Hysni Deda, 15 vjet burg vetëm për një fjalë goje me shokët në kafene…

0
1058
blank

"Unë nuk e dija se mund të dënoheshe për fjalë që i thoje mes shokëve!!! Më dënuan 15 vjet, më torturuan në hetuesi dhe përjetova ferrin në burgun e Spaçit dhe Qafë Barit aq sa tentova vetëvrasjen..."

 

Ai ishte 21 vjeç.   Sapo kishte përfunduar ushtrinë e do të kthehej në vendlindje në Bulqizë.  Jeta në komunizëm nuk qe e lehtë për askënd, e sidomos për të rinjtë në fshat pa shkollim e profesion. Ai s’kish mundur të shkollohej se i ishte dashur të punojë që 16 vjeç.

Hysni Deda kujton se kur u kthye nga ushtria në shtëpinë e tij të vjetër ku e priste nëna e verbër dhe babai i moshuar, u gjend para një pasigurie të tmerrshme. Duhej të gjente një punë që të mbante shtëpinë. Gjashtë muaj ishte endur sa në një zyrë në një tjetër, në gjithë strukturat e partisë në Dibër. Për Hysniun kishte vetëm një alternative të punonte në kooperativë,  në fshat.  Ai nuk i trembej punës. Por atje, në atë kooperative të humbur, paga ishte tmerrësisht e ulët.

“Një ditë pune ishte 10 lekë të vjetra. Me dhjetë lekë të vjetra mund të merrje vetëm dy kurabija, ose një të tretën e një buke misri.  Me çfarë do të ushqeheshim nëna e verbër, babai  im plak dhe unë? Si do të krijoja familje me dhjetë lekë të vjetra, të ardhura në ditë?” thotë Hysniu, në dëshminë e tij për Kujto.al.

Një ditë ndërsa e kishte kapluar dëshpërimi, pa asnjë mundësi për të ardhmen, Hysniu ishte ulur në një kafene bashkë me dy shokë të tij.

Më pyetën: Hë, Hysni çfare bëre? C’tu thoshja. Isha me të vërtetë i zemëruar. Kisha gjashtë muaj që çdo ditë , çdo orë mendoja si do të jetoja unë dhe prindërit e mi. Si do ta nxirrja bukën e gojës?

- Asgjë s’kam bërë, - ju thashë, -  S’më hapin asnjë rrugë. Ka mbetur ti vras e të arratisem nga Shqipëria”..

Hysniu kujton ta ketë thënë këtë frazë, që më pas i kushtoi shtrenjtë, nën peshën e dëshpërimit. Por Sigurimi i Shtetit e kishte marrë në kohë rekord denoncimin.

 

***

Kishin kaluar vetëm nëntë ditë nga dasma e tij. Nëna dhe babai kishin gëzuar këtë ngjarje të madhe të të birit. Kishte arritur më të fund të futej në punë në ndërrmarrje shtetërore. Atë ditë ndërsa priste krushqit t’i vinin për vizitë në shtëpi, e thërret në rrugë operativi i zonës.

Do të vish me mua në postën e policisë. Atje kemi dicka për të sqaruar, I kishte thënë operativi.

-Ma thuaj këtu ç’ke për të më thënë, kishte këmbëngulur Hysniu . Nga ky moment që ishte në të vërtetë arrestimi i tij Hysniu ka nëj kalvar te gjatë vuajtjesh. Më poshtë e sjellim të plotë dëshminë e tij për arrestimin, hetuesinë gjyqin dhe vitet e veshtira të burgut, fillimisht në Spaç e pastaj në Qafë Bari.

“Ai më doli sërish përpara. Pastaj mendova: unë nuk kam bërë asgjë. Po shkoj… Unë nuk e dija se mund të dënoheshe për fjalë që i thoje mes shokëve!!!

Kishin ardhur nga Peshkopia nënkryetari i degës Dervish Spahiu.  Shefi i hetuesisë Pashk Jushi dhe hetuesi  Shpëtim Hima. Kishin ardhur për arrestimin tim. Operativi më dha në fillim një cigare. Filloi të më bënte disa pyetje turbulluese, ndërsa priste që të vinin këta. Erdhën dy operativët, ai i kampit, Jonuz LLorja, operativi i brigadës Pjetër Cacurri, i plotfuqishmi Nazri Çekiçi, etj.  Nënkryetari i degës me thotë: “ti je Hysni Deda”.

-Po, - i them.

-Në emër të popullit je i arrestuar!

-Për çfarë, - i thashë. -Unë nuk kam bërë asgjë.

