Dëshmia/Uran Kostreci, pas 23 vitesh burg: Mua, komunizmi nuk më bëri asgjë!

0
5620

Kur doli nga burgu, nuk gjeti gjallë as nënën, as babanë.  Kur doli nga burgu, nuk mund të krijonte më familje. Komunizmi i mori rininë. E bëri të provojë dhunën e oficerëve të burgut, të ftohtin e qelive, torturat e birucave, punën e detyruar...E megjithatë, siç thotë Uran Kostreci, nuk i bëri asgjë! Rrëfimi i mrekullueshëm për "Universitetin e Burrelit", siç mund të quhet burgu, ku bashkë me intelektualët e klasit të parë, deri në vitin 1973 mund të gjeje libra të disa fushave e disa gjuhëve. Përmbledhja, herë-herë me nota komike, e dramës së burgimit dhe internimit.  Sekreti i vyer se pse shumë prej të burgosurve të vërtetë politikë, i përballuan më me lehtësi vitet e gjata të burgut

Dëshmia për kujto.al nga Erald Kapri 

Zoti Uran, kur ka nisur kundërshtia juaj ndaj komunizmit?

Unë komunizmin e njoha që 6-7 vjeç. Edhe është interesante që po them 6-7 vjeç se babai ka qenë me Ballin dhe në shtëpinë tonë vinin traktet e Ballit me dëngje dhe vinte pastaj rinia e Ballit, i merrnin edhe i shpërndanin. Pra, rrinin në shtëpinë tonë disa orë, ndonjëherë edhe një natë. Unë kisha mësuar gërmat kapitale nga murgeshat. Ishin dy italiane dhe një gjermane te Mitropolia në Korçë se atje kemi qenë, pra, lexoja gërmat kapitale pa vajtur në fillore akoma. Në një nga ato faqet e para, ballinat e trakteve, më kujtohet ka qenë një karikaturë ku ishte parafytyruar komunizmi si përbindësh, sikundër rezultoi se qe vërtet: me një pishtar në dorë duke shkelur kufoma njerëzish për t'i vënë zjarrin dynjasë, i ndërkryer, me sy të zgurdulluar. Kështu që unë, si i vogël, meqë ajo kishte të shkruar në trupin e saj me gërma kapitale: KOMUNIZMI, siç ndodh shpesh, unë aty bëra lidhjen dhe u krijua imazhi i komunizmit te unë që "komunizmi është përbindësh", prandaj thashë që 6 vjeç, unë e kam formuar bindjen se ç'qe komunizmi. Pastaj më vonë, nuk pati shumë nevojë për të tilla imazhe se e provuam në kurrizin tonë. Kur u arrestua babai, na nxorën nga shtëpia, na morën plaçkat e...Kemi hequr aq shumë, se kur babi u arrestua, isha 8 vjeç, me nënën ndjesë pastë dhe me vëllanë e vogël, sa unë ndonjëherë them kështu: "ato që kam hequr atë periudhë, rrezik janë më të rënda e më të tmerrshme se vuajtjet e burgut që hoqa më vonë", aq të rënda!

Po dënimi si erdhi?

Unë gjithmona kisha dashur që të ikja nga Shqipëria, të arratisesha në momentin më të parë të mundshëm, por ne ikëm nga Korça aty nga viti '52 për shkakun se mua nuk më qasën në shkollë të mesme, me motivacionin: "je i biri i reaksionarit". As të mesme, ë. Edhe mamaja e shkretë, ndjesë pastë, megjithëse nuk qe vetë e shkolluar, e dinte rëndësinë e shkollës, për të mos më lënë mua pa shkollë, tha: "Do ikim në Elbasan!". Në Elbasan qe çikë më e butë lufta e klasave, edhe aty, ka qenë një drejtor shkolle, që e kujtoj me veneracion. Ai, siç mora vesh më pas, në burg, u bë dhe anëtar i partisë komuniste, po sido që të ishte, ai ishte njeri i mirë. Ai nuk më pengoi që të regjistrohem. Unë e mbarova Normalen e Elbasanit. U regjistrova në '53-shin, deri në '57-ën. Pra, ardhja jonë në Elbasan qe e domosdoshme për t'i shpëtuar përndjekjes në Korçë, se atje na njihnin më shumë dhe qe më e ashpër lufta e klasave. Dola nja katër vjet arsimtar. Kishin nevojë shumë në atë kohë. Babai kishte dalë, në atë kohë, nga burgu se ai hyri në '46-ën deri në '56-ën. Unë në '57-ën mbarova Normalen. Tani jemi te pyetja juaj...Gjithmonë mendoja si të gjeja mënyrën të dilja nga kjo skëterrë. E ndieja shumë, me thënë të drejtën. E përjetoja shumë keq. Përveç anës ekonomike, se kishim qenë dhe më keq më parë, nuk e duroja dot nga ana psikologjike. Edhe, meqenëse nuk dija udhën, nuk po vendosja dot nga të ikja, qysh të ikja, se duhej të dije udhën, se të kapnin, se kishin kapur shumë. Mirëpo u shpejtua kjo ikja ime, kur isha arsimtar në '61-shin sepse unë kam pasur dëshirë dhe prirje, s'po them talent, për të shkruar, edhe bëja ndonjë gjë që s'kishte zarar, por bëja dhe ndonjë gjë që kishte zarar, që e mbaja të fshehtë. Nga këto qe një poezi shumë e rëndë, po të kapej në atë kohë, kundër Enver Hoxhës. Dhe aty në fshat ku isha, qe e diel, nuk shkova në Elbasan, një nga magazinierët e kooperativës që hynte-dilte ai si në shtëpinë e tij se kishte shok një nga kolegët arsimtarë që s'qe atë ditë, erdhi befas dhe unë arrita e futa në një libër, se e kisha në dorë, po e punoja, atë poezinë kundër Enver Hoxhës. Edhe unë sesi dola për një minutë, kur u ktheva atë nuk e gjeta. Edhe i bindur tani që ky do e dorëzojë dhe me atë unë haja burgun patjetër, u nisa, pa e bërë planin mirë, me shpejtësi dhe me ngutje. Sikurse janë punët e ngutura, asnjëherë nuk dalin tamam, meqë dhe udhën s'e dija, shkova në liqenin e Pogradecit. Atje ma mori mendja që të nisem në orën 9.00 të natës për të dalë në Shën Naum meqë dija not edhe më vonë pastaj, vite më vonë, mora vesh që ata edhe më ndiqnin mua, por unë nuk e dija në atë moment, mendova se më kapën rastësisht. Shkurt, më kapën, më mbërthyen, më dënuan 15 vjet.

