Sa herë kujtohet revolta e Qafë-Barit, do të kujtohet edhe emri i tij. Kostandin Gjordeni ishte një nga pjesëmarrësit më aktivë në këtë revoltë, ku edhe u plagos me plumb në shpatull nga vendrojet e komanduar për të qëlluar mbi të burgosurit. Veç kujtimeve të hidhura nga periudha e dënimit që nuk mund të fshiheshin për gjithë jetën, jetoi edhe me atë plumb në trup plot 25 vjet, deri në vitin 2009, kur e hoqi me anë të një operacioni.
Ja si e përshkruan atë revoltë Kostandin Gjordeni për dokumentarin “Revolta e përgjakur e Qafë-Barit” në RTSH, cituar nga Tema: “Ishte data 22 maj 1984. Ne ishim turni i tretë. Ndue Pisha nuk kishte bo normën. -O boni normën, o xhanin. Na futën në kamp. Hëngrëm bukë dhe na futën prapë në galeri që të bënim normën. Aty masanej shpërtheu duke u zënë me policat.
Vetëm për një vagon që s’kishin bërë kto, policët kriminela i kthyen mbrapsht.
Ato thanë: - Jo, nuk e bëjmë, nuk ka material, nuk shkojmë.
-Ne do t’ju bëjmë copa. Ose vagonin, ose shpirtin.
Ata duke na shajt “ju jeni armiqtë e popullit” dhe ne thamë: “Poshtë komunistët, poshtë diktatura, rroftë liria".
-Nuk futemi në punë.
Na kanë marrë me shkelma, me hunj, me lopata, duke na rraf.
Masanej ne tu ulurit dhe duke gërthit duke sharë diktaturën: “Rroftë liria, rroftë demokracia”. Një nga ata oficerat më qëlloi me pistoletë që ne të pushonim. Plumbi më ra mua në shpatull në krahun e majtë. Pastaj më doli gjithë ai gjak. Dush Martini, nga Shkodra, kishte një kuti duhani, ma vuri ktu dhe unë thashë: “Më qëlluan kriminelat, më qëlluan komunistat”.
Masanej na morën dhe na çuan në birucë dhe prapë duke na rraf policët. Duke bërit pastaj të burgosurit politikë: “Lironi Kostandinin”. Masanej na lëshuan dhe ne prapë u ngritëm duke shajt.
Na mbajtën 13 ditë në Pukë, na rrahën aty. Na rrihnin, pastaj na jepnin bukë. Më kanë mbajt pastaj tek pullë në birucë dhe masanej më nxorën në gjyq…”
Kostandin Gjordeni u dënua, me bashkim të dënimeve, me 15 vjet heqje lirie. “Masanej më çuan në Zejmen. Na mbajtën një javë dhe pastaj na çuan në Spaç”, -ka thënë ai. U lirua përfundimisht më 27 mars të vitit 1991. “Në vitin 2009 më bënë operacion në Durrës dhe ma hoqën plumin. Plumi ka nejt nga 1984-a deri në 2009-ën, pasi në kamp nuk ma hoqën dot plumin”, ka thënë Kostandin Gjordeni.
