Kalvari i familjes mirditore Kadeli nëpër burgje e kampe internimi

0
280
blank

Jeta është plot të papritura, të panjohura, kthesa të forta, progrese e regrese. Ndonjëherë ajo mund të të përplasë fort përtokë, por e rëndësishme është të gjesh forcën për t’u ngritur dhe për të vazhduar pavarësisht çmimit që duhet të paguash. Dhe këto na i dëshmon z.Gjon Kadeli në librin e jetës së tij “Kujtimet e nji t’merguemi”.

Nga Leonora Laçi

Libri “Kujtimet e nji t’merguemi” i z.Gjon Kadelit është botuar në vitin 2018 nga shtëpia botuese “Volaj” në Shkodër. Ndonëse ka veç 194 faqe, ky libër është mjaft domëthënës për ngjarjet që trajton nga këndvështrimi i autorit, ku përfshihen shumë njerëz të tjerë. Ngjarjet ndjekin një kronologji kohore që përfshijnë disa dekada duke e mbyllur me mbërritjen në tokën e premtuar që i ofroi autorit jetën e dëshiruar.

Po shkëpusim ca fragmente nga kujtimet rreth kalvarit të familjes së tij në burgje dhe kampe internimi, sesi dinjiteti njerëzor vihej në pikëpyetje, sesi njeriu bëhej shtazë, shtaza aspironte për njeri, sesi kafshata bëhej aq e rëndësishme, sesi jeta humbiste çdo kuptim, sesi ideologjia verboi atin e birin, sesi komunizmi mundi shqiptarët, sesi fati mundet të të qeshë kur ti nuk je në gjendje as të buzëqeshësh.

Internimi i parë në kampin e përqendrimit në Tepelenë

Disa ditë mbas vrasjes së Bardhok Bibës, si shumë të tjerë, arrestuen edhe babën tim (Pjetrin). Ai u arrestue kur po zhvillonte mësimin në klasë, në shkollën e Shpalit dhe e çuen në burgun e Rrëshenit, antarët e tjerë të familjes i internuan në kampin e përqendrimit në Tepelenë. Mbas rreth nji viti na liruen nga kampi dhe u kthyem në shtëpinë tonë. Mbas një kohe të shkurt, baba im me tre shokë; Preng Vorfin, Ndue Dedë Lasken dhe Ndue Shkurt Prengën, thyen burgun. Gjatë këtij procesi Ndue Shkurt Prenga u vra në dritare dhe nji tjetër u vra jo larg burgut, kurse baba im me nji tjetër pshtuen dhe iken në mal.

Dy fjalë rreth vështirësive që kaloi baba mbasi iku nga burgu

Nga torturat dhe mungesa e ushqimit, ai ishte dobësue deri në pikën e fundit. Natën që theu burgun me shumë vështirsi mbërrijti në katundin Valeç që ndodhet vetem nji orë larg Rrëshenit. Ai shkoi te nji familje që kishte njoftësi me te. Familja në fjalë e pa si diçysh me veshmbathje dhe e çoi në nji pyll të dendun aty afër dhe për nji javë e furnizoi me ushqim. Mbas nji jave baba shkoi te Preng Dodë Vuka në Thkellë të Epër. Prenga bani çdo përpjekje per ta ndihmue babën tim. Ai e çoi babën në nji vend, jo larg shtëpisë së tij, i cili ishte shumë i pyllzuem. Prenga gjatë dy javëve e furnizoi baben me ushqim e me ujë. Gjatë kësaj kohe Prenga u përpoq dhe ra në lidhje me nji grup të arratisunish, dhe njikohësisht i gjeti dhe nji pushkë me disa fishekë, kështu që baba mbas dy javëve u lidhë me të arratisunit.

Mbas disa ditëve baba u takue me grupin e të arratisuve nga zona e Kurbinit që kryesohej nga Gjergj Nikollë Ndreu. Kur Gjergji vuni re sa i dobsue ishte baba im nga vuajtjet në burg, e pyti baben: “Or Pjetër, si po të duket, a ma mirë në burg apo në mal?” Baba ju përgjegj: “Shumë ma mirë në mal se sa në burg”, dhe shtoi: -Sa të kem“grykëhollen” (pushkën) nuk do të më kapi ma kush gjallë me dorë”. Kjo gja në vetvedi tregon vuajtjet që baba pësoi gjatë kohës që ishte në burg.