Në cilin burg ju çuan?

Bëra hetuesinë në Elbasan, nja katër muaj, biles e pata pak të rëndë tri javët e para se kërkonin dhe gjëra të tjera ata, siç e kishin zakon: jo, "kush e di tjetër?" e, "me kë je llafosur?" e, "me sa shokë ke bërë mend?" e, në fakt unë s'kisha njeri fare, u nisa vetëm. Hëngra ca dru aty, kuptohet ajo punë, se hetuesitë, ata që s'e dinë, i kujtojnë se ishin hetuesi siç bëhen tani në Evropë e në Amerikë, ato ishin me dru dhe ata, shumë pohime, i nxirrnin nga të burgosurit, me hu, edhe pa qenë të vërteta akuzat që iu bënin. Po unë i përballova ato tri javë, se nuk qe ndonjë gjë e madhe, edhe pse nuk isha stërvitur, por dëgjuar kisha për torturat e tyre dhe për mënyrën e sjelljes dhe rezistencës në hetuesi, nga babai. E dija situatën. U mbyll me aq hetuesia, më dënuan për 15 vjet për "tentativë arratisjeje", duke e justifikuar veten me dy gjëra, pa hyrë shumë në politikë, për të mos e rënduar situatën, më tepër që: nuk më dhanë të drejtë shkolle, se nuk ma dhanë vërtet, shkollën e lartë dhe që nuk më botuan shkrimet që bëja. Domethënë, u mjaftova me këto dy arsye, sepse ata donin "pse?". Pas hetuesisë më çuan në burgun e Tiranës, ka qenë burgu i vjetër, shumë i vjetër, me mure të trashë: 3 m ato muret e jashtme, me lagështirë. Aty bëra tre muaj. Pas tre muajve, meqë isha i ri, se kam hyrë 23 vjeç në burg, na shpunë në kampin që i thoshin: Kombinati i Qumështit, apo i Mishit në Tiranë. Aty nja 10 muaj. Një sabah herët, në orën 4.00 të sabahut, nuk e mora vesh qysh tek, na thërrasin, mua dhe një njeri tjetër, shumë të mirë, nga Vlora, Astrit Sharra, ka vdekur i shkreti ndjesë pastë, nga kanceri, na morën me gjithë teshat dhe nuk dinim ku do na shpinin, s'na thanë gjë. Na shpunë në Burrel. Në Burrel, aty, kalova nja 11 muaj. Meqënëse kishin nevojë për punë ata, të rinjtë prapë i nxirrnin ndonjëherë, edhe mua më zuri lotaria pas nja një viti, nga Burreli, bashkë me nja 180 veta, na shpunë në Laç. Edhe atje në Laç doli për dreq ajo punë, sepse dukem si burrë i urtë, por nuk kam qenë dhe aq i urtë dhe u prishej një çikë mbledhja atyre me ndonjë pyetje që bëja unë dhe më mori zët shumë komanda dhe pas një druri që hëngra nga një kapter, kapter Xhakua që thoshte: "Jam nga Përmeti". Se nga Përmeti jam unë. Ky kapter nga Përmeti mori urdhër nga komandanti i kampit, Hazbi Lamçja dhe më ka dhënë një dru të fortë që më ka rënë dy herë të fikët në mes të kampit, në mes të 1200 vetave, me një pretekst ashtu kot, siç e kishin ata. Pas kësaj u sëmura. Volla gjak në birucë. Më shpunë në spital, nuk më sollën më në kamp. Duket u bëra i padëshirueshëm në kamp demek me ato pyetjet që u bëja, kur vinin, bënin ndonjë mbledhje politike ata. E panë të arsyeshme të më çojnë në Burrel prapë. Edhe në Burrel qëndrova pastaj deri sa u lirova. Duhej të lirohesha në '73-shin, por në '73-shin, kur po bëhej ajo, revolta e Spaçit, që ne nuk e dinim akoma, por më vonë e morëm vesh, në maj ka qenë, mua një, Simon Jubanin, prift, dy dhe Raif Elezin, ndjesë pastë, nga Kukësi, brenda javës na dënuan, për së dyti, brenda në burg. Pra, unë mora 8 vjet të tjera për agjitacion dhe propagandë me ca dëshmitarë, siç ishin ata, e dini vetë ju. Kështu që me ato 8 vjet që mora, se unë kisha bërë 12 vjet në atë kohë, duhet të lirohesha, unë bëra 20. Edhe hyra në '61-shin dhe më liruan në vitin '81. Pastaj më liruan, po akoma s'kisha besim a do më lironin kur isha brenda, se edhe tri herë dënonin ndonjëherë dhe u bë gati-gati e pamundur ta imagjinoje sa burg do të bëje. Ata të vjetrit, ku hynte dhe babai im, ata vërtet hoqën, edhe u torturuan nëpër hetuesira, edhe burgje të rënda kanë qenë në atë kohë, biles më të rënda sesa ato tonat, por të paktën kishin një bindje që do bësh atë burg që ke marrë, ato vite dënimi dhe do dalësh. Ne nuk dinim kur do dilnim dhe a do dilnim, por në '81-shin më liruan se u bënë 20 vjet, pra dënimi i parë dhe i dytë edhe më lanë nja një vit e tre-katër muaj në Elbasan, se aty ishte dhe familja. Desha të them kishte qenë se kur dola unë, babai, nëna, halla kishin vdekur. Vetëm vëllai ishte ndarë, e gjeta. Ai erdhi më mori, biles. Mbas një viti e katër muajsh, në orën 1.00 të natës, erdhën më morën prapë. Befas! Kujtova se më arrestuan. Në fakt, nuk qe arrestim, në Degë e mora vesh. Dega qe ajo që quhet Rendi sot, kështu i thoshin: Degë e Brendshme. Aty më lanë një natë në një palestër policësh edhe të nesërmen, në orën 9.00 a 10.00 të mëngjesit, me një makinë më çuan, binte shi, në Kurtaj të Peqinit edhe më thanë: je i internuar për 5 vjet. Kërkova arsyen, s'ma thanë. "Do ta themi", thanë. As sot, s'ma kanë thënë. Edhe madje, edhe ajo doli burg një pjesë sepse brenda atij internimi unë bëra edhe