, i kthente në thuajse pa vlerë, kështu Riçi qe katandisur skelet nga uria e përhershme.
Vuajtjet pafund dhe humbja e shpresës për t’u rikthyer në vendin e vet, kishin ndikuar mbi personalitetin e tij, kishin ndërkallur në mentalitet pesimizmin ekstrem. Interesi për jetën ish reduktuar vetëm te mbijetesa, sensi i rregullsisë së përditshme ish hallakatur përfundimisht, sa mund të lahej një herë në gjashtë muaj. Praktikisht ishte gjithmonë i pistë.
Po mbi të tjera, te ai kish triumfuar geni çifut, ishte kthyer në Harapagon, saqë edhe bishtat e cigares mbasi i shuante, i ruante: “s’I dihet, do më duhen!” shprehej mjerani. Pinte shumë duhan, po meqë s’kish të holla të siguronte cilësor, blinte kaushë pesëlekësh; faktikisht fundërinat e fabrikës “Taraboshi” që bashkë me defterin e letrave, kushtonin njëzet lekë. Për të kursyer edhe më, defterin e ndante më gjysmë dhe me gjysmën e fletës dridhte cigaret.
Kur dridhte Riçi cigaren, i shëmbëllente një prifti të nuk e di kujt sekti, në një ritual unikal, që ndoshta e kish burimin te kushtrimi i të parëve të tij çifutë. Nga nevoja, kish sajuar dy çerek lapsash të holluar me thikë, sa t’I nxinte fleta e mbledhur, me të cilët ngjeshte cigarette. Me këtë gjest, shkaktonte të qeshurat pa të keq, po vetë ai gjakftohtë, vazhdonte në të tijën pa e prishur fare terezinë.
Ashtu i dobët e skeletik, me pamje anemiku, kalonte nga një skutë në tjetrën; mblidhte ç’të gjente, copa buke apo mbeturina zarzavatesh dhe i ndehte ato mbi krevatin e tij që e kish kthyer në një sergjen plot thërrime.
…Megjithë këto të meta të dukshme, Riçi mund të klasifikohej pa mëdyshje në kategorinë e personazheve pozitivë; ai nuk ishte hajdut, nuk ishte spiun, nuk ishte imoral, nuk ishte sherrxhi, nuk ishte thashethemexhi; përkundrazi me spiritualizmin e tij menefregist e moskokëçarës, i neveriste bartësit e këtyre veseve.
Edhe pse jo sistematik, gjatë rrjedhës së viteve ish formuar si intelektual, njihte deri në perfeksion disa gjuhë të huaja dhe, edhe pse rrinte përherë i vetmuar, shquhej si bashkëbisedues i këndshëm.
Mjaftonte të fitoje besimin që të quante mik; por mik sipas konceptit amerikan që është diametralisht I kundërt me tonin. Ne, kur dikë e quajmë mik, bëjmë çdo sakrificë për ta justifikuar miqësinë, kurse ai ishte tejet indiferent, ndoshta edhe si pasojë e zhgënjimeve të mëdha para burgut.
…Riçi mësues, ishte antipodi i Riçit individ.
Kur e shihje atë ndryshim substancial, çuditeshe dhe pyesje veten:
“Ç’mund të kish ngjarë në subkoshiencën e këtij individi?”…
Kur uleshim me libra apo flisnin për to, Riçi ndihej si peshku në ujë, sikur rinohej dhe i binte një tjetër nur.
Mandej niste shpjegimin, e zbërthente gjithë mësimin e ditës në detaje, me një vokabular të përsosur deri në perfeksion, niste krahasimet me kompetencë profesionale, prejardhjen e fjalëve të panjohura, hynte në rrënjët latine të emrave, mbiemrave, përemrave, ndajfoljeve, zgjedhonte me të gjitha kohët e mënyrat dhe në të gjithë gjuhët që njihte, foljet ndihmëse, kalimtare dhe jokalimtare.
E ndiqja gojëhapur, më habisnin këto njohuri të gjëra!
Marrë nga “Repsi (Kampi i punës së detyruar)” i autorit Shkëqlim Abazi, botim i ISKK
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.