Në analizën që Komanda e Repartit 311 Qafë-Bari i bëri revoltës dhe që gjendet në dosjen voluminoze të kësaj revolte në Arkivën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kostandin Gjordeni përmendet disa herë si një nga protagonistët e revoltës. “Gjatë apelit kur i erdhi radha të dënuarit Kostandin Gjordeni të dalë jashtë, ai refuzoi në mënyrë demonstrative, kështu refuzoi të dalë vetë edhe i dënuari Sokol Sokoli, i cili mori me vete të gjithë grupin e tij dhe duallën forcërisht jashtë duke çarë rrethimin e policëve, nga kjo rrëmujë u arrit që të mos mbahej apeli dhe të dilnin jashtë të gjithë të dënuarit që ishin në sallë, rreth 350 vetë”, shkruhet në këtë dokument të botuar nga Dashnor Kaloçi në gazetën Tema. Kur të dënuarit thirren më pas, për t’u mbyllur në izolim, sipas dokumentit, Kostandin Gjordeni godet kokën në mur për t’u dukur sikur po e rrihnin, çfarë nuk e vërteton asnjë dëshmi. “Mbas kësaj, u lexuan emrat, ku i pari ishte Kostandin Gjordeni, i cili sapo doli jashtë goditi murin me kokë dhe bërtet me të madhe dhe sikur gjoja e goditën. Ndërkohë grupi i tij që ishte brenda në mensë u çuan dhe filluan të bërtasin dhe të bënin përpjekje për t’i shkuar në ndihmë…”, thuhet në Analizën e Komandës së Qafë-Barit për revoltën e 22 majit 1984. Dokumenti shkruan se, për shkak të rezistencës së të burgosurve, Kostandin Gjordeni u lirua nga dhomat e izolimit, ndërsa momenti i plagosjes, në dokument përshkruhet kështu: “…tre të dënuar siç ishin Martin Leka, Kostandin Gjordeni dhe Tom Ndoja, ndoqën efektivin me gurë deri tek porta e daljes, atëhere Kryetari i Degës urdhëroi që vendroja Nr.1 të përdorte armën ndaj këtyre tre të dënuarve, për të parandaluar sulmin e tyre me gurë dhe tulla, urdhër të cilin vendroja menjëherë e zbatoi duke plagosur lehtë në krah të dënuarin Kostandin Gjordeni…”.
Ahmet Tufa, pjesëmarrës në revoltën e Qafë-Barit, në një intervistë dhënë vite më parë për arkivën e familjes Doko, botuar ekskluzivisht në kujto.al, i përshkruan me detaje orët dramatike të 22 majit në kampin e Qafë-Barit, duke u ndalur, pashmangshmërisht, në momentin e plagosjes së Kostandin Gjordenit: “Disa policë kishin vënë përfund të burgosurin, dy-tre të burgosur kishin vënë përfund policin, fut njëri me shqelma, fut tjetri, rrahje barbare, u futëm dhe ne, u kacafytëm. Kur u futëm ne, ata u trembën. Në këtë kohë, Haxhiu po drejtohej te një polic për ta qëlluar. I futet komisari politik, Novruz quhej, nuk mund të them që ishte agresiv, ishte njeri i urtë dhe i thotë: “Po ju ku doni të shkoni me këtë agresivitet që po bëni karshi nesh? Ne jemi shteti!”. Dhe Haxhiu i shkon dhe ia ngul thikën në bark…Unë e dija që kishte thikë, ne mbanim ndonjë thikë për veten tonë. Dhe ai ndjeu thikën, por dhe frikën. I bie kapelja dhe mundohet të ikë. Kur mundohet të ikë, e sulmojmë unë dhe disa të tjerë. Kur ai donte të ikte për në repart brenda, Kostandin Gjordeni- shumë djalë i dashur, i mirë, i drejtë- i shkon pas për ta kapur. Në këtë kohë, një nga ushtarët e gjuan me armë dhe e plagos në shpatull këtë djalin. Dhe sot nuk e ka dorën nga ai plumb dhe e mban plumbin në shenjë kujtimi, “edhe ta kërkojnë me miliarda lekë, thotë, unë nuk e jap”. Ishte një Dush Martini, shumë djalë i dashur, shkodran, nxjerr një kuti duhani, ia mbulon plagën, shkojnë dhe disa të tjerë dhe nipi im Skënderi, për ta ndihmuar. Por nuk kishim punë vetëm me këtë ne, kishim punë dhe me policinë që po kacafyteshin të tjerët”.
Revolta e Qafë-Barit u mbyll me dy të pushkatuar, Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën, me një të vrarë në tortura, Sandër Sokolin dhe me disa të ridënuar, ndër ta Kostandin Gjordeni, i cili, me bashkimin e pjesës së mbetur të kohës nga dënimi i parë, nga i cili i kishin mbetur 8 vite e ca burg, u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua si një nga të fundit të burgosur politikë në Shqipëri. Doli nga burgu bashkë me plumbin që kishte marrë në revoltën e Qafë-Barit. Nga sot e tutje, kjo revoltë do kujtohet edhe me dhimbjen e ikjes së tij nga kjo jetë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.