tre vjet të tjera burg, por unë nuk i zë në gojë ato. I quaj, siç thonë shkodranët: "zogj burgu". Vetëm se ky lloj burgu, i fundit, në qoftë se mund ta quajmë të fundit, ky qe krim ordiner sipas tyre, për largim pa leje nga internimi dhe më çuan në Sarandë me ordinerët. Pata dhe çikë merak biles sesi do kaloj atje, se ishin një kategori njerëzish që nuk isha mësuar të rrija me ta, kisha pasur tjetër kategori në burgun politik, por dhe aty, për fat të mirë, kishte njerëz, që në një farë kuptimi më morën në mbrojtje, disa, jo të gjithë, edhe nuk pata ndonjë zarar. Biles, aty ka një moment shumë të bukur, në qoftë se e doni. Unë, tani, u dënova tre vjet se dënimi për largim pa leje nga internimi, sipas ligjeve të tyre, në qoftë se mund ta quajmë që kishin ligje, se nuk kishin ligje fare, ishte 15 ditë deri në tre vjet. Mua, për siguri, më dhanë tre vjet. Kështu që e mblodhën mendjen ata dhe unë bashkë. Edhe bëra hetuesinë në Elbasan për këtë 3-vjetëshin që më dhanë për largim pa leje, edhe më hipën në një autoburg. Pra, kontakti i parë tani me ordinerët. Unë, kisha hall edhe se këta do të jenë  bij komunistësh, edhe do marrin vesh prejardhjen time, edhe do më japin hu tri herë në ditë aty e s'do kishte kush më mbronte. Kështu e përfytyrova unë me thënë të drejtën, se nuk ishte më ambienti që kisha lënë në Burrel, por për çudi doli ndryshe. Më filloi, nga mërzia, një dhimbje koke në atë autoburgun. Ishin ca makina të mbyllura, që nuk shihje hiç gjë, fare, llamarinë, hekur edhe më sollën në burg të Tiranës, te i Riu, tani. Aty, kërkova një aspirinë nga ai që ishte me mantel të bardhë dhe e kuptova që ishte infermieri, i dënuar. Thashë: "Kam dhembje koke". Kisha vërtet. Ai më tha: "Do ta bije unë te dhoma, por ik"...Se ishte rrëmujë aty, po regjistroheshin të burgosurit. Futem aty në atë dhomë që na thanë të futemi. Ç'të shoh aty unë! Aty qe, në qoftë se e keni lexuar Ferrin e Dantes, aty qe rrethi i nëntë i Ferrit të Dantes: një kakofoni, zhurmë e madhe, një tollovi aty, flisnin tre njëherësh, tre kate me dërrasa që ishin të burgosurit. Dhoma qe goxha e gjatë, por e ngushtë. Edhe unë tani aty. Aty qe vënë nga këta të burgosurit, një si përgjegjës dhome, që caktonte vendin se ku do flije, se ishin ca dërrasa aty, ishin tre rreshta, tre kate. Kati i parë ishin njerëzit që s'ishin as taraf, as një gjë, si puna ime, kot më kot me një fjalë se unë nuk njihja asnjë aty. Kati i dytë, po përdor një emërtim figurativ, ishte "borgjezia", edhe kati i tretë, pastaj, "fisinikëria". Këta ishin horrat e horrave, këta ishin kriminelët e mëdhenj. Këta vidhnin ushqimet e këtyre dhe hanin atje lart. Kjo qe gjendja, zhurmë, ca luanin bixhoz me letra të bëra me letër, ca luanin domino, i kishin bërë aty me bukë. Në këtë tollovi, ai përgjegjësi, një kot më kot ai, më tha mua: "Futu aty". Aty në kat të parë, qe kot aty, një thes me byk, një dyshek që nuk dije sa do rrije. Kur hapet dera dhe thërret njëri: Uran Kostreci, Uran Kostreci! Unë dëgjova emrin tim tani, me zor, se ishte zhurmë. Dikur e dëgjova, u afrova. "Jam unë", thashë. Tha: "Aspirinën". Qe ai infermieri që porosita unë. Kur u dëgjua emri im aty, dilnin ata, kati i tretë, nga ata që ishin paria e atij vendi, një i paqethur aty, ai ishte si biçim kapoja aty që bënte ligjin edhe me policët, pa le me të burgosurit: "Kush është këtu,- tha,- Uran Kostreci?" "Obobo,- thashë unë,- tani u identifikova, tani e kam keq punën". Në fakt doli ndryshe. Thashë: "Unë jam, zotëri". "Ti, tha, je Urani?" "Unë jam", thashë unë. "Prapë të futën,- përdori një fjalë banale,-këta në burg?" "E po tani, bëmë faj". Unë po i matja fjalët tani se nuk dihej, se çdo fjalë që të thosha unë tani aty do të shkonte atje ku nuk duhej të vinte: "E po bëra faj",- thashë unë.- "theva rregullin". "Ç'a rregull leshi!", tha ai. "Ku e ke vënë?", iu kthye atij përgjegjësit. "Po, i tha, këtu". "Si o aty? E di ç'ka hequr ky? Obobo!" Ky nuk më njihte fare mua, por kishte dëgjuar nga ca ordinerë që kishin qenë në Burrel, që kisha bërë burg e biruca sa të duash. "O ç'ka hequr ky", tha. "Ti,- tha,- do vish lart". "Po jo mor' zotëri,- i thashë unë,- jam mirë këtu" "Lart!" Po hajde thuaj "jo" tani, se të hapej dhe punë aty. Ai dorën mua dhe unë dorën atij, si cingël unë, lart atje. Çfarë të shihja unë atje? Atje qe si lounge. Aty kishte djathë e, kaçkavall e, simite e, cigare DS, se këtyre edhe u binin nga shtëpia, por u merrnin edhe të tjerëve këta. Tani, unë edhe të doja të lëvizja, nuk kisha nga lëvizja. Bënë një prezantim ata. Ky që e dinte emrin tim më prezantoi me ata të tjerët. Ishin nja dhjetë veta atje lart. Edhe këta vijnë aty si te sulltani, me dorë në zemër te unë. U bë një skenë qesharake. Po unë tani