Dëshmia/ Vaskë Orgocka: Gruan ma çmendën në hetuesi

0
365

Dëshmia rrëqethëse për arrestimin, hetuesinë, gjyqin e njëkohshëm me bashkëshorten dhe dërgimin në Spaç ku punoi pandërprerë në minierë. Aq shumë vuajtje, sa kur Presidiumi i Kuvendit Popullor i fali jetën, nuk i tingëlloi aspak si lajm i gëzuar. Humbi 17 vjet nga jeta e tij, por humbi edhe bashkëshorten, e cila, prej sasisë së madhe të narkotikëve që i  dhanë gjatë hetuesisë, humbi arsyen dhe nuk u rikthye më kurrë nga ajo botë haluçinative. Vaskë Orgocka tregon vuajtjet që duhet të përballonte ai dhe familja, për një akuzë krejtësisht të sajuar, që në fund, e pranuan dhe drejtuesit e shtetit që kishte qenë e pavërtetë. Një gabim, që Vaskë Orgockës i kushtoi vitet më të mira, martesën dhe jetën familjare, ndërsa gruas së tij Barbarës, këto dhe gjithçka tjetër

Dëshmia e plotë nga arkiva Doko: 

Unë kam lindur në nëntor të vitit ’34 në Korçë. Rrjedh nga një familje zanatçinjsh, siç ishin atëherë zanatçinjtë në Korçë. Babai im ka qenë rrobaqepës edhe unë kam filluar shkollën si fëmijë, kam mbaruar gjimnazin në Korçë. Babai im u përzie fillimisht me këtë lëvizjen patriotike, lëvizjen për çlirimin e Shqipërisë. Mua, i përkrahur edhe nga e kaluara e babait, m’u akordua një bursë për në Poloni, për të filluar studimet. Dhe vërtet atje vajta. Vazhdova studimet për gjeologji dhe jam kthyer në Shqipëri në vitin 1955. Medoemos që punova, fillova të punoja me kënaqësi, me dëshirë për të ndier atë kënaqësinë e profesionit. Atij profesioni që fillimisht më pëlqeu shumë dhe fillova të punoja. Mirëpo gjatë kohës që isha student në Poloni u njoha me një grua. Me ndërmjetësinë e ambasadorit tonë në Varshavë u martova me të. Dhe filluam të jetonim në Shqipëri. Ajo punonte si laborante në fabrikën e birrës ndërsa unë punoja në minierën Mborje-Drenovë në Korçë. Me gruan patëm dy fëmijë. Ishim nga familjet e priviligjuara si të them, ndihmoheshim nga sistemi në atë kohë sepse akoma ishte Shqipëria anëtare e bashkësisë e Kampit Socialist siç ishin  të gjitha demokracitë e Lindjes në atë kohë. Vazhdonim të punonim dhe ishim të kënaqur. Me të ardhurat që kisha unë dhe të ardhurat që merrte gruaja, jetonim mirë. Me gruan patëm dy fëmijë: një vajzë dhe një djalë.

Çfarë ndodhi që jeta juaj u trondit?

Me ndryshimin politik që ndodhi në vitin ’60 -’61 të gjitha partitë, të gjitha shtetet ish-socialiste u quajtën revizioniste. Ndryshoi politika dhe qeveria jonë, partia që ishte atëherë me në krye kriminelin e Shqipërisë, e ndryshuan politikën e tyre dhe u munduan të mbrojnë vetëm veten e tyre jo vendin, jo njerëzit, jo Shqipërinë. Që atëherë, filloi kalvari i tërë vuajtjeve në familjen tonë. Unë nuk dija gjë, po ishin përgatitur në organet përkatëse të degëve të brendshme. Bëhej një propagandë jo e paktë për të ndjekur ose për të dëbuar nga vendi ynë gratë e huaja, sidomos gratë e huaja, por edhe ata që kishin mbaruar shkolla jashtë vendit. Filluan përndjekjet e tyre dhe filluan persekutimet e tyre dhe një nga ato familje isha dhe unë. U quajt që gruaja ime ishte agjente e polakëve, po jo vetëm e polakëve, por e kampit të ashtuquajtur socialist që më vonë u quajt revizionist. Dhe ajo ishte agjente dhe unë doemos si i rekrutuar apo si njeri që punoja në ndihmë për agjenten që mbaja në shtëpi. Dhe u quajt agjente, kur ajo në Shqipëri ka ardhur në moshën 19-vjeçare. Dhe u quajt majore, me gradën majore në moshën 19-vjeçare. Domethënë ajo sa mbaroi gjimnazin, bëri një kurs 2 vjeçar për laborante dhe kaq ishte arsimimi i saj. Siç e kuptojnë të gjithë, kjo është një absurditet, është një marrëzi. Mirëpo ajo ishte një nevojë e asaj partie në atë kohë që këta njerëz të persekutoheshin. Më 29 nëntor, mbusha 34 vjeç, më 7 dhjetor jam arrestuar.

