Arsimtar, publicist, gjuhëtar dhe albanolog.

U lind në Gjakovë më 21 dhjetor 1909. Erdhi në Shqipëri në vitin 1922 dhe filloi shkollën Plotore “Naim Frashëri” që e mbaroi me rezultate të shkëlqyera si nxënësi më i mirë i shkollës. Vazhdoi Liceun Kombëtar të Korçës dhe më pas shkoi për studime të larta, me bursë shtetërore, në Tuluzë të Francës. Në vitet 1932-1935, mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë franceze dhe Fakultetin e Drejtësisë si dhe u specializua për gjuhën gjermane në Heidelberg të Gjermanisë.

U khye në Shqipëri, ku nisi punë si mësues në Liceun e Korçës. U vu në krye të demonstratave antifashiste në 28 nëntor 1939 dhe për këtë arsye u internua në ishullin Ventotene. Pasi u lirua në vitin 1941, erdhi për pak kohë në Shqipëri dhe më pas shkoi në Kosovë, ku krahas veprimtarisë studimore u përfshi dhe në atë politike duke u bërë një nga drejtuesit e lëvizjes irredentiste antifashiste. Pas përfundimit të luftës, u kthye në Shqipëri ku u arrestua në vitin 1945, me kërkesë të jugosllavëve, për qëndrimet e tij kundër pretendimeve serbe ndaj Kosovës. U mbajt për tre vjet në burg në Shqipëri dhe më pas u transferua në Jugosllavi ku vuajti edhe tre vite të tjera burg, pa dalë në gjyq. U lirua në vitin 1951. Jep një kontribut të madh për studimet albanologjike në Kosovë. Në vitin 1955, rikthehet në Tiranë ku emërohet në Institutin e Gjuhësisë dhe jep mësim si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Boton disa vepra me rëndësi në fushën e gjuhësisë dhe i jep hov studimeve albanologjike nga viti 1956 deri në vitin 1967, kur për motive politike, e largojnë nga Instituti dhe e dërgojnë në Berat, ku punon si ciceron e më pas në bibliotekën e qytetit deri sa del në pension të parakohshëm. Kthehet në Tiranë, por mbahet larg institucioneve studimore duke u lënë në heshtje deri në fund të jetës, më 16 shkurt 1988. Më 2009 duke çuar në vend amanetin e tij, familja i çoi eshtrat e tij në qytetin e lindjes

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.