Dokumentari/  Pianistja Elida Dakoli, i tregon botës për regjimin komunist të Hoxhës

0
2274

Pianistja dhe aktivistja Elida Dakoli, tregon vuajtjet e familjes së saj në komunizëm, në një dokumentar të realizuar nga organizata amerikane “Victims of Communism Memorial Foundation”

“Si fëmijë i rritur në Shqipërinë komuniste në vitet 1970 dhe 1980, Elida Dakoli u persekutua për shkak të pikpamjeve anti-komuniste të familjes së saj. Të dy anët e familjes ishin në shënjestër për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj regjimit brutal komunist të Enver Hoxhës. Kur pasioni i saj për muzikën filloi në moshën 6 vjeç, prindërit ishin të vendosur që të mos lejonin që shtypja komuniste të mbyste frymën e pavarur të Elidës. Përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, talenti natyror i Elidës dhe vendosmëria e saj për të zotëruar pianon i mundësuan asaj të triumfojë mbi shtypjen e regjimit totalitar”.  Ky është përshkrimi që shoqëron dokumentarin "Witness -Elida Dakoli", kushtuar historisë së pianistes shqiptare, realizuar nga “Victims Of Communism Memorial Foundation” në SHBA. Organizata e njohur amerikane, ku Elida Dakoli është dhe anëtare e Bordit Këshillues, ka si synim përkujtimin e 100 milionë viktimave që ka shkaktuar ideologjia komuniste anë e mbanë botës dhe mbështetjen e atyre që jetojnë akoma nën regjimet shtypëse.

Elida së bashku me babain, Eqrem Dakoli, tregojnë për një publik ndërkombëtar vuajtjet e familjes nën regjimin komunist në Shqipëri 1945-1991.

Historia

Pianistja nga Shqipëria prej vitesh është një emër ndërkombëtar në fushën e muzikës. Pas recitalit të parë në moshën 12-vjeçare, performoi në disa skena të rëndësishme evropiane dhe më pas la Evropën për të studiuar në Shtetet e Bashkuara, ku ka fituar një doktoraturë në muzikë dhe tani jeton me bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj, interpreton dhe jep mësime pianoje, është autore dhe sipërmarrëse… Megjithatë kjo artiste ka vendosur që t’i flasë botës jo vetëm përmes tingujve të pianos, por edhe zërit të saj. Ka një histori për të treguar dhe një çështje për të mbrojtur. Gjyshi i saj nga i ati, Sadik Dakoli, ka qenë një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë, që u burgos dhe u helmua nga regjimi komunist. Të njëjtin fund tragjik pati edhe stërgjyshi nga e ëma, avokat Hysen Myshketa. Për këtë arsye, prindërit e saj, edhe pse vinin nga familje me prestigj, u detyruan të rriten në kushte nga më të vështirat, por megjithatë ruajtën, në rrethin e izolimit të tyre, vlerat njerëzore që ua përcollën edhe fëmijve, si e vetmja pasuri që u kishte mbetur. Ndaj sot, Elida Dakoli, ndjen detyrën morale që ta bëjë të njohur historinë e tyre dhe ta përdorë zërin e saj për të mbrojtur çështjen e viktimave të komunizmit. Ajo është anëtare e bordit këshillues të organizatës së Viktimave të Komunizmit në Amerikë dhe një aktiviste e të drejtave të njeriut; është duke shkruar një libër ku përshkruan historinë e familjes dhe një dokumentar po përgatitet për jetën dhe suksesin e saj, të cilin e ka frymëzuar gjithmonë kjo familje. Dhe aktivizmi i saj, duket se ka shumë për t’i mësuar një vendi si Shqipëria, ku eshtrat e mijëra të zhdukurve, si të gjyshit të Elidës, nuk janë gjetur dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për krimet e panumërueshme të diktaturës.

Më herët fondacioni Kujto ka botuar një intervistë të saj të cilën mund ta lexoni më poshtë;

Elida Dakoli: Një histori përndjekjeje, e shoqëruar në piano

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here