-Atë do ta marrësh vesh kur të shkojmë atje… Vërjani hekurat!

Më lidhën me pranga gjermane. Më futën në gazin e policisë. Shkuan e bënë kontrollin në shtëpi.  Më çuan pastaj në Peshkopi dhe më futën në birucën nr.2. Më lanë aty brenda. Aty kishin futur më parë edhe një tjetër. I kishte pantoallonat ende me cirka balte.

Më tha, “për çfarë të kanë sjellë këtu?”.

-Nuk e di, - I thashë.

-Mua më kanë sjellë se kam vrarë një njeri.

-Nuk të pyeta, - i thashë shkurt.

Ishte spiun që e kishin futur aty për të më zbërthyer, mua. Ishin metodat që përdorte Sigurimi i Shtetit.

Në orën 12:30 pas mesnate, më morën në hetuesi. Filluan të më pyesnin..

Na trego çfarë ke bërë?

Nuk kam bërë gjë, -thashë.

Na thuaj me kë ke biseduar…

-Kot më keni sjellë këtu, ju thashë. – Kam vetëm 9 ditë martuar. Kam nënë e verbër në shtëpi, babanë plak. Skam asnjë arsye të jem këtu…

Pas kësaj Pashk Jushi, shefi i hetuesisë në Peshkopi filloi të më bënte presion.

-Këtu kanë ardh burra ma të mirë se ti dhe i kemi shtrydhur, -tha ai.

Pastaj u ngrit kryetari i degës Skënder Lika dhe më dha një shkelm të fort në mes të shpatullave. U rrëzova përtokë.  Pastaj mu sulën gjithë policë e çfarë qenë aty. Nuk më lëshuan më. Kam pasur një shenjë këtu (tregon një shenjë në kokë).

Më vonë si duket kisha rënë pa ndjenja në tokë. Ka qenë aty një doktor i birucave, kur u zgjova e pashë që po më bënte një gjilpërë në krah. Më lanë pas kësaj 10 ditë në birucë e pas dhjetë ditësh erdhën e më morën sërish.  Unë nuk pranova asgjë. Pas një muaji tjetër izolim në birucat e hetuesisë më ballafaquan me ata që unë kisha folur në kafene. Ata e pohuan gjithçka. Hetuesi Shpëtim Hima  dhe kryetari i hetuesisë Pashk Jushi  tha:

-Nuk merremi më me ty. Në daç prano në daç mos prano. Ti do të dënoheshin. Ta kemi prerë ‘kostumin’ .

Më dënuan 15 vjet. 10 vjet për përgatitje për arratisje dhe 5 vjet për agjitacion e propagandë.…”

 

***

Në muajin shkurt 1980 Hysni Dedën e çuan në Spaç.

“ Unë e quaja Spaçin një vend me njerëz të ngritur, kundërshtarë të regjimit dhe vrisja mendjen si do të komunikoja unë një njeri i thjeshtë me ata?

Spaçi ishte një kamp terrori. Kishte lloj-lloj provokimesh nga ana e komandës. Kishte provokime për tu thyer, për të bashkëpunuar me ta gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Na organizuan për të punuar. Punuam në pirit, në bakër. Kushtet ishin shumë të vështira.

Ka qenë një komisar Pjetër Cara që vinte çdo ditë na bënte 2 orë punë politike. Na thoshte “mos tju shkojë mendja se një ditë do të na e shihni qafën ne…në rast agresioni  të jashtëm ne do t’ju pushkatojmë  ju të parët.

Kundërshtova të dilja në punë dhe më dënuan muajin e  parë në birucë. Pastajedhe muajin e dytë e të tretë. Isha në gjendje depresioni.  Më ishte nxirë jeta vetmë tortura dhe izolim. Mendova ti jap fund jetës.  Nga shtëpia më vinin vetëm lajme të hidhura. Fillimisht më erdhën letrat e divorcit nga bashkëshortja.  Por më vonë mora vesh edhe lajmin e hidhur të vdekejs së nënës time të verbër. Ajo kishte vrarë veten e dëshpëruar për fatin tim!!!

Vetëvrasjen e shihja si shpëtim. Mendova:  të hidhem në tela, dhe vdekja do të më vijë…  Po të hidhesha në tela, aty ushtarët të qëllonin pa paralajmërim.

