Drama e familjes nga Dushmani

0
310
blank
Ndue

Historia e dhimbshme e Ndue Palit dhe drama që mbuloi gjithë familjen, ku edhe dy nga vëllezërit provuan burgun dhe torturat, njëri prej të cilëve futbollisti i njohur i Kombëtares shqiptare të futbollit, pjesë e formacionit fitues të Ballkaniadës 1946

Një mijë herë

Ka i kangë me i kndue

Prap Ndue Palit

Ke çka i thue…

Rapsodi

 

Nga Pjetër Pepa

Një familje e ndershme dhe e thjeshtë, që varfëria e solli gjithë shpresë rrugëve të qytetit të Shkodrës për të gjetur pak gëzim, por që mjerisht gjeti vetëm dramën e saj…

Dy prindër të përvuajtur që i kishin shtuar katër herë gëzimin por dhe varfërinë familjes fatmjerë me Nduen, Palin, Zefin dhe Gjonin për të lënë secili gjurmën e vet në historinë e dramës shqiptare. Ajo fillon me djalin e parë:

Ndue Pali, i lindur në Dushman të Dukagjinit më 1920, kryen filloren në Konviktin Malet Tona Shkodër dhe ende fëmijë merr rrugët për të kërkuar fatin e mëtejshëm. I drejtohet ministrit të Arsimit z.Mirash Ivanaj për një bursë dhe mbas sa mundimesh për ta takuar merr këtë përgjigje: “Po ta jap meqënëse më ke ardhur vetë e nuk më ke sjellë mik…”. E reagimi i Ndues inteligjent është i menjëhershëm: “Jm shumë i varfër zoti ministër, ndaj veç Zotit në qiell mik tjetër nuk kam…”

Dhe ai tashmë e sheh veten student në Shkollën e Mesme Tregtare në Vlorë. Është atlet, gjimnast, basketbollist e futbollist që arrin deri në përfaqësuesen e Vlorës “Flamurtarit”, në Kampionatin Kombëtar.

Por papritmas për Shqipërinë vijnë ditë të vështira. Ajo pushtohet nga fashizmi dhe djaloshi trim do të gjendej në ballin e demonstratës së 28 nëntorit 1939. E shpërblimi nuk vonon… Ventotene e Italisë është kampi i përqendrimit që e pret atë në mars të vitit 1940 së bashku me shumë nacionalistë e patriot të tjerë. Dy vjet internimi dhe kthehet prapë në atdhe, në fillim në Tiranë, pastaj në Shkodër e së fundi, për të qenë më i sigurt në bazat e veta në Dushman e Shosh.

Gjithmonë punon për Shqipërinë kundër diktaturës, në fillim asaj fashiste e fill mbas edhe asaj komuniste. Bën çmos që komunizmi mos të futej së paku në Dukagjin, por mjerisht ishte alternativa e dhimbshme e kihës dhe nëse do të futej në gjithë Shqipërinë, nuk kishte se si të shpëtonte veç Dukagjini, pra s’mund të shpëtonte as Ndue Pali që duke mos dashur të braktisë atdheun e vet ishte strehuar bjeshkëve të Dukagjinit.

Shpallet një amnisti dhe Ndue  Pali beson e dorëzohet në besë shqiptare sipas kanunit. Por pavarësisht nga kjo arrestohet dhe dënohet si kriminel lufte e armik i popullit dhe i Shqipërisë.

Një gjyq i bujshëm në kinema “Rozafati” të qytetit të Shkodrës, tërheq vëmendjen e gjithë opinionit qytetar qëndrimi i të akuzuarit pas dy muajsh hetim e tortura.

E akuzojnë si tradhtar, por ai përgjigjet: “Unë s’i pata dhënë ndonjëherë besë komunistëve që të jem tradhtar. Atë ia kam dhënë një herë Shqipërisë e s’e tradhtoj kurrë!”.