s'po qeshja, se isha në hall të madh. Edhe po prezantohesha tani, nejse. Më bënë vend aty në qoshe, më hapën një hapësirë, mos të më lëvizte njeri, edhe aty kisha dhe ushqim unë. Aty po haja mirë, unë. Ai, mall i vjedhur aty, po s'kisha çfarë bëja, po haja mall të vjedhur aty unë, po pija duhan. Pra, e rrëfeva gjithë këtë skenën që ka dhe një çikë komicitet, për të thënë që unë edhe aty gjeta një farë dermani, që nuk më ngacmuan. Edhe kjo ndodhi edhe kur vajta në Sarandë. Megjithëse atje ka një incident. Mbas nja një vit e gjysmë në Sarandë, unë gjithmonë mbaja një farë barazlargese me njerëzit, se nuk mund të hyje në intimitet për shoqëri, se nuk ua dije mirë tabiatet, nuk dije sesi do të vepronin ata me mua, edhe shumë të besueshëm nuk mund të ishin, pra për politikë nuk bëhej llaf për t'u llafosur, por unë e kuptova që do bashkëjetoj me ta tani, pra, duhet të gjeja një formulë. Formula ishte kjo që unë mbaja një barazlargesë me të gjithë: "mirëmëngjes!", "mirëmbrëma!", por nja 5-6 veta që unë formova bindjen që ashtu ishin, ishin njerëz më për së mbari. Kishin rënë o për ndonjë mosdenoncim, o për ndonjë armëmbajtje pa leje. Këta më morën në mbrojtje, që mos të më trazonte njeri. Se aty haje dru tri herë në ditë, ë. Dhe më ndihmonin me ndonjë cigare këta mua dhe unë natyrisht, nuk mund të refuzoja. Nuk i kërkoja njeriu, por kur më jepnin cigare, edhe për të mos i bezdisur, por edhe nevojë të pija duhan kisha, se vinin nga vëllai nja 200 lekë në muaj, por s'dilnin se do merrje edhe gjysmë kile sheqer, nuk i refuzoja.  Edhe, më vijnë një ditë nja dy-tre veta, djem, që siç ma treguan dhe siç doli puna, këta me një metodë të kopjuar italisht, mësonin italisht. Mirë ajo punë, por nuk dinin të përkthenin fjalët, se ishte italisht ajo. Se nga e morën vesh që unë italisht dija edhe më thonë: "A mund të na i përkthesh?" Ishin nja 12 fjalë, më kujtohet, në një copë letër. Tani, mua më erdhi keq t'u thosha "jo" se s'qe ndonjë gjë e madhe ajo. Nuk po u jap mësim, thashë unë, por po ua përkthej. Ua përktheva ato për pesë minuta, ua dhashë. Kjo punë vazhdoi me këta. Ndërkohë këta ma shpërblenin mua në një farë kuptimi, me ndonjë cigare, që ma jepnin dhe më përpara. Edhe unë u pajtova tani me këtë gjendje: domethënë po u jap ato fjalët, për pesë minuta se nuk më kushtonte gjë, më vinte dhe keq. Mirëpo vajti fjala te komanda sepse një ditë, pasi kishim ardhur nga puna, nga ato tarracat që bënim në Sarandë, tellalli, një i burgosur që ishte caktuar, që thërriste të burgosurit: "Uran Kostreci, në zyrë teknike!" Zyra teknike ishte një zyrë e gjeometrave që bënin punimet dhe aty kishin ardhur nja tre oficerë. Njëri qe komandant i Kampeve dhe Burgjeve dhe oficeri i kampit. Sa hyj atje unë, më thanë mua: "Çfarë bën ti?". Unë në këmbë, ata ulur të tërë atje, bashkë me ata të zyrës teknike, të burgosurit. "Unë, zotëri,-i thashë-, po bëj burgun". "Po mirë burgun, po me ata djemtë atje, çfarë u mëson, çfarë u thua atyre, çfarë i ngatërron për t'i bërë si vetja?" "Po jo mor zotëri, i thashë, nuk kam punë me ata, ata janë në fatkeqësinë e tyre dhe unë kam hallin tim". "Po çfarë janë ato të shkruarat që u jep?" "Po tani, u thashë unë"...e mora vesh që fjala kishte vajtur tani, s'mund t'u thosha jo, "ata seç mësojnë ndonjë gjë dhe unë kam menduar që sesa të merren me ndonjë bixhoz, më mirë që po mësojnë  ndonjë gjë, nuk di a mësojnë dhe m'u lutën a mund t'ua përkthej nja 7 a 8 fjalë që më japin në ditë dhe unë ua përkthej për 5 minuta nga italishtja. Edhe për komandën, mendoj që është mirë, që mos të merren me ndonjë gjë kështu, të rrihen". "Po pse,-tha, të kemi sjellë për prift ne këtu, ty?" "Po, jo prift,- thashë unë,- por më erdhi dhe keq dhe ja i ndihmova një çikë ". Të ngrihet ai, nga vendi ku qe. Më jep një, ajo nuk di a qe shpullë, qe grusht se më vajti koka te xhami mua. E hëngra atë. U ngrita unë. Rashë në mbërdhe, u ngrita. S'u ndjeva hiç. Më tha mua: "Të pamë që komunikove me njeri këtu, e ke vendin lart". Lart ishte vendi i të burgosurve armiq. "Do vesh atje ku ke qenë më parë". "Hajde, qërrohu", më tha. Dola jashtë. Çfarë do bëje? Tani, këta të burgosurit që vinin te unë, shkonte fjala, e kuptuan gjendjen time, kërcënimin edhe nuk më erdhën të më shqetësonin me ato fjalët që shkruanin në italisht, por për çudi, dhe kjo është për të lavdëruar, nuk di sa nga ata janë gjallë dhe ku janë, por po i falënderoj dhe po u tregoj mirënjohjen, ata mua, mëngjes për mëngjes, kur niseshim në punë, pa e parë se kush, më vinin një paketë "Partizani" këtej e një këtej. Edhe pse tani unë atyre nuk po u jepja më fjalë se nuk vinin vetë të më shqetësonin, ata cigaret vazhdonin m'i jepnin. Pra, kjo qe situata në burgun ordiner.

