Heronjtë e Spaçit/Dervish Bejko refuzoi të nënshkruante pranimin e akuzës

0
740
blank

Dervish Enver Bejko, u lind më 15.5.1946 në Starovë të Pogradecit. Ai është njëri nga të pushkatuarit në revoltën e Spaçit në moshën 27 vjeçare. Regjimi e konsideronte familje të pasur dhe e cilësonte kulak. Ishte dënuar kur ishte 25 vjeç, për akuzë të pakryer, por të dyshuar.

Dënimi i parë

U arrestua më 19.8.1971. U përfshi në një proces me Fadil Dushkun nga Elbasani, i cili u ridënua në revoltën e Spaçit dhe vdiq në Repartin nr.321 Burrel gjatë vuajtjes së dënimit. U akuzua se kishte bërë përgatitje për arratisje në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 e 12 të Kodit Penal. Gjykata arsyetonte se në gusht 1971 të dy shokët ishin takuar e biseduar për t’u arratisur. Të dy shkuan në Korçë dhe fjetën në shtëpinë e shokut të tyre Niko Polena. Këtu vendosën të arratisen nga fshati Bozhigrad. Pastaj ndryshuan mendje për t’u arratisur nga Dardha. Do njoftoheshin kur të niseshin nga Niko. Të dy u kthyen në Elbasan në pritje të lajmit, por sa mbërritën u arrestuan. Niko dhe Rexhep Mustafai kishin dëshmuar në gjykatë.

Gjykata e Rrethit Elbasan, e drejtuar nga Abaz Xhepaj, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit Neim Hasani me vendimin nr.124, datë 19.11.1971, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet heqje lirie. Fadili u dënua me 10 vjet. Nuk iu konfiskua pasuria se nuk kishin. U la në fuqi me vendimin nr.1187, datë 11.12.1971 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Dënimi me vdekje në revoltë

Dervishi ishte në grupin e parë të të dënuarve në revoltën e Spaçit. Vendimi për izolimin e tij në dhomat e paraburgimit në Rrëshen u mor më 22.5.1973 nga hetuesi Pelivan Luçi, me miratimin e prokurorit të rrethit, Zef Deda. Midis të tjerash thuhej: “Ka marrë pjesë në një organizatë kundër pushtetit popullor, e cila ka patur për qëllim kryerjen e krimeve të sabotimit të ekonomisë socialiste dhe të agjitacionit e propagandës armiqësore që ka synuar në minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor, vepra të parashikuara si krime nga nenet 76 në kombinim me nenet 72 dhe 73/2 të Kodit Penal”. Dervishi refuzoi të merrte akuzën dhe as ta nënshkruajë këtë veprim.

Më 23.5.1973 hetuesi Pelivan Luçi në Spaç mori dy vendime për marrjen të pandehur, duke cituar edhe nenet përkatëse. Në vendimin tjetër thuhej: Në datën 23.5.1973 rreth orës 6.30, kur të gjithë të dënuarve iu bë thirrje për t’iu bindur urdhrave në vendosje të rendit në repart, kundërshton dhe me dru e hekur në dorë tenton të godasë përfaqësuesit e pushtetit të ngarkuar për parandalimin e revoltës së organizuar në data 21-22 maj 1973.

Edhe këto dokumente Bejko refuzon t’i nënshkruajë se mori dijeni. Hetuesia e tij bëhet me të shpejtë, por mban thellësisht qëndrim mohues dhe as përmend emra të tjerë. Midis të tjerash thotë: “Akuzën që më bëni nuk e pranoj. Unë nuk kam parë asgjë. Di të them vetëm këto gjëra: në mëngjesin e datës 21.5.1973 kur jemi ngritur nga gjumi, pashë në oborrin para apartamentit të banorëve ishin grumbulluar shumë të burgosur ku në mes të tyre kishin vënë komisarin e repartit dhe oficerin e rojës të quajturin Ali dhe nënoficerin e të burgosurve Xhevdet Nallbani dhe disa nënoficerë të tjerë”.

Deri në fund, Dervish Bejko nuk pranoi të implikonte njeri tjetër që kish marrë pjesë në revoltë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here