Dokumenti i 1946/ Shefqet Peçi kërkoi ekzekutimin urgjent të Vasil Milorit

1
1463
blank

Një ekzekutim urgjent, për të kënaqur etjen për terror të komandantëve partizanë, një ekzekutim që u shpall i gabuar nga vetë gjykata komuniste. Kjo është historia e Vasil Milorit, i cili u pushkatua me urdhër të Shefqet Peçit e pas vdekjes, u shpall i pafajshëm. 

Kjo shkresë e shkurtër e 5 shtatorit 1946, është vetëm një prej dokumenteve ku dëshmohet se urdhërat e përbindshëm të ekzekutimit të njerëzve të pafajshëm, krerët e regjimit i jepnin me një lehtësi e qetësi kriminale. Madje, çdo vendim gjykate me vdekje, ata e përforconin ndërsa kërkonin “të ekzekutohet menjëherë”, ose “sa më parë”….

Shefqet Peçi, një prej autorëve të qindra krimeve, që në vitet e luftës e më tej, në vitet e para të regjimit komunist, kërkon në këtë shkresë me katër fjali, që të shpejtohet ekzekutimi i një të dënuari me vdekje nga Gjykata e Gjirokastrës.

Shkresa e siguruar nga kujto.al ka këtë përmbajtje:

Nr. 02-296/3 Res.

5/9/946

Ministrisë Mbrojtjes Kombëtare

Në lidhje me urdhërin Nr.Al-820 datë 29/VIII/946. Dy të pandehurit ju përcuall Gjykatës Ushtarake të këtushme, e cila vendosi për Vasil Milorin dënimin me vdekje dhe për tjetrin burgim të përjetshëm. Lutemi shpejtoni ekzekutimin e tijë.

Komandant i Divizionit të I-rë

Kolonel

Shefqet Peçi

 

Sipas të dhënave në “Fjalorin enciklopedik të viktimave të terrorit komunist” Vasil Milori ka lindur në Vrion, më 18 mars 1919. Ishte arrestuar më 26 gusht 1946 dhe dënuar me vdekje e konfiskim të pasurisë me vendim nr. 56, datë 31 gusht 1946 nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, i akuzuar si "armik i popullit" dhe "sabotator i pushtetit".

Vasil Milori u ekzekutua më 8 shtator 1946, në orën 11:00. Por më tragjik në këtë rast, ishte fakti se 40 vite pas ekzekutimit, në prill 1984, Plenumi i Gjykatës së Lartë, me vendim nr. 35, vendosi prishjen e vendimit nr. 56, datë 31 gusht 1946 të Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës dhe vendimin nr. 84, datë 5 shtator 1946 të Gjyjatës së Lartë Ushtarake, dhe e deklaroi të pafajshëm.

Vasil Milori u shpall i pafajshëm, po prej organeve gjyqësore të regjimit komunist, një pafajësi që nuk vlente më, sidomos për viktimën, që ishte pushkatuar me urgjencë, vetëm 3 ditë pas urdhërit të Shefqet Peçit./kujto.al 

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here