Skënder Shaholli: E pashë vajzën të rritej matanë hekurave

0
255

Skënder Shaholli e la vajzën vetëm 4 muajshe kur u fut në burg, për një akuzë që nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë dhe e gjeti atë 17 vjeç . Duke qenë i ri dhe i fuqishëm, e zhvendosën disa herë, gjatë 17 viteve, nga një kamp pune në tjetrin, për ta shfrytëzuar në punët më të vështira ku të burgosurve thuajse u dilte shpirti. Por shpëtim nuk kishin. Nëse nuk bënin planin, i prisnin hekurat. Kujto.al sjell rrëfimin e ish-të dënuarit që humbi fëmijërinë e së bijës dhe rininë e tij në burgje.

Intervista është pjesë e arkivës së familjes Doko dhe e gjeni të plotë, si më poshtë:

Skënder na trego diçka për familjen

Quhem Skënder Shaholli. Kam lindur në 1934-ën. Familja ime ka qenë një familje e mesme fshatare. Babanë e kisha në Amerikë, kam lindur dy muaj pas ikjes së tij.

Si erdhi momenti i arrestimit?

Unë nënën e kam nga fshati Braçaj. Atje u arrestuan 15-16 burra, mes tyre kishte edhe disa nga fisi i nënës. Më 7 shtator të 1959-ës arrestohem nga Sigurimi i Shtetit në Korçë. Kisha shkuar në Korçë sepse përgatisja një vajzë xhaxhai ta martoja pas dy javësh. Unë atë kisha vëlla, atë kisha motër. Edhe ajo e kishte babanë në Amerikë. Kur zbrisja në Korçë, në një markatë, dolën tre veta, dy nuk i njihja, një e njihja, ishte operativi i zonës, Isa Abazi quhej. Ata më morën dhe më futën në makinë, në gas, pa më thënë “je i arrestuar” sepse kishte shumë njerëz. Atje më thanë “shtrihu këtu!”. “Nuk kam vjedhur gjë, pse të shtrihem?”, u thashë. Më çuan në Degën e Punëve të Brendshme në Korçë. Atje gjeta tre oficerë të tjerë, njëri më kujtohet sepse e kam pasur dhe hetues në Tiranë, Ferat Matohiti quhej, ndërsa të tjerët nuk i kujtoj cilët qenë. Atje më hodhën hekurat, filloi pyetja, një pyetje komplet e paimagjinuar për mua, sikur unë paskam qenë i lidhur me spiunazh grek, me diversantët e ardhur nga Greqia: Lutfi Cane, Emin Cane, Samedin Cane etj.. Unë Lutfiun dhe Eminin i njihja para arratisjes, kurse Samediun dhe të tjerë që më akuzuan atje, nuk i njihja dhe vazhdoi kjo punë në Korçë nja tre-katër muaj. Pas 3-4 muajsh na morën në autoburg dhe na çuan në Tiranë. Në Tiranë, kam pasur hetues Iljaz Haxhian, gollobordas, por qe njeri komplet i pashpirt, aq sa më ka djegur me cigare në dy vende, megjithatë nuk pranova gjë. Më mori kryehetuesi, Ferat Matohiti. Duke zhvilluar hetuesinë me Feratin, por jo duke më bërë torturat që më bënte Iljazi, por me pyetje përgjigje, i shkruante përgjigjet Ferati, jo si Iljazi që nuk i shkruante, vazhduam 9 a 11 muaj. Që andej pastaj dolëm në gjyq po në Tiranë, me kryetar gjyqi Mit’hat Goskovën.

Cila ishte akt-akuza?

Akt-akuza ishte që isha lidhur me diversantët e ardhur nga Greqia dhe kisha kaluar 26 herë në Greqi. Që të ishe zog, nuk kaloje dot në atë kohë dhe në fund, doli koka, sikur isha i lidhur me Teme Sejkon dhe me Flotën e Gjashtë Amerikane, që në atë moshë që kisha unë, njëzetetre vjec, nuk e dija kujt i thoshin “flotë”.

Pate dëshmitarë?

Pata dëshmitarë të burgosurit. Të tjerë nuk kisha.

Sa dënim kërkoi prokurori?

