Dëshmia/Haxhere Selenica Herri: E përndjekur gjithë jetën, si bijë dhe si nuse

0
480

Ishte e vogël kur e përcolli vëllanë e madh të sëmurë dhe nuk e pa më. As nuk e dëgjoi. E vetmja shenjë që pati prej tij, për të gjitha vitet e jetës në vijim, ishte një copë letër, e cila nuk lexohej më nga lotët, por që ajo e mësoi përmendësh si një vjershë. Një rrëfim për vëllezërit që u arratisën sepse nuk donin të bëheshin spiunë, për babanë që u burgos me një akuzë të pavërtetë, për nënën që u internua pa faj dhe dëbimet, kasollet, punën e rëndë që e shoqëruan edhe pas martesës, deri në moshë të thyer

Dëshmia e plotë

Kur keni lindur?

Unë kam lindur në vitin 1929, në Korçë.

Cila është historia e përndjekjes së familjes suaj?

Babai im quhej Hysni Myrteza Selenica dhe unë Haxhire Selenica, por tani, me mbiemër Herri. Rrjedh nga një familje shumë e persekutuar. Nga viti 1916, në Korçë, ka qenë Austria, greku, edhe Franca. Babai im një ditë prej ditësh u grind pak me ca oficerë të austriakëve se ata po thoshin: "do marrim këtë tokë, e atë tokë". Ai kundërshtoi dhe ata e dërguan në Austri, e dënuan me 30 vjet internim dhe nuk e lejuan kurrë t'i dërgojë një letër së ëmës, apo kur i dërgonte e ëma, t'ia jepnin atij. Por shyqyr që u bë një falje dhe bëri vetëm 7 vjet dhe u kthye prapë në Korçë, por nuk vonoi shumë, erdhi '44-a dhe këtë liri ia burgosi Partia Komuniste duke e cilësuar sikur kishte qenë njeri i pakënaqur nga PK dhe kur i dhanë dënimin, fashist e ngritën dhe nazist e vunë. Ai këto nuk i kishte se ai ishte shumë shqiptar, ishte shumë i edukuar për vendin e vet, por megjithatë ata ia varën si këmborë në qafë dhe e dënuan me këto fjalë. Pretenca, 101 vjet. Kur dhanë vendimin, ia dhanë 30 vjet dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme. Kështu ata filluan këtë punë duke e kalbur tim atë në burg, duke u sjellë si me të burgosurit e tjerë, keq e më keq, duke e shpënë në Maliq, në kanal edhe në kampe të tjera, në burg po ashtu.

Po me ju çfarë ndodhi?

