Më lanë gjallë, që të punoja hyzmeqar për ta

0
296
blank

Historia e Spiro Nashos, i dënuar tri herë nga regjimi komunist. Në këtë pjesë të parë të intervistës së tij, që kujto.al do e botojë në dy pjesë, Spiro Nasho tregon për dënimin e parë dhe të dytë, kur prokurori i kërkoi Gjykatës t’ia falte jetën për ta shfrytëzuar në kampet e punës. Një rrëfim për punën e lodhshme, torturat e gardianëve dhe shembujt e burrërisë në burgjet komuniste

Kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Kam lindur më 20 mars 1942. Babai ka qenë në Francë, student. Nuk ka bërë ndonjë aktivitet politik. Kam pasur një xhaxha. Ai u përzie, ishte me anglezët. Në ’46-ën, u arratis me gjithë shqiptarët e tjerë edhe iku në Itali. Mbas ikjes në Itali, iku në Australi, atje vdiq xhaxhai, kurse plaku nuk u përzie me politikë. Ishte poliglot, intelektual, por në politikë nuk u përzie babai. Do të thoni ju: Si më lindi kjo urrejtje karshi sistemit? Isha i vogël, edhe në ambientin familjar shprehej pakënaqësia, se na kishte ikur xhaxhai, një pakënaqësi për këtë sistem, për padrejtësitë, na morën shtëpitë, na morën pasurinë dhe nuk kishim si të ishim të kënaqur dhe mua më lindi pakënaqësia në shpirt që i vogël. Në atë kohë, flas për 1958-ën kam hyrë në burg, në 1958-ën hyra në burg. Dëgjonim Zërin e Amerikës. Fliste në atë kohë Komiteti “Shqipëria e Lirë”, programin për Shqipërinë. Edhe këto i komentoja me të tjerë: “dëgjova këtë, këtë-këtë thotë “Zëri i Amerikës”, nuk janë këto të vërteta”. Edhe për kundërrevolucionin hungarez, njerëzimi nuk e donte komunizmin, qe një gjë e poshtër, e padrejtë, një ideologji gënjeshtare, qesharake. Tentova për të arratisur në Greqi, me barkë, me goma, me komerdare në atë kohë. Na ktheu era, na zuri furtuna, na ktheu era nëbrigje prapë në Shqipëri. Na kapin dhe më dënojnë 10 vjet burg.

Si ka qenë momenti kur ju arrestuan?

Po ishte natë. Na panë, na pikasën rojet kufitare e na rrethuan, na kapën...

Ju ishit vetëm?

Me një djalë tjetër...

Në ç’moshë ishit në atë kohë?

Unë atëherë isha 17 vjeç.

Viti?

17 maj 1958.

Çfarë ndodhi pasi ju arrestuan?

Më morën, më arrestuan, na mbajtën tri ditë në Sarandë edhe na çuan në qark të Gjirokastrës. Saranda atëherë varej nga qarku i Gjirokastrës. Në qark të Gjirokastrës, ndejta 8 muaj në birucë, në Kala të Gjirokastrës, fëmijë, tetë muaj në Kala të Gjirokastrës, edhe dënohem nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës me 10 vjet burg, në atë kohë.

Kush ka qenë hetuesi?

Një Zenel Qato.

Si ka qenë hetuesia juaj?

Kryetar dege kemi pasur Halim Xhelon, ai që më në fund ra viktimë e Enver Hoxhës, ra brenda, se nuk i duhej më, duhej sakrifikuar. Ishte kryetar Dege në Gjirokastër atëherë. Hetuesia...ç’mund të bënin me një fëmijë të vogël, që nuk dinte nga kishte hyrë në burg, jo nga dilte, derën e burgut nuk e dinte...

Çfarë kërkonin nga ju një periudhë kaq të gjatë hetuesie?