Më 7 dhjetor të vitit…?

Të vitit ’68.

E mbani mend momentin e arrestimit?

Po. Jam arrestuar në minierë, në zyrën e drejtorit të minierës. Më lajmëroi korrierja, ishte një grua. Më tha: “Të kërkon drejtori”. Isha duke ngrënë mëngjes. E lashë mëngjesin pa ngrënë, meqë më kërkon drejtori, nuk e dija se ç’po ndodhte. Dhe vajta në zyrën e drejtorit. Atje shikoj nja 3-4 vetë, të gjithë i njihja, ishin punonjës të degës së brendshme. Dhe sapo hyra, pësova një të shtyrë nga njëri nga këta punojësit e degës së brendshme. “Shtyu më tutje”- më tha. Unë shikoj: të tërë ishin në këmbë, edhe drejtori në këmbë. E shikoj drejtorin në sy, drejtori mblodhi supet i shkreti, tha: “Nuk e di unë se ç’po ndodh në këtë punë”.- “Në emër të popullit je i arrestuar”.-“Dale më ç’po bëhet, si është puna? Pse jam arrestuar”?- “Hajde se e dimë ne atë punë”.

Më vunë hekurat në duar, më morën atë pallton nga zyra ku e kisha lënë, ma hodhën kështu krahëve, edhe më futën në atë Gaz-in e famshëm të degës së brendshme edhe më çuan në degën e brendshme, në birucat e degës së brendshme. Ishte 7 dhjetor, ishte dëborë dhe në birucë kam hyrë kur ajo birucë kishte një dritare nga oborri që shikonte gjysmën e hapësirës se gjysma ishte e betonuar, dera ishte e pambyllur mirë. Dhe atje kam ndenjur dhe në këtë gjendje, kam bërë hetuesinë e cila më torturoi për afërsisht 11 muaj.

Njëmbëdhjetë muaj hetuesi?

Njëmbëdhjetë muaj hetuesi.

Ju kujtohet kush ka qenë hetuesi juaj?

Po. Hetuesi im në Korçë ka qenë Odhise Porodini, një nga Gjirokastra. Nuk e di sa e vërtetë është, por kam dëgjuar se Odhise Porodini kishte denoncuar të atin dhe i cili vdiq në kalanë e Gjirokastrës, në burgun e kalasë së Gjirokastrës. Merre me mend se me çfarë njerëzish kishim të bënim ne!

Çfarë kërkonin nga ju, cila ishte akt-akuza?

Akt-akuza ishte fillimisht agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Dhe më vonë, hetuesi, për habinë time, për çudinë time që mbeta vërtet shumë i habitur, më tha: “Tani supën, lëngun e mbaruam, të shikojmë thelat.” Dhe që nga ai moment filluan të më tregonin, të më kërkonin sa isha futur unë në punët, në problemet e agjenturës, që sipas tyre gruaja ime ishte agjente dhe unë i rekrutuar prej saj, se çfarë kisha bërë unë në dëm të interesave të kombit dhe të Shqipërisë dhe të partisë së tyre. Ishte për mua vërtet një habi e madhe, një çudi e madhe! Si ka mundësi të më akuzonin mua për gjëra të tilla?

Si ju trajtuan në hetuesi?

Unë fillimin e hetuesisë e kam bërë në Korçë, se në Korçë më kanë arrestuar. Pastaj më transferuan në Tiranë. Atje në Tiranë, e hoqën si hetues Odise Porodinin. Më thanë “për shkaqe shëndetësore”, nuk e di si ka qenë puna dhe më mori Koço Josifi, një nga Kolonja, një kolonjar. Dhe ai fillimisht, më trajtoi mirë, gjoja si patriot, gjoja si nga Korça që jemi dhe u mundua që të nxirrte ndonjë gjë prej meje duke shfrytëzuar këtë, që “jemi patriotë dhe ia duam të mirën njëri-tjetrit”. Mirëpo, siç ju thashë edhe më përpara nuk isha në gjendje që t’u thoja atyre gjëra që nuk i kisha kryer, gjëra që nuk i kisha menduar ndonjëherë, gjëra që nuk isha i zoti që ta bëja një gjë të tillë. Dhe nuk mund të pranoja gjëra të paqena. Në muajt e fundit, se kjo punë, siç thashë, filloi që në fillim të dhjetorit gjer nga gushti i vitit pasardhës, atëherë filluan torturat. Filluan torturat psikologjike, filluan dhe torturat fizike.