Ne ishim dy djem e një çupë dhe gruaja e tij, që nuk e merrnim vesh politikën fare... Unë personalisht kam qenë 14 vjeçe, vëllai i madh, quhej Tomorr, ai ishte 2 vjet më i madh se unë, vëllai tjetër, ishte dy vjet më i vogël se unë, quhej Agron. Punë nuk na jepnin. Shkollë nuk na jepnin. Nuk kishim dy lekë të merrnim racionin e bukës që ishte 400 gramë. Aq keq na lanë! Na hoqën dhe nga shtëpia jonë, se shtëpia u shtetëzua dhe u bë si donte shteti, ndërsa ne s'e pamë më kurrë. Nga '47-a e këtej, ne çfarë shtëpish nuk provuam: të këqija, të ngushta... të zitë e ullirit! Për punë nuk hapnim dot gojë, sikur dhe në komunale, as punëtor krahu nuk na jepnin ne, mendo si mund të jetonim. Po e keqja më e madhe ishte që e zuri vëllanë e madh...Ai ishte 17 vjeç dhe e thërrisnin në Degë. Dhe i thoshin për djemtë e lagjes që ishim rritur bashkë, gjyshërit e të gjithë: "Filanin, filanin ti i ke shok. Provokoji dhe thuaju: Do të arratisesh? E pëlqen qeverinë e Enver Hoxhës? Edhe çfarë të thonë ata, hajde na thuaj ne".  Mirëpo ne nuk e kemi pasur edukatë nga prindërit, spiunllëkun, edhe të vjedhurën, që prej kohësh, edhe kurrë s'e kemi ushtruar as njëri, as tjetri. Bënë këta disa herë me tim vëlla, duke e marrë në Degë e duke e sfilitur me kërcënime. Nja dy net e kishin mbajtur në një bodrum e kishin rrahur dhe e liruan prapë. Kur erdhi në shtëpi, ky sikur e kishin futur në dhe dhe e kishin nxjerrë prapë...Ku ishe? e pyeti nëna. Ky, se ashtu e kishin porositur ata...tha: "Kam qenë në zbor ". Po vëllai mua m'i thoshte që të gjitha edhe më tha: "aman mos trego, mos beso asnjëri, mos i thuaj asnjeriu se përndryshe më kap e zeza". Edhe u munduam të kujdesemi, por ai filloi një kollë të tmerrshme. Dhe shkuam te doktori dhe doktori tha: "Urgjent ta shtrojmë në sanatorium!" Se ato dy net që ndenji në bodrum, kishte marrë të ftohtë të madh. U shtrua atje me probleme në mushkëri. Filloi mjekimin, nuk po shërohej dhe vendosi doktori ta bënte operacion. Edhe e futën në operacion. Pas këtyre, ai kishte gjithmonë shqetësime. Ishte me të ftohtë të theksuar, u dobësua shumë. Pastaj i futi doktori mjekim, një herë në javë, se nuk mbushej dot me frymë. Edhe vazhdonte kështu, mirëpo, po bënte dy vjet që po vuante nga kjo. Kur një ditë prej ditësh, bëjnë një mbledhje në spital. U mblodh gjithë personeli i spitalit, me punonjës, me infermierë, me gjithë të sëmurët edhe foli atje doktori se fliste përherë për mushkëritë dhe tuberkulozin. Kishin ardhur të deleguar në atë mbledhje. Ata kishin thënë që "Tomor Selenica dhe Samiu", një shoku i këtij që ishte edhe ai i shtruar dhe i persekutuar, vazhduan  të shanin edhe të flisnin edhe thanë që "këta të dy nuk e meritojnë që të kurohen në spital se janë njerëz të persekutuar, janë njerëz të padobishëm dhe përjashtohen nga të gjithë sanatoriumet e Shqipërisë, të kthehen në shtëpi". Kur u kthyen në shtëpi ata, ne nuk kishim as bukë misri thatë t'i jepnim atij, jo ta mbanin, edhe të bëhej mirë. Kështu që ai vazhdoi duke lënguar me të madhe dhe si përfundim ata prapë, kur e shihnin pak në këmbë e thërrisnin në Degë dhe i thoshin: "O do punosh me ne, o s'ka se Partia jonë për të rinjtë bën çdo gjë, ti je i ri". "Po unë i ri jam, do punoj, por jo këtë punë, të spiunoj shokët dhe njerëzit kot më kot". "Jo ty kot më kot nuk të kërkon njeri, por të thuash të vërtetën se ty nuk të gjen gjë. Shaj Enver Hoxhën, shaj Partinë, shaj ç'të duash, ty nuk të gjen gjë". Më në fund i thanë: "Të dërgojmë në Greqi, përjashta, të të bëjmë pasaportë. Kur të vish këtu të kesh pasaportën tënde, kur të vesh atje..." Mamaja ime hyri ca ditë në fabrikën e makaronave, zinte brumë për makarona, si duket kishin shpresë ta fusnin në grackë këtë. Kurse unë hyra në trikotzsh, s'mbusha një muaj, më lajmëruan që përjashtohesh nga puna. Më thirri drejtoresha e kombinatit në zyrë dhe më tha: Ty të ka ardhur emri, përjashtohesh, nuk do vish në punë. Pas disa ditëve, i thanë edhe sime mëje, që as ti nuk do vish në punë. Me një fjalë e shtrënguan aq shumë gjendjen, që ne nuk kishim bukë thatë, atë të shkretë racion ta blinim, edhe kështu pa punë, pa lekë, nuk kishim ta blinim bukë, jo të mbanim dhe atë të sëmurin.

