I vranë burrin dhe e burgosën, qëndresa e së resë së Isa Boletinit

0
2177
blank

Torturat çnjerëzore ndaj nënës së dy fëmijëve, vetëm e vetëm për t'i shkulur informacione për kunatin e saj, Jup Kazazi, por edhe prej urrejtjes së induktuar nga komunistët jugosllavë, si gruaja e djalit të Isa Boletinit, heroit që komunizmi i persekutoi familjen. Historia e Adile Bekteshi Boletinit, gruas së Adem Boletinit që komunistët e vranë, motrës së Teofik Bekteshit që vuante burgun politik dhe nënës së dy djemve prej të cilëve e ndanë për pesë vjet

 

Po të shfletosh librin e familjeve të njohura shqiptare dhe atë të familjeve të përndjekura gjatë regjimit komunist, do të vësh re menjëherë përputhjen e shpeshtë të mbiemrave. Etiketimi dhe trajtimi i tyre si armiq, në shumë raste, u bë i njohur, i trumbetuar si ndëshkim i merituar për njerëzit që në periudhat e mëparshme kishin gëzuar pushtet e pasuri, por ndonjëherë në librin e dytë has mbiemra familjesh të njohura që askush nuk e dinte që në diktaturë goditeshin me burgosje, internime, por edhe eliminim fizik. E tillë është familja e heroit, firmëtar të Pavarësisë, Isa Boletini. Luftëtarë të vendosur kundër sundimit serb mbi trojet e Kosovës, ata ishin në shenjestër të jugosllavëve, por kur këta të fundit formuan dhe kishin në dorë Partinë Komuniste të Shqipërisë që mori në dorë pushtetin në vendin tonë, u bënë armiq edhe këtej kufirit. Të bindur ndaj udhëheqësve të tyre të vërtetë jugosllavë, komunistët shqiptarë vranë djalin e Isa Boletinit, Ademin, në vitet e trazuara të luftës dhe kur morën zyrtarisht pushtetin vazhduan me burgosje dhe internime të anëtarëve të tjerë të familjes, pa përjashtuar as gratë, siç ishte Adilja, gruaja e Ademit.

blank
Statuja e Heroit, Isa Boletini

Adilja kishte lindur në Shkodër në familjen e Hasan Bekteshit. Ajo u shkollua në shkollën e murgeshave të qytetit të saj dhe më pas shkoi edhe një vit në Itali ku u stërvit në mjeshtërinë e punës së dorës. Njihte italishten, gjermanishten, serbokroatishten dhe turqishten. Adilja u martua me djalin e heroit të Kosovës dhe mbarë shqiptarëve, Ademin dhe lindën së bashku dy djem, Isain e ri dhe Enisin i cili më pas u bë një mjek i njohur, duke trashëguar profesionin e dajës së tij, Selaudin Bekteshit.

