Dënimi dhe pushkatimi i pedagogut të “Harry Fultz”-it, kryetarit të shoqatës së parë të boy scout-ve në Shqipëri, Kostaq Stefa. Gjatë luftës shoqëroi si përkthyes një grup amerikanësh të rrezikuar nga pushtuesit nazistë, por pas saj, u dënua si agjent
Ata ishin pesë fëmijë. Alfredoja ishte më i madhi. Motra e tij më e vogël, pikërisht atë ditë, mbushte 1 vjeç.
Ngjarjet e atyre muajve, nga shtatori 1947, e kishin rritur djaloshin më tepër seç mund ta rriste mosha. Në fillim, mbrëmjen e 8 shtatorit, në portën e shtëpisë së tyre në lagjen Mangalem, ishin dëgjuar disa të goditura dhe më pas tre burra me rroba ushtarake kishin hyrë në shtëpi dhe pasi kishin pyetur kush ishte Kostaq Stefa, i kishin thënë: “Në emër të popullit, je i arrestuar”. I kishin vënë prangat dhe e kishin marrë me vete. E ëma e Alfredos i kishte thënë djalit të madh të kujdesej për fëmijët dhe i kishte ndjekur nga pas për të parë ku po e çonin të shoqin. E kishin çuar në Degën e Brendshme, aty ku i gjithë qyteti i Beratit e dinte që ishin birucat e torturave. Më pas, në mes të janarit 1948, ishte bërë gjyqi në kinemanë e qytetit dhe familja kishte mësuar dënimin me vdekje të Kostaqit. Kishin kaluar një muaj e gjysmë ankthi në pritje të përgjigjes nga Gjykata e Lartë dhe më në fund, më 1 mars, Elenin e kishin thirrur në degë dhe i kishin thënë që Gjykata ia kishte falur jetën Kostaq Stefës dhe e kishte dënuar me 101 vjet heqje lirie. Gjithçka është relative në këtë botë. Ky lajm ishte më i bukuri i jetës për Elenin që u kthye në shtëpi duke ia thënë çdo të njohuri që shihte rrugës që Kostaqit i ishte falur jeta. Kur mbërriti në shtëpi, i tha djalit të madh, Alfredos të shkonte e t’ua thoshte të afërmve dhe fqinjve që jetonin në rrugicat e Mangalemit. Atë pasdite ata filluan të vinë për urim në familjen e tyre. Elenit i kishin thënë edhe që në datë 3 apo 4, Kostaqin do e çonin në burgun e Burrelit, ndaj mëngjesin e datës 3, ajo mori lejë për të birin në shkollë dhe e dërgoi me disa pasta të mbështjella mirë, disa nga të cilat edhe për policët si urim që Kostaqi kishte shpëtuar, për të pyetur kur do të nisej ai në Burrel. Imagjinoni një djalë adoleshent që gjatë atyre muajve i ishte përmbysur bota, por pastaj, vetëm një fjalë e kishte kthyer çdo gjë në vend brenda shpirtit të tij. I ati do të shkonte larg, do ta shihte shumë rrallë, do i mungonte shumë, por ai do të kishte një baba të cilit mund t’i shkruante, ta takonte herë pas here, një baba për të cilin do kish mundësi të shpresonte që një ditë mund të kthehej në shtëpi, nëse vendimet ndryshonin. Dhe kaq ishte shumë! Ndaj atë ditë me siguri që kishte më shumë gëzim sesa trishtim në hapat e tij drejt burgut të qytetit ndërsa mbante me kujdes pakon e pastave. Nëse vazhdoni të imagjinoni, atë që ndodh më pas është e vështirë ta perceptoni. Siç tregon Eleni Stefa, në librin e saj të shkruar në vitet e fundit të jetës, “Kostaq Stefa-Martiri i Demokracisë”, polici ia kish marrë pastat Alfredos, ia kishte dhënë një polici tjetër dhe pastaj ishte kthyer nga djali dhe i kishte thënë: “Për Kostaq Stefën i keni këto? Thoni rroftë Partia, se ai është pushkatuar sot në mëngjes.”