Më merr vëllai mua në veçanti, se i vinte keq për mamanë, se thoshte "asaj nga babai iu mor gjëja nga dora dhe po heq lëngun e ullirit, po të dëgjojë dhe këtë timen, do dëshpërohet dhe më shumë, prandaj ti vetëm me mua do flasësh". Dhe unë ashtu bëra, nuk i thashë një herë mamasë, asnjë gjë. Veç sëmundjes që flisja seç thoshte doktori, në shesh. Edhe ky thotë: "Unë do bëj çdo gjë, po gjeta mundësi". Se ne ishim në Korçë, Kapshtica ishte afër. Se më kë bisedoi, e mori përsipër edhe erdhi një ditë, e mori me vete dhe u arratis. "Unë, tha, sa të marr në qafë nënat e botës, motrat e botës, gratë e botës, më mirë, e kini taksirat, marr vetëm një nënë e një motër në qafë, duke u arratisur". Se ai e dinte ç'e priste nënën dhe motrën, shumë mirë, e dinte ç'e priste e kaluara në kufi, e prisnin telat e gjembat dhe plumbi. E dinte shumë mirë dhe prapë thoshte: më mirë të vritem atje, se të bëj këtë punë. Biles atë ditë që është nisur, e kam përcjellë gjer jashtë derës edhe unë e di si jam kthyer në shtëpi, pastaj. Më në fund, mbas 4-5 ditëve u mor vesh që Tomori s'po duket, ku është? Edhe ato 4-5 ditë ata e dinin se ishte i sëmurë, se ai s'para hynte poshtë e përpjetë, rrinte më shumë brenda. Një shok nga Devolli që e kishte shpënë, kur është dënuar Tefik Cakonji, ai ishte punonjës oficer në Ivan, në postën kufitare të Ivanit... Atje, me ndihmën e tij kishin kaluar disa të arratisur. Edhe pas disa ditëve që kishte ikur im vëlla, ai doli në gjyq, në Bilisht dhe vajtën dhe nga Korça plot, por e lidhën dhe me radio Korçën dhe po dëgjoja në tavolinë gjyqin e atij. Kur papritur dëgjoj emrat, që: të fundit të arratisur, kanë qenë ky, ky, ky dhe midis atyre, doli që ka qenë dhe Tomorr Selenica. Unë në fakt duke menduar që mali i Ivanit është aq i lartë, ai ishte me këmbë të prera, ishte shumë i sëmurë...Në fakt, një nga shokët më vonë, një shqiptar, ishte kapur dhe e nxorën dhe atë në gjyq dhe ai tha që unë kam kaluar me Tomorr Selenicën, me filanin, me filanin se s'po i mbaj mend emrat tani, por Tomorri, tha, se zbritëm në Ohër nga mali i Ivanit, ne na ndanë pastaj: Tomorrin dhe disa të sëmurë të tjerë, në malin e Ohrit, kishte qenë një sanatorium, lart fare, edhe e vendosën aty. Aty kishte ndenjur nja 5-6 muaj ai, edhe më tha u bë mirë në 6 muaj, e merrte ajrin nga mali i Ohrit vetëm.

Po me ju që mbetët në Korçë çfarë ndodhi?

Ata na u kthyen neve pastaj. Vëllai tjetër, i vogli ishte ushtar në Elbasan. Për pak u lirua nga ushtria, filluan edhe atë ta përplasnin sa në një vend në tjetrin, si atë të madhin. Kur dhe ai krisi, iku! Ne kemi mbetur si qyqe nënë e bijë. Ajo pa fëmijët, unë pa vëllezër, me vëllezër dhe pa baba. Babai në kampet e internimit, me punë se ishte "djalë i ri", po mbushte 60 vjetët edhe ne e dimë si jemi përplasur nënë e bijë, pa punë, pa të ardhura, pa shtëpi, o Zot i madh! Na arrestuan babanë, e internuan, e shpunë në disa prej kampeve të internimit prej çunave. Ai ishte i burgosur, por kur mbushi burgimin, e internuan. Po në këtë kohë, e internuan dhe nënën time, por nënën time e internuan në Lushnjë, kurse babanë e shpunë në Vlorë, në Kuç të Kurveleshit.

Prindërit ishin në vende të ndryshme në internim?

Po. Babai e pa që iku vëllai i madh dhe e dinte çfarë na priste, se familjet po hiqnin më keq se ata dhe i vuri zjarrin sime ëme që bëj çmos ta martosh çupën që të shpëtojë ajo. Mirëpo unë kisha vënë këmbë që nuk dua. Unë nuk mbeta se unë isha 14 vjeçe edhe qaja me lot për babanë, për dënimet e tij, për pësimet e tij nëpër Degë, për pësimet që na gjetën vëllezërit, mua dhe mamanë, për shtëpinë, që na nxorën thuajse në rrugë, fare, një shtëpi që asnjë kafshë nuk mund ta fusje atje, por ne si njerëz, atje u futëm. Dhe shyqyr na bëri Zoti të fortë që na i la moralin në vend, na i la idenë të patundur në vend se nuk pamë tjetër veç vuajtje, kërcënime dhe tortura nga jeta. U bëra 20 vjeçe. Ndoshta isha në kohë për të martuar, gjë që nuk e çoja fare ndër mend se nuk më kishte mbetur asgjë për ta zënë në gojë se vëllezërit i kisha si trima, i kisha të rritur e tamam. Ata nuk do i kisha, babanë nuk do e kisha, ime më çfarë do bënte me mua dhe më mirë i dhashë karar që më mirë do vuaj me këtë kokë që më mbeti. Por duke ikur të dy vëllezërit, burrin që kam tani, u martova me atë. Por kur vajta te burri, sikur më vunë përpara me automatik edhe shkova atje. Po më vinte keq se ai ishte pothuaj më i vuajtur se unë. Dhe të them të drejtën nuk e kam dashur si burrë, por vetëm se si njeri, ka qenë në çdo gjë, në edukatën, në sjelljen ka qenë shumë i mirë me mua që unë vetëm këtë mbaj mend nga jeta. Kemi vuajtur sa jemi lodhur, kështu që unë nuk mora fund vetëm me ato plagët, por hë se shkova dhe te burri. Burri rrinte në Tiranë, kishte motrën atje. Kishte nënën me vete, kishte njerëzit e vet, por ata na shpartalluan edhe aty, na nxorën.

