Dëshmia/Mark Nika: Nuk e harroj si e zhytën në ujë të akullt të moshuarin

0
281

Me të marrë pushtetin Partia Komuniste në Shqipëri, i pushkatuan babanë dhe i dënuan me burg vëllanë e madh. Të survejuar gjatë gjithë kohës, dy vëllezër detyrohen të arratisen çfarë sjell dënimin me internim të familjes. Në atë çast edhe Mark Nika niset për t'u arratisur, por kapet në kufi dhe dënohet me 15 vite burg. Një rrëfim për dhunën e hetuesit, kampet e shumta të punës ku i torturornin në forma të ndryshme dhe vështirësitë pas lirimit derisa u përmbys regjimi komunist.

Dëshmia e plotë:

Kam lindur në vitin 1936, në katundin Bogë të rrethit Shkodër. Familja ime ka pasur babën, nanën dhe 7 vëllezër. Në vitin 1945 arrestojnë babën dhe vëllanë e madh. Babën e pushkatuan dhe vëllai i burgos.

Me çfarë motivi e pushkatuan babain?

Si antikomunist. Dhe la shtatë djem.

Si ishte jeta juaj më pas?

Ne ishim të vegjël. Më i madhi mund të ketë qenë 20 vjeç. Më i vogli ishte 4 vjeç. Familja e mori vesh për pushkatimin e babës pas dy javësh. Vëllai i madh gjithashtu në burg. Familja ishte në gjendje shumë të vështirë ekonomike. As bukë misri nuk kishte nana për të na dhënë. Dhe duke u rritur vëllezërit, duke punuar nga pak, deri në vitin 1960, kur më i vogli u bë 17-18 vjeç, Sigurimi i Shtetit filloi të na survejonte dhe na provokonte kudo. Mirëpo njëri vëlla, që ishte pas meje, nuk i duronte këto provokime dhe filloi të flasë. Dhe operativit të Sigurimit i ra në sy. Operativ Sigurimi ka qenë Adem Zmeri, që e mbulonte atë zonë dhe thërret vëllanë e madh dhe i thotë: "Foli vëllait, të ketë kujdes se do e arrestoj". Ky tani, nga frika që do arrestohej më thotë mua: "Si t'ia bëj për të ikur jashtë shtetit?". Edhe bisedoi edhe më vëllanë tjetër që ishte më i vogël. Thashë: "Në qoftë se doni të arratiseni, ju tregoj unë se ku është rruga dhe dilni matanë kufirit". Në maj të '61-shit, i kam përcjellë, kanë kaluar kufirin, kanë shkuar në Jugosllavi dhe nga Jugosllavia kanë ikur në Suedi dhe atje kanë jetuar deri në kohën kur u hapën kufijtë. Atëherë, jemi takuar. Në '90-ën kanë ardhur në Shqipëri, jemi takuar për herë të parë pas kaq kohësh.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj, pasi u arratisën vëllezërit?

