Dënimet me 8 dhe 6 vite burg për Lime dhe Ramo Shehun. Akuzoheshin se ishin kundër kooperativave dhe Bashkimit Sovjetik, por edhe për një thikë që Ramoja po përgatiste “për të kryer akte terrori mbi kuadrot e pushtetit”. Kushërinjtë nuk i pranuan akuzat, por Gjykata e Gjirokastrës i çoi në burg dhe aty i la dhe Gjykata e Lartë. Seksioni i Sigurimit kishte mbi një vit që i ndiqte për t’i arrestuar. Madje për Lime Shehun, kontrolli vazhdoi edhe gjatë burgut dhe pasi u lirua, për më shumë se 30 vjet.
Xhafer Sadiku
Në kooperativën bujqësore të Këlcyrës, laragimet masive të anëtarëve po rrezikonin dështimin e politikës së kolektivizimit në rrethin e Përmetit. Për të frenuar prishjen e kooperativës, regjimi mori masa represive, ku në qendër të goditjes do të ishte sekretari i organizatës bazë të partisë, Lime Shehu, asokohe figurë qendrore në zonën e Këlcyrës. Autoriteti i tij shihej me dyshim nga sigurimi, aq sa çdo gjë që ndodhte mundohej ta lidhte me emrin e Lime Shehut. Sipas një raporti të sigurimit, Lime e Ramo Shehu kishin bërë përpjekje, kishin nxitur njerëz të tjerë që të krijonin grupime “që puna mos të shkojë mirë”.
Në fillim të qershorit 1957, seksioni i sigurimit të rrethit Përmet i vuri në përpunim aktiv kushërinjtë Lime Shehun dhe Ramo Shehun dhe propozoi arrestimin e tyre, por drejtoria e sigurimit nuk e aprovoi arrestimin, për mungesë provash. Ndonëse propozimi u refuzua, seksioni i sigurimit në Përmet i vuri përsëri në përpunim aktiv, madje këtë radhë edhe vëllanë e Ramos, Muke Shehun.
Në drejtim të tyre, sigurimi aktivizoi agjentët “Xhuleta”, “Guri” dhe “Sazani”, të cilët ishin mjaft aktivë në zonën e Këlcyrës. Sipas planit të masave të janarit 1958, agjentët mblodhën “provat” dhe në gusht të atij vit, Lime e Ramo Shehu u arrestuan, “për aktivitet në drejtim të kooperativave”. Për të pasur efekt mbi banorët e zonës së Këlcyrës, gjyqi i tyre u bë i hapur, ditën e pazarit dhe ata u dënuan rëndë. Ato ditë u arrestua edhe një mësues i shkollës së Këlcyrës, i akuzuar për agjitacion e propagandë. Muke Shehu vdiq në mënyrë të papritur!
Seksioni i Përmetit i raportonte drejtorisë së sigurimit: Me goditjen që iu bë këtyre personave bëri efekt të madh, jo vetëm në këtë kooperativë bujqësore, por influecoi në gjithë zonën e Këlcyrës, sepse edhe aktiviteti i tyre kishte filluar të shtrihej edhe jashtë kooperativës”.
Ramo Shehu, sipas raporteve të sigurimit, ishte ngarkuar të kryente akte terrori. Agjenti “Sazani” raportonte se Ramo Shehu po përgatiste një thikë. Menjëherë pas të dhënave u organizua me kombinacion kapja në flagrancë e tij duke iu gjetur me vete thika. Sipas agjentëve të sigurimit, “këtë thikë e kishte bërë për të kryer akte terrori mbi kuadrot e pushtetit dhe të kooperativës bujqësore, detyrë kjo që i ishte ngarkuar atij nga diverasanti Iliaz Guri”. Në të vërtetë, e gjitha ishte një farsë. Në gjyqin e zhvilluar në Këlcyrë, Gjykata e Qarkut Gjirokastër e dënoi Lime Shehun me 8 vjet heqje lirie dhe Ramo Shehun me 6 vjet.
Ata u dënuan me 7 dëshmitarë të rremë, të përpunuar nga sigurimi, të cilët, sipas gjykatës, “si në hetuesi ashtu edhe para gjykatës kanë vërtetuar aktivitetin armiqësor të kryer në dëm të Pushtetit Popullor”. Njëri nga dëshmitarët tha se në bisedat që kanë bërë, janë shfaqur kundër kolektivizimit: “…që u lodhëm me këto kooperativa, punojmë dhe të gjitha na i merr qeveria, me detyrime, teprica etj., dhe për ne s’mbetet asgjë…”. Dëshmitarët dëshmuan se ata “kishin folur kundër Bashkimit Sovjetik, duke mburrur shtetet kapitaliste”.
Sipas Gjykatës së Lartë, Lime Shehu kishte folur keq për Bashkimin Sovjetik dhe për marrëdhëniet ekonomike midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe për marrëdhëniet ekonomike midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Ai “është shprehur në një mënyrë jashtëzakonisht armiqësore sikur Bashkimi Sovjetik më shumë na merr se sa na jep”. As Lime Shehu as Ramo Shehu nuk e pranuan akuzën dhe as thëniet e dëshmitarëve.
…Kur kishin kaluar më shumë se dy vjet nga dënimi i tyre, në Këlcyrë u arrestua një “grup” tjetër i përbërë nga Bektash Shkëmbi, Sherif Dalipi etj.. Pas arrestimit të Bektash Shkëmbit, në dhjetor 1959, sigurimi bëri përpjekje të mëdha për të implikuar Lime Shehun, Ramo Shehun dhe Muke Shehun si anëtarë të “grupit” të Bektash Shkëmbit. Në një raport të sigurimit, për Lime Shehun, lexohet: “Mbas dënimit të tij të parë në vitin 1958 u rimuar përsëri në hetuesi në vitin 1960, por nuk tha asgjë”.
Lime Shehu kontrollohej nga sigurimi edhe në burg. Në vitin 1961, seksioni i sigurimit kërkonte nga drejtoria e sigurimit të përpunohej Lime Shehu.
-Përpunimi i tij në burg ka interes shumë të madh për organet tona, theksohej në raport, “sepse ky, si njeri kryesor në Këlcyrë (ka qenë sekretar i orgaizatës bazë të partisë) di të gjithë veprimtarinë e diversantëve që kanë zhvilluar në këtë zonë, bazat e tyre, lidhjet, kanalet e tjera. Ashtë element shumë i rrezikshëm, kokëfortë, i guximshëm, të cilat duhet të kihen parasysh”.
Kontrolli agjenturial-operativ i Lime Shehut vazhdoi për më shumë se 30 vjet. Më 1982, ai u vu përsëri në përpunim aktiv “për propagandë armiqësore” dhe se bënte “lëvizje të dyshimta”.
Për kontrollin e tij, seksioni i sigurimit ngarkonte punëtorin operativ të zonës me detyra konkrete: “…Të vazhdojë përpunimi i tij duke drejtuar me vijë sjellje b.p. “Furtuna” e “Trëndelina”. Të gjendet b.p. “Shkencëtari” e pasi të sqarohet pozita e tij të pyetet për Limen. Të korrespondohet me degën e punëve të brendshme Durrës për të sqaruar personat që implikohen në procesin e Limes dhe nëse ka materiale për ta, të koordinohet me atë rreth për ndjekje të përbashkët”.
Nga libri "Skenarë të përgjakur" i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK.
Fotoja kryesore: Pamje nga ish-Selia Qendrore e Pergjimeve te Sherbimit Sekret nga viti 1944 – 1991, sot Muzeu Kombetar i Pergjimeve: “Shtepia me Gjethe”
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.