Çfarë torturash kanë përdorur?

E para e punës ishte që më linin pa ngrënë, e dyta, nuk më linin të flija natën. Më thërriste hetuesi, më çonin në zyrën e hetuesisë, pa qenë hetuesi në zyrë fare. Vetëm për të më krijuar shqetësimin, për të mos më lënë të qetësohem, që të fle. Në Tiranë, ç’është e vërteta, birucat ishin, në krahasim me Korçën, shumë më të mira. Ambienti ishte më i madh dhe birucat ishin me një dritare të vogël, por me dysheme. Edhe arriti puna deri atje sa unë u dobësova në atë gjendje sa nuk qëndroja dot në këmbë. Edhe një herë që iu luta, meqë më kishte dërguar lekë familja, se më vinin në Tiranë për të më takuar, mirëpo gjatë hetuesisë nuk lejoheshin takimet dhe më linin ndonjë lek, këto lekë shkonin në llogarinë time të burgut dhe u kërkova atyre se më njoftoi hetuesi që familja të ka dërguar, të ka lënë këtu kaq lekë. Atëherë më tha: “Këto lekë mund t’i përdorësh në dyqan”. Duke porositur gjëra, m’i sillte polici, po këto paguheshin nga llogaria ime. Dhe kërkova njëherë një gjysmë kile vaj. Mendova meqë kripë kisha edhe merrja pak vaj që të haja pak bukë me vaj se e shikoja veten që po dobësohesha shumë shpejt dhe nuk po qëndroja dot në këmbë. Ma pranuan kërkesën për të më sjellë vaj. Ju dhashë atë tasin, një tas plastik që kisha dhe në vend të vajit ushqimor më kanë sjellë vaj për motorë. Arriti gjendja deri atje sa unë bija pa ndjenja në birucë dhe nuk e dija ku isha. Vetëm kur ngrihesha që vija disi në vete ndieja një dhimbje në këto tulet mbrapa, si duket më kishin bërë ndonjë gjilpërë, a ndonjë gjë për të më sjellë në vete dhe kështu në këtë gjendje më çuan deri në gjyq.

Në ç’kohë ju kanë nxjerrë në gjyq?

Ka qenë 15- ditëshi i dytë i gushtit të ’69-ës. Bashkë me gruan time.

Edhe gruan e arrestuan?

Po, edhe gruan e arrestuan.

Kur e arrestuan gruan?

Gruan e arrestuan, në fillim të shkurtit të ‘69-ës. Afërsisht dy muaj mbas meje.

Ju kishit dy fëmijë. Ku mbetën fëmijët?

Fëmijët deshën t’i çonin në jetimore. Babai nguli këmbë dhe u përpoq shumë, luftoi shumë, u lut shumë në të gjitha zyrat që vajti, që t’i rriste vetë fëmijët dhe ata e bënë një lëshim të tillë. Ia lanë fëmijët dhe i rriti babai im. Fëmijët ishin 9 vjeç, 10 vjeç. Mbetën të dy pa prindër që duheshin të rriteshin, të visheshin, të ushqeheshin, të shkonin në shkollë dhe babai im u detyrua të punonte rrobaqepës, fshehurazi, se atëherë nuk lejohej të punoje privat.

Çfarë akuze u lexua për bashkëshorten në gjyq?

Akt-akuza ishte agjente e sigurimit polak, por nëpërmjet Sigurimit Polak dhe Sigurimit të kampit revizionist.

Cilët ishin dëshmitarët tuaj?

Dëshmitarë për këtë akuzë nuk pata. Dëshmitarë pata vetëm për agjitacionin dhe propagandën.

A i mban mend?

Po, i mbaj mend. Ka qenë një Xhevdet Dervishi nga Mborja, ka qenë Vangjush Rraci që punonte në një zyrë me mua, ka qenë për fat të keq dhe një polake tjetër që banonte në Korçë, ishte martuar me një shqiptar dhe ajo po sot, banon në Tiranë dhe të gjithë, kanë thënë që: “Unë kam qenë i pakënaqur nga pushteti popullor dhe flisja kundër tij”.