Mbasi baba ndejti disa kohë në mal së bashku me disa të arratisun të tjerë, iu drejtuan kufinit dhe hynë në zonën e Kosovës në Jugosllavi.

Internimi për herë të dytë në Tepelenë, 1950

Si rrjedhim i hikjes së babës nga burgu në Kreshë, pjesa e familjes së tij si edhe e vellaznve të tij: Gjokës e Zefit u internuen në Kampin e perqendrimit në Tepelenë, kurse Gjokën e çuen në burgun e Porto Palermos dhe Zefin në burgun e Tiranës.

Një përshkrim i shkurtër mbi gjendjen e përgjithshme në atë kamp

Kampi kishte disa kazerma të mëdha ushtarake në të cilat ishin ndërtue platforma dyshtresese me dërrasa ku rrishin e fleshin njerëzit. Përsa i përket ushqimit, racioni i bukës ishte 450 gr në ditë. Mbas disa kohe, si gjellë filluen me na dhanë njifarë totolangu groshesh, kërtollash ose laknash, në të vërtetë kishte vetëm emnin gjellë. Me përjashtim të moshuemve dhe të fëmijëve, të gjithë të tjerët ishin të detyruem të shkoshin në punë të ndryshme herët në mëngjes deri sa errej në mbramje. Në rastin tim që ishem rreth 13 vjeç, më çuen me nji grup njerëzish në nji zonë tepër të thyeshme malore në afërsi të Tepelenës. Në atë zonë disa njerëz pritshin dru, disa të tjerë i grumbulloshin ato dhe përpara se të ktheheshim në kamp në mbramje  njerëzit ngarkoshin nji sasi drushë në shpinë dhe i çoshin në Tepelenë për të furnizue me to furrën e qytetit dhe qendrën administrative të tij. Gjatë gjithë kohës ishim të shoqnuem me policë. Disa prej këtyne policëve ishin tepër të egër. Më kujtohet nji rast kur njeni prej policëve i detyroi dy gra të ngarkoshin ma shumë drue se sa kishin ngarkue, kur ato vunë edhe disa drue të tjerë në shpinë, prej peshës së rand, njenën prej tyre e lëshuen gjuejtë dhe u rrëzue për tokë.

Në atë zonë punën e bante edhe ma të vështirë mungesa e ujit. Aty ndodhej nji vend ku buronte shumë pak uji, dhe si rrjedhim duhej shumë kohë me mbushë nji gotë të vogël me uji, kështu që vetëm disa njerëz mund të pishin pak uji.

Në kampin e Tepelenës, si rrjedhim i mungesës së ushqimit të mjaftueshëm dhe e pastërtisë ma elementare, sëmundjet e ndryshme banë kerdinë në fëmijë. Rreth 300 fëmijë, shumica e tyne nga Mirdita vdiqën në atë kamp. Edhe nji numër i konsiderushëm i të moshuemve pësoi të njëjtin fat.

Dinjiteti njerëzor në atë kamp

Në kampin e Tepelenës dinjiteti njerëzor pothuejse nuk ekzistonte, shembujt janë të të shumtë, por unë po përmendi rastet që u ngja me antarët e familjes time. Kur mue më liruen nga kampi me disa të rinj të tjerë, na çuen te dera e kampit me pritë për kamionin që do vinte me na marrë e me na kthye në zonën nga ishim. Kur mbërrijti kamioni dhe njerëzit që ishin në rresht filluen me hyp në kamion, nana eme desh me ardhë e me përshëndet dhe njiherë perpara se të nisej kamioni, nji polic e ndali dhe e shtyni me forcë kështu që ajo u përplas për tokë, por për fat nuk pësoi ndonji plagosje. Nji rast tjetër, ky tejet shtazak, axhen tim Lalë Gjoken po e mbante nana ime në prehnin e saj, sepse ai ishte në momentet e fundit të jetës së tij. Rastësisht aty pranë kaloi kapterri i kampit që besoj se quhej Selfo, i cili mbante nën mbikqyrje qetësinë në kamp. Ai e pa axhen tim se me shumë vështirësi po merrte frymë e i tha:-“ O derr derri, a je duke vdekur” dhe i ra me shqelm gjujvet të axhes tim. Shembull tjeter, ky i përgjithshëm. Ishin vorret e kampit. Si rrjedhim i vdekjeve të shumta në atë kamp, në afërsi të tij u mbush nji copë tokë plotë me vorre. Trupat e pajetë të njerëzve u zhvendosen tri herë. Herën e fundit nji pjesë e tyne u rivarrosen në bregun e lumit të Bençes që kalonte aty afër. Me kohë ato kufoma përfunduen në atë lum, sigurisht ma vonë në detin Adriatik.