Ashtu bëra. Isha në katin e tretë.  Po bëhesha gati të hidhesha kur erdhi oficeri i rojes. Më tha. Qetësohu nuk ka për të të prekur askush.  U ktheva. Kur po ngjitesha lart në tarracën ku bëhej numërimi, dëgjova policët që i vinin nga pas që I thanë: ta mbërthejmë. Unë i dëgjova dhe mora hov për tu hedhur në tela.  Kishte disa raste që  ushtarët i kishin vrarë të burgosur ndërsa hidheshin në zonën e ndaluar .  Në atë kohë oficeri I rojes i thotë ushtarit mos qëllo. Pas kësaj nuk më prekën më këmbët në tokë.  Mu hodhën sipër gjithë policët, e më çuan me një frymë tek dhoma e torturave. Atje më rrahën derisa mbeta pa ndenja. Më përplasën në birucë. Të nesërmen në mëngjes pasi e kasha marrë veten erdhën më panë. Më lanë aty në birucë për 15 ditë.  Pastaj më thirrën në komandë.

Ishte drejtori i burgjeve të asaj kohe Shyqyri Toska.  Ai më tha pse e bëre këtë veprim? Unë i tregova  gjithçka.

Ai më tha, “për këto raste ne kemi masa shtrënguese,  të të çojmë në burgun e Burrelit. Na jep fjalën që nuk do tentosh më të hidhesh në tela, ndryshe do të përfundosh atje. Duke menduar burgun e Burrelit, ku unë nuk kisha askënd që të vinte të më sillte qoftë edhe një paketë cigare, atje do të vdisja urie. Ishte e tmerrshme të përfundoje në Burrel e të mos kishe asnjë ndihmë… Mua askush nuk më erdhi të më shihte në burg qoftë edhe njëherë të vetme,  gjatë gjithë atyre viteve…

Pas kësaj, më lanë disi më të lirë, mi hoqën masat shtrënguese, dhe provokimet e vazhdueshme… dhe unë iu riktheva punës deri në marsin e vitit 1983, kohë kur na dërguan në Qafë Bari….

***

“I kishin hequr të burgosurit ordinerë nga Qafë Bari dhe erdhën e morën për fuqi punëtore 240 të burgosur politikë në Spaç. Na morën me kamionë. Na lidhën dorë për dore të gjithë të burgosurve dhe ashtu të rrethuar gjithkund me policë e bëmë rrugën deri në Qafë Bari..

Komandant kampi atje ishte Edmond Caja. Filluam punë në minierë. Ishim të gjithë të rinj. Edhe atje kishte masa shtrënguese për çdo thyerje të rregullores. Por atje kishte edhe diçka tjetër,  kishte një lloj ndarje, disa të burgosur, ishin vënë në rreth e quheshin armiq të përbetuar. Për ta nuk kishte asnjë shans për të dalë nga burgu. Sepse edhe po ta mbaroje dënimin, të merrnin e të nxirrnin prapë në gjyq me 2 -3 dëshmitarë e të ridënonin.  Kishe shumë shokë tanët që kanë hyrë në burg  të dënuar më 7 vjet dhe ju është bërë dënimi 25 vjet..”

***

Më 16 dhjetor 1988, Hysni Deda u lirua nga burgu i Qafë Barit. Kthimi në shtëpi ishte shumë i vështirë.

“Nuk kisha askënd që të më priste. Nuk kisha shtëpi, ishte shembur, shkatërruar e gjitha. Nuk i kisha më prindërit kishin vdekur të dy. Nuk kisha grua, s’kisha familje. Por duhet të jetoja, t’ia nisja nga e para…”

***

Hysniu  u martua sërish. Ndërtoi familjen e tij të re. Vatrës së familjes iu shtuan 5 fëmijë. Por varfëria dhe jeta e mundimshme nuk do t’i shqitej. Askush nuk i ofroi një punë pas rënies së regjimit, as atij dhe as të shoqes. E vetmja rrugë që pa si shpëtim për familjen e tij ishte emigrimi. Prej kaq vitesh, shkon e vjen nga Maqedonia ku punon me muaj,  ndërsa jeton më shumë larg fëmijëve se sa me ta. Pensionin e minatorit nuk ja japin. I duhet të dëshmoje me dokumente dhe evidenca  se ka punuar në Spaç e Qafë Bari. Thotë se kjo i tejkalon mundësitë e tij. Ai s’ka ku  ti gjejë ato evidenca, që s’dihet në ç’arkiva janë drynosur. I mbetet vetëm të shpresojë se shteti shqiptar që qeveriset ende nga trashgëmitarët e komunistëve t’ia njohë ato vite pune, kur e detyruan me dhunë të punonte në miniera.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here