Pasi u arratisën dy vëllezërit, pas një muaji, ne erdhën të na internonin. Nuk e dinimin ku do na çonin. Unë kisha bërë muhabet dhe me ca shokë të mi që do arratiseshin jashtë, por nuk na premtoi koha se erdhën për të na internuar. Ishte operativi i Sigurimit, kishin ardhur ata pushkatarët, siç i quanin atëherë, që ishin vullnetarë, ndihmës të tyre dhe na morën, na çuan afër shtëpisë, atje na thanë: "Tani mos lëvizni, këtu do rrini". Lajmëruan gratë për të nxjerrë plaçkat, për t'u nisur për internim. Mirëpo në këtë kohë, siç ndodh për gjithkënd, gratë ishin shumë të irrituara dhe të hutuara dhe nuk dinin çfarë të merrnin e çfarë të linin në shtëpi dhe filluan duke qarë që po largoheshin prej shtëpisë. Më kujtohet si tani, nëna merr një fotografi të djalit që kishte ikur jashtë, donte me e marrë me vete, por erdhi dhe një operativ tjetër i Sigurimit, më duket e ka pasur emrin Shyqyri Rjodhi, e pa me atë fotografi dhe kujtoi që ishte ikonë fetare. Edhe i thotë: "Lene atë, bushtër, se ke pjellë 7 armiq". Unë në këtë kohë, i drejtohem nanës: "Mos u mërzit. Do të na çojnë diku këtu në Shqipëri, e do na lirojnë prapë, se nuk kemi bërë gjë". Dëgjoi ky që i fola nanës, i dhashë kurajo. E lejoi vëllanë e madh që të shkonte të përgatiste plaçkat. Ai dhe një vëlla tjetër ishin të martuar. Njëri kishte dy fëmijë, tjetri kishte një. Në kat të dytë, del në dritare vëllai dhe i thotë operativit: Më lejo një vëlla të më ndihmojë, të nxjerr plaçkat jashtë. "Jo", thotë "ke gratë atje". "Jo, gratë nuk mund të më ndihmojnë për plaçkat". "Jo, jo, vazhdoni". E vazhdojnë sa vazhdojnë edhe pas pak kohe, doli prapë vëllai, i lutet operativit: "Ma liro një vëlla të më ndihmojë se nuk mund të bëj gjë". I thotë ky vëllai i dytë, që ishte i martuar, që kishte një fëmijë: "A të shkoj unë, ta ndihmoj?". "Jo, jo, thotë, të shkojë ky". Për mua, sepse dëgjoi që i dhashë kurajë nënës dhe formoi një mendim që "ky nuk e kupton që po shkon në internim". Unë shkova. Ai i thotë një prej rojeve: "Shko dhe ti ndihmoje". Edhe vjen prapa meje ky. Ai ishte fshatar i imi, kishte pushkë gjermane me vete. Më thotë mua: "Me çfarë mund të të ndihmoj?". Ne atëherë nuk kishim dollap për rrobat dhe i mbanim stivë. I them: "Merr rroba, vëri aty në qilim, mbështilli dhe lidhi bashkë". Mbështeti pushkën prej murit dhe filloi punën. Unë në këtë kohë dola në korridor, nga korridori nga dritarja e katit të dytë, hidhem poshtë në anën tjetër të shtëpisë dhe marr rrugën. U arratisa dhe unë. Mirëpo vëllai nuk më kishte parë që kisha hyrë, dhe sa iki unë, del në dritare dhe i thotë operativit: "Ma liro një vëlla të vijë të më ndihmojë këtu". Ai tha: "Ta kam çuar Markun atje". "Marku nuk është këtu". Atëherë i thirri atij që ma kishte vënë prapa, për të më ruajtur, jo për të më ndihmuar, edhe i thërret në emër: "Palok, ku është Marku?". "S'e di, i thotë, ku është Marku. Ti më the të shkoja ta ndihmoja. Unë jam duke palosur plaçkat". Unë ika. U futa në pyll, mora malin. Atje janë Bjeshkët e Namuna. Kam ecur tërë natën sepse erdhën për të na internuar, para akashamit. Unë ika nëpër ato Bjeshkë të thepisura, më mirë isha zbathur, për ato që kisha mbathur edhe këta kishin lajmëruar shpejt e shpejt me telefon pikat e kufirit që është arratisur një njeri dhe kufiri bllokohej për një kohë shumë të shpejtë. Tërë natën unë duke ecur dhe mbërrij në kufij në mëngjes.

Arritën t'ju kapnin?

Në mëngjes, siç duket më kishte parë pika vrojtuese dhe më presin mua në kufi. Më arrestuan në Bjeshkë të Kelmendit dhe më kanë vënë hekurat, më kanë përcjellë postë më postë, në këmbë se në Kelmend nuk ka pasur rrugë makinash atëherë. Prej Bjeshkëve të Kelmendit më kanë sjellë deri në Han të Hotit. Në Han të Hotit, ka ardhur një Jeep-s i Degës së Brendshme dhe më ka marrë. Më kanë futur drejt e në birucë. Kur hyra atje, thashë me vete: "Tani mora fund se pa le çfarë do më bëjnë". Ishte një birucë e errët. Kur u futa pak gjë shihja, por si u mësova fillova të dalloj sesa e madhe ishte. Veç sa të shtriheshe për së gjati. Mund të ishte 1 m ose 1 m e 30 e gjerë, jo më shumë. Edhe duke u sjell nëpër atë birucë, shoh stërpikla gjaku, por ishin të thara. Thashë: "Pa le çfarë do më bëjnë tani". Mirëpo nuk më prekën me dorë. Për të sharë, po. Ai gardiani hapte sportelin dhe më shante me nanë e me motra, me babë e çfarë të mbante pragu i shtëpisë, por të më prekur me dorë, nuk më ka prekur kush, as në kufi, as mbrojtja, as policia, përveç hetuesit. Mbas tri ditësh, më ka marrë hetuesi në pyetje. Tri ditë kam ndenjur në birucë, pa ngrënë, pa pirë. Nuk ndieja uri, vetëm etje. Thosha: "Të nginjem një herë me ujë dhe të vdes". Aq ngushtë ma kishte pru uji, se ishte verë, vapë e madhe.

