Raporti "sekret" i Degës së Punëve të Brendshme Tropojë për të arratisurit për arsye politike në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, flet dhe për familjen e Mal Mulosmanit , ish-oficer i Mbretit Zog, i cili u vra nga regjimi në vitin 1946.
Me shkresën nr.1592, datë 30.11.1985 të Degës së Punëve të Brendshme Tropojë, listoheshin 169 të arratisurit politikë nga ky rreth, të larguar në vitet 1944-1950. Në këtë listë, janë sipas numrave edhe pjesëtarët e familjes së njohur Mulosmani nga Bujani. Më i njohur ndër ta ishte Abedin Mulosmani, ministër i Oborrit Mbretëror në mërgim.
Mulosmanët në listën e të arratisurve të Tropojës:
80-Can Mulosmani, i biri i Malës dhe i Razës, lindur në vitin 1920 në Bujan, banues në SHBA, me origjinë shtresë e pasur. Vlerësohej se qëndrimi i familjes në kohën e Zogut kishte qenë pro regjimit dhe babai ishte oficer rezervë dhe më vonë xhandar. Cani, në fund të vitit 1944, u dorëzua ndërsa në vitin 1946, babai i tij vritet nga regjimi komunist. Në vitin 1949, lirohet nga burgu dhe një muaj më pas arratiset nga Shqipëria. Vlerësohej se ishte në pozitat e një aktiviteti të madh antikomunist kundër regjimit të Tiranës.
81-Abedin Mulosmani, i biri i Malës dhe i Razës, lindur në vitin 1940 në Bujan, banues në SHBA, vlerësohej “me origjinë shtresë e mesme fshatare” (ndryshe nga i vëllai Can). Ishte arratisur në moshën 9-vjeçare në vitin 1949. Banonte në SHBA dhe zhvillonte veprimtari kundër regjimit komunist si një njeri i besuar i Leka Zogut.
82-Sami Mulosmani, i biri i Malës dhe i Razës, lindur në vitin 1943 në Bujan, banues në SHBA, vlerësohej “me origjinë shtresë e mesme fshatare”. Ishte arratisur në moshën 6-vjeçare në vitin 1949.
83-Çelë Mulosmani, i biri i Shabanit dhe i Gjyles, lindur në vitin 1902 në Bujan, banues në SHBA, me origjinë shtresë e pasur. Vlerësohej se ishin të lidhur me regjimin e Zogut, pasi vëllai Mali, ishte oficer. Ky i fundit ishte vrarë nga komunistët në vitin 1946 duke qenë në arrati e duke mos pranuar të dorëzohej. Çela ishte arratisur së bashku me fëmijët e tij në vitin 1949.
84-Musli Mulosmani, i biri i Çelës dhe i Gjyles, lindur në vitin 1930 në Bujan, banues në SHBA. Rreth tij nuk disponoheshin të dhëna të plota.
85-Zenepe Mulosmani, e bija e Çelës dhe e Gjyles, lindur në vitin 1944 në Bujan. Rreth saj nuk disponoheshin të dhëna të plota.
86-Hysen Mulosmani, i biri i Çelës dhe i Gjyles, lindur në vitin 1933 në Bujan, banues në SHBA. Rreth tij nuk disponoheshin të dhëna të plota.
Foto: Dokumenti "sekret" i Degës së Punëve të Brendshme
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
Po listat e emrave qe rrejedhin nga i njejti trung, e qe bashkepunuan me sigurimin e shtetit, i keni ju? Pergjegjesi te madhe keni marre persiper kur botoni dokumenta e shkrime, por kujdes se lendoni njerez te persekutuar qe jetojne akoma. Pervec kesaj, kur botoni shkrime e detaje per ish te burgosurit politik, keni detyrimin ligjor te merrni aprovim nga familjaret. Ne lidhje me kete do t’ ju lutesha per nje takim ne zyrat tuaja me drejtuesin e fondacionit.
Pershendetje! Faleminderit qe na ndiqni dhe qe na keni shkruar. Do mundohemi t'ju pergjigjemi per te gjitha ceshtjet.
Ne fillim ju pyesni nese i kemi listat e emrave qe kane bashkepunuar me sigurimin e shtetit nga e njejta familje per te cilen flet shkrimi ku keni komentuar. Nuk e kuptojme arsyen e kesaj pyetjeje nga ana juaj, por Kujto.al ka si mision publikimin e krimeve te regjimit komunist dhe te perndjekjes se viktimave te ketij regjimi.
Me pas, ju thoni se me dokumentet dhe shkrimet qe publikojme mund te lendojme njerez te persekutuar qe jetojne. Ju falenderojme sinqerisht qe mendoni per ndjenjat e te persekutuarve, sepse ato jane shume te rendesishme edhe per ne. Duhet t'ju sqarojme qe keto dokumente dhe shkrime tregojne vuajtjet e padrejta te te persekutuarve, jane zeri qe ata nuk kane pasur deri tani, jane nje forme e pranuar boterisht per t'u dhene te persekutuarve shperblimin moral duke treguar haptas se ata nuk kane qene kriminelet qe pretendonte regjimi komunist, por njerez me vlera e dinjitet qe vuajten padrejtesisht. Pra, nuk dime si mund t'i lendojme, kur kemi synim vetem t'i japim ze se vertetes se tyre. Por edhe nese ndodh ne menyre te paqellimshme, ne jemi te arritshem dhe te gatshem per te komunikuar me ta e per te sqaruar gjithcka.
Vijme te pika e trete ku ju thoni se kemi detyrim ligjor te marrim leje nga familjaret kur publikojme detaje per te denuarit politike dhe ne lidhje me kete, kerkoni takim me drejtuesin e fondacionit. Ne rast se na shpjegoni perse eshte i nevojshem, ky takim edhe mund te realizohet, por ne nuk e kuptojme lidhjen e lejes qe duhet te marrim te familjaret, me takimin tuaj me drejtuesin e kujto.al. Kujto i bazon publikimet ne deshmi, botime ekzistuese dhe burime zyrtare dhe familjaret jane vazhdimisht mbeshtetes dhe bashkepunues, por ne rast se ju jeni nje familjar qe nuk jeni dakord me publikimin e te dhenave per te afermin tuaj, mund te na shkruani ne al.kujto@gmail.com me konkretisht. Stafi merret me publikimet dhe jemi plotesisht te pergjegjshem dhe te gatshem t'ju sqarojme dhe te zgjidhim cdo shqetesim, brenda mundesive. Faleminderit!