Kaq dëshmuan?

Kaq ishte dëshmia e tyre. Për këtë akuzën tjetër më ka akuzuar vetëm prokurori, hetuesi dhe prokurori.

Kush ishte prokurori juaj?

Prokurori Pandi Konomi, një korçar dhe ishte interesante momenti i fundit i gjyqit i cili filloi të hënën dhe përfundoi të premten, një javë gjyq, një javë gjyq dhe në fund, prokurori lexoi akt-akuzën dhe iu drejtua trupit gjykues. Klanthi, Klanthi Koçi ka qenë gjyqtari im, Klanthi Koçi. Iu drejtua prokurori trupit gjykues dhe i tha: “Gjyqtarë, kini parasysh që keni të bëni me një armik të betuar sepse edhe krimet që ka kryer nuk i ka pranuar. Prandaj duhet të keni parasysh që është një armik i vendosur dhe i pandreqshëm”. Dhe si përfundim dënimi ishte me vdekje.

Vendimi i gjykatës?

Vendimi i Gjykatës, ishte vendimi i Kolegjit të Gjykatës së Lartë dhe ishte me vdekje, pa të drejtë apeli.

Për ju? Po për bashkëshorten?       

Për mua. Ndërsa gruaja ime u dënua 25 vjet, por dua t’ju them, në gjyq, kur kam takuar gruan time, ajo ishte e transformuar e tëra, ajo ishte e sëmurë. Gjatë kohës, që ka qenë në hetuesi, atë e kanë çmendur me narkotikë dhe ajo ishte e çmendur dhe në atë gjendje e sollën edhe në gjyq. Ajo kishte veshur sipër një fustan të cilin e mbante në dimër e kishin veshur në gusht, në Tiranë dhe me këpucë me qafa. Ishte vërtet e transformuar fare e shkatërruar.

Çfarë ndjetë kur e patë gruan tuaj në atë gjendje?

Ndjenja e parë ka qenë në hetuesi. Në hetuesi ishte një rregull që përpara se të shkoje në gjyq, përpara se të përpilohej akuza përfundimtare, të bënin takim me të gjithë pjesëtarët e të ashtuquajturit grup me të cilët, sipas tyre, ke bashkëpunuar, ke bërë veprimtaritë armiqësore etj. Dhe mua një takim të tillë ma bënë edhe me gruan, siç më bënë takim edhe me të tjerë që kishim në grup me të cilin jemi dënuar. Kur hyra në zyrë, se gruan e gjeta, e kishin thirrur më përpara, gruaja ishte ulur në një karrike. Në atë karrike të betonuar që mua m’i lidhnin duart prapa dhe më rrihnin aq sa u deshi qejfi. Ferat Matoiti ka qenë një nga ata që më kanë thyer dhëmbët. Ferat Matoiti, ky ka qenë një njeri i gjatë, me flokë kaçurrel, i zi në fytyrë, si zezak. Dhe pikërisht atë më ka thënë gruaja në atë moment. Kërkoi leje që t’i afrohesha unë, ata e lejuan që unë të afrohesha. Ajo më pushtoi, ndenjur ulur në karrike, më pushtoi në bel se unë isha në këmbë dhe nuk desh të më lëshonte. Dhe vetëm kaq më tha: “Si je me shëndet?”  I thashë: “Mirë”. “Po ti?”- i thashë. “Unë-tha- nuk jam mirë”. “Atëherë i thashë si është puna?” “E shikon atë të ziun atje?” “Po-i thashë-e shoh”. “Ai është me shpirtin më të zi se fytyrën, ai më ka rrahur mua sikur të isha kafshë”.   Dhe e dija domethëne se cila ishte gjendja e gruas. Kur e pashë në gjyq në atë gjendje u tmerrova nuk kisha çfarë të bëja, nga t’ia mbaja. Edhe jam ngritur dhe i thashë: “Mëshirë, jo për ne që jemi akoma me shëndet, por mëshirë për atë që e keni sëmurur”. Kjo ua ndezi gjakrat atyre zotërinjve të trupit gjykues dhe mendoj se kjo fjalë dhe sjellja e gruas që protestonte duke përplasur këmbët në gjyq, kur lexonte prokurori akt-akuzën… Dhe ajo e përplasura e këmbëve ishte mohimi i asaj akt-akuze dhe desh të thoshte që kjo nuk është e vërtetë, por ajo s’ishte në gjendje të fliste. Kjo, them, i detyroi ata që të marrin dhe masën më ekstreme, të më dënojnë mua me vdekje.