Prokurori kërkoi 15 vjet. Isamedin Resnja quhej. Ndërsa kryetari i gjyqit, 20 vjet sepse nuk pranova aktakuzën. Kështu na i bëri të gjithëve. Prokuroria kërkoi 3 të dënuar me vdekje. Kryetari i gjyqit i bëri 5. Edhe 4 që u dënuan 20 vjet, ua bëri 25, ne të tre që u dënuam 15, na i bëri 20.

Ç’ndodhi pasi morën vendimin?

Qëndruam 1 vit e gjysmë në izolim në burgun e Vlorës, pa marrë kontakt me të burgosurit e tjerë. Një oborr më vete, një dhomë më vete, ku rrinim 7 vetë. Pas kësaj kohe, më morën që atje dhe më çuan në Kampin 307 në Tiranë, ku kemi pasur komandant kampi, kolonel Bajram Kolvarfën. Një muaj e gjysmë qëndruam atje, sa mbaruan ato pallatet dhe na çuan në Rubik, në fabrikën e bakrit. Atje punova nja tre vjet dhe që andej na shpunë prapë në Vlorë, nja 35 veta, shumica qemë specialistë, për ta prishur burgun e Vlorës, ta kthenim në zyra. Pas nja një muaj e gjysmë më çuan në Kampin 303 në Elbasan, në fabrikën e çimentos. Atje punuam sa punuam, nga andej kemi shkuar në Fushë-Krujë, prapë në fabrikë të çimentos, na kthyen prapë në Elbasan, mbaruam fabrikën e Elbasanit. Nga atje na çuan në Reps të Mirditës, bëmë një fabrikë të pasurimit të bakrit. Pas nja tre vjetësh, nga atje, na çuan në kriporen e Vlorës, më duket nja dy vjet dhe që andej më shpunë në Ballsh dhe atje dy a tre vjet sa u bënë. Atje më erdhi lirimi.

Përpara se të vinte lirimi, më thuaj nga gjithë këto burgje që ke kaluar, cilin mban mend si më të tmerrshmin?

Atje, duhet të dijë mirë çdo njeri që nuk ka kaluar në këto vende, njeriu zë vetveten dhe nuk mendon më për gjë, vetëm vetveten. Më keq, nga gjithë këto vende, kam parë në Rubik, sepse kishim një komandant kampi, Bajram Kolvarfa e quanin. Ai ishte njeri që, kishe punë, nuk kishe punë, të mbërthente prej gurmazi. Edhe punoje, “ o planin, o xhanin”. Kudo ku kemi qenë, po të mos bëje planin, kishe hekurat. Po unë, shyqyr Zotit, kisha shëndet dhe planin ia bëja.

Ishe i ri, ishe i fuqishëm?

Mirë isha.

Në kapanonet ku flinit, si ishin kushtet?

Krevatet ishin të shtruara me dërrasa, por jo të zdruguara, larg njëra tjetrës që të binte pluhuri. Ne u shtronim nga një thes çimentoje që mos të rrëzohej pluhur te shoku poshtë, nga dy batanije, edhe tri kishte. Kushtet ishin shtazore, flinte njeriu në dërrasa.

Po ushqimi?

Ushqimi qe shumë i dobët. Jashtëzakonisht i dobët.

Skënder, gjatë kohës që ishe në burg, çfarë ndodhte me familjen tënde?

Familjen time në fshat, gjynah të qahem, nuk e trazuan. Unë nënën kisha, gruan dhe një fëmijë që e lashë katër muajsh. Fshati është sjellë mirë me familjen time. Ato që nuk janë bërë, nuk mund t’i themi.

Me se jetonin ato?

Ato nga ekonomia qenë mirë sepse babai ishte në Amerikë dhe dërgonte vazhdimisht para. Dhe pas testament i babait ishte që të vinin te nëna ime 200 dollarë në muaj, kështu që ekonomikisht nuk ka vuajtur familja ime.

A të kanë ardhur të afërmit kur ke qenë në burgjet larg?

Vetëm dy vajzat e tezes që rrinin në Plug, që ishin të internuara. Ato më kanë ardhur, të tjerë jo, nuk më kanë sjellë një cigare. Përveç nënës, gruas dhe një gruaje xhaxhai. Ato më kanë ardhur.

Çfarë hiqnin ato për të ardhur nëpër një rrugë shumë të largët, nga Devolli në Resp?

