Përse i vranë poetët?

0
284
blank

Në kujtim të vdekjes së Vilson Blloshmit. Një shkrim nga Shyqyri Kullolli i cili tregon njohjen me Vilsonin në dimrin e vitit 1970 dhe risjell rrethanat makabre të vrasjes së poetëve

Nga Shyqyri  Kullolli

Sa herë që vjen korriku, ky muaj i nxehtë i vitit, në shpirtin dhe zemrën timë rindizet një zjarr që, prej dyzetë e tre vjetësh me djeg dhe më mallëngjen për çdo vit. Ky zjarr u ndez në zemrën timë në ato ditë të nxehta të vitit 1977, kur mora lajmin e ndarjes nga jeta të dy të rinjve nga fshati Bërzeshtë i rrethit të Librazhdit. Këta dy të rinj ishin: Vilson Sami Blloshmi dhe Genc Bardhi Leka. Të dy kushërinj dhe shokë të ngushtë.

Me të dytin, Genc Leka, nuk isha njohur, por për jetën dhe veprimtarinë e babait të tij, Bardhi Leka, kisha dëgjuar shumë nga punëtorët tjerë që ishin nga Bërzeshta dhe fshatrat përreth, të cilët punonin në të njëjtën ndërmarrje me mua.

Me Vilsonin jam njohur në vitin 1970, në sektorin e Holtë, në ndërmarrjen e shfrytëzimit të pyjeve, të sharrës Stravaj, në rrethin e Librazhdit. Pyje këto që, ishin nën juridiksionin e rrethit të Gramshit, por që shfrytëzoheshin nga rrethi Librazhd. Në këtë sektor punonte edhe Vilsoni. Ai punonte me dy xhaxhallarët e tij, Bukuroshi dhe Estrefi dhe me të vellain e tij, Bedriun.

Atë vit, dimri ishte shumë i ashpër. Lartësia mbi 2 mijë metra mbi nivelin e detit, favorizon një dimër shumë të ashpër, ku trashësia e dëborës i kalon edhe 3.5m. Kushtet dhe rrethanat ku ne punonim ishin tmerrësisht të vështira. Në këmbë vishnim çizme, të cilat gjithsesi mbusheshin me dëborë. Nevoja na impononte që të praktikonim forma të tjera më efikase. Prandaj, gjithmonë sipër çizmeve, vishnim edhe një palë pantallona të dyta, të cilët ishin si mburojë për të mos lejuar deborën të hynte në brendësi të çizmeve. Kur ktheheshin në dhomat e fjetjes, shpeshherë, pantallonat, të ngrira akull, qëndronin në këmbë. Për ngrohje, kishim përshtatur fuçi nafte që i ngarkonim shpesh më dru dhe që nuk fikeshin asnjëherë, pasi i ftohti depërtonte nga çdo anë e dhomave, të cilat ishin jashtëzakonisht të ftohta. Fuçitë e zjarrit, që ishin në vend të stufave, rrethoheshin nga dy krevatë marinarë ku flinim ne punëtorët.

Nën dritën e zjarrit, shpesh, Vilsoni mësonte edhe gjuhë të huaja si frëngjishtja, anglishtja dhe italishtja, në fshehtësi të plotë, pasi spiunët ishin nga të gjitha anët. Ai i urrentë shumë ata, pasi e dinte që e mbanin nën vëzhgim të vazhdueshëm. Çiltërsia dhe formimi i tij në mënyrë të natyrshme shfaqej kundër spiunëve të ndryshëm, servilave të regjimit apo edhe hipokritëve të shoqërisë së ngushtë ku jetonin.

Unë që kisha pasion leximin, u miqësova shpejt me të. Shpeshherë shkoja në dhomën e tij dhe i vazhdonim për disa orë bisedat mbi libra dhe autorë të ndryshëm. Bisedat tona preknin edhe shumë probleme të jetës. Ne flisnim hapur ndaj njëri-tjetrit pasi kishim krijuar një besim reciprok të padiskutueshëm. Këto biseda të sinqerta, më largonin disi atë lodhje të madhe fizike nga puna dhe shqetësimet e shumta të mjedisit rrethues të asaj periudhe i karakterizuar nga skamja dhe varfëria totale.

