Në Amerikë apo në Qafë të Barit?!

0
1269
blank

Historia e dy të rinjve ushtarë që u shantazhuan nga Sigurimi i Shtetit për t'u bërë bashkëpunëtorë. Një histori që na tregon agresionin e xhelatëve komunistë që ia dolën të shkatërrojnë familjet shqiptare duke i burgosur apo duke i kthyer në bashkëpunëtorë pëmes shantazhit. 

Nga Marsel Hila
Xhaxhai i Sokol Mulës, Kadri Mula, kishte vite që qe arratisur. Jetonte në Amerikë. Familja e Deli Mulës u dërgua në internim. Pastaj, pas tre viteve, u lirua. Fëmijët e vëllezërve të Kadriut nuk morën shkollë të lartë, edhe pse shkëlqyen në mësime. Ishin nga fshati N. i Tropojës. Për shkak të kësaj biografie, bashkë me djalin e xhaxhait të tij, Dritanin, Urimi u dërgua ushtar në repartin e xhenios. Bënin bunkerë. Xhaxhai larg, Kadriu, i punës e i leximeve, atje bëri, po themi, 'karrierë': figurë e rëndësishme e organizatës "Shqipja Dykrenare". Publikonte, fliste në zërin e Amerikës e mbante kontakte me krerët e rëndësishëm të diasporës politike kudo.
Një ditë, oficeri i repartit, komandanti, i thirri e u tha të dyve, Urimit e Dritanit, se mund të shkonin me leje triditore në shtëpi. Ata u çuditën, sepse nuk e kishin kërkuar. Ua mbushi letrat e i nisi. Të rinjtë u habitën. U duhej tani të shkonin deri te agjencia e kamionëve të gjenin makinë e të iknin. U ra ky gëzim si prej qielli. U nisën. Nuk ishte larg, pak kilometra. Të rinj ishin, e hanin rrugën.
Sapo morën një kthesë, kur dy burra, të veshur e të mbathur, iu dolën para dy ushtarëve.
- Ju, hyni në makinë! - i urdhëruan. Një si ambulancë gjendej e parkuar pranë kanalit, buzë rrugës.
Të dy kushërinjtë i kapi frika. Edhe pamja e atyre dy njerëzve që flisnin me ton kërcënues, i terrorizoi. Hipën. Brenda kishte perde të trasha, të lëshuara e që nuk lejonin të hynte drita. Mjeti u nis. Të rinjtë nuk e dinin se për ku i nisën. I kapi paniku. Udhëtuan kështu rreth një orë. Pastaj, ambulanca ndaloi.
- Zbrisni! - i urdhëruan. Djemtë zbritën. E panë veten në një oborr. Nuk kishin qenë kurrë më parë këtu. Ku gjendeshin? I futën në dy dhoma të ndryshme qe kishin nga një krevat, një tryezë, por pa dritare. Ndriçimin e bënte një llambë në tavan.
Dera u mbyll. Pas rreth dy orësh, që nuk kalonin kurrë, dikush e mori Urimin. E çuan diku, në një ambient të mobiluar, me kolltukë, me një tryezë të madhe. Zyra kishte dritë, që hynte nga dritaret. Ai, si i tromaksur, nuk po e merrte veten.
- Hë, djalë, si je? - ia bëri njëri, që dukej se ishte i rëndësishëm, por që nuk u prezantua.
- Mirë! - u përgjigj fakiri i tulatur e me drojtje.
- Çfarë do të hash?
- Ë? Asgjë! Veç më tregoni ku jam e pse më keni sjellë këtu?
Dy burrat nuk treguan. Filluan gjoja të bënin shaka, por edhe papritur zymtësoheshin e mrrulleshin. Herë bënin si hokatarë e herë rrinin seriozë e kërcënues. Nuk iu përgjigjën pyetjes së tij. Djali u frikësua pa masë. Donte të dinte ku gjendej. Edhe rrëmbyesit, duke deshifruar ankthin që i lexohej nga sytë, sepse orbitat e kokërdhokët nuk po i gjenin qetësi, si dhe nga lëvizjet e pakontrolluara, e kuptuan se ai po përjetonte ankth.