Kush ishte hetuesi juaj?

Hetues ishte Ali Xhunga.

Sa muaj keni qëndruar në hetuesi?

Në hetuesi kam qëndruar katër muaj e diçka.

Çfarë kërkonin nga ju gjatë hetuesisë?

Aty kërkonin shumë gjëra, por unë e kisha të thjeshtë se unë nuk kisha asnjë gjë, përveçse u nisa për t'u arratisur. Edhe më merr hetuesi, shkoj atje me polic, i lidhur. Më ulin në karrige aty. Fillon hetuesi duke më bërë pyetje: Çfarë ke pasur? Pse ke ikur? Edhe unë i kallëzova rrjedhën e ngjarjeve si kishin ndodhur, deri në fund. Babën nuk ma përmendi asnjëherë që është pushkatuar, as unë nuk e zura në gojë asnjëherë babën. "Me kë ke dashur të ikësh? A ke pasur muhabet me ndonjë tjetër të ikësh?" "Jo, asnjë muhabet, s'kam pasur me kërrkënd. Erdhën për të na internuar. U nisa me ik se kisha frikë të ikja në internim". Kaq ishte hetuesia ime.

Ju thatë që hetuesi përdori dhunë fizike ndaj jush

Hetuesi po, kurse policët, as gardianët, s'më kanë prekur me dorë. Hetuesi më ka rënë me grushta, me shqelma sa mundtte, në hetuesi.

Ishit i lidhur?

Unë isha i zgjidhur. Dhe një të tentuar unë të mbrohesha, u diktua ajo punë, 4-5 hetues erdhën aty menjëherë dhe më kapën, më ulën aty dhe filluan edhe këta duke më rënë. Po tjetër kush nuk më ka prekur përveç hetuesve, hetuesit po, kanë përdorur dhunë fizike. Plus e kishte brokën e ujit aty në tavolinë dhe them që me qëllim e mbante se më shihte mua që më ishin tharë buzët dhe mezi flisja. Tri ditë pa pirë ujë. As bukë. Bëri pyetje jo shumë të gjata dhe thirri policin, më vuri hekurat dhe më çoi në birucë. Kur kam shkuar në birucë, kam gjetur një copë bukë në dysheme që e kishin hedhur atje. Thashë mos e kishin hedhur për provokim sepse nuk dija çfarë të bëja me ta. E mora, e pashë: një copë e tharë. Ta ha, mos ta ha? Kisha frikë të haja. Fillova ta ha pak nga pak, por nuk më kalonte se mesa duket më ishte ngushtuar aq shumë fyti prej ujit. Hëngra nja dy-tri kafshata dhe e lashë aty. Erdhi mesdita. Ishte një që shpërndante ushqimin në burg, kishte mbetur qysh në kohën e luftës, me sa më kujtohet ishte gjerman, i mbetur nga lufta, as dëgjonte, as fliste. Vinte me një bidon ujë, me një garuzhde. Kush kishte enë, ta hidhte një garuzhde ujë...Unë, kur erdhi ky, hapi sportelin, që e pashë me ujë, ngaqë nuk kisha enë ku ta hidhja, u çova vrap ta kapja atë garuzhden. Ai e tërhoqi se donte ta hidhte diku, se me atë garuzhde do u shpërndante gjithë të burgosurve të tjerë që ishin në biruca dhe nuk më dha ujë. Prapë ngela pa pirë. Pas dy-tri ditëve më thërriste prapë hetuesi...Deri sa erdhi koha e gjyqit.

