Si i përjetonin të dënuarit politikë, matanë hekurave, ngjarjet e vitit 1990? Si silleshin, gjatë atyre muajve, gardianët dhe drejtuesit e kampit? Një dëshmi që tregon atmosferën brenda kampit të Qafë-Barit, në kohën kur nëpër sheshe protestohej kundër diktaturës
Viti 1990 nisi me domonstrata të heshtura në Shkodër dhe Tiranë. Vazhdoi me protesta të zëshme në Kavajë. Në maj, Kodi Penal pësoi ndryshime dhe po ato ditë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vizitoi Shqipërinë. Në nëntor, klerikët e dalë nga burgjet mbajtën shërbesat e para fetare dhe në dhjetor, shpërtheu revolta e studentëve. Diktaturës po i tundeshin themelet, por ajo vazhdonte të survejonte, të arrestonte dhe të vriste qytetarët shqiptarë.
Po me të dënuarit politikë që ndodheshin në Qafë-Bari, çfarë ndodhte në atë kohë? Përmes dëshmive të ish-të dënuarit politik Altin Gjuzi, kujto.al, zbulon atmosferën e asaj periudhe, në kampin më të egër të viteve të fundit të diktaturës.
Dëshmia e Altin Gjuzit

…Në punë u vu 100 lekë vagoni. Në atë kohë, po të punoje në galeri merrje 5 mijë lekë në muaj. Puna me detyrim u hoq më 9 maj.
Thashë që kishim gjashtë Pashk, aty. Njëri nga këta, Pashku i Zi i thoshnim, ka ngrënë dru nga të burgosurit. Ai për mua duhej të varej, por hëngri dru!
Kampin e morën të gjithë të burgosurit. Nuk hynte më polici në burg në atë kohë.
…Filluan duke liruar njerëzit, se e kishin urdhër për të liruar 20-30 vetë. Ata lironin 8-10. Me thënë të drejtën u liruan shumë, por liroheshin dhe vinin të tjerë në kamp. Autoburgu vinte prapë, se Burreli u shkri, Tërnova u shkri, Elbasani u shkri, Spaçi u shkri si kamp.
Pasi larguan të burgosurit nga Burreli hoqën dhe ganxhat, i prenë gjithë ganxhat, sepse ishin ganxhat e birucave, i sistemuan dhomat se kanë qenë mizerie, vendosën krevate, dysheqe sfungjeri, jo dysheqe kashte të kalbur. Erdhi delegacioni i Nënë Terezës. Në muajin gusht bënë inspektim në Burrel, por burgu i Burrelit ndërkohë ishte i boshatisur.
Më datën 10 shtator, kampi i Qafë-Barit ka qenë në grevë. Unë nuk bëra grevë, sepse thashë “dhe katër muaj burg më kanë mbetur, s'kam për çfarë të bëj grevë”.
Na kishte ardhur një shef policie më keq se Ludovik Cali. Ai ishte nga Tepelena dhe e kishte vendosur Edmond Caja. Emrin nuk ia mbaj mend.
…Përfundimisht në datën 10-11 shtator, na vijnë gjithë këta të komandës, sampistë të Tiranës me në krye Labo Çapoin. Ky ishte si tip përgjegjësi i grupit të sampistave që do të na bënte transferimin nga Qafa e Barit në Burrel.
Erdhën tetë autobusë që transferuan gati 350 vetë. Do shpërbëhej Qafa e Barit, sepse do vinin kontroll në Qafë të Barit të huajt. Në gusht erdhën në Burrel. Nuk panë gjë. Pastaj do të shkonin në Qafë të Barit. Na marrin që aty dhe na çojnë në Burrel. (Marrë nga “Zërat e kujtesës VI”, ISKK)
…Në momentin që na çuan në Burrel, filloi dhuna sërish. Aty kam parë një kriminel, një Labo Çapoi, që filloi vuri dorë te të burgosurit. Vuri dorë te një vlonjat, Bashkim Haruni. Aty filloi terrori. Unë aty kam bërë birucë. Nuk pajtohesha unë me sistemin e tyre. Nuk isha vetëm unë. Ishim 15-20 veta. Ne bëmë revoltën. Nuk e pranonim izolimin që donin të bënin këta. Ne e morëm vesh që kishin plasur ambasadat, nuk rrinim dot më. Mosha ime, të rinj, nuk përmbaheshim dot. Ludovik Cali, komandant, nuk është futur një herë në Burrel, por aty kishte qenin e tij besnik, nga Tepelena. Unë punë dy-tre muajsh do lirohesha. Në dhjetor, para se të dilja... Shteti kishte gënjyer, kishte thënë që kemi liruar gjithë të burgosurit. Dhe aty ka qenë një bashkëvuajtës, Gaspër Gaspri. Më tha: “Ti do dalësh. Unë nuk i besoj njeriu tjetër”. Në fshehtësi bëri një peticion dhe mori firmat e gjithë të burgosurve. Unë e kisha me frikë, sepse më kapnin dhe më eliminonin, kështu ishte sistemi. Megjithatë i thashë “Unë do bëj të pamundurën”. Unë do lirohesha në 17 dhjetor, por kartelisti që kishim në Qafë-Bari dhe erdhi në Burrel, më informoi “do dalësh në 15, bëhu gati”.
Unë aty, fsheha peticionin, e mora, por një muaj nuk ma merrte njëri përsipër, shkova te zyrat e PD-së që ishin në Qytet Studenti. Këta kishin frikë që të gjithë, me Sali Berishën, me të gjithë, sot janë trima. Asnjë nuk e mori përsipër. Kapa Gramoz Pashkon. Më shihnin mua, nuk më flisnin. Shkova prapë te Sali Berisha, i thashë “doktor kam peticion nga burgu i Burrelit, do lexohet, sepse janë në burg të gjithë”, ishin 500 veta. Më tha mua: “shko te ajo zyrë”. I rashë derës, më doli Azem Hajdari. Folëm, i thashë kam këtë peticion. Prisja të bëhej mitingu sepse do bëhej mitingu ato ditë në Qytetin Studenti. Më tha “pa problem fare”. Vetëm ai e mori përsipër. (Marrë nga intervista e Altin Gjuzit për kujto.al)
…Dhe atë peticion e ka lexuar vetë Rajmonda Bulku. Peticioni pati shumë vlerë. U bë shumë zhurmë në Tiranë. Ramiz Alia e ndjeu veten ngushtë dhe filloi t’i lironte të burgosurit nga 40 e nga 40. (Marrë nga “Zërat e kujtesës VI”, ISKK)
Shënim: Dëshmitë e Altin Gjuzit janë dhënë, siç janë shënuar në kllapa, për "Zërat e kujtesës", Vëllimi VI, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, me intervista nga Luljeta Lleshanaku, Tiranë, 2020 dhe për kujto.al.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.