Ju përmendët Simon Jubanin si një nga të dënuarit e Burrelit. Cilët ishin intelektualët e tjerë me të cilët keni ndarë vitet e dënimit në Burrel?

Po, ka qenë Simon Jubani. Kam pasur muhabet me atë. Kur vajta sefte në '63-shin, kam gjetur njerëz shumë të mirë. Kur them shumë të mirë, në kuptimin që ishte nga ajo përbërja e kastës së vjetër, që ishin të burgosurit politikë, autentikë edhe nja  5 a 6 prej tyre ishin intelektualë të klasit të parë. Po gjeta Kudret Kokoshin, nga Vlora; gjeta Engjëll Çobën, nga Shkodra; gjeta Et'hem Haxhiademin, dramaturg dhe përkthyes i mirë nga Elbasani. Këta ishin të vjetër të gjithë në moshë, por në ndryshim nga të rinjtë e tjerë, unë me këta rrija, se e ndieva që nga këta mund të përfitoje dhe përfitova vërtet. Ishte... kush tjetër? Koço Tasi nga Përmeti, jurist. Nga ky kam marrë mësime filozofie. Domethënë me këta njerëz, por dhe të tjerë që, edhe pse s'ishin të këtij niveli intelektual dhe arsimor, ishin njerëz të mirë, kam qëndruar. Aq e vërtetë ishte kjo që po them unë, sa mua më futën në dhomën nr.8. Kishte 10 dhoma Burreli. Ishte 120 metër i gjatë, çimento i gjithë, me katër dritare çdo dhomë. Dhomat ishin 8 e gjysmë me 5 e gjysmë m, standarde. Mua më futën në dhomën nr.8, ashtu rastisi. Atje ishin 33 veta, rrinin në çimento, me ndonjë jatak, ndonjë shtronte rrogoz, ndonjë s'kishte, vonë pastaj në '73-shin vunë ca dërrasa që e lehtësoi pak gjendjen, se kishte lagështirë. Por ajo që duhet t'u them, se është me interes: në ato vite kur vajta unë, mbahej akoma tradita e burgut tamam. Ishin 33 veta, edhe, me keqardhje e them, vetëm njëri qe spiun, s'po e them emrin, ka vdekur, nga Myzeqeja. Të 32 ishin njerëz të mirë shumë. Aty gjeta dhe Engjëll Çobën, i cili kishte pasur miqësi edhe me tim atë. Pra, me disa nga ata të vjetrit, influencoi edhe miqësia e tim eti me ta dikur, edhe unë e pata më lehtë të afrohesha me ta, ose më mirë të themi ata më afruan mua, edhe, po përdor një folje jo aq të rregullt, në kuptimin figurativ, unë dita t'i mjel këta. T'i mjel, me kuptimin e mirë të fjalës, pra, të marr diturinë e tyre, aq sa munda. Po! Edhe ata e lejuan veten të milen prej meje. Kishin vërtet dëshirë të më ndihmonin. Aty mësova italisht, aty komentova Dante Aligheri-n, aty mësova edhe historinë e filozofisë, edhe shumë gjëra të tjera. Aty njoha dhe historinë e Shqipërisë, për herë të parë, se ajo që kishim bërë në shkollë qe kot.

