Mesnatën e 16 shtatorit 1946, duke u gdhirë data 17, në bodrumin e një shtëpie ku ishte fshehur, pasi zbulohet nga forcat e ndjekjes së Sigurimit të Shtetit, vret veten për të mos rënë në duart e komunistëve Jup Kazazi. Pasi nuk e kapin dot të gjallë, forcat e ndjekjes e marrin kufomën e tij dhe nisin të propagandojnë me të madhe se e vranë ata. Madje duke kërcënuar se i njëti fat i priste të gjithë kundërshtarët e regjimit, ata e ekspozuan kufomën e tij në mes të Shkodrës duke bërë me këtë rast edhe fotografinë makabër që u ekspozua për dekada me radhë.
Dokumenti që sjellim ekskluzivisht për Kujto.al, zbulon pikërisht faktin se komunistët duke gënjyer, kishin propaganduar se Jup Kazazin e kishin zënë dhe e kishin vrarë ata dhe e kishin fshehur lajmin e vetëvrasjes së tij dhe faktin që s’mundën ta zënë të gjallë.
Zoi Themeli që drejtonte në atë kohë forcat e ndjekjes në Shkodër, raporton kështu në Drejtorinë e Sigurimit:
Shkodër 17/9/46
Tepër urgjent
Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit
(Nestit)
Mbrëmë në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi ai e pa se neve e gjetëm bodrumin ku ishte mshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve. Kemi gjetur disa dokumenta, por ma t’randësishmet do t’ua dërgojmë.
Në dokument vihet re se është nënvizuar fraza “këtu popullarizohet se e vramë neve” dhe poshtë saj lihet shënimi me shkrim dore nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit: “Mirë”. Shënimi nënkupton se përhapja e këtij lajmi, do t’i jepte fuqi forcave të ndjekjes dhe punës së Sigurimit të Shtetit për të mposhtur Veriun dhe për të mbjellë terror menjëherë pas kryengritjes së Postribës.
Se sa i rëndësishëm ishte për lëvizjen antikomuniste roli i Jup Kazazit dhe sa i rrezikshëm ishte për regjimin e tregon edhe dokumenti tjetër, ku shkruhet një biografi e tij pas vdekjes.
“Jup Kazazi - Rrjedh nga shtresa e naltë, studimet i ka kryer jashtë. Në kohën e Zogut ka qenë emnue si sekretar i një Ministrije. Aktivitetin politik e ka fillue më tepër me ardhjen e fashizmit Italian nga i cili emnohet Federal, prefekt e ma vonë edhe ministër i partisë fashiste në Shqipni. Ka qenë nji nga eksponentët e organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar. Komiteti qendror i Ballit Kombëtar e ka pas dërgue këtë si të deleguemin e tij në Qarkun e Shkodrës. Jup kazazi ka qenë në këtë qark elementi ma i rrezikshëm për lëvizjen N.Ç.L. ka qenë pengesa ma e madhe për përhapjen e frymës të lëvizjes N.Ç.L. në krahina të ndryshme të qarkut të Shkodrës. Ka bashkëpunuar me të gjithë reaksionin e brendshëm për të shtyp e shue Lëvizjen e Popullit Shqiptar si p.sh. me fashizmin italjan, a m’vonë me atë gjerman, me qeveritë kuislinge, të ndryshme dhe me çdo tjetër që ishte armik i lëvizjes N.Ç.L. Jup Kazazi lidhej ngushtë dhe me të huaj që ishin në vendin tonë gjatë okupacionit, si p.sh. me majorin Englez Nil etj, të cilët mbanin anën e reaksjonit.
Me çlirimin e Shqipërisë ky nuk largohet nga Shqipnija por mbetet n’arrati me qëllim të organizojë lëvizjen kundër pushtetit të vendosun në fuqi. Në këtë drejtim ka ba mjaft tentativa. Ka qenë organizator i lëvizjes së janarit 1945 në Shkodër, kur Llesh Marashi sulmoi Koplikun me të cilin Jup Kazazi ishte në lidhje siç dukej edhe me kriminelë të tjerë si Hasan Isufi të cilin vran partizanët në Belloj. Gjatë ilegalitetit asht vue në lidhje me shtresa reaksionale të ndryshme si p.sh. me tregtarë, pronarë dhe intelektualë me qëllim që të organizoheshin këto forca kundra Pushtetit. Jup Kazazi ka qënë një ndër nxitësit kryesor të lidhjes që u ba në Shkodër më 9 shtator. Të gjitha këto i pagoji me këtë (u vra).
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.