Një udhëtim në Hajmet, fshati që u persekutua masivisht nga diktatura komuniste. Historia e dhimbshme e Gjon Rrethit, pse ai nuk flet dot dhe fletorja e tij e përditshme. Si u burgos bashkë me nënën e tij dhe kishte hetues Shyqyri Çokun, i dekoruar nga qeveria Rama si veteran lufte. Nëntë vitet nënëpër burgje dhe takimi i parë me të bijën tetë vjeçe, përmes hekurave të Spaçit.
Nga Luljeta Progni
Gjon Rrethi është afër të shtatëdhjetave. Jeton në rrethinat e Shkodrës, në fshatin Hajmel, një fshat ku pothuajse të gjithë janë persekutuar në kohën e diktaturës dhe secili prej tyre ka një histori për të treguar.
Gjoni është një prej tyre. Edhe ai ka historinë e vet, por nuk mund ta tregojë si gjithë të tjerët. Kohët e fundit një paralizë parciale i ka mbërthyer gjuhën dhe e vetmja mënyrë komunikimi me të afërmit është një fletore dhe një laps që i mban gjithmonë me vete. Shpejt e kupton se është nga ata njerëz që mund të flasë edhe me sy.
Por për të rrëfyer historinë e tij ai hap fletoren tek faqja bosh, në vazhdim të mesazheve të përditshme që i shkruan të shoqes dhe fëmijëve. Është një ditar i komunikimeve të zakonshme që njerëzit e thjeshtë si Gjoni dhe familjarët e tij shkëmbejnë çdo ditë. Faqja e bardhë prêt laspin e Gjonit, ndërsa ai me sytë që i ngazëllejnë prêt të fillojë rrëfimin e tij.
E pyes se si filloi kalvari i gjatë i persekutimit për Gjonin. Sytë e tij përshkojnë të tashmen për t’u futur në një botë tjetër, dora shtrëngon lapsin dhe fillon të lerë gjurmë mbi fletën e bardhë të fletores:
“Isha diku te katër a pesë vjeç, por e mbaj mend shumë mirë atë ditë se kam kja shumë... Ishte e diela e Pashkëve dhe u ulëm me hangër drekë. Ishte zakon si në të gjitha shpitë e katunit tonë, që të dielën e pashkëve të bashkohej e gjithë familja. Atë ditë baba nuk erdhi në shpi. Ishim ulë në sofër dhe po prisnim. Në një moment nana na tha lutjet sipas zakonit dhe na urdhëroi të nisnim të hanim. Unë e pyeta nanën: Po baba pse s’po vjen? Atëherë nana na kallzoi se baba ka shku larg e noshta s’vjen ma kurrë... S’kam me e harru kurrë atë dekik... Kurrkush prej nesh nuk ka hangër asnji kafshatë buke. Veç kena kja”.
Janë kujtime që prej pranverës së vitit 1950, kur i ati, Prend Gjon Rrethi, u largua jashtë kufijve fillimisht drejt Jugosllavisë dhe më pas në Belgjikë. Prendi ndiqej nga regjimi komunist dhe ishte detyruar të largohej, duke braktisur familjen.
“E mbaj mend si sot, kur erdhi në oborr të shpisë, ishte i armatosur. Kurrë nuk e kisha pa të armatosur. Isha bashkë me motrën e vogël. Mbaj mend që më tha: të mirët e babës, u pastë baba” dhe iku. Baba u largua sepse qysh në vitin 1945 kishin arrestu xhaxhain, vëllain e madh të babës, i cili vdiq në burg në vitin 1956”.
Fshati Hajmel ishte në atë kohë një prej zonave më të goditura nga regjimi komunist. Sipas statistikave, rreth 95% e banorëve të fshatit Hajmel, kanë të paktën një të dënuar politik. Shumë kryefamiljarë u dënuan me burg, të tjerë u pushkatuan ndërsa familjet e tyre u internuan në kampet e komunizmit, në këtë kohë disa prej burrave e djemve të Hajmelit u arratisën. Një prej tyre ishte edhe Prend Gjoni, babai i Gjonit.
Pas më shumë se 25 vitesh, në qershor të vitit 1976, Prend Gjoni guxoi të kthehej në territorin komunist, aty ku ishte shpallur armik i popullit. Kishte vendosur të rrezikonte kaq shumë për hir të familjes së tij. Prendi besonte se do të mund ta merrte djalin dhe të shoqen me vete.
Por në Hajmel kishin ndodhur shumë ndryshime. Edhe Gjoni tani ishte burrë, ishte 26 vjeç dhe sapo ishte fejuar. Prendi nuk e njihte më të birin e as Gjoni të atin. Fati e solli që “i huaji” që vinte prej larg të pyeste vetë Gjonin për ta çuar tek shtëpia e Prendit.
“Ishte qershori i vitit 1976. Isha duke u kthy prej pune. Atë burrë të panjohur e takova te kroni, këtu në krye të lagjes tone në Hajmel. Më tha ku asht shpia e Prend Gjon Rrethit?! i thashë hajde se të çoj unë. Nuk mujta me i kallzu se jam i biri i Prendit, se thashë kushedi pse ka ardhë, a mos asht i sigurimit.... Erdhëm te shpia e gjetë nanën në oborr. Kur e pau babën më tha: ky është baba jot!... Pak ma vonë u ulëm me hanger bukë. Aty ka ora 12 e natës ai u çue e doli jashtë, kontrolloi rreth e rreth shpisë e hyni prap mrena. i tha nanës: kam ardhë me ju marrë!”