Ç’ndodhi më pas?

Më pas, më lidhën duart prapa, më shoqëruan me dy policë, më futën në autoburg dhe më çuan në birucë, mbasi përfundoi gjyqi. Atje, më kanë lidhur edhe këmbët. Dhe këmbët dhe duart m’i zgjidhnin vetëm kur haja dhe ose kur ishte orari për të shkuar në banjë. Dhe atje më kanë lënë të flija, edhe kur flija me duar të lidhura edhe me këmbë të lidhura.

Sa ditë ju mbajtën në birucë pas gjyqit?

Dhe kështu kam vazhduar 19 ditë. Të drejtën për t’u ankuar apo për të kërkuar mëshirë, falje për të më falur jetën s’e kisha më unë, po kjo kërkesë u bë kryesisht, domethënë e bënë gjykata bashkë me hetuesinë sipas ligjeve që qenë atëhere në fuqi. Dhe kjo kërkesë i çohej Kuvendit Popullor. Presidiumi i Kuvendit e vendoste pastaj të pushkatohesha unë ose të më falej jeta. Dhe për fatin tim të keq mund të them, për fatin tim të keq, ma falën jetën. Presidiumi i Kuvendit Popullor, vendosi të më falej jeta se isha një bir punëtori i cili ishte aktivizuar dhe kishte punuar për çlirimin e Shqipërisë. Dhe unë isha i studiuar nga partia dhe nuk isha nga një familje reaksionare  apo të  tjera e të tjera, ku e di unë se si e motivuan ata një gjë të tillë, ma falën jetën. Por ma lanë dënimin me 25. Dhe më kanë dërguar në Spaç të Mirditës ku punova  në minierë pothuajse tërë kohën.

Sa vjet ju mbajtën në Spaç?

Atje në Spaç bashkë me hetuesinë bëra 17 vjet.

Spaç keni qenë gjatë gjithë kohës?

Po, në Spaç. Unë kam qenë në minierë, kam punuar edhe në jetën e lirë këtu, në Mborje-Drenovë dhe kur vajta në Spaç, e pashë edhe atje minierën, por ndryshimi ishte jashtëzakonisht i madh. Në minierën e Spaçit, ku punonin të burgosurit, atje nuk ishte minierë ose më mirë të them atje njerëzit nuk llogariteshin si krijesa njerëzore, por llogariteshin si mjete pune. Vetëm për të prodhuar atë mineral që atyre, e quanin të nevojshëm, të domosdoshëm për të punuar fabrikat, atje nuk llogaritej njeriu si njeri, atje llogaritej njeriu i barabartë me një lopatë, me një kazëm. Edhe policët ishin të urdhëruar, apo kështu e ndienin, nuk e di, por kur ndodhte aksident dhe vdiste ata gëzoheshin, tregonin gëzim dhe thoshin: “Punë e madhe më pak, mbeti një armik më pak”. Dhe këto aksidente ishin jo pak.

Kujtoni ndonjë prej tyre?

Po, kujtoj, ka qenë një djalë shkodran, një djalë i shkëlqyer e kam njohur atë. E kanë hedhur në furrnelë të mineralit. Se furrnelat ishin punime vertikale që përdoreshin si bunkerë, që hidheshin mineralet dhe merrej minerali nga poshtë me vagona. E hodhën atje dhe i hodhën mineralin përsipër dhe pastaj kur e kanë nxjerrë e kanë nxjerë copa-copa, ndryshe nuk e nxirrnim dot. Ose më kujtohet një vrasje, një vrasje, jo aksident, po vrasje. Ka qenë një djalë i mërzitur nga jeta, i mërzitur nga vuajtjet, i mërzitur nga hallet familjare që krijoheshin, se nuk ishte vetëm kjo, se njerëzit arrestoheshin dhe vuanin dënimin nëpër burgje, por dënimi po kaq i madh ishte edhe për familjarët e tyre. Dhe ky djalë kapërceu rrethimin e parë dhe i lutej rojes që ta qëllonte, po i lutej rojes ta qëllonte. Dhe kaloi vajti në rrethimin e dytë, atje roja e qëlloi, padrejtësisht sepse rregulli e desh të kalonte rrethimin e parë, të kalonte rrethimin e dytë atëherë roja e qëllonte. E ky domethënë u qëllua para kohe. U duk qartë që ky ishte i mërzitur, i qe bërë jeta e padurueshme dhe desh të vdiste. Më mirë të vdiste se sa të jetonte më.

