Harry Fultz nën lupën e Sigurimit: “Di shumë, por s’mund ta zbulojmë çfarë mendon”

0
348
blank

Është njeri i informuar mirë mbi gjendjen në Shqipëri e sidomos mbi shumë persona. Njeh posaçërisht ish-nxënësit e tij... Kur pyet ndonjë gjë rreth gjëndjes së Shqipërisë sot, mban një ekuilibër në fytyrë që është e vështirë të kuptosh përshtypjen që i bën një lajm ose një tjetër që dëgjon. Mbi gjendjen t’onë të mbrendëshme bën fare pak komente, për të mos thënë hiç...

Një raport i Sigurimit të Shtetit, pa datë, (mendohet se i përket periudhës shtator-tetor 1945) bën një portret të detajuar të Harry Fultz, një prej figurave të vëna në kryq nga regjimi i Enver Hoxhës  që në muajt e parë pasi komunistët morën pushtetin, duke parë tek ai “njeriun e rrezikshëm të amerikanëve”. Si kishte ardhur në Shqipëri Harry Fultz? Si i kishte pasur relatat me administratën e mbretit Zog?  Ç’rol kishte luajtuar ai gjatë vitëve në Luftës dhe cili qe aktiviteti i tij në Shqipëri pas vendosjes së regjimit komunist...? Dokumentin e prezantuar në muajin nëntor gjatë aktivitetit përkujtimor kushtuar Inxhinierëve të kënetës së Maliqit, nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, kujto.al e sjell të plotë si më poshtë.

HARRY T. FULTZ.

Është lindur në shtetin Indiana të Shteteve të Bashkuara. Nga emri duket se do të jetë prej origjine gjermane, por ay kurrë nuk i është përgjegjur kësaj pyetje që i është bërë shpesh herë në kohën e kaluar. Fultz është i martuar: ka një vajzë dhe një djalë. E shoqja është profesoreshë në Chicago; e bija vazhdon universitetin në Chicago dhe i biri është në Marinën Amerikane.

Në luftën e parë botnore ay ishte lidhur me Kryqin e Kuq Amerikan dhe me Kryqin e Kuq të të rinjve amerikanë. Më 1922 u dërgua si drejtor i Shkollës Teknike në Tiranë ku ndenji si i tillë deri në vitin 1933, kohë kur u bë ligji për mbylljen e shkollave të huaja e private. N’atë kohë Qeverija e akuzoi se gjoja kishte vjedhur dhe kishte shpërdoruar fondet e shkollës; por kjo gjë nuk u vërtetua. Ay hiku prej këndej duke shprehur shpesh herë inatin kundra Ahmet Zogut, Mirash Ivanajt dhe të tjerëve. Edhe tani, kur vjen rasti, ay çfaq keqardhjen dhe inatin e tij për masën që u muar atëherë për mbylljen e shkollës teknike.

Në kohën kur ishte këtu si drejtor i Shkollës Teknike vepronte edhe si përfaqësues i Kryqit të Kuq Amerikan dhe sidomos si përfaqësues i Kryqit të Kuq të të rinjve amerikanë. Dhe pikërisht prej këtij instituti të fundit vinin fondet për mbajtjen e shkollës teknike.

Kur Amerika hyri në luftën e dytë të përbotëshme, Fultz-i u thirr me shërbim pranë Ministris së Punëve të Jashtme Amerikane.

Me t’u çliruar pjesa Jugore e Italis, Fultz-i dërgohet aty për t’a informuar Ministrinë e Jashtme Amerikane mbi gjendjen në Shqipëri. Përpara se të zbresi në Itali qëndroi për një kohë në Orano (Afrikë). Pikërisht prej këndej u dërgua në Bari, ku qëndroi afër dy vjet. Në këtë qytet vepronte si ndërlidhës ndërmjet Misionit Ushtarak Amerikan në Shqipëri dhe Ministrisë së P. të Jashtme Amerikane. Në Bari kish si ndihmës për ca kohë Llazi Postol (në dokumentat amerikane figuron me emrin: Larry Post). Llazi më von (gjatë okupacionit) kaloi në Shqipëri dhe sot vjen rrotull në Tiranë. Si ndihmës e këshilltar permanent Fultzi ka patur nënështetasin amerikan Anthony Stevens.

Erdhi në Shqipëri bashkë me Z. Jacobs.

Flet vetëm anglisht. Kupton fare mirë shqip por nuk flet.

Prej natyre është një njeri që flet pak dhe mendohet dhe e peshon mirë çdo gjë që deklaron. Është mjaft humorist në biseda dhe bashkë me humorin që ka duhet të dallojmë edhe komentet që ay bën.

Sikurse e dijnë të gjithë është një tip që është dhënë shumë mbas bujqësisë. Nuk mërzitet të bisedojë orë të tëra për bujqësi. Është mjaft puntor. Është njeri i informuar mirë mbi gjendjen në Shqipëri e sidomos mbi shumë persona. Njeh posaçërisht ish-nxënësit e tij. Kur vjen në kontakt me ta i këshillon t’i bjenë prapa bujqësisë. Si me shakà, në formë humori, e hedh shpesh fjalën: “Pse e lini tokën pa punuar dhe bëhi policë e oficera!”.

Kur pyet ndonjë gjë rreth gjëndjes së Shqipërisë sot, mban një ekuilibër në fytyrë që është e vështirë të kuptosh përshtypjen që i bën një lajm ose një tjetër që dëgjon. Mbi gjendjen t’onë të mbrendëshme bën fare pak komente, për të mos thënë hiç. Është shumë i rezervuar.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here