- Qetësohu! - i tha ai që dukej se ishte më i rëndësishmi, sepse bënte poza e përpiqej të përdorte një mënyrë autoritare komunikimi. - Dëgjo! Je këtu se do Partia. Ju njohim mirë. Vërtet që jeni të deklasuar, si familje keni qenë në internim, por Partia mendon edhe për ju, ju edukon, ju mbron dhe ... edhe ju duhet t'i përgjigjeni asaj, kur ju kërkon apo ju beson një detyrë.
Urimi ishte i tromaksur. Dëgjonte, por nuk po dinte të kapte thelbin e fjalëve të atij që i fliste shtruar e me pak kërcënim brenda.
- Ti e do partinë? - i erdhi pyetja, si për ta sjellë në vete.
- Po! - u përgjigj ai instinktivisht e krejt konfuz.
- Ashtu, shumë mirë. Je këtu se të pret një detyrë e rëndësishme. Partia beson se ti mund ta kryesh, e mirë madje. - Urimi shihej lehtë se vazhdonte të ishte i tronditur.
- Mos ki frikë. Do të kesh ndihmën tonë për çdo gjë. - Dhe pyetja bombë: - Ti ke një xhaxha në Amerikë?
- Po! -u përgjigj automatikisht, pa menduar dy herë Urimi.
- Kadri Mulaj, xhaxhai yt, është anëtar i një organizate të rëndësishme atje ... ti, domethënë ne, të dërgojmë atje dhe ti, duke qenë pranë tij e ... përkrah dhe - Urimi vazhdonte të mos kuptonte gjë. Burri hijerëndë vazhdoi: - duke qenë i nipi i tij e duke i qëndruar pranë edhe ti bëhesh i rëndësishëm.
- Çfarë duhet të bëj? - i doli pyetja e ua lëshoi para.
- Ti? Asgjë! Veç do të marrësh pjesë në mbledhjet e organizatës, në diskutime, se ... mbledhjet ata i bëjnë në salla të mbyllura, ku marrin pjesë shumë pak veta. Dokumentet që do të hartosh, do t'i bësh në dy kopje. Për shembull proces-verbalin e mbledhjeve, atë që tregon se çfarë është biseduar e kush ka diskutuar ... - dhe demoni autoritar po e shikonte ngulazi - njërën kopje ia dorëzon Partisë ... kemi njerëzit tanë atje. Ua jep atyre. Vijnë ata e të kërkojnë ... do t'i njohësh, nuk është aspak e vështirë ...
Ushtari i shkretë po rrinte i ngrirë, pa fjalë, në heshtje, plot frikë. U tmerrua kur mendoi se Sigurimi i Shtetit kishte njerëz që vepronin lirisht në Amerikë dhe survejonin xhaxhanë e tij. Urimi s'kishte pasur rast ta njihte axhën e vet, por nga diskutimet në shtëpi, kishte formuar një ide shumë të mirë për të.
- Këta janë maskarenj! - i erdhi në mendje. - Unë të jem spiuni i axhës tim? Deri këtu ta uli veten? Jo, jo, punë që nuk bëhet. As që bëhet fjalë.
- Hë? - i erdhi si çekan pyetja e njërit prej tyre - pranon?
- Ti - ia mori fjalën tjetri - do të firmosësh këto letrat dhe për të fituar besueshmërinë tonë, do t'i dalësh dëshmitar kushëririt tënd, atij që erdhe këtu me të.
- Pse?
- Sikur ka bërë agjitacion e propagandë. Ai do të hyjë në burg e do të bëjë ca vite, ndërsa ti mbërrin drejt e në Amerikë!
- T'i dal dëshmitar kushëririt?
- Po, dhe të hapen rrugët e jetës e shkon në Amerikë …
- Jo, punë që nuk bëhet! - u përgjigj me vendosmëri Urimi.
Dy burrat u egërsuan, u tërbuan, u nxinë. Njëri e kapi seriozisht situatën e ia nisi me metoda bindëse:
- Pse nuk pranon?
- Si të pranoj? - foli i trimëruar Urimi - Të tradhtoj xhaxhanë? Nuk bëhet! T'i dal kushëririt tim dëshmitar për gjëra që nuk i ka bërë? As që më shkon në mendje.
Ai seriozi, që bënte kompetentin e që ndoshta ishte i rëndësishëm, por që nuk u prezantua, tha:
- Mendo mirë, se nuk i lutemi kujt. Mendo. Ke rast, shkon në Amerikë, ... por - dhe bëri një pauzë, - po nuk pranove, të pret burgu.