Alfredoja ishte kthyer me vrap te ema, i kishte treguar çfarë i kishin thënë dhe më pas ajo kishte vrapuar vetë drejt burgut. “Mbeta si e ngrirë, por kolegia ime, Fili Cici, më tha: “Leni, mblidhe veten. Shko vetë më mirë se Alfredoja është kalama dhe kushedi ka ndonjë keqkuptim. Nisu se ta mbaj unë klasën.” Ika me vrap, pa kthyer kokën prapa, por afër pazarit shikoj Ymer Haznedarin, i cili ishte i përlotur dhe më doli përpara. Më përqafoi dhe më tha: “Leni, moj motër! Na i kanë vrarë sot në mëngjes, Tajfurin (vëllain e tij) dhe Kostaqin.” Në ato çaste m’u nxi çdo gjë rreth e rrotull, por nuk e di se ku i gjeta forcat dhe i thashë Ymerit: “Unë do të shkoj atje!” Edhe pse ai këmbënguli që ishte e kotë, unë vrapova me një frymë drejt degës dhe kur ma përsëritën edhe mua të njejtën gjë si edhe djalit, Alfredos, nuk di se ç’kam nxjerrë nga goja, duke uluritur dhe sharë policët, derisa njëri nga ata më dha një pëllëmbë fytyrës dhe unë rashë përtokë…”, shkruan në librin e saj, Eleni.
Ajo çfarë i kishte ndodhur Kostaqit të saj ishte e pabesueshme. Ai ishte një nga ata djemtë me inteligjencë dhe zotësi të spikatur që sapo mbaroi “Harry Fultz”-in e caktuan pedagog në atë shkollë, u bë kryetar i shoqatës së parë të Boy Scout-ve të Shqipërisë dhe shkoi edhe në Londër për t’u trajnuar në vitin 1927, pikërisht atë vit kur njohu Elenin, në atë kohë gjimnaziste në Shkollën Normale Femërore të Korçës. U fejuan pas tre vitesh dhe pas pesë vitesh u martuan, duke u bërë prindër të pesë fëmijëve. Pas martesës, Kostaqi shkoi me studime në Firence, nga u kthye në vitin 1936 për t’u vendosur më vonë me familjen, në qytetin e tij dhe të Elenit, Berat ku të dy iu kushtuan mësimdhënies, por pati edhe një mision tjetër të veçantë gjatë kësaj periudhe Kostaq Stefa, që përputhej me karakterin e trashëguar të një familjeje patriote dhe të kultivuar të një boy scout-i. Atij iu ngarkua shoqërimi deri në kufi i një grupi mjekësh dhe infermierësh amerikanë, të cilëve u kishte rënë avioni në Shqipëri në nëntor 1943. U kthye në shtëpi në janar 1944 pasi kishte vënë veten në rrezik për disa muaj, por kush mund ta mendonte që pas vetëm 4 vitesh, në mes të janarit 1948 do të dënohej me pushkatim si agjent i amerikanëve. Amerikanët jo vetëm që nuk konsideroheshin më aleatë, por kushdo që kishte pasur të bënte me ta, po dënohej. Nxënësit e Harry Fultz-it ishin në krye të listës. Kur e thirrën Elenin në hetuesi e pyetën nëse Harry Fultz-i kishte qenë në shtëpinë e tyre dhe çfarë mbledhjesh ishin bërë aty nën drejtimin e tij. Asnjëra nga të dyja nuk kishte ndodhur, por të dyja dhe më shumë janë shkruar në akuzat për Kostaq Stefën që do ta çonin atë drejt pushkatimit.
Bashkë me Hamit Myftiun (ish-deputet), Tajfur Haznedarin dhe Baba Bedri Cakranjin mëngjesin e 3 marsit u pushkatuan të lidhur me zinxhirë, pranë përroit të Uznovës, në Berat. Ato çaste po niste një ditë e re. Kostaq Stefa ishte 42 vjeç. Vajza e vogël, atë ditë mbushte 1 vjeç. Ai mëngjes duhet të kishte qenë një nga ato mëngjese kur besohet se jeta është e bukur.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.