Prokurori Aranit Çela do ta fyejë të pandehurin duke e quajtur fashist, por prapë i menjëhershëm reagimi i guximshëm i Ndue Palit:

“Po, po e di mirë zoti prokuror kush na spiunoi në Vlorë tek fashistët…Sot po ai po don të më dëojë mua si fashist”. E përkrah tij është edhe një tjetër trim që ngrihet në sallë, është Myzafer Pipa, i cili hidhet nga tryeza e avokatit dhe deklaron:

-Zoti kryetar, që nga ky çast lë mbrojtjen dhe kaloj si dëshmitar për të deponuar: “Nëse ka pasë trim, që ka mbajtë qëndrim burrnor në Ventotene, ky ka qenë Ndue  Pali!

E në këtë kërleshje të virtytit nacionalist me vesin komunist, dënimi është i paracaktuar-me vdekje. Po fjala e fundit? “Nuk më frikëson dënimi kapital që më jepni, zoti prokuror. Jam i pastër para popullit dhe kombit tim, e kjo më mjafton”.

Është data 14 korrik 1945…Fillon pritja rrënqethëse për ekzekutim…

-Këtë distinktiv, ma jep mua,- kujton bashkëvuajtësi Lec Gjeka.-Due me vdek me Shqipërinë në zemër, se edhe plumbat në zemër do të m’i fusin.

E vërtetë, ashtu “harusha e maleve” siç e thërrisnim ne bashkëvuajtësit, ndërsa pika e lotit e tradhton edhe tashti pas gjysmë shekulli.”

15 gusht 1945 ora 5.00 e mëngjesit…Zoi Shkurti, komandant i skuadrës së pushkatimit shkon pranë qelisë…

Do të dërgoj te Bahri Omari,-i thotë ai. Dhe sytë i shkojnë tek distinktivi që kërkon t’ia marrë…por prangat që i kishin lidhur duart godasin fort mbi kokën e kriminelit, që marramendet…Ndërhyjnë menjëherë shoqëruesit, por edhe atij i vjen në ndihmë miku i jetës dhe i vdekjes Caf Meti. Improvizohet papritmas një përleshje në kushte shumë të pabarabarta… Të sfiliturit e lidhur me pranga luftonin me mjetet rrethanore copëra lugësh alumini të mprehura përkundrejt grushteve dhe shqelmave të rojeve të sigurimit dhe epilogu: 3-4 policë të plagosur, komandanti i tyre i plandosur diku më tej dhe pastaj gjithçka në qetësi…Ballëlart se ia kishin marrë hakun vetvetes, nisej drejt Zallit të Kirit, ku Ndueja kishte kaluar fëmijërinë dhe falte tani aty rininë me mikun e vet: “Jam kondend që po vdes në tokën shqiptare pasi vuajta pesë vjet rresht për të! Shqipëria do të rrojë edhe pa mua. Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët!”

E batareja kriste sërish për të plandosur në gropën e hapur që më parë edhe dy trimat shkodranë. E kjo batare, do të pasohej nga jehona e saj, që aq trishtueshëm do të kumbonte shumë më gjatë. Jehona e asaj batareje sillte vazhdimin e dramës në atë familje dushmanase.

Rradhën e kishte i dyti, Pali. Tri ditë pas dorëzimit të të vëllait, atë e arrestojnë, por e mbajnë vetëm 20 ditë. E dërgojnë në Jugosllavi për të luftuar, në radhët e Brigadës VI. Pra atje në tokën shqiptare të Jugosllavisë ai gjendet pranë shokëve të tjerë Matish Çefa, Kol Kurti, Luigj Toni, etj.

