Dom Nikollë Mazreku u lind si sot, më 28 dhjetor, të vitit 1912. U dënua dy herë me burg dhe po dy herë u internua, duke kaluar 25 vite si i burgosur dhe disa të tjera si i internuar në kampe me apo pa tela me gjemba… Megjithatë shërbesa e tij shpirtërore nuk ndaloi kurrë. Ndoshta-ndoshta më fort se kudo, ai preku zemra brenda atyre kampeve dhe burgjeve.
Atë ditë prilli të vitit 1952, në qiellin mbi kampin e Tepelenës ku ishin ngjitur në ato tre vjet klithmat e nënave që humbisnin fëmijët nga uria, sëmundjet dhe shpërthimi i minave, po ngriheshin si temjan zërat e të rinjve që adhuronin Zotin. Një “Kor i Skllevërve” që për Babiloni kishin Tepelenën! Disa prej atyre të rinjve si Gjosho Vasia apo Lek Previzi, e kanë përshkruar atë meshë në shkrimet e tyre, duke e përjetësuar ditën e papërsëritshme në kampin e Tepelenës. Dom Nikollë Mazreku, i ishte lutur shefit të Degës që atë Pashkë të mbante një meshë për besimtarët e shumtë katolikë që ndodheshin në kamp dhe shefi e kishte lejuar pasi kishte marrë nga duart e Dom Nikollës kutitë e shahut që kleriku, i kthyer në marangoz, kishte punuar për shefin vetë dhe për ca miq të tij. Dhe mesha u mbajt. Të pranishëm ishin jo vetëm katolikët, por edhe ortodoksët dhe myslimanët.
Shumë elementë të asaj dite janë tretur tashmë në kujtesën e të pranishmëve, por diçka nga fjala që mbajti Dom Nikollë Mazreku, ka rezistuar. Atë kazermë, ato mure të nxira ai i quajti “ma madhështore se katedralet e botës”.
“Mesha u ndoq me një heshtje e qetësi të madhe, aq ishte ndikuese ajo ceremoni fetare që bahej në kushte të tilla paimagjinueshme. Kishte gra që qanin nga emocioni, të cilave u kishin vdekë fëmijët”, shkruan Lek Pervizi. Pas meshës, siç kujton Leka, të gjithë uronin Pashkët, ndërsa Dom Nikolla u ndau fëmijëve ca vezë të kuqe që i kishte përgatitur enkas, por ata të gjorët, pa i njohur se çfarë ishin ua ngulën dhëmbët e uritur lëvoreve. Katedralja ishte shndërruar sërish në kamp shfarosës e megjithatë një rreze drite kishte depërtuar më në fund në zemrat e atyre të mjerëve.
Prej zemrës dhe kulturës së madhe, Nikollë Mazreku arriti të bënte vend në kujtimet e shumë njerëzve që e ndeshën gjatë jetës, por sigurisht drita e fjalës dhe e shpirtit të tij, ka ndriçuar më fort në burgjet dhe kampet komuniste sepse drita dallon më fort në terr.
Për regjimin komunist ai ishte armik i regjur. Ishte diplomuar në Romë, për teologji dhe drejtësi, ishte një klerik i përgatitur dhe i përkushtuar, por edhe një shkrimtar dhe polemist i talentuar që shkruante me pseudonimin Nik Barcolla. Me akuza të sajuara, ai u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 5 vjet burg, të cilat i kreu në burgun e Shkodrës dhe që aty, e çuan menjëherë në kampin e Tepelenë, ku në vitin 1952, mbajti edhe meshën e Pashkëve. Pas mbylljes së kampit të Tepelenës e zhvendosën në Lushnjë. Feja ende lejohej kur u lirua që aty, më 1955 dhe ai pati mundësinë t’i rikthehej shërbimit fetar, mirëpo jo për shumë kohë. Në fillim u internua në kampet e Lushnjës, kohë në të cilën u përgatitën akuzat ndaj tij. Dom Nikollë Mazreku u arrestua në vitin 1967 dhe u dënua me 20 vjet burg. Këtë herë e çuan aty ku grumbulloheshin armiqtë e betuar të Partisë, në Burrel. Nuk përfitoi nga asnjë amnisti dhe i kreu të plota të 20 vitet e dënimit. Shokët e tij të burgut e kujtojnë si një njeri me kulturë të gjerë, me zemër të madhe, të dhënë pas leximeve, letërsisë e veçanërisht Biblës dhe besimit. Mirëpo, edhe në burgun e Burrelit, si dikur fëmijët e Tepelenës, të dënuarit krijuan një situatë për të qeshur e qarë njëherësh me një tjetër ofrim të Dom Nikollës. Ai i kishte dhënë hua Marash Pepës, Biblën në latinisht, të cilën Marashi bashkë me Uran Kostrecin, që e tregon tashmë atë histori, e përdorën për të mbështjellë duhanin e cigareve. I kishin bërë fije-fije dhe zemrën bashkë me librin më të dashur e megjithatë Dom Nikolla i fali një ditë. Veprimi i këtyre të rriturve, megjithëse të ndërgjegjshëm për atë që po bënin, risillte diçka nga skena e fëmijëve të uritur që kafshonin lëvoret e kuqe të vezëve. Nuk ishin ata fajtorët kryesorë. Madje dhe kryesorët, në zemrën besimtare të Dom Nikollës, ishin të falur…
Zoti deshi që ai të dilte gjallë nga burgu dhe komunizmi dhe të drejtonte për vitet që jetoi deri më 1996, disa mesha në liri. Shërbeu si famullitar në Laç të Vaut të Dejës dhe në shërbimin e Caritas-it të qytetit të Shkodrës. Por sigurisht kulmi i jetës së tij si meshtar, është ajo mesha në katedralen…e Tepelenës.
kujto.al
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.