Ademi përfundoi gjimnazin në Vienë në vitin 1914 dhe Akademinë e Lartë Ushtarake në Modena në 1919. Me kthimin në Shqipëri, në vitet 1922-1923, u caktua në detyrën e komandantit të Xhandarmërisë Shqiptare në Jug të Shqipërisë, kryesisht në Gjirokastër dhe Sarandë, duke luftuar kundër bandave andarte greke. Ahmet Zogu e dekoron me gradën e “Kapitenit të klasit të Parë me meritë”. Në vitet '30-të emërohet në zona të ndryshme verilindore në kuadër të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe në vitin 1943 nënkolonel Adem Boletini, emërohet në detyrën e rrethkomandantit të Xhandarmërisë Shqiptare në Shkodër nga Qeveria e Rexhep Mitrovicës. Në këtë kohë, më 23 nëntor të 1943-shit, ai vritet me atentat nga Vasil Shanto i grupit komunist të Shkodrës. Komunistët deklaruan që ishte një vrasje e paqëllimtë dhe që shenjestra kishte qenë major Ndrec Prenga, qarkkomandanti i xhandarmërisë së Shkodrës, por përmbajtja e trakteve që ata hodhën më pas në qarkullim, tregon në mos që shenjestra ishte djali i heroit, të paktën që vrasja e tij nuk i shqetësonte aspak. "Adem Boletini nuk ishte i dënuar me vdekje nga PKSH, por qëndrimi i tij me major Ndrec Prengën ishte i pajustifikueshëm", citon një prej këtyre trakteve, djali i Ademit, Isa Boletini i ri, në një intervistë. Sipas nipit të heroit, familja e tij u vu në shenjestër dhe u godit edhe në Shqipëri, siç ndodhte në Jugosllavi, për shkak të udhëzimeve që vinin nga Beogradi. Aleatët jugosllavë ishin më të rëndësishëm për komunistët shqiptarë sesa heronjtë e Shqipërisë. Isa Boletinit iu dha titulli Hero i Popullit vetëm në vitin 1962, por familja e tij nuk u nderua kurrë siç i takonte, duke u ftuar vetëm një herë në festën e Pavarësisë në Vlorë dhe duke u harruar fare në përurimin e monumentit të Isa Boletinit në Shkodër në vitin 1981. Gjatë këtyre viteve, në burgjet shqiptare kishin hyrë disa anëtarë të familjes, përfshirë edhe Adilen.

Ajo u arrestua fillimisht në vitin 1945, kur u mbajt pesë muaj në burg. Më pas, u arrestua sërish. Këtë herë u dënua me 5 vjet burg. Familjes vazhdimisht, i vinin urdhra dëbimi. Plot tri herë, dolën vendime për largimin nga Tirana, aq sa herën e fundit u detyruan të fshiheshin për një muaj derisa vendimi u anulua.

Siç shkruan Fatbardha Saraçi Mulleti në librin "Kalavari i grave në burgjet komuniste", Adilja gjatë hetuesisë, përballoi tortura të rënda, gjatë të cilave asaj i kërkoheshin informacione për Jup Kazazin, bashkëshortin e së motrës. Pas kryengritjes së Postribës, Jup Kazazi kërkohej si një prej organizatorëve të saj. Mirëpo, komunistët që me siguri kishin menduar se do e kishin pasur të lehtë të mposhtnin një grua, nuk arritën të nxirrnin asnjë fjalë prej saj, megjithë torturat që përdorën, duke e lidhur në ajër prej krahësh, apo duke e futur në fuçi me ujë të akullt për orë të tëra, ditë me radhë. "Kam përkulur shumë burrë, por ty nuk të gjunjëzova dot", i kish thënë një ditë një nga oficerët e Sigurimit, "paske qenë vërtet e reja e Isa Boletinit". "Edhe gruaja e Adem Boletinit", i kish thënë Adilja, e cila nuk pranoi kurrë mëshirë, as atëherë kur i propozuan të bënte një kërkesë për falje ndaj i kreu ditët e dënimit deri në fund. Edhe kur u lirua, e priti një dënim i ri: internimin për në Kavajë, por me ndërhyrjen e vëllait të saj, mjekut të njohur pediatër dhe akademikut Selaudin Bekteshi, ky vendim u anulua dhe djemtë e Adiles, si edhe nipërit e mbesat e tjera të familjes Bekteshi, u rritën në ngrohtësinë e strehës dhe zemrës së dajës së tyre. Vëllai tjetër i Adiles, Teofiku ishte burgosur gjithashtu nga regjimi komunist, ndërsa burri i motrës, Nasibes, Jup Kazazi kishte vrarë veten pasi komunistët e kishin rrethuar shtëpinë ku fshihej për mos të rënë në duart e tyre. Ishte një strehë me shumë halle ajo e Bekteshëve, por edhe me shumë dashuri, që do të ndihmonte gjithsesi, për të përballuar sulmet e regjimit që nuk u smpraps as para familjeve më të rëndësishme.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here