E pushkatuam italianin Tomasso dhe inxhinier Pilkun, lexojeni në radio!

0
662
blank

Duke u gdhirë 9 janari i vitit 1945, do të shënoheshin dy ekzekutimet e para me gjyqe politike në Shqipërinë e regjimit komunist. Të pushkatuarit ishin një inxhinier shqiptar,  Niazi Mehmet Pilku i lindur më 1900 në Dibër dhe sipërmarrësi italian Leonardo Tomasso i lindur më 1900 në Palermo, administrator i firmës “Italstrada” i ardhur në Shqipëri që në vitin 1939.

Inxhinier Pilku ishte drejtor i punimeve rehabilituese në rrugët e Shqipërisë, të cilat kryheshin nga firmat italiane. Ai drejtonte punimet në rrugët Durrës-Kavajë-Rrogozhinë dhe Vorë-Milot, të cilat kryheshin nga shoqëria “Italstrada” dhe “Marinuçi”. Pilku dhe Tomasso u kallëzuan nga ministri i Punëve Botore, Spiro Koleka. Në thelb të dënimit ishte mosraportimi i saktë mbi firmën italiane “Italstrada”, si për mjetet apo për punëtorët. Të dy u akuzuan “sabotatorë dhe antipatriotë”.

Vendimi i gjyqit, siç shihet edhe  në dokument, i ishte dërguar Drejtorisë së Shtypit dhe Propagandës që të publikohej në shtyp e të lexohej në radio. Propagandës,  siç vërehet në shumë procese politike dhe ekzekutime ne këtë periudhë i jepet një rëndësi thelbësore, pasi përmes saj duhej të bindnin popullin se veprimet që po ndërmerreshin ishin të drejta dhe ajo çka ndodhte ishte drejtësia e popullit. Rregullisht në valët e Radio Tiranës, por edhe në faqet e shtypit përgjatë viteve '45, '46 publikoheshin me bujë të madhe kapja e të arratisurve, vrasja e tyre gjatë rrethimeve, arrestimi dhe dënimet me vdekje që jepeshin në gjyq për ta dhe sidomos ekzekutimet. Edhe në këtë njoftim për shtypin dhe radion ekzekutimi i inxhinierit shqiptar dhe sipërmarrësit italian,  ishte porositur që të lexohej në radio.  Në fund të tekstit të dërguar për publikim shkruhet " Eksekutimi u-krye n'orën 4 të dt.9-I-1945".

***

Sipërmarrësi italian Leonardo Tomasso, i ardhur në Shqipëri në vitin 1939, nuk e pranoi akuzën. Edhe në deklarimin e inxhinier Pilkut të datës 31.12.1944 nuk ka asnjë pranim akuze. Por edhe pse një akuzë e pabazuar dhe e paargumentuar, me vendimin nr.1, datë 8.1.1945 Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë, vendosi dënimin me vdekje të Niazi Mehmet Pilkut dhe Leonardo Tomasso-s .

Gjykata përbëhej nga: kolonel Hysni Kapo (kryetar), nënkolonel Beqir Balluku (nënkryetar), partizan Sotir Spiro (anëtar) dhe sekretari major Haki Toska. Prokuror ishte major Bako Dervishi, por emri i tij nuk shkruhej në procesverbalin kryesor. Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake pranë shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe me me firmën e Enver Hoxhës, urdhërohet ekzekutimi i tyre.

blank

Dokumenti i firmosur nga Enver Hoxha mban datën 8 janar 1945. Në të urdhërohet që ekzekutimi i tyre të bëhet "nesër me 9 janar 1945, ora 4."

Urdhri i Hoxhës duket se është zbatuar me përpikmëri, pasi Hyni Kapo e Dali Ndreu, nxitojnë të bëjnë edhe punën e propagandës. Ekzekutimi ishte kryer pikërisht në orën 4 duke u gdhirë 9 janari 1945 (siç kishte urdhëruar Hoxha), dhe ky fakt bashkë me një mal  akuzash të paargumentuara në gjyq,  ndaj dy të ekzekutuarve  i dërgohej shtypit e radios për të shpërndarë lajmin në veshët dhe ndërgjegjen e gjithë popullit.

***

DREJTORIS SHTYPIT

VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT

Tiranë, më 9-I-1945

Bashkangjitur ju dërgojmë përfundimin e akt gjykimit të Inxhiner Niazi Pilkut dhe Raxhioner Leonardo Tomassi të dy të akuzuar për kryemje akte sabotazhi.

Vendimi i gjyqit të publikohet në gazetë dhe të flitet me radio.

KOMISARI POLITIK

(KOL, HYSNI KAPO)

SHTABI I KORP-ARMATËS I-RB

KOMANDANTI

GJEN.MAJOR DALI NDREU)

GJYQI USHTARAK I KORPUS-IT I-RE

blank

VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT

Landa

Ministria e Punëve Botore, me qëllim që të fillojnë punime të rrugëvet që ka shkatëruar armiku, ka njoftuar Shoqërinë "Italstrade" të denonconte materialin dhe personelin që ka patur në dispozicion.

Raxhioner Leonardo Tomasso, shtetas Italian, banues në Tiranë, me cilësi si përfaqësues i Shoqeris 'Italstrade 'në bashke punim me Inxhiner Niazi Pilkun, nga Dibra, banues ne 2 ranë që ka qënë drejtor i disa punimeve të shoqëris ne fjale, nuk i janë përgjegjur kërkesës së Ministris Punëve Botore ; ke në bërë denoncimin parcial të materjialit dhe të personelit disponibel. Në kontrollin gë iu bë me von shoqëris i u-gjet mjaft material i fshehur bile nji pjesë ndënë dhe. U-konstatua se veç personelit të denoncuar ka patur dhe të tjerë. Për këto Raxhioner Leonardo Tomasso dhe Inxhiner Niazi Pilku u-arrestuan dhe u-muarnë Gjyqin Ushtarak të Ko rpusit I-rë. Në vazhdim të gjyqit u konstatua se kanë dashur t'a paraqitin shoqërinë në fjalë në pa mundësi që të fillojë punimet. Nga ana tjetër kanë propaganduar se sipërmarjet e lëshuara nga Ministrija e Puneve Botore nuk do të paguhen.

Duke marë parasysh se puna e tyre është sabotim koshient për të penguar rindërtimin e Shqipërise, kundra interesave të popullit Shqiptar dhe në kundërshtim me dispositat ligjore në fuqi, Gjyqi Ushtarak vendosi dënimin me vdekje të Leonardo Tomassos dhe Inxh. Niazi Pilku.

Eksekutimi u-krye n'orën 4 të dt.9-I-1945.

TRUPI GJYKUES I KORPUSIT I-RE

/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here