Kanë ardhur të afërmit tuaj në Spaç?

Po.

Ç’ndodhte me ta kur vinin t’ju takonin?

Me ta, kur vinin, ishte vuajtje e madhe për ta sepse të vije nga Korça deri në Spaç të Mirditës nuk të mjaftonte një ditë. Edhe gjithmonë vinin një natë deri në Tiranë. Nga Tiranë, kapnin ndonjë makinë të rastit që vinin deri në Spaç. Por shumë herë vinin në Shën Pal, nga Shën Pali deri në Spaç ishin 8 kilometra. Nga Shën Pali në Spaç vinin makinat, vinin shpesh makina për të marrë mineralin qoftë bakrin, qoftë piritin se kjo miniera këto prodhonte: edhe bakrin edhe piritin. Shoferët nuk i merrnin familjet tona për t’i sjellë në kamp sepse ishin familjet e armiqve. Nuk e bënin këtë shoferat me dëshirën e tyre, por ishin të detyruar ta bënin një gjë të tillë.

Prindërit jua kanë sjellë fëmijët atje në burg?

Po m’i kanë sjellë.

Si silleshin fëmijët në ato momente?

Ishin të tmerruar, ishin të llahtarisur sepse takimet e mia kanë qenë gjithmonë jo vetëm të shkurtra, por nën mbikëqyrje të rreptë të policit. Dhe fëmijët megjithëse qanin e megjithëse donin të takonin babanë, donin ta takonin më tepër, donin ta përqafonin, këtë mundësi nuk e kishin sepse na ndanin hekurat e portës.

Ç’ndodhi me gruan tuaj në burg?

Gruan time e çuan në Qytet-Stalin. Dhe në vitin ’71 më kanë marrë mua nga Spaçi dhe më kanë sjellë në Tiranë. Nuk e di se si qe puna, nuk dija asgjë. Kërkova takim me drejtorin e burgut dhe i thashë: “Përse ka ardhur?”. Më tha: “Ti nuk ke punë me mua, ke punë me të tjerë njerëz. Ata do të thërrasin kur do ta mendojnë se është koha më e përshtatshme”. Edhe gjënë tjetër që i kërkova komandantit të na takojë me gruan, mundësisht të më takojë me gruan. Më premtoi. Banush Goxhe ka qenë kryetari, drejtori i burgut në Tiranë në atë kohë. Dhe më premtoi që do të më takojë me gruan. Mbas nja dy-tri ditësh, më thirri edhe më njoftoi që: “Gruaja është këtu, ne i thamë që të takonte dhe ajo refuzoi”.  Unë atëherë i kam thënë komandantit, në atë moment i thashë: “Zoti komandant, gënjeshtra është shumë e trashë, unë nuk e gëlltita dot”.  Më nxori me të bërtitura për përgjigjen që i dhashë edhe nuk u takova më me të.  Mbas dy javësh, më kanë thirrur për herë të parë, më kanë thirrur dy veta. Nuk i njihja, nuk mund t’ju them as emrat e tyre, nuk i kisha parë ndonjëherë dhe më kërkuan që “të rri këtu me durim, që mos të mërzitem se unë jam njeriu i tyre, se unë jam klasa punëtore dhe se nuk ka arsye pse të mërzitem. Ata do të krijojnë disa dokumente që mua të më ulin dënimin”. Që aty e kuptova se diçka po luhet, diçka e keqe po luhet. Dhe me të vërtetë ashtu ishte.

Çfarë po luhej? Çfarë donin të arrinin hetuesit?

