Komisioni Evropian: Prokuroria dështoi në hetimin për gjetjen e personave të zhdukur gjatë komunizmit

0
464
blank

Brukseli kërkon angazhimin e qeverisë  dhe drejtësisë shqiptare për kërkimin e gjetjen e personave të zhdukur me forcë gjatë diktaturës komuniste. Kërkohet kryerja e hetimeve nga ana e prokurorive të ekzekutimeve dhe zhdukjeve me forcë gjatë kohës së komunizmit, si ngjarje të dyshuara kriminale me persona përgjegjës.

Nga Luljeta Progni

Asnjë rast i zhdukjes me forcë gjatë diktaturës komuniste, nuk ka mbërritur ndonjëherë në gjykatat shqiptare. Janë rreth 6 mijë persona të pushkatuar apo të vdekur në burgjet e kampet e diktaturës, varret e të cilëve nuk dihen ende. Komisioni Evropian i ka kushtuar një vëmendje të veçantë në raportin e fundit pikërisht kësaj çështjeje: dështimit të qeverive shqiptare për të kërkuar e gjetur eshtrat e personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste.

Komisioni Evropian vendos theksin te problematika e refuzimit të qeverive shqiptare në 30 vjet për të kërkuar e gjetur rreth 6 mijë personat e zhdukur, të cilat janë viktima të diktraturës komuniste. Janë qytetarë shqiptarë të vrarë nga shteti i tyre.

Komisioni Evropian kërkon në raport angazhim të prokurorëve për hetimin e zhdukjeve, duke theksuar se vendi ka nevojë për vullnet politik për të rritur ndërgjegjësimin e popullsisë mbi këtë çështje. Raporti, i publikuar më 19 tetor, thekson se: “Gjatë periudhës së raportuar, zyrat e prokurorëve dështuan të kryejnë ndonjë hetim “ex officio” në rastet e personave të humbur gjatë kohës së komunizmit. Zgjidhja e rasteve ka mbetur në nivele të ulëta, pjesërisht edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve. Nevojitet vullnet politik për të vendosur një mekanizëm efikas bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përkatëse dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik për këtë çështje”. 

Raporti i Komisionit Evropian thekson gjithashtu se qeveritë e majta dhe të djathta, kanë ngritur “taskë forcë”, por këto grupe nuk kanë gjetur ende asnjë person të zhdukur. Projekti i BE-së për personat e zhdukur, ICMP, është penguar papushim nga institucionet shqiptare në misionin për të gjetur personat e zhdukur. Në raport theksohet gjithashtu se përpjekjet e qeverive shqiptare kanë synuar që çështja të trajtohet nga ana historike me qëllim për të shmangur hetimin penal për rastet e zhdukjes me forcë.

Sipas studimeve janë rreth 6 mijë viktima që konsiderohen të zhdukur gjatë diktaturës komuniste, të pushkatuar ose të vdekur nëpër kampe dhe burgje.

Dhe ndërsa kohët kanë ndryshuar, territoret ku mendohej se gjendeshin trupat e tyre, apo vendvarrimet, kanë humbur. Ka përpjekje të familjarëve në kërkim të eshtrave të të afërmve të tyre, por rrallë kanë rezultuar me sukses kërkimet për të gjetur dhe identifikuar trupat.

Të vdekurit nëpër burgje mendohet se janë varrosur pranë kampeve ku kanë vuajtur dënimin. Janë disa rastet, ku familjarët kanë arsye për të besuar se atje gjenden eshtrat e të zhdukurve.  Në Qafë-Bari, jo larg burgut, në një shpat të pjerrët që dikur ishte mbuluar nga pishat, duken ende disa gropa, të cilat tregojnë se aty varroseshin ata që vdisnin në burg.  Pranë malit të Dajtit janë kryer kërkime nga familjarët e të pushkatuarve. Pranë antenave të radio Shkodrës, gjithashtu u zbuluan eshtrat e dy të pushkatuarve që u sollën aty nga burgu i Qafë-Barit.

