Dëshmia/ Robert Xhaferaj: U rrita me përbuzje e sharje

0
190

Robert Xhaferaj ishte fëmija i "armikut" të partisë, fëmija i kulakut dhe kujtimet e tij të fëmijërisë janë të lidhura me përbuzjen dhe sharjet që merrte nga fëmijët e tjerë si “kulak”. Babai i tij, Enver Xhaferraj, ishte dënuar me burg dhe nga torturat që përjetoi në burg jetoi i sëmurë gjithë jetën. Gjyshi i vdiq në qelitë e burgut të Burrelit, pasi kishte qenë me Ballin. Për t’i shpëtuar përbuzjes dhe sulmeve të fshatit të tyre si "familje armike" ata u detyruan të shpërngulen nga fshati, por përbuzja dhe persekutimi i ndoqi pas gjithë jetën.

Dëshmia e tij e plotë botohet nga Kujto.al, si pjesë e arkivës së familjes Doko:

Unë kam lindur në 25 Korrik 1956, në Vlorë. Familja jonë ka hequr të zinjtë e ullirit, themi neve këtej nga Vlora. Babai në burg, gjyshi në burg, sekuestrim pasurie komplet.

Kur e morën gjyshin në burg, ke ndonjë ide?

Në ´45, të dy, edhe gjyshin, edhe babanë.

Me çfarë motivi?

Me motivin se ishin eksponentë të Ballit Kombëtar, gjyshi se merrej me lëvizjen. Ndërsa babai, gjyqi ushtarak, domethënë u arratis, kaloi në Greqi me tre veta nga fshati i tij, me një xhaxhanë tonë Feradun Xhaferi dhe një fshatar, Kudret Rrapushaj. Kaluan në Greqi, ndejtën pak kohë dhe u kthyen... Në ´45, e kishte marrë pushtetin Partia Komuniste. Familja jonë ka ngelur vetëm me gra dhe kanë vdekur për bukën e gojës. Se babai ka qenë i martuar, i vdiq e shoqja, i vdiq dhe vajza, ka vdekur dhe gjyshja. Gratë kishin ngelur me hallën e babait, e quajnë Kajaçe. Ajo u bë burrë, ajo u bë grua, ajo i vente të vëllait, Neim e quanin gjyshin, i vente në Burrel. Ai u dënua me burg në ´45. Në ´47 vdiq në Burrel.

Gjyshi vdiq në Burrel?

Në ´47, dy vjet jetoi, vdiq atje.

Pastaj morën babanë, iu bë gjyqi ushtarak e u dënua në Gjirokastër. U dënua 15 dhe bëri 5 vjet dhe na ka treguar me sa mbaj mend, ka treguar tmerre çnjerëzore nga sistemi. Arrinte që ai kushëriri i tij, Fereduni, e ndihmonte që të ngjitej që të flinte gjumë, se babai nga fiziku është pak i dobët, që arriti të mbijetojë. Doli nga burgu.

Ma thuaj emrin e babait...

Enver. Doli nga burgu, vetëm gratë ishin, s'kishte të tjerë. Mirëpo fshati na ka sulmuar shumë dhe u detyrua e iku nga fshati. Ka ikur nga fshati dhe ka ardhur në Vlorë. Në lagjen Kume, në ´55. U martua, krijoi familje. Jemi katër vëllezër dhe një motër.

Çfarë ndodhi më pas, sa ndejti në Vlorë?

Në Vlorë ndejti deri në ´67. Në ´67 më pas, ishte ajo koha e dëbimeve, internimit deri në ´90. Na çuan në Oshtimë. Atje na çuan tek një kushëriri ynë. Ndejtëm pak kohë atje, nja një vit a dy vjet. Ikëm që andej, bëmë një kasolle, atje pastaj deri në fund.

Si rridhte jeta atje, më trego disa episode nga jeta, si ju trajtonin?

Ne ishim të vegjël, unë isha më i madhi. Kam ikur që këndej nja 10-12 vjeç, nga Vlora. Ne ishim të vegjël të gjithë, babai po i sëmurë. Vetëm mamaja, ajo ka punuar shumë që u rritëm. Fshati na ka trajtuar shumë keq.

Çfarë ndodhte?

