“Dimri po shkon! Sot, fillon pranvera!”

1
558
blank

Kardinal Mikel Koliqi, kleriku shqiptar para të cilit u përkul me respekt Papa Gjon Pali i Dytë

Nga Luljeta Progni

Nuk ishte parë kurrë më parë në 2 mijë vjet që një Papë të përkulej para një kardinali. Ndodhi më 26 nëntor 1994 kur Papa Gjon Pali i Dytë, u përkul para kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqi. Ishte ceremonia e marrjes së titullit kardinal në Vatikan. Kleriku shqiptar i moshuar, i sëmurë dhe shumë i vuajtur, kishte vështirësi të qëndronte në këmbë. Atëherë Papa Gjon Pali bëri gjestin e pazakontë dhe u përkul para tij. Jo vetëm sepse kardinali ishte i moshuar dhe i sëmurë, por se ishte legjendë e gjallë e mbijetesës ndaj diktaturës komuniste. Të gjitha mediat e botës shkruan për këtë ceremoni e në të gjitha u shaq fotografia magjike e Papës tek i përkulej kardinalit. Ishte një ndër momentet më emocionuese për klerin katolik shqiptar e mbarë Shqipërinë.

blankJeta e kardinalit kishte qenë plot vuajtje. Më 3 shkurt 1945, Mikel Koliqi u arrestua i akuzuar se kishte dëgjuar radio të huaja. U dënua me dy vite burg. Në atë kohë, i vëllai, Ernest Koliqi ishte në Itali, mjaft aktiv në veprimtarinë politike ku flitej edhe për Shqipërinë dhe rrezikun që i kishte ardhur nga diktatura komuniste. Kleriku Mikel Koliqi u lirua në vitin 1946 dhe vetëm pak muaj më pas u arrestua sërish për t'u dënuar me 5 vite burg. U lirua pasi kreu dënimin dhe pa kaluar shumë muaj u arrestua përsëri në vitin 1951 për t'u dërguar në kampet e punës në Gradishtë, Kuç, Gjazë, Beden, Orman, Savër, Ballsh e Zejmen. Kardinal Mikeq Koliqi kreu 21 vite burg e internim, deri në vitin 1986 kur u lirua për shkak të moshës.

Dita e kthimit në Shkodër kishte qenë kaq e vështirë! E ka rrëfyer mbesa e Kardinalit, Nina Simoni:

“Në vitin 1986 fitoi lirinë!

Shkuam ta takonim me mamanë. Pyeti: Kush janë zonjat?

Nuk na njohu. Mamanë time e la çupë e gjeti me thinja. Mua më la fëmijë, më gjeti grua!

-E pyeta, - thotë Nina, - kur ishte ndjerë më keq.

- Ditën kur mora lajmin se isha i lirë. Isha i internuar në Ballsh. Hipa në tren. Drejt Shkodrës. Ku do të shkoja? Pa shtëpi. Pa katandi. Nëna kishte vdekur. Një motër ishte mbytur në pus.

-Rrija para Degës së Brendshme. Vetëm. Në pritje. Gjithë ditën. Më në fund erdhi djali i motrës, Margaritës: Albert Kurti.

-Gruaja e Albertit, Rexhina dhe dy fëmijët e pritën si shenjt” ,-ka rrëfyer Nina Simoni në biseda me rrethin e saj familjar. Ky rrëfim është bërë publik nga dhëndri i saj, publicisti Mitro Çela.

blankNjë moment mjaft interesant në këtë rrëfim është biseda e Ninës me dajën e saj, për ndonjë ditë të mirë a kujtim të bukur gjatë 21 viteve të dënimit gjatë diktaturës:

“Ke ndonjë kujtim të mirë nga internimi? -e pyeta kardinalin.

-Po. Natën vonë. Radio Tirana jepte muzikë klasike. Mbi një shtyllë ishte autoparlanti. Bëheshim pesë. Në errësirë. Unë. Shtylla. Autoparlanti. Kufjet. Muzika. Çudi! Muzika ishte e zgjedhur: Simfoni! Muzika më mbajti gjallë!

-Kufje? - më thotë hetuesi. -Pse mban kufje?
-Nuk dëgjoj mirë!
-Nuk e ha sapunin për djathë. Me kufje lidhesh me vëllain, Ernestin, në Itali!
Fantazi gardiani!”, ka rrëfyer Nina Simoni, mbesa e kardinal Mikel Koliqit.

Kardinal Koliqi është një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike shqiptare, njeriu që u bë simboli i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri.

Ishte vitit 1991 kur imzot Klaudio Maria Çeli, ish-kryetari Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, erdhi si përfaqësues i Selisë së Shenjtë, e në atë udhëtim në vendin tonë e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Ka momente mjaft interesante në atë takim të cilat i ka rrëfyer imzot Klaudio Maria Çeli dhe i gjejmë në materialet e Radio Vatikanit.

Ishte takimi i parë i përfaqësuesve të Vatikanit me klerin katolik shqiptar, pak javë pasi Shqipëria kishte dalë nga diktatura komuniste.

Ja si e kujtoi imzot Çeli, meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:

blank“Sapo e kishim filluar meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrsisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.
Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!"
Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, meqë ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.

Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos.

Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në atdhe dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës.

U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktori i revistës "Kumbona e së Dielës". Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan.

Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtari i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.

U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë të veçantë siç qe ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për Fe e Atdhe që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit.

E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi qe e është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetet një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore, kulturore e kombëtare.

Shënim: Të dhënat për jetën dhe veprën e kardinal Mikel Koliqit janë marrë nga Radio Vatikani

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Nuk i ka tret dheu torturat e pashembulta bere njerezve te fese,nuk tret dheu rasjet me e pa gjyq te te pafajshme.Kjo moster poltike do te paguaje te vetat dhe atyre qe i pollen!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here