Shumë njerëz kanë shkue te kampi i Tepelenës me shpresë se do të gjejshin varrin e ndonji antari të familjes që kishte ndërrue jetë në atë kamp, por fatkeqësisht nuk kanë muejt me gjetun asgja. Kjo i ngjau edhe babës tim, i cili mbas 40-të vjetesh u kthye në vendlindje , dhe kur shkoi në Tepelenë për të gjetun varret e tre antarëve të familjes së tij, domethanë vëllaut të tij Gjokes, vajzes së vëllaut të tij Zefit se edhe vajzes së tij, të dyja këto të moshës rreth 2 vjeçare, nuk gjeti asgja.

Shtoj këtu, se përsa i përket kampit të Tepelenës, vuajtjet baheshin edhe ma të randa, kur njerëzit herë mbas here ndigjoshin qamjet e fëmijve, disa prej tyne krejt  kerthija, nga zentia apo nga sëmundjet për të cilat nuk kishim mjekime, e ndoshta kjo e qamje ishte e fundit për ta. Kur ndigjohej fshamja e nji nanëzeze kur merrte lajmin për vrasjen e djalit të saj në mal, ose vdekjen e tij në burg. Kur ndigjohej vaji i nji motre për pushkatimin e vëllaut të saj. Kur gratë merrshin lajmin e pushkatimit ose të vdekjes së bashkëshortit të tyne. Megjithëse ato, ndoshta nuk qashin se në disa zona të vendit kështu ka qenë zakoni, megjithëkëtë, zemra e tyne e dinte se sa e rand ishte kjo humbje për to.

Gjatë kohës që unë kam qenë në kamp më kujtohen dy raste tejet të dhimbshme. Rasti i parë, njanës i vdiqen dy fëmijë mbrenda 24 orëve dhe tjetres i vdiq nji fëmijë, të dyja këto nga dëshprimi varen vetën. Rasti tjetër kishte të bante me nji djalë 8-9 vjeçar nga zona e Tropojës. Ai po luante në gërmadhat e nji kazerme të kampit të shkatrrueme gjatë luftës. Gjatë kësaj loje ai hasi ne nji predhë e cila shpërtheu dhe ia çau barkun nga i cili i dolen edhe përmbrendesat e barkut. Ai i shkreti ndërroi jetë pothuejse menjiherë. Unë po kaloshem aty pranë kur kjo ngjarje tragjike e trishtuese i shkurtoi jeten këtij djali. Kjo ngjarje shkaktoi nji trondijte të jashtëzakonshme për mue. Se si i ri që ishem, nuk kishem pa ndonji gja të tillë aq të dhimbshme si edhe trishtuese. Në të vërtetë vendi ishte murane e kazermës, duhet të ishte rrethue me tela mirëpo autoritetet e kampit nuk çashin kryet për këtë gja.

Lirimi nga Kampi i Tepelenës me 1951

Në bazë të nji vendimi nga Ministria e Mbrendshme, të gjithë ata fëmijë që nuk kishin mbushun moshën 14 vjeçare mund të kthehen në shtëpitë e tyne. Si disa të tjerë, edhe unë me vëllan tim, Gjetën përfituem nga ky rast dhe shkuem te tezja jonë Shkurte, e cila ishte e martueme me Cub Gjin Danën nga Rrësheni.