Na tregoni diçka më shumë për këtë atmosferën intelektuale dhe librat në Burrel, që duhet të ketë qenë një nga gjërat më të bukura e më të rralla në ato vite të errëta. Ju keni shkruar "Epopeja e karkalecave" në burg. Si arritët ta nxirrnit veprën që andej?

Tani, siç e thashë, situata në Burrel nuk qe e lehtë, qe e vështirë. Dhe për nga disiplina e hekurt, Burreli, mund të them që shquhej për keq. I vetmi avantazh atje, për neve, për mua në mënyrë të veçantë që isha njeri që merresha me libra, ishte që nuk kishte punë dhe tërë ditën, në qoftë se ishe i zoti dhe kishe vullnet, ti mund të merreshe me libra. Tani del vetvetiu pyetja që mund të bëni ju: Ku i gjenit librat? Libra në Burrel, në ndryshim me kampet e tjera të përqendrimit, kishte në gjuhë të huaj: italisht, frëngjisht, pak gjermanisht edhe pak anglisht, po italisht shumë. Pse? Sepse ata Burrelin e kishin caktuar dhe destinuar për njerëz që do të shuheshin, do të masakroheshin, do asgjësoheshin, kështu qe plani i parë. Edhe kanë menduar, që me libra, pa libra, ata do ikin...Pastaj u ndërrua një çikë atmosfera dhe u ndërrua dhe plani, ata e dinë sesi vajti puna. Për inerci, librat mbetën, deri më '73-shin, por unë atje vajta në '63-shin. Deri në '73-shin i pata dhjetë vjet në dispozicion librat, edhe i shfrytëzova aq sa munda. Meqë kam qenë i librave gjithnjë, unë përfitova shumë. Për brezat që erdhën, për të rinjtë, brezi i tretë t'i themi që erdhi pas '73-shit, edhe që nuk ishin aq shumë të librave, se erdhën dhe kategori pak të papërgatitura, e patën të vështirë se librat i mblodhën ata në '73-shin. Ne pastaj merreshim me nga një gjë tjetër, siç merresha unë për shembull, me ndonjë krijimtari, por edhe ato përkthime që bënim edhe ato i mblidhnin, gjoja për të kontrolluar dhe i zhduknin. Unë atje bërë dhe "Epopenë e karkalecave" që është një poemë satirike kundër komunistëve të cilën nuk arrita dot ta nxjerr sepse e shkrova, por arrita ta nxjerr sepse e mësova përmendësh. Ajo u shkrua për nja 8-9 vjet, 10 vjet se dhe ngjarjet nuk ndodhën në një ditë. Falë kujtesës sime që e kam pasur të fortë, fatmirësisht e kam akoma, unë mësova 2000 vargje përmendësh, aq kishte ajo: 500 strofa. Edhe kur e botova pastaj, vite e vite më vonë, e thjeshtova një çikë, por unë atë e shkrova në burg, edhe e botova në vitin '92 për herë të parë, në gazetën "Liria" të cilën e drejtoja vetë, gazeta e të burgosurve politikë. Pastaj e botova një herë në faqen e RD-së në '93-shin, pastaj e botova libër në '95-ën e pastaj më vonë prapë e ribotova. Pra, i vetmi krijim letrar i imi që shpëtoi nga Burreli ka qenë "Epopeja e karkalecave" se e mësova përmendësh. Ca gjëra të tjera humbën, i morën kapterët e s'i dhanë më.

Çfarë kushtesh kishte burgu i Burrelit në periudhën kur ju ishit aty, vitet '63-'81?