Por ajo që kishte menduar Prendi përtej kufijve për 26 vjet sa vinte e bëhej më e pamundur me kalimin e viteve. E shoqja insistoi që ishte më mirë të jetonin të ndarë sesa të rrezikonte jetën e gjithë familja. Megjithatë Prendi këmbënguli.
“Kur baba po këmbëngulte me i mbushë mendjen nanës që të shkojmë me të, nana i tha nuk mujmë me ardhë. Masanej baba i tha nanës: djalin do ta marr me vete. Nana i tha se nuk muj me ta lanë djalin me më marrë rrugat, se me zor e kam rrit. Baba i tha: du me e marrë, mos me e lane nën thunrën e komunizmit. Atje ku jam unë asht vend i mire e sigurt.
Nëna nuk kishte asnjë dilemë dhe Prendi u bind të largohej i vetëm siç erdhi, por bëri edhe një tentativeë të fundit me Gjonin.
“Më kërkoi me e përcjell deri të kallamat e Kol Xhugjës. Rrugës më tha prap: hajde me mua. i thashë nuk muj me ardhë se duket sikur po du ma shumë ty se nanën që ka vujt me më rrit. Kur mrrime te zalli i Kirit i thashë: Shko, se nuk vi!”
Prendi u largua zemërthyer, e Gjoni u kthye në shtëpi. Disa muaj më pas, vizita e tij në Hajmel do të zbulohej nga Sigurimi i Shtetit, e ajo vizitë do të ndryshonte përgjithmonë edhe jetën e djalit të tij Gjonit dhe gjithë familjes.
“Më thirrën te zyrat e kooperativës e më thanë se ditën e hanë do të shkojmë në Shllak, një fshat në malësinë e thellë të Shkodrës. Ishte ditë e shtunë data 3 prill e vitit 1976. Të hanën me 5 prill jamë nis për në Shllak. U nisa për te stacioni dhe aty duke prit pashë një makinë të vogël, i kemi pas thënë Xing Fu. Mu afru një burrë e më tha: ku don me shku. Në Shllak i thashë. Hajde me ne tha, se në Shllak po shkojmë, jemi nga komiteti i partisë. U nisëm dhe ecëm deri te Ura e Mesit që nis rruga për në Shllak. Aty u ndalum. Në makinë ishte përveç shoferit edhe një zotni tjetër. Kur u ndal makina, ai më pyeti: si e ke emrin dhe unë ia tregova. Në emër të popullit je i arrestuar, më tha. E urdhëroi tjetrin që kishte në krah: vendosi prangat. Më hodhën një batanije sipër dhe më çuan në degën e brendshme. Atje më plasën në birucë duke më sha e duke më qujt “armik i popullit”, rrëfen Gjoni Rrethi.
Ishte dita kur për Gjonin liria mori fund, por dita më e vështirë për të ishte dita kur mësoi se edhe e ëma, Lula, ishte gjithashtu në burg. “Nuk di dekik ma të vshtirë... më t’thanë edhe nana jotë asht në burg si ti... nuk e harroj”.
Gjoni kaloi 9 vite në tortura, punë të detyruar e nën mëshirën e urisë. Nuk kishte asnjë njeri nga familja që mund të kujdesej, t’i sillnin ndonjë veshje apo ushqim. Pas arrestimit të së ëmës, e shoqja e Gjonit, Dila mbeti vetëm. Ajo ishte shtatzanë dhe solli në jetë disa muaj pas arrestimit të Gjonit vajzën e tij, Verën, të cilën mundi ta shohë për herë të parë pas 8 vitesh.
“E kam lane në barkun e të jëmës dhe e kam pa për herë të parë kur ishte 8 vjeç, përmes hekurave të burgut të Spaçit. Bashkëshortja ime nuk mundi të vinte të më shihte për 8 vjet. Veç kur doli nana prej burgut, erdhi me vajzën teme e me gruan dhe më pane në burgun e Spaçit. Nana ime ishte dënu me dhjetë vjet burg, por doli pasi kreu 6 vjet e katër muaj, sepse iu falën vitet e tjera nga falja e vitit 1982... Eh kur pashë atë fmi përmas hekurave... ishte krejt e habitun... e tremun... Nisi me kja... a prej friket a prej mallit... nuk e di....”, shkruan Gjoni.
Fletet e bardha të fletores mbushen me gërma dhe lotë. Megjithatë, Gjoni nuk ka asnjë fije urrejtje ndaj kurrkujt. As ndaj hetuesit të tij që u dekorua si “Hero” dy vjet më parë, Shyqyri Çokut. Kur i kërkova të fliste për xhelatin e tij të dekoruar, trupi i vogël i Gjonit u krodh mbi fletore dhe shkruajti: S’ka më fletë…
Marre nga "Studio e Hapur"
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.