Fëmija i mbijetuar nga kampi i Krujës: Ne shuanim urinë me lastarët e ferrave

0
1313
blank

Një rrëfim për kampin e Krujës në vitet 1945-1948, gjatë të cilave Fatos Zdrava ka jetuar atje duke parë fëmijët që shuheshin nga uria dhe të ftohtët. Një jetë mizerabël, ku për të shuar urinë, pastronin lastarët e ferrave dhe të hardhive dhe në të ftohtin e madh, ngroheshin me frymën e njëri-tjetrit

 

Kampi i Krujës, bashkë me atë të Beratit, janë dy kampet e para të internimit të diktaturës komuniste. Në Krujë, përgjithësisht, dërgoheshin banorë nga Jugu i Shqipërisë: familjarë të nacionalistëve, personave të arratisur dhe të tjerëve të shpallur armiq, që do të thotë që në kamp kishte përgjithësisht gra, të moshuar dhe fëmijë.

Fatos Zdrava është një prej fëmijëve të internuar në Krujë. Ai vinte nga një familje patriotike me kontribute në çështjen kombëtare që nga stërgjyshi dhe gjyshi i tij, i cili në vitet 1912-1918 ishte komandant ushtarak i zonës së Dumresë. I ati, Ramadan Zdrava, siç tregon Fatosi në librin “Zërat e kujtesës”, botim i Institutit të Studimeve për Pasojat dhe Krimet e Komunizmit, me intervistuese Luljeta Lleshanakun, kishte studiuar për inxhinieri nëndetësesh në Itali dhe nuk kishte zgjedhur të përfshihej në ushtri. Pas kthimit nga Italia, ai hapi centralin elektrik në Berat dhe kinemanë. Në vitet 1929-30, ndërtoi në Durrës një uzinë elektromekanike bujqësore, duke vazhduar me investime të rëndësishme në disa qytete të Shqipërisë dhe duke mundësuar sjelljen nga Italia të produkteve të ndryshme që mungonin deri atëherë. Ai ishte deputet në parlament në vitet 1943-1944 dhe bashkë me Bahri Omarin ishte përfshirë në forcat nacionaliste. Kur u kuptua si do të rridhnin ngjarjet politike në vend, gjyshi i Fatosit u arratis. Një vit pas arratisjes së tij, kur kishte hyrë viti 1945, familja u internua. I morën nga Tirana dhe i çuan në kampin e Krujës. “Familja jonë u internua, e gjitha: babai, gjyshja, nëna, motra, unë, një vëlla dhe halla”, tregon Fatos Zdrava.

Ai ishte 8 vjeç në atë kohë dhe i ka të qarta kujtimet, që nga dita kur i nxorën nga shtëpia pa i lejuar të merrnin as shtroje, as dyshekë, që nga pamja e kampit të rrethuar, e kapanoneve me dërrasa ku flinin mbi kashtë e deri te uria e përditshme që u mori jetën disa fëmijëve.

“Shumë persona vdiqën nga uria siç vdiq edhe Lemania, vajza e hallës. Vdiq edhe vajza e Hedije Petritit. Por, aty kishte edhe shumë të tjerë: Bardhyl Petriti, Myfaret Petriti, Gramoz Petriti, Petrit Petriti që ishte më i vogli…Ka qenë edhe Ramiz, Fejzi dhe Eqerem Petriti, të cilët ishin nga Berati. Këtyre iu ishte arratisur i ati dhe bashkëshorti i Hedijes”, kujton Fatos Zdrava.

“Në kamp, më pas, ka ardhur edhe familja e Etem Nikoçit, Zinka dhe Kadri Nikoçi. Këta ishin nga Petova e Fierit. Etemi u ekzekutua, ndërsa gruan me fëmijët i internuan. Këtyre iu vdiqën tre fëmijë në kamp, një vajzë pesë vjeç, një djalë 3 vjeç dhe një 7 vjeç. Gjëja më kriminale, dhe më e shëmtuar, që bënin komunistët ishte kur, ata, i varrosnin thjesht duke i mbuluar me rrasa druri”.

Më vonë, në kamp, si tregon Fatosi, për “Zërat e kujtesës”, prunë edhe familjen e Adem Pepës nga Kosova e Vogël e Lushnjës, e përbërë nga Saideja, Sherifi dhe Besir Pepa, për shkak se djali i familjes, Xheviti ishte arratisur.

Familja e Fatosit qëndroi në këtë kamp deri në vitin 1948, ndërkohë që në 1 qershor të 1946-ës, i ati, Ramadani, i vetmi burrë me ta, futet në burg dhe gratë e fëmijët mbeten vetëm. “Kujtoj se ishim shumë të uritur. Ferrat lëshonin lastarë të hollë dhe ne, si fëmijë, i pastronim nga gjembat dhe i hanim. Osei shin lastrët e hardhive që sadopak na ulnin urinë. Po, ashtu, hanim edhe lakra të egra, pa vaj. I zienim në kusi. Në të ftohtin e madh, ne, ngroheshim me frymën e njëri tjetrit, aq shumë persona ishim. Në verë ishte shumë vapë dhe në dimër shumë ftohtë”.

Në kamp, sipas dëshmisë së Fatos Zdravës të marrë nga Luljeta Lleshankau, nuk kishte infermier apo ndonjë ndihmë tjetër. “Nuk i bëhej vonë njeriu për ne. Atje na kishin dërguar për të na masakruar. Aty vdisnin njerëzit nga i ftohti dhe uria. Prandaj na kishin sjellë, për të vuajtur, dhe të mos linim trashëgimtarë”.

Fatosi arriti t’i mbijetojë kampit të Krujës. Bashkë me familjen, në vitin 1948, atë e çuan në kampin e Breshukut në Lushnjë, ku kishte edhe familje të tjera të burgosurish. Ishte vetëm 13 vjeç kur filloi punë në digën e Vlashukut. Aty punoi dhe i ati, kur doli nga burgu i parë në vitin 1951, ndërkohë që vinte nga puna e rëndë e tharjes së kënetave si i burgosur. Babanë e Fatosit e arrestuan për herë të dytë më 16 tetor 1979 dhe ai ndërroi jetë në hetuesi. Fëmijët u rritën duke punuar në kanale e fusha, pa pasur të drejtën e shkollimit, duke u trajtuar gjithë kohës si armiq. Madje në vitin 1979, kur në Shqipëri erdhi për vizitë Hrushovi, Fatosin që në atë kohë ishte ushtar e futën për 7 ditë në burg, për ta “mbajtur nën mbikëqyrje”.

“Nga viti 1945, deri më 1991, kemi ndërruar 37 qendra banimi. Patëm tre palë shtëpi, por asnjë nuk gëzuam dot. Ndërkohë, kemi fjetur me lopë dhe kuaj”…

Ishin fëmijë të dënuar nga diktatura. Për të mos pasur fëmijëri, për të mos pasur një jetë normale dhe pse nuk kishin bërë asgjë.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.