Me përpjekje dhe shumë durim, kaloi ai dimër i ashpër, për t’i lënë vend stinës së verës. Vilsoni u largua për në fshat, por respekti dhe dashuria për të mbetën thellë në zemrën time.

Vilsoni kishte mbaruar shkollën Normale të Elbasanit – ose shkolla Pedagogjike (siç quhej) – me rezultate të shkëlqyera. Ai, pas mbarimit të saj, kërkoi të punonte si mësues, por shteti-parti nuk e konsideroi aspak një kërkesë të tillë. Përgjigjja absurde ndaj tij ishte: nuk ka vende pune’ edhe ‘ti nuk i plotëson kriteret që kërkon ky sektor’. Kuptohej qartë që, për të formuar brezin e ri, duhej prejardhje komuniste, besnike dhe e devotshme ndaj regjimit. Vilsoni kishte prejardhje nga një familje patriotike, atdhetare dhe anti-komuniste dhe kuptohej që ky ishte kriteri që Vilsoni nuk plotësonte.

E lejuan të punonte në minierë dhe më pas në ndërmarrjen e shfrytëzimit të pyjeve, por, pasi nuk arrinin ta kishin plotësisht nën survejim e kthyen në kooperativë, në fshat. Aty, shpikën akuza dhe krijuan provokime nga më të çuditshmet si, ndezja e zjarrit për të djegur vatrën e kulturës, dërgimin e letrave anonime për të shembur pushtetin dhe sabotime nga më të ndryshmet në fshat.

Në muajin prill, të vitit 1976, arrestuan Bedriun, të vëllain dhe në gusht të po atij viti, arrestuan edhe Vilsonin. Justifikimi i marrjes së Bedriut, pa i treguar akoma që ishte i arrestuar,  ishte se do të dërgohej në zbor nga Dega Ushtarake. Ndërsa Vilsonin, e morën me pretekstin e dërgimit për të punuar në fermë. Vilsoni, kishte marrë me vete një batanije (pasi mendonte vërtet që do ta transferonin në fermë) dhe librin e Viktor Hygo, “Viti 93”. Në hyrje të qytetit të Librazhdit i vunë prangat, e mbuluan me batanije dhe e dërguan në Tiranë. Fillimisht, i kërkuan të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit, gjë të cilën, Vilson Blloshmi nuk e pranoi dhe e rikthyen sërish në Librazhd.

Një muaj pas arrestimit të tij, i arrestuan edhe kushëririn, Genc Lekën.

Në Librazhd, i torturuan pa mëshirë me muaj të tërë, me qëllin që t’i thyenin dhe t’i kthenin në bashkëpunëtorë, por ata nuk pranuan asnjëherë. Ata e prisnin tashmë vdekjen dhe nuk trembeshin prej saj! Vrasja e tyre ishte çështje kohe, edhe pse hetuesit dhe prokurorët shpresonin akoma që ata të pranonin akuzat e sajuara dhe bashkëpunimin me regjimin. Pas disa muaj hetuesie, mbi trupat e tyre të rraskapitur dukshëm nga torturat u lëshuan plumbat që do t’i merrnin jetën por asnjëherë emrat e tyre. Ata u pushkatuan në një datë të shënuar, më 17.7.1977. Kjo datë nuk ishte e rastësishme, pasi numri 7 në mitologjinë antike është edhe numri i përsosmërisë, ashtu siç ishin dhe do të mbeten Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dy persona të shkëlqyer, të paharruar, emrin e të cilëve nuk do ta shuante asnjëherë vdekja e tyre.