Ata kishin qëllimin që të krijonin dokumente të atilla që unë akuzoja gruan time që ishte agjente dhe se ajo gabimisht, u dënua me 25 vjet, se ajo duhet të ishte vrarë fare. Dhe unë u thashë atyre: “Unë nuk kam pranuar këto gjëra dhe unë nuk e di që gruaja ime këtu, ka qenë agjente. Dhe as nuk e kam ditur dhe as nuk e pranoj dot në asnjë mënyrë që të ketë qenë e tillë.”  Dhe nuk më  thirrën më, mbase e panë që edhe për gruan nuk kishte se si ta akuzonin më, më tej. Kishte ndodhur diçka tjetër, qeveria polake kishte ndaluar vaporin tonë në portin e saj kur kishte vajtur vapori në Poloni dhe kishte kërkuar nga Qeveria shqiptare që të saktësohet puna e qytetares së tyre: ka qenë apo nuk ka qenë agjente dhe ata donin dokumentet që zotëronte, që kishte... Ata deshën që: “E dënuat ju si agjente? Bravo ju qoftë, mirë bëtë që e dënuat! Ne na duhen dokumentet tani se ku ka qenë agjente. E kujt ka qenë? Ta dënojmë edhe ne. Për ndryshe vapori do të jetë atje i bllokuar deri sa të sqarohet kjo çështje”. Mua më thirrën që të krijheshin me të vërtetë këto dokumente, që unë akuzoja vërtet gruan time dhe nga ana tjetër këta bënë një gjyq për gruan time. Ia hoqën të gjitha akuzat e tjera dhe i lanë vetëm nenin e agjitacionit dhe propagandës dhe për shtetasit e huaj, dënoheshin 1-3 vjet për agjitacion dhe propagandë, ndërsa për shtetasit shqiptarë ishte 3-10 vjet dhe me vdekje për axhitacion dhe propagandë. Atëherë atë e dënuan 3 vjet dhe i falën dënimin e mbetur dhe ka dalë mbas dy viteve e gjysmë burg, me gjithë hetuesinë dhe e kanë çuar nga burgu në areodrom, e kanë çuar me barrelë sepse nuk ishte e zonja të ikte në këmbë. Ishte në atë gjendje që këtyre u kishte mundësi t’ju vdiste, t’ju mbeste në dorë. E çuan me barrelë deri në avion, me barrelë e kanë zbritur në Varshavë nga avioni dhe e kanë çuar në spital. Unë kur vajta për herë të parë në Poloni dhe e takova gruan dhe e pashë ça gjendje ishte. Vajta e takova mjekun, një grua mjeke që trajtonte gjatë gjithë kohës gruan time dhe ajo më ka thënë shprehimisht: “Ke bërë shumë mirë që ke ardhur të pyesësh. Gruaja jote është e sëmurë dhe nuk korrigjohet më për arsye se e kanë detyruar të përdorë lëndë narkotike në sasi të mëdha”. Për ta detyruar që të flasë ato gjëra, të përsërisë ato gjëra që i kishin kërkuar ata.“Dhe sasia e madhe e lëndëve narkotike nuk është asimiluar nga organizmi dhe kjo sasi e tepërt ka dëmtuar trurin. Meqënëse është i dëmtuar truri, ne nuk ndërhyjmë dot. E ardhmja-tha- është kjo: ajo do të hyjë në një krizë të pandreqshme, të pakthyeshme deri sa të mbarojë dhe kështu do të vazhdojë”.   Dhe ashtu vërtet vazhdoi, ajo vdiq pikërisht në këtë gjëndje në spital.

Ç’ndodhi me fëmijët e tuaj?

Fëmijët e mi, pa dëshirën e tyre, pa vullnetin e tyre, pa dijeninë e tyre, janë regjistruar këtu si qytetarë shqiptarë dhe kanë punuar, kanë vazhduar shkollën, kanë mbaruar gjimnazin, më tej nuk janë lejuar të vazhdojnë shkollën. Dhe djali ka bërë punët më të rëndomta dhe me pagat më të ulëta që ishin në atë kohë, ndërsa vajzës i kanë dhënë të drejtën të punojë vetëm si rrobaqepëse. Dhe ashtu kanë punuar fëmijët gjer sa ndodhën ndryshimet në vitin ’90-’91. Unë jam liruar në vitin ’85. Domethënë që nga ’68-a deri në ’85-ën.

Shtatëmbëdhjetë vjet burg?