Në Burrel, biruca qe shumë e vështirë. Qe e ftohtë, në dimër sidomos, aq sa të them të drejtën, aty ka pasur shumë raste që njerëzit kanë marrë plevit, kanë dalë dhe kanë vdekur pas gjashtë muajve, ose një viti. Unë, falë Zotit mbi të gjitha, por edhe falë organizmit tim, por edhe falë genit, se dhe geni ka të bëjë, unë rezistova. I kalova këto ftohje, herë me ilaçe, herë pa ilaçe, edhe ja ku jam, se normalisht dhe në mënyrë të natyrshme do të kish qenë më shumë e mundur që unë të kisha vdekur, po duket që Zoti i ka caktuar vetë jetët e njerëzve edhe unë falë Tij, jam gjallë sot. Po ka dhe një tjetër arsye. Ata që ishin atje, antikomunistë të vërtetë që e urrenin komunizmin se e njihnin mirë atë regjim se ç'qe, ata rezistuan më kollaj, se urrejtja për regjimin qe aq e madhe sa ajo na jepte forcë. Dy janë në botë ndjenjat më të forta: dashuria dhe urrejtja. Ata, pa dashur që t'i lëndoj, që kishin hyrë aksidentalisht, që kishin thënë vetëm që "s'ka djathë" edhe që "s'ka patate në dyqan"...ata u ligështuan, ata e kishin më të vështirë të duronin burgun dhe bënin letra, lart, për sqarim, që: jo "e pati fajin ky", jo "ma bëri ky", "po jua tregoj sesi ka qenë puna", rrinin me shpresë se gjoja do liroheshin o do rishikohej puna e tyre. Qe kot ajo punë, po kjo ata i ka lënduar shumë edhe i ka ligështuar. Unë edhe pse isha çikë më i ri se ca të tjerë nga këta, u thosha: Or' vëllezër bëni dua të bjerë komunizmi sesa të jetë komunizmi gjallë, ne s'dalim që këtej. Lutje mos bëni se nuk jua ul dënimin njeri, por bëni dua mos t'jua shtojnë "! Tani, pse e thashë këtë? Ne, pra, që ishim antikomunistë të vërtetë dhe unë isha një nga ata, me thënë të drejtën, ne e duruam më kollaj se mobilizimi  shpirtëror qe i madh, urrejtja qe shumë e fortë, nuk na linte sedra të ligështoheshim para atyre që na mbanin brenda edhe s'prisnim asnjë gjë të mirë, jo! Unë biles u thosha shokëve: habitem pse s'po na vrasin, habitem qysh jemi gjallë. Po na shpëtoi Zoti. Edhe Zoti na shpëtoi një pjesë, ne, sepse vdiqën shumë.

Tani, tjetër hollësi e Burrelit që duhet ditur është që filluan dënimet e dyta. Ato u bënë të tmerrshme, u bënë makth i madh se njeriu nuk kishte asnjë garanci se kur mund të mbaronte dënimi i tij në burg. Unë për fat të keq në '73-shin u dënova prapë. Pata një mërzi, nja gjysmë ore, se aq e kam unë. E mblodha mendjen. Burgu filloi nga fillimi. Edhe fillova me ato librat, merresha me ato, me ndonjë përkthim që bënim kur ishin akoma librat, edhe me ndonjë krijim që edhe pse nuk kishte ndonjë zarar ai shkrimi, kapterët i merrnin, gjoja për t'i kontrolluar dhe s'i jepnin fare. I humbën. Për shembull, unë po të them që, po të mos ishin marrë ca përkthime poezish nga autorë të mëdhenj: Petrarka e, Manzoni e, Carducci, t'i kisha sot, unë do të botoja një vëllim me poezi shumë të bukura, që nuk kam durim t'i bëj sot prapë. Shpëtoi vetëm "Epopeja e karkalecave". Po çfarë shpëtoi tjetër? Atë që ata s'mund ta merrnin dot. Unë, duke përkthyer sonetat e Carduçi-t, në burg, që humbën, siç të thashë, fitova skemën, ata nuk mundën të merrnin dot skemën e sonetit. Skema u bë imja. Edhe atë skemë unë po e përdor për të krijuar sonetet, që i nxjerr një herë në javë te Facebook-u im. Pra, skema e Carduçi-t është ajo që unë shkruaj sonetat sot. Unë mundohem t'i bëj në nivelin e atyre, por nuk i arrij dot, megjithatë bëj çmos që të jenë të pëlqyeshme. Edhe, ky qe përfitimi tjetër.

Po përfitimi i librave që u mora unë dhe ata që u morën me libra, ishte dhe kjo që e përballoje më kollaj atë kohë dhe atë tmerr ku jetonim sepse një pjesë njerëzish, pa dashur t'i qortoj u bënë pesimistë. Tërë ditën rrinin me duar në gji: "ç'na gjeti!" kështu që këta edhe u atrofizuan, edhe u degraduan nga mendtë e kokës, kurse unë, në qoftë se nuk jam gabim, po të tjerë mund ta thonë, unë e shoh që kam mbetur normal: burgu mua s'më bëri asgjë, jo, përveçse iku mosha, hyra 23 vjeç, dola 50 e ca. Po mua, ata komunistët, nuk arritën dot të ma vrasin shpirtin dhe ky është triumfi më i madh që unë pata mbi ta!

A i keni takuar pas shembjes së diktaturës, ata që ju kanë dënuar dhe torturuar? Çfarë keni ndier në këto përballje? Çfarë ka ndodhur mes jush?