Lajmi i rëndë që mora, për vdekjen e këtyre dy të rinjve, ishte një goditje e madhe për mua. Me zemër të pikëlluar pyesja: ‘po vallë këta të rinj, ç’të keqe i sollën shoqërisë dhe vendit që të merrnin atë dënim? Ku janë faktet që i ngarkojnë me faj këta të rinj? Asnjë!’

blank
Vilsoni me kunatin

E vetmja gjë që donin këta të rinj të shkolluar, për vete dhe për shoqërinë, ishte të rritej mirëqenia e të ngjitëshin në nivele të botës së përparuar. Këto ide, ata i kanë shpalosur edhe në poezitë e tyre, fushë kjo ku, po të kishin jetuar, mendoj se do të arrinin majat më të larta. Ata donin që kombi ynë të realizonte ëndrrat e rilindasve kombëtarë, por jo, pasi kjo ishte kundër klikës në pushtet. Diktatura i kishte themelet e saj mbi gjakun e mijëra e mijëra patriotëve dhe atdhetarëve të pafajshëm dhe sa herë që situata qetësohej disi, ata, nuk ngurronin të sajonin viktima të tjera të pafajshme që, do t’i shërbenin kauzës së tyre ogurzezë të mbylljes dhe frikës totale. Ata, sa më shumë viktima të pafajshme dhe persekutime kryenin, krenoheshin se po e forconin themelin e diktaturës.

Sa herë e kujtoj Vilsonin, atë djalë shtatlartë, bukurosh, vetullzi, të sjellshëm e të edukuar, inteligjent e të shkolluar, me ata sy depërtues të sinqertë dhe me atë mendje të mprehtë, e cila premtonte shumë për veten e tij, për familjen e tij dhe për shoqërinë tonë! Por, pas kësaj, kujtoj dhe përfytyroj qelitë e errëta ku hetuesit kryenin torturat më çnjerëzore mbi trupin e këtij njeriu të mrekullueshëm, apo kujtoj ata prokurorë, të cilët me kënaqësi dhe qetësi firmosnin akuzat e sajuara, apo, ata gjykatës, të cilët me përçmim dhe ngazëllim dhanë vendimin për ekzekutimin e këtyre dy të rinjve dhe një mori pyetjesh pa fund më vijnë e shkojnë.

Habitem dhe akoma pyes veten sesi ka mundësi që këto makabritete i kryenin me paramendim dhe me gjakftohtësi njerëz të shoqërisë sonë! Vallë, si arritën këta të bëheshin të tillë! Si mundën këta të kryenin veprime kaq shtazarake dhe çnjerëzore! A u bënte këtyre, përshtypje sjellja e tyre në shoqëri, familje dhe në ambientet intime me të dashurit e tyre! A gjendej në shpirtin e tyre ndonjë ndjenjë sado pak njerëzore për njerëzit që i rrethonin! A e donin këta njerëz jetën! Veprimet e tyre, tregojnë që shpirti i tyre ishte helmuar me urrejtje dhe mendja e tyre diabolike mendonte vetëm dhunën, terrorin dhe krimet monstruoze. Rrethi vicioz i veprimeve të tyre çnjerëzore vetëm zgjerohej dhe i inkurajonin ata për veprime të tjera të kësaj natyre. Ata nuk e shikonin asnjëherë realitetin e jetës në sy dhe shqetësimi i tyre i vetëm ishte si t’i shërbenin sa më mirë kryediktatorit, babait të tyre shpirtëror dhe partisë që ai drejtonte, duke harruar shoqërinë dhe gjithçka që i rrethonte.

Si mund të marrësh dy jetë njerëzish që nuk kanë bërë asnjë krim! Akoma pyes veten, si mund të vritëshin dy poetë dhe djem të rinj, krimi i vetëm për të cilin ata mund të akuzoheshin ishte, leximi i librave dhe shkrimi i poezive. Sa e sa pyetje të tilla më lindin, por është e vështirë të arrij përgjigje të plota. Mbase, mirësia dhe çiltërsia e tyre ishte tepër e madhe për shoqërinë dhe vendin tonë në atë periudhë! Mbase ata, meritonin një vend më të mirë se shoqëria jonë, e cila i ngjante një ferri të vërtetë në atë periudhë!

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here