Në kërkim të lirisë, me një barrë vitesh burgu me vete

0
1332
blank

Kishte kryer 28 vite burg dhe ndiqej nga Sigurimi që ditën e parë që regjimi komunist u vendos në Shqipëri. Kishte vuajtur në kampet e rënda të punës dhe ishte torturuar në hetuesi. Kur njerëzit filluan të kapërcenin muret e ambasadave në verën e vitit 1990, Parid Derani nuk kishte asgjë për të humbur. Historia e tij dhe e disa ish-të dënuarve politikë që u bënë nismëtarë dhe iu bashkuan shpërthimit të ambasadave në përpjekjen e fundit për liri, pas thuajse 50 vitesh diktaturë

 

Njerëzit e një vendi që ende jetonte i izoluar në diktaturë në mes të Evropës, të cilët po niseshin drejt botës së lirë, pasi kishin qëndruar për ditë me radhë në oborret e ambasadave, afërmendsh ishin raste tërheqëse për gazetarët ndërkombëtarë të hipur në anije me ta. Ato ishin anije emgirantësh dhe peshkarexha historish, por sigurisht disa histori ishin më të veçanta se të tjerat. Ndaj, shumë shpejt, gazetarët do të përqendroheshin rreth një burri 65 vjeç, që, në atë udhëtim, e shoqëronin bashkëshortja  dhe të bijat, ende të parritura, i cili fliste rrjedhshëm italisht dhe kishte një histori të rrallë për mediat perëndimore. Ai ishte Parid Derani. Pas disa bisedave, do ta quanin Mandela sepse dënimet e tyre kishin qenë njëlloj të gjata. Paridi kishte vuajtur saktësisht 27 vjet e 8 muaj burg, të ndara në tri dënime të ndryshme dhe 13 korriku 1990, ishte dita e parë e vërtetë e lirisë për të dhe mijëra shqiptarët që, pas pak orësh, do të zbarkonin në Brindisi.

blank

Vajza e vogël e Paridit, Xhuljana, në një intervistë të dhënë për Leonard Veizin, në gazetën Shekulli, para disa vitesh, ka treguar se atë korrik, kur ajo ishte 17 vjeç, i ati, u kishte thënë: “S’kemi më se çfarë të humbim, ne të vdekur e të vdekur jemi në Shqipëri, ndaj të provojmë të futemi në Ambasadën Gjermane, për një jetë më të mirë”. Dhe ashtu kishin vepruar. Ambasada Gjermane ndodhej pranë apartamentit të tyre, në rrugën e Kavajës. Në atë rrugë ku i ati i Paridit, një nga themeluesit e xhenios shqiptare, Gjon Derani, kishte pasur dy vila që regjimi komunist ia kishte sekuestruar. Paridi e njihte italishten sepse kishte jetuar për disa vite në Itali dhe kishte studiuar deri në moshën 17 vjeç, kur u rikthye në Tiranë. Në atë kohë, Shqipëria ishte e pushtuar nga fashistët dhe si Paridi dhe i vëllai, Akili, u angazhuan në luftë, me forcat legaliste, por kur paslufta i solli lirinë Shqipërisë dhe pushtetin forcave komuniste, familja e Gjon Deranit, i cili ishte një nga oficerët e rëndësishëm të mbretërisë, nisi të goditej. Gjonin e arrestuan forcat partizane, por më pas e liruan për shkak të ndërhyrjeve të shumta në favor të tij. I sekuestruan pasurinë dhe e lanë të punonte si punëtor krahu pranë gurores së Linzës. Djali i tij i madh, Akili, mundi të ikte në Itali, duke e ndalur shtegtimin në Amerikë, ndërsa djali tjetër, Paridi u arrestua në vitin 1946, i akuzuar si pjesëmarrës në organizatën antikomuniste “Bashkimi Demokrat”, e cila përhapi trakte në kohën e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. U dënua me 5 vite burg. Ishte dënimi i parë. E kreu deri ditën e fundit në kampet më të rënda të punës, të ngritura për tharje kënetash e hapje kanalesh në Jubë, Sukth, Maliq e Vloçisht. Qëndroi i lirë vetëm 4 vjet. Në vitin 1955, u arrestua për tentativë arratisjeje pasi me disa shokë po përgatiteshin të largoheshin me një varkë që e kishin gjetur të mbytur në kepin e Rodonit. Ai lundrim i korrikut 1990, po përfundonte një përpjekje të dështuar 35 vjet më parë.