Ku ju çuan?

Na hoqën pas 6 javësh nga Tirana dhe na thanë: Në vende kufitare, s'keni të drejtë të shkoni. Unë i thashë atij, burrit të Degës: Po kush hyn në vendet kufitare? Edhe m'i numëroi: Tirana, po. Po, Tirana-i thashë unë -u vetëkuptua. Shkodra, tha, Durrësi, Korça, Vlora...ku kishte dete, male...Po ku do të vemi?-thashë-Jemi tre-katër familje në një vend. Nga Tirana- tha- ju duhet të zhdukeni në 15 qershor. Na dha dhe dy javë lejë. Morëm rrugët e më në fund kemi qëndruar në Elbasan. U shpërndamë pastaj, me kunetërit dhe nënën e...Unë me tim shoq dhe me nënën mbetëm në Elbasan, ca shkuan në fshat, ca në Korçë. Edhe ata i hoqën, i shpunë në fshat. Kjo ishte, për mua.

Çfarë bëhej me nënën dhe babanë tuaj?

Nënës sime, ia hoqën internimin, i dhanë pasaportën dhe i vunë një D të madhe në mes të pasaportës që quhej "E dëbuar". Edhe donte të shkonte në Korçë. Në Korçë, nuk kishte asnjë njeri, as shtëpi se babai ishte në Vlorë, në Kuç të Vlorës. Edhe kjo po ishte rrugëve, edhe unë e mora në shtëpi në Elbasan. Kisha një copë dhomë aty, e mora dhe atë. Ajo hyri në ndërtim për pak kohë, por pak kohë se dhe ajo quhej e internuar dhe s'i jepnin punë dhe nuk lëvizte fare nga Elbasani. Herë pas here prisnim ndonjë lirim nga internimi i babait. Kur ai kaloi 5 vjet, nuk kishte njëri ndërmend për lirim, por një ditë prej ditësh, kaloi festa e 1 Majit të '58-ës edhe babai na dërgoi një telegram: Lajmëroni shëndetin. Ishte bërë merak, se i kishim thënë ne në 1 maj do vijmë, por thamë: Dale të presim dhe 1 Majin dhe pastaj të shkojmë. 1 Maji shkoi edhe shkuan edhe 15 ditë dhe ai ishte bërë shumë merak: "çfarë ka ndodhur në shtëpi?" se vetëm të zeza priste nga shtëpia. Si përfundim, u nisëm të dyja, nënë e bijë, jemi nisur për të vajtur në Kuç të Vlorës. Vajtëm dhe atje, ajo e shkreta punonte në ndërtim dhe i kishin dhënë vetëm 3 ditë lejë, ndërsa unë kisha lindur një fëmijë dhe kisha raportin e lindjes dhe nuk kisha afat të caktuar, do rrija dhe ca ditë atje te babai. Kur të nesërmen, u nis nëna ime për në Elbasan me gjithë një grua, me atë Fetijen e Butkës dhe u nis me një makinë ekspedite që kishte qenë atje në Kuç. Ishte ditë e shtunë. Atje vetëm një makinë shkonte, Posta, i thoshin. Ditën e parë e prisje biletën, të dytën niseshe, tërë ditën pastaj, vetëm ajo makinë shkonte se një rrugë ishte. Ajo që shkonte, kthehej. Ajo më shumë prandaj e bëri, u nis që të shtunë, të mbaronte të diel e të paraqitej në punë. Mirëpo atje, po të kaloje çerek ore nga Vlora edhe 5 orë të tjera sa të vije në Kuç, nuk shihje tjetër veçse rrugë prej guri, që ishte skalitur guri në rrëzë të malit dhe po të ktheje kokën në të djathtë, ishte një humnerë nja 200 m e thellë. Ec e s'kishte të mbaruar. U nis pastaj, se ishte me një shoqe të ngushtë dhe me të tjerë udhëtarë, por atë e kishte të ngushtë, se do shkonin në Elbasan të dyja. Por kur ktheheshe ishte vetëm e zbritura e malit për të vajtur në Vlorë. Një çerek ore para se të vije në Vlorë, hynë brenda edhe në radhë të parë, kur hyje në Vlorë, do kaloje para spitalit. Pas një çerek ore vije në spital, por aty u përmbys makina, se shoferi kishte një oficer sovjetik përpara që i thoshte: Shpejt të arrijmë plazhin dhe ai shoferi ishte një djalë i ri, i rekrutuar ushtar dhe ai si u përmirësua rruga, ia shkeli me të madhe, kur rrëzohet në krah të djathtë makina, po sa ishte ajo e shkretë, një hendek, edhe ara buke kishte përqark, edhe atje ka mbetur e vrarë nëna ime, një djalë i internuar, Rexhep e quanin edhe tre veta mbetën të vrarë atje.