Një ndjenjë ankthi dhe terrori e pushtoi të riun. Reagoi pafajësisht:
- Nuk kam bërë asgjë, pse të hyj në burg?
- Atë e dimë ne. Por, shko në dhomën tënde e mendohu. Jep përgjigje nesër. Zgjidh burgun apo Amerikën.
E çuan te dhoma. U hap dera përballë. U dëgjua zëri i kushëririt që, plot frikë, bënte edhe ai pyetje, por që nuk merrte përgjigje. E çuan te dhoma ku kishte qenë pak më parë Urimi.
Urimi pësoi një dalldi mendimesh. T'i dilte kushëririt dëshmitar? Punë që s'bëhej. Turp i madh. Qenë rritur bashkë! Skandal. As që bëhet fjalë. Nata qe e gjatë, e pafund, s'mbaronte kurrë.
Të nesërmen në mëngjes e morën lart. Ishin po këta të dy. Në fillim u zgërdhinë, pastaj u bënë seriozë.
- Ke ndërruar mendim apo jo?
- Jo, punë që nuk bëhet! - foli me vendosmëri ushtari i bunkerëve.
- Shiko, kushëriri yt është dakord që të të dalë ty dëshmitar e të shkojë ai në Amerikë …
Sokolit iu duk trillim i pabesueshëm. "Seriozi po gënjen trashë!" - mendoi.
- A do të shkosh në burg apo në Amerikë? Ne e kemi zgjidhur! Je ti që nuk po vendos si duhet.
Kur thanë këtë, Urimi mendoi se qe gënjeshtër. "Pra as kushëriri nuk paska pranuar!" - mendoi.
- Jo, nuk mund t'ia bëj një gjë të tillë kushëririt tim dhe as xhaxhait. Bëni si të doni!
- Shiko, shko edhe njëherë e mendohu, pastaj, nesër flasim për herë të fundit! More vesh? Kur të mbërrish me auto-burg në Qafë të Barit, atëherë do ta kuptosh se ke humbur rastin! Po humbet Amerikën. Ik mendohu!
E çuan përsëri në dhomë. Një trazim i madh e kapi. Të lozte rolin e nipit të mirë e të tradhtonte xhaxhanë? Apo të bënte tradhtarin e t'ia shkatërronte jetën kushëririt? Po familja? Po e mori vesh se kishte pranuar të hynte në këtë punë të ndyrë? Amerika e joshte keqas, me gjithë forcën e saj tunduese. Frika e Qafë-Barit e masakronte. I silleshin të gjitha këto në mendje, i pështjelloheshin, e goditnin.
U hap dera. Po e merrnin përsëri. Kjo duhet të ishte e fundit.
- Hë - i thanë - a ke bërë mendim?
- Nuk mundem as axhës t'ia bëj këtë e as kushëririt. Bëni ç'të doni!
Dy veta të tjerë e morën Urimin e shkretë. Një makinë e mbyllur e sorollati disa herë diku, gjatë e pastaj, ... pastaj i vunë hekurat. E çuan në Kukës. Aty i dolën tre veta dëshmitarë se kishte kryer krimin e agjitacionit e të propagandës. Mes tyre edhe kushëriri i tij, Dritani. E dënuan shtatë vite burg. E dëgjoi vendimin nga goja e gjykatësit. Pastaj, një ditë, një makinë e çoi në burgun e Qafë-Barit.
***
- Urim Mulaj - thirri roja i burgut.
- Urdhëro!
- Të kanë ardhur njerëzit e shtëpisë.
Urimi doli. Eci e shkoi deri te vendi ku bëheshin takimet me familjarët.
Pa nënën, babanë dhe vëllanë e vogël. E pyetën. Pastaj edhe ky pyeti për njerëzit e tjerë të familjes, për motrat e xhaxhallarët. Edhe për kushërinjtë. Pyeti edhe për Dritanin, që ia bëri atë turp, i doli dëshmitar. Nuk ishte lojë. Por donte të dinte sesi përfundoi puna e tij. I kishte mbetur enigmë: A përfundoi edhe ai në burg si ai apo jo?
- Po Dritani si është?
Me një shenjë me dorë, i ati i tregoi se ai ishte arratisur. Kishte mbërritur në Amerikë.
- Ashtu?
- Po, Hamdija ka marrë letër që thotë se është atje shëndosh e mirë!
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here