Nuk ishte i vetmi që atë natë finalizonte një tentativë të hershme të dënuar me burgosje. Abdulla Sallaku ishte dënuar me 18 vite burg pasi kishte deklaruar hapur në hetuesi që donte të largohej në Perëndim. Avni Alikoja, gjithashtu ishte dënuar me 25 vjet burg për "tradhti ndaj atdheut mbetur në fazën e përgatitjes".

Parid Derani, për tentativën e tij, në vitin 1955 u dënua me 16 vite burg, të cilat i kreu gjithashtu deri në ditën e fundit, sepse si i dënuar për herë të dytë, nuk përfitonte nga asnjë amnisti. U lirua në vitin 1971, kur u martua dhe krijoi familje. I lindën dy vajza, Laura dhe Xhuljana, të cilat do t’i linte të vogla sepse në vitin 1979, u dënua për herë të tretë. “Arrestimi im i tretë, ishte nga më të tmerrshmit që kisha hequr, sepse gjatë hetuesisë më kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore. Përveç shumë akuzave që më bëheshin si agjitacion e propagandë, tentativë arratisjeje, nga më të rëndat, ishte ajo ku më kërkohej të pranoja se unë kisha thënë se: ‘Enver Hoxha nuk thith ajër si të gjithë të tjerët, por gjakun e viktimave të tij’. Gjatë hetuesisë, u përdorën të gjitha makinacionet që unë të dënohesha rëndë, por si përfundim nuk pranova asgjë dhe u dënova vetëm me 8 vite burg, të cilin e vuajta në Spaç, Bulqizë dhe në Shënkoll të Lezhës. Nga ai burg u lirova në vitin 1986, duke përfituar një vit nga amnistia që dha Ramiz Alia për ne të burgosurit politikë, asokohe. Edhe pas daljes nga burgu, përsëri isha objekt i ndjekjeve dhe survejimeve të Sigurimit të Shtetit, i cili më kishte futur në listat e tij të zeza”, ka rrëfyer Parid Derani për gazetarin Dashnor Kaloçi, në vitin 2002, kur ishte 77 vjeç dhe jetonte në Gjermani.

Ndaj atë ditë korriku, Parid Derani nuk kishte arsye për të pritur më. Prej disa ditësh në Tiranë njerëzit po hynin në ambasadat e huaja, fillimisht duke i kapërcyer muret me grupe të vogla, ose duke i shembur me makina të rënda, por pas 2 korrikut kur një kamion Skoda me 36 veta, shembi murin e ambasadës gjermane, institucionet diplomatike lejuan hyrjen e lirë. Për shtetin shqiptar, largimi ende ishte i ndaluar. U përdorën të gjitha mjetet e mundshme që të strehuarit në ambasada të dilnin që aty, por si përfundim, pas bisedimeve të gjata me kancelaritë e huaja dhe qëndrueshmërisë së rreth 5200 shqiptarëve, u vendos lejimi i largimit të tyre. Shqiptarët u pajisën me pasaporta ndërkombëtare dhe në mbrëmjen e 12 korrikut u nisën drejt portit të Durrësit, ku i prisnin anijet që do i çonin në Brindisi, për t'u shpërndarë më pas në shtete të ndryshme evropiane.

Parid Derani po kthehej në Itali pas 48 vitesh, 28 nga të cilat i kishte kaluar si i dënuar në vendin e tij. Matematikisht, po linte pas më shumë burgun, sesa shtëpinë. "Kush shpreson, jeton", përsëriste në italisht, kur ishin mbi det, një thënie që mund ta vërtetonte me jetën e tij. Më pas, ai dhe familja shkuan në Gjermani, atje ku i ati ishte specializuar si inxhinier ushtarak në vitet 1918-20 dhe ku, bashkë me ish-të dënuar të tjerë mori statusin politik.

Sot Paridi nuk jeton më, por jeta e tij përmban të paktën përmbushjen e dëshirës për liri, që shumë bashkëvuajtësve nuk iu realizua. Një liri që ai me 5200 veta, mes të cilëve dhe shumë të dënuar politikë, dolën ta takonin rrugës teksa ajo vonohej e vonohej të vinte në Shqipëri dhe t'ia përshpejtonin hapin.

Fotot janë marrë nga dw.com

a.çano/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here