Prania ime me vëllanë në shtëpinë e Cub Gjin Danës ishte mjaft e rrezikshme për te, sepse familja jonë ishte e prekun, se quheshin familje antikomuniste, në atë kohë, përveç kësaj babi im kishte thye burgun e ishte arratisun në mal. Mbrenda nji kohe të shkurt dajat e mij e morën Gjetën në shtëpinë e tyne për t’i lehtësu barren Cubit e tezes. Si rrjedhim i këtij veprimi edhe dajat; Bibe, Preng e Gjin Kaçorri e vunë vetën e tyne në rrezik. Si Cub Gjin Dana po ashtu edhe dajat, përveç rrezikut të madh që paraqitet për ta, veprimi i tyne që ndanë me ne edhe kafshatën e gojës. Tuej qenë se unë nuk dashem t’iu bashem tepër barrë e rand ekonomike Cubit e tezes Shkurte, shkova në Bulqizë për të gjetur ndonji punë ne minjeren e kromit, ku punonte kushrini im Nikolli. Tuej qenë se unë ishem tepër i ri në moshë, nuk më pranuen në punë. Mbasi nuk më pranuen në punë u ktheva te tezja ime në Rrëshen. Në këtë kohë në Rrëshen kishin fillue me ndertue shkollen 7 vjeçare dhe kërkoshin njerëz me bajtë materiale ndertimi, si gurë etj, për t’i çue në vendin ku po ndërtohej shkolla. Unë deshta të shfrytzoshem rastin dhe kështu shkova te axha i babës në Orosh dhe mora mushken. Fillova pune tuej bajtë gurë me mushken, për të ndertue shkollën e naltpermendun. Fatkeqësisht tri ditë mbasi fillova punën, nji rrasë e madhe guri rreshqiti nga barra e mushkes e me preu pak mbi thembër të kambës së majtë, plaga ishte e madhe dhe e rrezikshme. Natyrisht m’u dasht me e lanë mushkën ashtu siç ishte e ngarkueme me gurë, dhe shkova drejt te rruga e makines në qendër të Rrëshenit. Aty vinin nga Bulqiza kamionë të ngarkur me krom, kështu që unë mund të hypshem në ndonji prej tyne, e të shkoshem në spitalin e Rubikut. Shoferat e kamionave nuk pranoshin me më marrë. Ndejta gati dy orë tuj pritë, ndërkohë që kamba kullonte gjak. Kur kalonte pranë ndonji femen dhe shifte kamben time të përgjakun thoshte:-“ O qyqja ç’të paska ngja”? Për fat, ma në fund kaloi aty pranë nji oficer i ushtrisë. Ai më pyti se çfarë më kishte ngja, i tregova dhe mandej i thashë se shoferat e kamionave nuk pranojnë me më marrë e me më çue në Rubik. Oficeri në fjalë qëndroi pranë meje deri sa mbërriti nji kamion. Oficeri iu drejtue shoferit e i tha, merre këtë djalë e çoje në Rubik. Shoferi iu përgjigj nuk lejohen me marrë njerëz. Atëherë oficeri i tha patjetër do ta marrish dhe kështu shoferi pranoi me më marrë. Në të vërtetë oficeri bani nji veprim burrnor e njerëzor ndaj meje.

Kur mbërrijta në spitalin e Rubikut, doktorët kishin qenë të zanun me punë. Kështu që nji infermier nga Shkodra filloi mjekimin e kambes time. Kur ai filloi qepjen e plagës, nga dhimta e padurueshme, unë bertitshem sikur bagtija kur e therë kasapi. Natyrisht, në atë kohë mungojshin shumë nga barnat e nevojshme, ndoshta ato për mpimje as nuk ekzistoshin. Mbasi infermieri më lidhi plagën, më shtruen në spital. Mbas dy-tri ditësh erdhi nji inspektor në spital. Kur ai erdhi te shtrati ku ishem unë më pyeti:- Djali i kujt je ti? Unë iu përgjigja që jam djali i Pjetër Kadelit. Ai më tha”- A ti je mistreci i Pjeter Kadelit?! Inspektori në fjalë e dinte fare mirë se baba im ishte i arratisun në mal. Inspektori në fjalë menjiherë dha urdhër që unë të përjashtoheshe nga spitali dhe ashtu u ba. Po shtoj se inspektori në fjalë ishte nëpunës i sigurimit, dhe si i tillë inspektonte spitalet për të zbulue nëse në to mund të ishte i shtruem ndonji nga të arratisunit, që mund të ishte plagosun në ndonji ndeshje me forcat e ndjekjes...”

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here