Nuk më qenë ankuar, por mund të them që në gjithë këto vite burg që bëra, vetëm një here, në Vlorë, e kam takuar fëmijën, kur ishte 3 vjeçe. Edhe atë herë, ma la një polic që ishte atje dhe pastaj asnjëherë më, unë andej, familja këtej, as me dorë nuk e takoja.

E ke takuar vetëm një herë vajzën kur ka qenë 3 vjeçe?

Po, e la ai polici. Ishte me shpirt të mirë, si duket, edhe i tha nëna: “o bir, ta takojë pak çupka?” dhe hapi derën, hyri çupka. Tjetër herë nuk di t’i kem dhënë dorën, as nënës, as gruas.

Në Ballsh të erdhi lirimi. Sa vjet burg u bënë?

17 vjet e ca muaj.

Më trego pak momentin kur je liruar.

Edhe sot çuditem. Atë moment kisha ngrirë. Nuk kisha ndonjë gëzim që po dilja. Duke menduar “ku do vete?”, “kush më pret?”. Edhe kur erdha në Bilisht, sepse e kisha lajmëruar nënën, më priste nëna me çupën. Erdha këtu, takova nënën dhe çupën dhe u ngjita në fshat. 17 vjeçe ishte bërë çupa.

Çfarë bëre pasi dole nga burgu?

Pasi dola nga burgu, në kooperativë kam punuar.

Po vajza çfarë bëri?

Çupa e vazhdoi shkollën e mesme për agronomi, me 9.8 mbaroi, mirëpo më lart nuk mund të shkonte. Edhe në kooperativë punoi dhe çupa.

Erdhi fundi i ‘90-ës dhe fillimi i ‘91-shit. Shqipëria po hapej dhe po vinte demokracia. Më thuaj, si e prite?

Unë kam dëgjuar që në vitin 1986 “Zërin e Amerikës”, që thoshte në ‘89-ën shembet muri i Berlinit dhe në ‘90-ën merr fund Lufta e Ftohtë, por këtë e dëgjova vetëm unë, as nëna, as gruaja. Ka qenë 27 qershor, nuk e harroj kurrë. E prisja që do të ndodhte.

Si e prite ndryshimin e sistemit?

Unë kur u prish sistemi, kam kaluar në Hungari. Nga Hungaria, në Austri. Qëndrova një vit e gjysmë në Austri dhe nga Austria, më lindi e drejta, për të kaluar në Amerikë. Shkova dhe qëndrova një vit e gjysmë atje. Këtu u bë demokraci. Mora gruan dhe çupën e vogël, e madhja mbeti atje, edhe kam ardhur në Bilisht, për ta gëzuar demokracinë si një njeri i etur për liri.

Tani kë ke në Amerikë?

Tani kam çupën e madhe atje, ka burrin, dy djem dhe një çupë të martuar.

Me kë jeton?

Unë pata fatin e keq që gruaja nuk më jeton më. Kam marrë dhëndër brenda dhe kam një mbeskë dhe një nipkë.

Paske gjithë të mirat, je bërë gjysh...

Jam bërë dhe stërgjysh.

Ndoshta në atë periudhë, ata që të torturuan, mendonin që do kishe mbaruar punë prej kohësh, por koha e solli që ti arrite në këtë ditë, të bëhesh gjysh e stërgjysh dhe shpresoj jeton i lumtur.

Zoti ka çudirat e tij. Sa kam vuajtur unë në hetuesi, unë duhet të kisha vdekur jo një herë, por disa herë. Edhe në ato kushte ku jetoja ishte shumë e vështirë, mirëpo Zoti më dha shëndet, fuqi, kurajo që unë dola e po flas me ju.

A ke takuar ndonjë nga ata dëshmitarë që të dolën kundër?

I kam parë, por nuk i kam takuar.

Çfarë ndien për ata?

Ata, të gjitha ato që bënë, i bënë nga e keqja, ata nuk dinin gjë, ishin identik si puna ime, të paktën ata me të cilët jetova, të tjerët që u vranë nuk e di.

Gjatë kohës që ke qenë i burgosur, ka pasur tentativa për të të bërë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit?

Ka pasur. Nuk e di i sillnin apo vinin vetë, por ka pasur edhe të kësaj natyre. /kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here