Ja ndodhte kjo që ju, thoshte ai, brigadieri ose sekretari, “E dini veten çfarë jeni, jeni armiq”. Edhe ata të moshës sime, por edhe më të vegjëlit na thonin ore kulak m.., na shanin me fjalë ofenduese gjithë kohën. Të përbuzur, mirëpo, me sakrificë pastaj u rritëm, filluam më ndryshe. Janë gjëra që janë shumë prekëse, shumë  të vështira edhe për të treguar, duan shumë kohë. Duhet të jesh i kthjellët që t´i zësh si me rrallë.

Dua të më kujtosh ndonjë gjë nga ato hallet e Oshëtimës, torturat e të gjithë fisit tuaj, se me sa di unë ju keni qenë të tërë të goditur nga sistemi. M´i trego edhe ato të fisit. Çfarë kanë pësuar njerëzit tuaj?

Njerëzit tanë në atë kohë për shembull: ka qenë në ´45, ´44 ka kaluar Enveri aty dhe do të vinte te Neki Oshëtima, Neki Saliu që ishte edhe komandant i Ballit. Por siç ishte ajo që u kalua me Ballin, pastaj kur e mori vesh, kaloi në një shtëpi tjetër aty, sa kaloi dhe iku. Vajti e qëndroi në Sevaster. Mbas atyre, kemi shumë nga fisi jonë që janë burgosur pa të drejtë.

Më përmend disa emra...

Kanë qenë, Ilmi Xhaferri që ka bërë 14 vjet e ca burg, është dënuar dy herë. Ka qenë Vexhi Xhaferri ka qenë në fund ai, kemi pasur edhe  Feredunin, po ai kaq ka qenë së bashku me babanë, ka qenë Myzaferr Xhaferri, Fatos Xhaferi, ishin dy vëllezër Fatosi dhe Fiqiriu. Madje xha Fatosi ka bërë 20 vjet. Domëthënë, t’i mbledhësh, si fis ne kemi bërë 120 vite burg. Dhe të gjithë të torturuar nga ai sistem. Asnjërin nuk e lejuan në shkollë. Astrit Xhaferri prapë, ishin Astrit Xhaferri dhe Ilmiu, që ishin vëllezër por me baba.

Të tërë punëtorë në punë të thjeshtë dhe asgjë më tepër. Gjendja ekonomike si ishte ?

Gjendja ekonomike atëherë, ajo kuptohej që ishte gjendje ekonomike shumë e vështirë. Mbijetuam, jo jetuam.

Mbani mend histori nga njerëz që ju kanë goditur, që janë munduar t´ju bëjnë keq?

Ka pasur shumë, shumë fare. Bile njëri, që babai me të në kohën e parë ishin rritur bashkë edhe rrinte aty nëpër shtëpi së bashku me të, në kohën e monizmit pastaj ai ishte në Vlorë, nga Vlora pastaj erdhi në Oshëtimë dhe u bë kryetar këshilli. Arriti puna që fillonin e qëllonin me gurë, fëmijët, i kishin organizuar vetë. Edhe një ditë vinte nga Vlora babai bashkë me të, i thotë: “Ore Fadil më qëllojnë me gurë ata fëmijët, si ka mundësi? Thuaj ndonjë llaf”. I thotë ai: “Po mirë, çfarë ke?” Op aty babai u prek. I tha: “Dëgjo! Po të jesh burrë, dil ti atje e hidhi gurë pastaj, kam të bëj unë me ty”.  Op e mblodhi veten ai dhe u ndërpre. Pastaj të tjera ka  plot sa të duash. Përse? Për një thes bar atje, ata të gjykonin, të torturonin. Nuk kanë të sosur veprimet e tyre negative.

Erdhi fundi. Si e përjetuat?

Fundin si gjithë të tjerët, me kënaqësi, thamë:  Shyqyr, shyqyr që u përmbys! Edhe pastaj meqenëse kishim qenë të intenuar, ashtu morëm një palë shtëpi gjoja për me lekë, pastaj i kaluan pa lekë. Mirë, nuk them se, ajo kohë shyqyr që theu këmbën. Tani jemi mirë si gjithë të tjerët, rehat me shokët, në turmë.

Ke krijuar familje?

Po kam krijuar familje, kam 3 vajza dhe 2 djem.

Je i lumtur tani?

Po. I lumtur në këtë kuptim që të paktëm flasim lirshëm, se atë që duhej bërë nuk u bë, jemi të zhgënjyer. U mendua edhe kur kishim babanë gjallë, por edhe ata vetë thoshin se kjo do të ishte kalimtare, mirëpo kjo punë nuk eci, kalimtare./Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here