Cila ishte akt-akuza dhe sa ju dënuan?

Akt-akuza ishte "tentativë arratisjeje jashtë shtetit" dhe u dënova me 15 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës elektorale, tre vjet pas mbarimit të dënimit.

Në ç'burg ju dërguan?

Më kanë lënë dhe tri ditë të tjera aty në birucat e Sigurimit, pastaj më kanë çuar në Burg të Madh në Shkodër. Kur më çuan në Burg të Madh, ishte një dhomë e madhe, kam gjetur nja 40 vetë. Por ishte dhoma e tejmbushur dhe nuk kishin vend për të më futur. Përgjegjësi i dhomës që ishte i burgsour, kishte detyrë për të më gjetur vendin se mua më plasën aty dhe u detyrua të spostonte gjithë të tjerët, që kishin dyshekët e shtruar dhe merr gazetën Bashkimi, të palosur dhe sa ishte gazeta e gjerë, ua mat vendin secilit duke i spostuar, me centimetra ose dhe me pak edhe ma bënë vendin sa të futesha. Mirëpo mua më kishin blerë dy dyshekë fëmijësh nga ata që shtrohen në krevatët e fëmijëve, m'i kishte blerë vëllai se s'kishte mundësi për ta blerë më të madh, edhe i kisha mbledhur të dy bashkë. Edhe më thotë përgjegjësi i dhomës: Ti e ke të gjerë dyshekun dhe duhet ta ngushtosh. I thashë: Me çfarë ta ngushtoj? Mirëpo më thotë një shok dhome: "Kam unë gjilpërë e ta ngushtoj unë". Dhe i mori ai, i ngushtoi atë dyshekë, sa ta vendoste në atë vend aty.

Sa kohë keni qëndruar në Burgun e Madh të Shkodrës?

Aty kam qëndruar katër muaj.

Po pastaj ku ju çuan?

Më çuan në kamp të punës në Tiranë, është bërë një lagje atje, ia kanë vënë emrin "50-vjetori i Pavarësisë". Kemi ndërtuar banesa aty. Prej aty na kanë marrë dhe na kanë çuar në Rubik. Në Rubik, sa ishte hapur puna për të bërë fabrikën e pasurimit të bakrit. Kam punuar karpentier tërë kohës, për ndërtimin e asaj fabrike. Prej atje, më kanë çuar në Fabrikë të Çimentos në Fushë-Krujë se kishin nevojë për karpentier. Edhe atje kam ndenjur gjashtë muaj. Pas gjashtë muajsh, më kanë prurë në fabrikën e superfosfatit në Laç. Nga Laçi, na kanë çuar të thanim kënetën në Skrofotinë të Vlorës. Edhe kam ndenjur kohë atje. Donin të bënin argjinaturë, për të tharë kënetën. Prej atje, më kanë çuar në Spaç të Mirditës.

Në çfarë viti keni shkuar në Spaç?

Në '68-ën.

Sa kohë qëndruat në Spaç?

Spaç kam ndenjur 4 vjet. Dy vjet kam punuar nën tokë, po isha shumë i dobët nga shëndeti. Isha shumë shumë i dobët, 60 kg i kisha a s'i kisha dhe puna ishte shumë e rëndë në galeri. Një që ishte i burgosur shumë i vjetër, më thotë: Do vijë komision shëndeti nga Tirana dhe ti ke mundësi me u anku. Thuaju që vuaj nga zemra, ndoshta të nxjerrin nga galeria. Erdhi komisioni. Thashë: "Po të më diktojnë që po gënjej, do më fusin në birucë". Na futën të gjithëve me radhë, na vizituan, biles një doktor thotë: Ky qenka skelet fare. Po ishin të tërë oficerë sigurimi ata doktorët. "A vuan nga ndonjë gjë?", më pyetën. "Po, vuaj nga zemra". "Hë, më tha, zhvishu". Filloi duke më vizituar. Po nga frika, nga emocionet, filloi zemra duke më rrahur aq fort sa..."Vishu!- thotë.- Që kur vuan nga zemra?" Thashë: Ka do kohë. Më nxorën përjashta, nuk më thanë asgjë. Kryen vizitat për gjithë të burgosurit. Pas një jave, del lajmi që të më nxirrnin nga nëntoka dhe të punoja në sipërfaqe.

