Jurist, poet, përkthyes, intelektual i formuar në Perëndim, një personalitet shumëdimensional që iu përkushtua gjithë jetës çështjes kombëtare dhe u përball me diktaturat më të egra të shekullit të kaluar
Nga Enver Memishaj-Lepenica
Kudret Kokoshi u lind në Vlorë, më 18 shtator 1908. Arsimin e mesëm dhe të lartë për Drejtësi i kreu në Itali dhe fitoi gradën doktor i shkencave juridike. Kishte pasion për letërsinë dhe kreu edhe këtë fakultet. Po kështu, krahas gjuhës italiane që e zotëronte dhe njihte në mënyrë të shkëlqyer, ai përvetësoi edhe disa gjuhë të tjera të huaja.
Udhët i kishte të hapura për të bërë karrierë në Perëndim, po zëri i atdheut e thërriste dhe në moshën 26-vjeçare, në vitin 1934, u kthye të shërbente në atdheun e tij.
-Më 1934, ushtroi detyrën e avokatit në Vlorë.
-Më 1936, emërohet ndihmësgjyqtar në Bilisht dhe Pogradec.
-Më 1939, u emërua gjykatës në Korçë, më pas në Shkodër dhe Tiranë.
-Më 1941, u emërua kryeprokuror në Prizren, në atë kohë kur bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ishte bërë një realitet.
-Më 28 nëntor 1942, e gjejmë në udhëheqje të demonstratës antifashiste në Prizren ku u përlesh me forcat fashiste dhe u plagos në kokë.
-Sapo filloi Lëvizja Antifashiste, ai u angazhua që në fillimet e saj dhe në vitin 1943, është ideologu, oratori dhe propaganduesi i Ballit Kombëtar.
-Në gusht 1943, është pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, ku u vendos bashkimi i shqiptarëve në luftë kundër nazifashizmit.
-Më 7 mars të vitit 1944, u zgjodh kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Kosovës, ku anëtar ishte edhe patrioti Selman Riza. Komiteti ishte forum i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryetar ishte Bedri Pejani, formuar në shtator 1943.
-Për këtë aktivitet antifashist, në maj të vitit 1944, ndërsa ishte duke ushtruar veprimtarinë për forcimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe luftën kundër nazifashistëve, u arrestua nga Gestapo gjermane dhe u internua fillimisht në Prishtinë dhe më pas në kampin shfarosës Mauthausen.
-Nga kampet e përqendrimit nazist u lirua në dhjetor 1944, u kurua nga sëmundjet në Grac të Austrisë dhe, megjithëse, iu propozua të bënte karrierë në perëndim, ai, ashtu si në vitin 1934, preferoi të kthehej në atdhe dhe t’i shërbente atdheut të tij.
-Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje si udhëheqës i Ballit Kombëtar, më pas me vendimin e datës 1 tetor 1945, dënimi iu kthye në 25 vjet.
-Vuajti dënimin në burgun e Burrelit dhe u lirua më 25 dhjetor 1064, pas 19 vjetëve.
...
Kudret Kokoshi është shquar edhe si aktivist shoqëror, futbollist me skuadrën e Vlorës, kritik letrar, përkthyes dhe poet.
Në fushën e kritikës, duhet përmendur “Antologjia e letërsisë shqipe”, përkthime nga shqipja në italisht të autorëve përfaqësues të letërsisë shqipe. Në vitet ’30-të, ai është dalluar edhe si kritik letrar dhe shoqëror. Ai është i pari që ka analizuar dhe vlerësuar veprën e kolosit të poezisë shqiptare Lasgush Poradecit, po ashtu ka botuar në “Bota e Re”, në gusht të vitit 1940, mendime për gjuhën letrare etj.. Veçanërisht Kudret Kokoshi është shquar si poet, kryesisht në poezinë atdhetare.
Poezitë e tij mësoheshin përmendësh nga të burgosurit e burgjeve komuniste. Reshat Kripa, me të drejtë e ka cilësuar atë poet të heroizmit kombëtar…
Studiuesi Robert Elsie shkruan në librin “Histori e letërsisë shqiptare”: “Ndër shumë poetë aktivë para ardhjes së komunistëve mund të përmenden…dhe juristi Kudret Kokoshi nga Vlora, i burgosur nga nazistët, dhe më pas nga komunistët”. Dhe më tej: “Ndër shumë shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë, që u arrestuan e u burgosën gjatë gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore qenë… poeti Kudret Kokoshi (1908-1991). Mbetet një emër i paharruar për letërsinë, juristi vlonjat Kudret Kokoshi-poet i hollë dhe përkthyes i zot. Profili i tij respektor lartësohet në tri plane: intelektual, poetik dhe atdhetar”. Në vitin 2012, Bujar Leskaj botoi veprën “Muzat e qëndresës”. Autori analizon veprën e të persekutuarve politikë dhe ndërmjet tyre ai shquan dhe dallon Kudret Kokoshin. Në nderim të veprës së Kudret Kokoshit, autoritetet e Vlorës kanë miratuar dhe japin çdo vit çmimin “Kudret Kokoshi”, për përkthyesin më të mirë të rrethit të Vlorës.
Kudret Kokoshi mbylli sytë e tij të bukur më 26 prill 1991. Iku i lumtur, sepse pa, të realizuar, ëndrrën e tij për përmbysjen e diktaturës komuniste, prej së cilës populli shqiptar vuajti për 46 vjet.
Shënim: Marrë me shkurtime nga libri “Kthimi i borxhit të madh”, vëllimi II, i autorit Enver Memishaj-Lepenica, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tiranë 2022.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.