Kërkonin mos kishte ndonjë lidhje xhaxhai, mos kishte ardhur, ose me ndonjë tjetër që ta takoja. Ai ishte larg, ishte në Australi, as në Amerikë, kishte ikur në Australi. Si gjithë shqiptarët e tjerë. Emigracioni politik ikën në Australi, ikën prej Italie, vajti në Amerikë. Nga Amerika një pjesë e tyre vajti në Australi. Atje ndenji.

Kur ju dënuan?

Po atë vit, në ’58-ën më dënuan, nga dhjetori i ’58-ës.

Cila ishte akt-akuza?

Tradhti ndaj atdheut. Më dënuan 10 vjet. Atëherë, neni i asaj kohe thoshte që krimi më i madh që mund të kryej një shtetas është tradhtia ndaj atdheut.

Mbasi morët dënimin, ku ju dërguan?

Mbas kësaj, na dërgojnë, vemi në kamp në Thumanë, në bonifikim. Punojmë atje një vit a dy vjet, në fushat e Thumanës, që na hëngri shpirtin. Pas asaj, vijmë në ndërtim. Punojmë dy-tre vjet në ndërtim. Edhe mbas 5 vjet burg e 3 muaj, sepse ishin amnistitë, dal prej burgut. Pesë vjet e tre muaj, herën e parë të 10-vjetëshit. Dal në ’63-shin. Në ’66-ën tentoj për të ikur përsëri. Kapem. Kapem me tradhti. Edhe më bëhet gjyqi ushtarak. Prapë Gjykata Ushtarake se nenet e arratisjes, gjithmonë kalonin në nen politik, jo nen civil. Se herën e dytë kisha tentativë arratisjeje dhe armëmbajtje pa lejë. Edhe më thoshin… Tani do flas edhe përgjigjet. “I pandehur, çfarë ke dashur të bëje me këto armë?” I thashë prokurorit: “Mos më nga shumë, ta kam thënë në hetuesi”. “Jo, jo, thuaje këtu, ta dëgjojë populli”. “E do saktë, i thashë, ta dëgjojë populli?” “Po”. “Të vrisja komunistët shqiptarë”. Atëherë gjithë populli filloi të bërtiste: “Vriteni, vriteni! Hakmarrje,hakmarrje!” Gjithë kinemaja, sepse më është bërë gjyq në kinema, popullor. Gjyq i hapur, mes popullit.“Vriteni, vriteni! Mos e lini gjallë këtë. Hakmarrje! Hakmarrje!”, bërtiste gjithë populli. Këtë nuk jam unë që e flas, është dëshmitar një popull i tërë, një Sarandë e tërë. “Vriteni, hakmarrje”! Tani, prokurori që kërkon pretencën me vdekje, e sugjeroi gjykatën: “Ju lutem shumë tha, do ju jap një këshillë, mos e vrisni- tha- se është i ri, do punojë hyzmeqarë për ne”. I tha prokurori. Prokurori i tha gjykatës: “Mos e pushkatoni se do punojë hyzmeqar, është i ri, do punoj hyzmeqar për ne”. Ky qe shkaku që mbeta i gjallë, pa u vrarë nga ata.

Sa vite ju dënuan?

25.

Ky ishte viti?

’66.

Mbasi morët dënimin, në cilat kampe shkuat?

Mbasi morëm dënimin, qëndruam në Zvërnec të Vlorës, në tharjen e kanalit të liqenit të Nartës. Në argjinaturë atje, kemi punuar në kushte shumë të vështira, mes baltës e llaçit. Një tmerr i gjallë.

Sa të burgosur mund të ishin në atë kamp?

700 veta.

Si ishin kushtet e fjetjes?

Kushtet e fjetjes...na kishin sjellë ca batanije nga ato që kishin marrë, që u kishin dhënë rusët, që t’i merrje kështu, t’i shikoje, transparente, shikoje nga një qoshe në tjetrën. Që kishin sjellë, që kishin mbetur, i kishin sjellë nga ato mbeturinat e rusit, atëherë.