Si silleshin gardianët në burgje?

Në kamp, policët kishin për detyrë që ata që nuk punonin, t'i dënonin dhe t'i kthenin prapë në punë, të bënin normën. Derisa të bënte normën, mos ta linin të kthehej në kamp. Një rast më kujtohet. Kemi qenë në Rubik. Ka qenë viti '65. Ishte mëngjes. Sa na nxorën në punë. Ishte një ditë dhjetori, ishte shumë ftohtë. Kishte ngrirë akull, kishte 2-3 cm akull nëpër pellgje ku kishin gërrmuar buldozerët. Aty ikën një i dënuar, turret me vrap të kalojë telat e rrethimit. I kalon telat e rrethimit dhe ushtarët që ishin në rrethim e gjuajtën me automatik, mitraloz...Kaloi rrethimin e parë, të dytin. Ishte një djalë nga Lezha. E vranë në rrethimin e tretë në Rubik. Komandant i kampit ka qenë Bajram Korvarfa. Erdhi, i lajmëroi të gjithë policët, na mblodhi gjithë të burgosurit në një vend. Edhe filloi duke folur. Ia harroj emrin atij që u vra. Thotë: "Të gjithë keni për të pësuar fatin e këtij. Kush ka qenë përgjegjës i grupit i këtij që u vra?". Se çdo grup kishte 4-5 vetë që punonin bashkë dhe kishin vënë një përgjegjës për t'u interesuar për veglat, për punën, për normën. I thonë: filani. Ishte një burrë i vjetër, nga Mati ka qenë. Ia kam harruar emrin si e ka pasur... është kohë e gjatë. Ishte mbi 60 vjeç. I thotë: "Pse e le me ik?". I thotë: "Ç'faj kam që iku ai". "Vëri hekurat", i thotë policit. Edhe polici i vuri hekurat. " Çoje te ai pellgu me ujë". Kishte ngrirë akull ai. "Çoje- thotë -dhe fute brenda". E merr polici pasi i vuri hekurat, për krahu, e çon, e futi nja 20 cm në ujë, aty. Ky ishte duke mbajtur konferencë komandanti i kampit dhe e pa deri ku e futi në ujë të burgosurin dhe iu drejtua policit, i shau nanën. I tha: "Do të fus ty aty në vend të tij, po çoje dhe fute aty ku është më thellë". Ky polici ishte me çizme, u fut vetë, e kapi për krahu, e çoi një fije më tej, deri në gju me ujë. -"Fute, fute thellë!" Ky i burgosuri, kur i shau nënën policit, u ul këmbëkryq dhe u zhyt në ujë deri në gjoks dhe e kanë lënë në ujë e në akull derisa ka mbaruar konferencën komandanti i kampit. Kur ka mbaruar fjalën, foli sa foli, thotë: "Shpërndahuni në punë, tani". U shpërndamë në punë. E kanë marrë dhe atë e çuan në birucë, ashtu të qullur. Temperatura ishte me minus. Në drekë, erdhi koha të shkonin për të ngrënë drekë dhe shkojmë të hamë atë supën nëpër tasa që kishim me vete. Erdhi komandanti i kampit prapë. Ishte një person nga Shkodra që bënte dy-tri norma, e kishte emrin Ramiz dhe i thotë: "Hë Ramiz, e bëre normën?". "Po, kam bërë dy". "Bravo të qoftë! Si t'u duk ai gjesti i shokut tuaj që iku e u vra"? Thotë: "Nuk m'u duk i mirë, por gjithkush ka mendjen e vet, por çfarë faji ka ai që u fut në birucë?" Edhe ky Ramizi ishte përgjegjës grupi. Thotë: "Zotni komandant, ç'faj kam unë në qoftë se një shok i imi do të vdesë dhe turret në tela me 'dek se me ik s'ka mundësi"? "Pse si thua ti, s'ka pasur faj ai"? "Jo, thotë.-Kjo që i ndodhi atij, mund të më ndodhë dhe mua. Ai mund të vdesë atje në birucë, në këtë temperaturë, i lagur siç është". Edhe i thotë policit, komandanti: "Shko, të ndërrohet dhe lëre në birucë". Ka bërë një muaj birucë, ai plaku i shkretë për këtë ngjarje.