Asnjë gjë nuk ndodhi, po nga këta ciklopët, po i quaj ciklopë dhe kriminelë të asaj kohe që na kanë torturuar, apo dënuar, shumë nga ata nuk i kam takuar se dhe unë s'kam dashur t'i takoj, por dhe ata nuk më janë shfaqur, po nja dy raste më kujtohet që ka pasur, rastësisht: një hetues, më kujtohet, që sa më takoi, fjalët e para, filloi të thotë që "unë e kam ditur, që ti kishe vlera, po ishte koha..." si llafet e tyre dhe unë ia kam mbyllur gojën me dy fjalë: "I nderuar zotëri, kohën e bëjnë njerëzit, edhe po të ishte për kohën, unë kam pasur mend, me lejen tënde, më shumë se ty. Mund të isha bërë hetues, fut nja 4-5 vetë brenda edhe bëhesha unë hetues, të rrihja unë ty dhe jo të më rrihje ti mua, por unë nuk desha t'i hyja asaj pune, kështu që zotrote deshe të hyje në atë kategori shqiptarësh që morën më qafë gjysmën e Shqipërisë. Unë nuk po të them gjë tjetër, vetëm po të them këtë: që Zoti të faltë mëkatet dhe ishallah arrin të kuptosh se ç'ke bërë!". Tani, në lidhje me atë çfarë kam ndier. Dikush mendon se Urani do të ndiente ndonjë urrejtje, mllef të madh në atë moment që i shfaqet një nga këta edhe veprimi i parë që përfytyron që mund të bëjë ky njeri, pra, ky ish-i burgosur, është t'i hidhet në fyt. E para e punës një herë, unë kam pasur një vetëdije atëherë, po sot ca më tepër. Vetëdija ime ishte kjo: që unë isha armik i komunizmit dhe komunizmi qe armiku im. Këta të gjithë ndynë shpirtin e tyre, rënduan ndërgjegjen e tyre edhe u bënë vegla qorre të atij regjimi. Në qoftë se unë si Uran do të merresha me një nga këta, unë do ta ulja shumë veten, do ta ulja stekën. Unë edhe atje në burg s'merresha me gardianët. Unë isha njeriu më i sjellshëm me gardianët e burgut. I quaja kot, po kur vinin nga Ministria e Brendshme që vinin dhe bënin tema politike, edhe thoshte në fund ai: "kush ka ndonjë pyetje?", unë atëherë i bëja një pyetje që ia hidhja në erë të gjithë atë që ai kishte thënë. Asgjë s'fitoja nga kjo, por kisha kënaqësinë që atij ia prishja atë për të cilën erdhi, edhe kënaqesha për veten time, edhe pse e dija që pas tri ditësh do futesha në birucë e do haja hu, siç haja. Tani, jemi te këta të tjerët. Më pyeti në një intervistë, një moderatore. "Uran, tha, ndien urrejtje, kur sheh ndonjë nga ata që të kanë torturuar?" "Po jo moj zonjë",- i thashë unë. "Jo se ata nuk e meritojnë urrejtjen time, por unë ata i përbuz ",-i thashë unë. Urrehet ai që konsiderohet i barabartë për nga rangu me ty, nga klasi, nga intelekti, nga çdo gjë. Ata janë çapaçul, për të cilët unë ndiej mëshirë. Unë çdo gjë do pranoja, po që të isha në vendin e tyre, qoftë dhe një minutë, nuk do e pranoja se do vrisja veten. Edhe unë habitem, qysh nuk e vrasin veten.

Ju u liruat përfundimisht, edhe nga internimi, rreth 50 vjeç. Nuk e menduat asnjëherë të martoheshit?

E jo, ka një gjë te tipi im. Urani tani është tip romantiku, i tillë kam mbetur edhe tani që jam 80 vjeç. Si i tillë, unë e kam përfytyruar  martesën, ashtu si çdo njeri, të bukur, poetike...Në atë kohë që dola unë, për martesë poetike nuk mund të bëhej fjalë më, edhe unë nuk mund ta pajtohesha, edhe pse isha aq sa isha në moshë, le që s'ishte ekonomia, s'kishte as shtëpia, as rroba, as para, as gjë prej gjëje, po edhe nga ana shpirtërore unë nuk mund të pajtohesha me një martesë pleqërishte. Meqë ajo iku, jo për fajin tim, unë e mbylla edhe nuk desha të martohem. Jam martuar me letërsinë. Me lejen tuaj, po e them, atë e ka thënë Mid'hat Frashëri, jo unë, por unë jam martuar me Shqipërinë. Unë kam miq, kam shokë goxha të mirë, por mbi të gjitha kam letërsinë që s'më lëshon. Merrem me ato sonetet, librat edhe s'mund të them se e ndiej shumë mungesën e një familjeje pa çka se me logjikë, kur mendohem hollë-hollë, e di që kam humbur shumë sepse martesa është një institucion i domosdoshëm. Edhe kur vjen një moshë shumë e shtyrë, edhe tani i ri s'jam, biles jam i vjetër, po duket ajo moshë akoma s'ka ardhur shyqyr Zotit, ndoshta dhe do ta ndiej mungesën e familjes. Mirëpo, unë jam besimtar, i fortë, i vërtetë.Unë besoj që Zoti nuk do më shkaktojë një rënie të atillë në shëndet sa të mos jem i zoti për veten time. Them që do ta kem vdekjen të qetë. Në emër të Zotit!

kujto.al

DY PROFESORËT E MIJ NË BURREL-Poezi nga Uran Kostreci

I urtë ishe, Ëngjëll, si emri jot!
Gjyqtar pate qën jashtë e burrë shteti,
Po aristokrat qëndrimi yt mbeti
Dhe n' burg, si karakteri, o patriot !

Më komentoje Dante, o poliglot.
Hyjnorja Komedi e thell ' si deti,
Flladiti shpirtin tim n' at vënd kiameti.
Ti Koço, t ' mendimit princa n' botë

M' ofrove e un nga burgu: pash - më - pash
E brodha mbretërin filozofi.
Ti, plak nestor më ke dhën dituri

Ashtu si tjetër profesor nuk pash:
Me korrektes, fjali si ... gozhdë, avash
Për t ' më ... ndrit mua, që isha ahere i ri.

Poezia është marrë nga muri i FB të Uran Kostrecit, botuar më 8 shkurt 2019, me shënimin: "Koço Tasi dhe Ëngjell Çoba kanë qenë dy profesorët e mi në burgun e Burrelit"

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here