2 km në hyrje të Pogradecit u gjend një skelet, që mendohet se i përket të pushkatuarve pa gjyq në kohën e diktaturës dhe sipas banorëve ishte pjesë e një varri masiv ku pritet të kryhen gërmime. Në Ballsh, pranë rafinerisë, dyshohet për një tjetër varr masiv, ku mendohet se janë varrosur rreth 90 të burgosur politikë të ekzekutuar.

Zalli i Kirit është gjithashtu një ndër vendet në periferi të Shkodrës, ku pushkatoheshin e varroseshin viktimat e diktaturës në vitin 1945 dhe më vonë. Nuk dihet ende fati i eshtrave të 600 të internuarve në kampin e internimit në Tepelenë, të cilët vdiqën si pasojë e keqtrajtimit. Vendi i varrezave të kampit u ndryshua tri herë në brigjet e lumit të Bënçës, ku erozioni i zhyti në ujë dhe eshtrat e tyre nuk u gjetën kurrë. Harta e vendeve ku u vranë e u varrosën viktimat e diktaturës komuniste, shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Gjatë 30 viteve të fundit, institucionet shtetërore shqiptare kanë heshtur, ose më keq akoma, kanë penguar përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur edhe kur këto nisma janë ndërmarrë nga ndërkombëtarët.

Janë histori të vrasjes së qytetarëve shqiptarë prej strukturave shtetërore gjatë kohës së diktaturës komuniste. Pra, shteti është përgjegjës për të gjetur viktimat e veta. E megjithatë, institucionet ligjzbatuese ende nuk kanë nisur një proces për gjetjen e eshtrave. Është një histori që na turpëron. I vetmi rast kur institucionet shqiptare janë në lëvizje për të kërkuar eshtrat është rasti i bankierit italian Xhuzepe Terruzi, i cili ka ndërruar jetë në burgun e Burrelit, në vitet e para të diktaturës komuniste. I biri, Aldo Teruzi ka nisur përpjekjet për të kërkuar eshtrat e të atit 30 vjet më parë. Pas ndërhyrjes së Ambasadës Italiane, në shtator 2020, kryeministri Rama lëshoi një urdhër për nisjen e zhvarrimit. Procesi u ndërpre shumë shpejt për shkak procedurash ndërsa për rreth 6 mijë shqiptarë të vdekur burgjeve e internimeve nuk nisi kurrë një proces kërkimi. Pasardhësit e tyre nuk u dëgjuan kurrë nga institucionet shtetërore të vendit të tyre. Kjo pjesë e shoqërisë shqiptare, pasardhës të 6 mijë viktimave të diktaturës do të vazhdojë të jetë e lënduar, për fatin tragjik të të afërmve të tyre.

Dikush mund ta konsiderojë si histori të së shkuarës, por një ditë shoqëria shqiptare duhet të përballet me këtë të shkuar gjakësore për ta pranuar dhembjen e asaj pjese që u prek rëndë nga diktatura dhe për t’iu kthyer eshtrat e të afërmve.

Këtë përballje e kërkon sot Brukseli përmes raportit të radhës për Shqipërinë. Kërkon në fakt hetim penal për secilin rast, edhe pse ka kaluar shumë kohë dhe shumica e personave përgjegjës për vrasjet dhe zhdukjet kanë ndërruar jetë. Por ka mjaftueshëm ish-zyrtarë të niveleve të ndryshme të diktaturës, që mund të dinë vendet ku prehen eshtrat e të pushkatuarve gjatë diktaturës komuniste.  Nevojitet që institucionet shtetërore dhe veçanërisht ato të drejtësisë të nisin menjëherë të veprojnë për të kërkuar eshtrat e rreth 6 mijë të zhdukurve gjatë diktaturës komuniste.

Fondacioni Kujto ka ngritur disa herë këtë shqetësim nëpërmjet punës së tij me anë të dëshmive të të afërmëve të të zhdukurve. Dhjetra shkrime dhe dy dokumentarë janë kushtuar kësaj çështje të ndjeshme. Po ashtu Kujto ka krijuar një harte digjitale të vendvarrimeve të mundshme ku janë zhdukurit kundërshtarët politik të regjimit./Kujto.al

 

Dokumentari "Të Zhdukurit" | kujto.al

Dokumentari “Varret pa emër”

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here