Në çfarë viti u liruat?

Unë katër vjet qëndrova në Spaç. Kishin nevojë për karpentierë. Pas katër vjetësh, na çojnë një grup karpentierësh nga Spaçi i Mirditës në Ballsh të Fierit dhe në Ballsh të Fierit jam liruar më 4 nëntor të '73-shit.

Çfarë ndodhte me familjen tuaj gjatë kohës që ju ishit në burg?

Familjen e mbajtën në internim nja tre vjet. Pas tre vjetësh i liruan, por nuk e lejuan të shkonte në vendlindje. Kishin një kufizim për të mos e kaluar lumin e Matit. Atëherë, për t'u afruar më afër zonës së Veriut ku jetonim, kanë ardhur në Milot, në pikën e fundit ku i kishin caktuar dhe kanë zënë vend atje. Unë kur u lirova prej burgut, gjithashtu erdha në Milot te vëllezërit.

Ku punuat?

Fillimisht nuk gjeta punë. Më thoshin të shkoja në Kukës, por kisha frikë të shkoja në zonë kufitare sepse thosha: do të më akuzojnë prapë për tentativë arratisjeje. Edhe më gjetën një punë, aty. Hapeshin dy tunele në Milot për qendra mbrojtjeje dhe më caktuan atje të punoja me dy-tre shokë të tjerë. Kam punuar tetë muaj derisa përfunduan. Isha me kontratë. Pasi mbaruan ato, një shok që punonte me ne, i thotë drejtorit të ndërmarrjes, Muharrem Dibranit: Ka qenë në burg vërtet, por është specialist në ndërtim, nëse keni nevojë për ta mbajtur. Ai i thotë: Të vijë të më takojë. Shkoj e takoj. Më thotë: Shko te shefi i kuadrit dhe të të marrë në punë. Shkoj te shefi i kuadrit, i them që kisha qenë në burg. Nuk më merr në punë: Jo, thotë, nuk marrim njeri që ka qenë në burg. Merr vesh drejtori, më thërret, më thotë: Shko thuaji më ka thënë drejtori, po nuk më fute në punë, ik fol me të. Shkova unë prapë. Më regjistroi për në punë, me kontratë 3 muaj dhe ngela në komunale, kam punuar deri në '91-shin.

Vëllezërit ku punonin?

Vuajtën për të gjetur punë edhe ata. Një u fut në pyjore, të tjerët u futën në bonifikim, prej bonifikimit i kanë çuar në ndërmarrjen e shkarkimit të kromit.

Si i keni përjetuar ndryshimet politike në Shqipëri?

Ne i kemi përjetuar që kur ra muri i Berlinit. Kishim shpresë që shpejt do ndryshonte dhe në Shqipëri situata, sidomos kur u bënë revoltat në Timishoara. Prisnim dita-ditës që po ndodhin këtu. Filluan protestat e studentëve të dhjetorit. Nuk na zinte gjumi as natën. Shikoja gazetën. Nuk kisha as televizor. Shkoja shikoja tjetër kund të shihja çfarë ndodhte në Tiranë. Kam shkuar dhe vetë dy-tri herë në Tiranë, të merrja pjesë. U organizuam ne të burgosurit politikë pastaj, për protestat tona.

Pastaj pas vitit 1992  gjynah të ankohesh, se të dalësh nga një katastrofë, nga një skamje, nga një padrejtësi ku nuk guxoje të flisje, kjo ishte një gjë e madhe për lirinë e fjalës. Mua më dukej një arritje shumë e madhe që nuk kisha frikën e shokut me të cilin punoja. Gjithë jetën unë kisha frikë të flisja jo me shokë, por nuk mund të hapja gojën as me familjarët sepse në një muhabet që mund të bënin me dikë tjetër mund të dilte diçka e papëlqyeshme.

Nga arkiva e familjes Doko/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here