Po. Mbas ndryshimeve që janë bërë në Ministrinë e Brendshme, mbas atyre vrasjeve dhe spastrimeve që u bënë atëherë nga shokët e tyre. Se si duket u ngopën së vrari shqiptarë të tjerë, të zakonshëm, si puna e jonë dhe filluan të hanë shokët e tyre. Atëherë, na erdhën neve nëpër kampe dhe kërkuan që t’iu bënim një përshkrim të detajuar që nga dita e arrestimit gjer atë ditë që po pyeteshim. Dhe kërkuan që t’iu thonim se kush ka qenë hetuesi, kush ka qenë gjyqtari, kush ka qenë dëshmitari, kush ka qenë ky e kush ka qenë ai. Dhe pasi ua thamë të tëra këto, ai që erdhi, na pyeti, ishte në fakt zëvendësminister në atë kohë i Punëve të Brendshme, për çudinë time, më tha: “E kuptojmë ne se kjo që është bërë, është bërë një gabim i madh, është bërë një krim, është bërë i padrejtë etj.-etj. , por ne këtë gjë që kaloi nuk e zhbëjmë dot. Ne do të bëjmë çmos që juve t’ju ndihmojmë që të liroheni dhe t’i mbaroni me këto, vuajtjet tuaja”.  Këto ishin fjalë, që ne po i dëgjonim për herë të parë, e na dukej çudi e madhe dhe thonim me të drejtë:   “Çfarë ndryshimi ka ndodhur?”            Se ne shumë gjëra edhe s’i merrnim vesh aty brenda. Çfarë kishte ndodhur? Ata kishin marrë udhëzime, nuk ishin më punojës të Sigurimit, po ishin punonjës Partie. Dhe më në fund, siç u liruan dhe të tjerë, mbas këtyre që shkruajtëm ne, u liruam dhe ne duke na u falur dënimi i mbetur.

Çfarë ndodhi mbasi dolët nga burgu?

Mbasi dola nga burgu isha në dilemë të madhe. Megjithëse në atë takim që bëra, që isha akoma në Spaç, më thanë:  “Në qoftë se do të dalësh, do të lirohesh, do të shkosh të punosh atje ku ke punuar dhe nuk ka të drejtë asnjeri t’jua përmendë të kaluarën tuaj. Ky është vendimi i Partisë.” Dhe unë kur dola nga burgu u paraqita në Degën e Brendshme që çova atë fletën e lirimit nga burgu dhe më thanë:    “Do të shkosh të punosh në minierë”.    Merre me mend në atë kohë isha, i kisha kaluar 50 vjeçët dhe 50 vjeç, të shkoje të punoje prapë në minierë siç punoja në Spaç, ishte e pamundur. Nuk e dija se çfarë do të bëhej. Kur kam ardhur, kam pasur një dilemë të madhe, kam pyetur veten, thashë: “Do të shkosh të punosh në minierë. Tani do ta njohësh veten kush ke qenë në atë kohë, si do të të presin njerëzit”.  Edhe për fatin tim të mirë paskam qenë njeri i mirë se njerëzit më pritën shumë mirë.  Edhe kuadrot më pritën mirë edhe punëtorët më kanë pritur shumë mirë. Dhe atje vazhdova punova me një detyrë pak më të ulët se atëherë, por ama nuk punova si punëtor i thjeshtë.

Deri në ç’vit punuat?

Punova deri në vitin ’92, atëherë plotësova moshën e punës. Moshën e kisha kaluar, se ne dilnim 50 vjeç në atë kohë me ato ligjet e para, por nuk kisha vitet e punës. I plotësova në vitin ’92 dhe me të  plotësuar kohën, vjetërsinë e punës, dola në pension.

Si e keni përjetuar rrëzimin e diktaturës në Shqipëri?

Do t’ju tregoj një moment. Në rrugët e Korçës, po përgatitej, filluan lëvizjet, filluan demostratat, filluan protestat. Edhe erdhi momenti që do të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës. Desha, kisha shumë qejf që në atë litar që do ta tërhiqte këtë monument, të vendosja dhe unë pak dorën. Megjithëse i moshuar, pa forcë, desha të vendosja edhe unë pak dorën, ta rrëzoja këtë monument, këtë njeri, këtë si persekutori kryesor të shqiptarëve. Nuk arrita dot. Ishin të rinjtë që shtyheshin atje, që u ngjeshën të tërë pas atyre dhe ishte e pamundur që të afrohesha. Edhe dola nga vendi që ishte monumenti, dola këtu përballë ku ishte ish-Komiteti i Partisë, në ato trotuaret atje dhe po rrija, po shikoja. Në momentin që u rrëzua monumenti, të tërë bërtitën, të tërë u gëzuan, mua më kaluan lot, më dolën lot. Mirëpo atje ku qëndroja, nuk i kisha vënë re nja dy të rinj edhe ata e deshën atë punë. Kur më panë që unë po lotoja, më thanë: “E mo xhaxha të erdhi keq, se të ra babai nga froni?”.

Ata nuk e kuptonin me kë kishin të bënin edhe nuk e kuptonin pse më dolën ato lot. Ata ishin vërtet lot gëzimi.

Nga arkiva e familjes Doko/ Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here