Po ushqimi si ishte?

Si një kafshë, si një kafshë.

Ju punonit gjithë ditën në kanal?

Gjithë ditën në kanal. Do t’ju tregoj dhe një histori...Qe një plak, Ndue Bajraktari nga Kaçinari i Mirditës. Ky, riatdhesohet. Kishte qenë kaçak me vëllanë e tij, Markun. Ikin, arratisen në Jugosllavi ata. Jugosllavët i hedhin me diversion në Shqipëri. E sjellin këtë plakun. U japin trakte jugosllavët që flasin kundër Shqipërisë, jo kundër komunizmit, kundër Shqipërisë. I thotë ai kapobanda, kryetari: Ne kemi dalë kundër komunizmit, nuk kemi dalë kundër Shqipërisë, se jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë ne të shesim vendin. Kemi dale kundër komunizmit. Atje vret kryetarin e Degës së Titogradit në atë kohë, e vrau. E marrin e pushkatojnë këtë kryetarin, edhe një tjetër, këtë vëllanë e këtij e dënojnë 20 vjet burg në Jugosllavi. Mbaron burgun në Jugosllavi. “Dal të vete në Beograd. Kur pashë, më ndiqnin mbrapa”. E ndiqnin, do ta vrisnin edhe këtë. “Pashë, ç’pashë, vajta te Ambasada Amerikane”. I thanë “Dil jashtë se ti ke qenë fashisht!” “Nuk isha fashist”, tha. “Ke qenë fashisht, domethënë ke qenë me Gjon Markagjonin”. “Nuk isha fashist”, tha. E nxori jashtë, nuk e pranoi. Shkoi te Ambasada Amerikane. Dhe Ambasada Amerikane refuzoi ta mbante. Shkon në Ambasadën Shqiptare. I thonë: “Nëse kthehesh në Shqipëri, je i dënuar me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, je i dënuar me vdekje, po të vesh në Shqipëri, do pushkatohesh”. I tha: “Të shkoj në Shqipëri dhe të pushkatohem”. Nejse...Vjen në Shqipëri ky person. Merret vendimi i Gjykatës, qëndron, me vdekje, por thanë: Ju do ju falet dënimi me vdekje, për qëndrimin antisllav që keni mbajtur. I thotë gjykata. I falet jeta. I falet jeta, vjen në Zvërnec tani, në Vlorë, në kamp, te ne. Një plak 60 vjeç, çfarë mund të pritej nga ai. Edhe e kishim ne, punonim. Ne ishim djem të rinj. Unë punoja me një farë Mersin Abili nga ata Abilajt e Ramë Abilit të Kavajës, edhe një djalë nga Korça, Skënder Imeri. Punonim me këta. Hidhet ky komisari, edhe i thotë këtij plakut: Pse s’punon? Do ta thyej këtë shkopin në kokë!

Kush ishte komisar?

Kiço Gjonçi, çoban, vllah. Edhe i vjen me shkop: “Do ta thyej këtë shkopin në kokë, do ta bëj 400 copa”. Në këtë kohë, rrëmbejmë belat të tre, i thamë: “Komisar, mos e nga plakun se do të grijmë tani. Do të bëjmë 400 copa me bela tani. Mos e nga plakun! Çfarë kërkon nga plaku? Normën? Do ta japim normën ne, do ta bëjmë ne normën. Ky plaku tha: “Djema ma bëni hallall, tha, se unë kam pandehur se kanë vdekur burrat e Shqipërisë, nuk ka burra të tillë”. Llafet e tija. “Xha Ndue, thashë, 18 vjet e kemi litarin këtu në grykë, po shiko çfarë po bëjmë për ty? Po bëjmë të vdesim të gjithë për ty.” Ai plaku pastaj më vonë u lirua, mbaroi burgun e u lirua.

Vijon...

Intervista është pjesë e arkivës së familjes Doko.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here