blank
Pal Mirashi

Fati deshi të shpëtonte gjallë dhe Pali mes sakrificave të mëdha, falë talentit të veçantë, bëhet një ndër futbollistët më të mirë të Shqipërisë. E sheh veten pjesëtar të ekipit përfaqësues të kombëtares shqiptare dhe bën figurë të shkëlqyer në Ballkaniadën e parë. Por hija e persekutimit, jehona e pushkatimit aty te Zalli i Kirit, nuk i ndahet. Ai gjendet përsëri në burg dhe akuzohet “se ka marrë pjesë në mbledhjen me të arratisurit dhe është ngarkuar të përgatisë një grup atentatorësh për të vrarë autoritetet e qytetit të Shkodrës”. E pavarësisht se ç’mjeranë ishin atëherë ata autoritete, akuza e drejtonte edhe atë drejt të vëllait, por ka përsëri fat… Zoti nuk do të hapen dy plagë e dy varre në atë familje aq të vuajtur e të ndershme…E atë që s’e kuptonin tanët, tashmë e kuptonte i huaji…Traineri jugosllav i sapoardhur pyet për djaloshin e talentuar, njërin nga yjet e Ballkaniadës dhe merr atë përgjigje që e befason… Në burg, fare pranë vdekjes! Mjafton vetëm një fjalë e tij…vetëm një ndërhyrje dhe Pali është sërish një ndër golshënuesit më të mirë të kombëtares shqiptare. Tre golat e tij kundër përfaqësueses rumune i bëjnë gazetarët e kohës të shkruajnë: “Kjo skuadër ka lojtarë aq të mirë, sa mund të quhen artistë të futbollit si Loro Boriçi e Pal Mirashi”.

E me atë talent të rrallë mbijeton ai sidoqë makthi i persekucionit e ndjek gjithë jetë aq më tepër sepse lidh edhe kurorë me një familje fisnike, por me biografi “të zezë”.

E në dramën e dhimbjes kishte radhën e vet edhe vëllai i tretë-Zefi. Nuk ishte më tepër se 15 vjeç atë ditë të 2 nëntorit 1945, dita e të vdekurve, kur katolikët shkodranë respektonin dhe përkujtonin të vdekurit, rregullonin  e tyre. Atë ditë ai punonte jashtë fushës së madhe të Erëmajit, jashtë murit të varrezave… Kishte atje jashtë një pjesë të shpirtit të tij engjëllor; kishte atje dy varre… e ashtu i vogël siç ishte diçka rregulloi edhe ai atje…tek një vend vuri një gur e fare pranë një kryq dhe një fotografi… Mbi të dy hodhi lule siç e këshilloi fantazia e tij fëmijërore…

Çuditërisht qytetarët shkodranë diçka flisnin në mes tyre, ndërsa shihnin atë fëmijë të përlotur e si pa kuptuar, ashtu në heshtje nis një pelegrinazh i dhembshëm, por I bukur…Njerëzit dilnin përtej murit dhe nderonin e luteshin në atë vend të zbukuruar nga Zefi i vogël…

E natyrisht nuk kalojnë as dy orë dhe hija e sigurimit me xhipsin e shpejtë është aty. Jo për nderim. Por për të marrë Zefin e vogël 15-vjeçar e për ta përcjellë nëpër torturat nga më shtazaraket, që s’patën kurrë mbarim, duke e lënë invalid për gjithë jetën…

Ishte mjerisht familje e madhe në numër e në varfëri, e madhe edhe në nder e në atdhedashuri. Mund të ndalesh tek cilido prej tyre.

Nëna. Ishin të shumtë qytetarët shkodranë që me dhembje në zemër shihnin një grua të mjerë që çdo ditë shkonte tek “kalaja” e aty ndër gjunjët e “bërë mish” i lutej Zojës.

Që nga dita e pushkatimit të të birit nuk pa më ditë të mirë, deri sa vdiq e çmendur.

Vetëm atëherë iu duk se pushoi dhe të tjerët u lehtësuan se u mbyll më në fund edhe ajo dramë e dhimbshme e asaj familjeje nga Dushmani.

“Dosja e diktaturës”, Pjetër Pepa, ISKK, 2017

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here