Të nesërmen, Dega e Vlorës lajmëroi babanë: Të marrësh pjesë te gruaja. Babai im i kishte bërë telegram tim shoqi. Erdhi ai nga Elbasani, po priste në Vlorë të vinim ne. Atje takuam këtë. Mua këta akoma nuk po më tregonin, më thoshin që është plagosur, kur morëm rrugën që shkuam në spital, morgu ishte prapa spitalit dhe e pashë që kaluam derën e hyrjes së spitalit. Aty mua m'u prenë këmbët dhe nuk hidhja dot hapin, u thashë: ku po shkoni? se e pashë binanë që ishte njëkatëshe dhe e vogël. Pse nuk thoni që paska vdekur? Nejse, më përmendën ata. Shkuam aty. Hapën derën. Ajo, plus që ishte plagosur, e kishin qepur në bark, që në gjoks deri në fund të barkut ngaqë ajo kishte humbur shumë gjak, por gjaku kishte rënë po brenda. Ishin prerë organet e lartme, të zemrës me organet ç'janë këtej, mëlçi e veshka. Doktorët mbetën kështu, se që në çast e panë që kishte humbur gjak, se e verdhë dhe lebetitej nga barku se kishte rrojtur 3 orë në spital, pastaj dha shpirt. E morëm pastaj. I bleu babai qefin, ia vuri. Mori dhe një hoxhë. Me tre veta ne, e kemi varrosur. Biles unë aty jam ngatërruar me babanë. I thosha: "Mos ma lër këtu se unë nuk mund të vij kollaj që atje këtu, unë dua ta shpie në shtëpi". Ia kundërshtova, i thosha: Unë nuk ia bëra hysmetin, nuk i thashë: Çfarë ke? Çfarë të dhemb?, por ta vë në dyshek e në jorgan, se më iku për një çikë, ishte 45 vjeçe, ishte në moshë shumë të re. Ishte shumë e vuajtur dhe i digjej goja për djemtë, sa i zinte në gojë dhe nuk mori një herë një copë letër, që të dinte se ikën të gjallë, a ikën të vdekur. Në këtë kundërshtim e sipër, babai u mërzit edhe një herë më tepër seç ishte i mërzitur dhe nga sytë i shkonin lotët. Edhe mua më erdhi keq. Mos u mërzit, baba,-i thashë-mirë, fjala jote le të bëhet vepër, këtu e varrosim. E di pse, tha? Këtu nuk kemi, as atje në Elbasan, nuk kemi varre. Atje, në Korçë kemi nënën, babanë, vëllezër, të gjithë familjen tonë, ta shpiem dhe këtë një ditë prej ditësh. Më erdhi keq se thashë tani do kthejmë krahët, ai do shkonte në Kuç, unë do shkoja në Elbasan, edhe më lër tha: t'i hedh një dorë dhe, se bëra gjithë atë burg dhe ajo hëngri veten, edhe e di ajo sesi duroi me ato tortura. Tani prapë, bëri çmos që të vinte të më shikonte, tani t'i hedh një dorë dhe, të bëj kaq për gruan, se nuk arrita dot t'i them faleminderit. Unë atëherë, se dhe unë isha e re fare 24 vjeçe, nuk kisha parë vdekje në shtëpinë e babait tim asnjëherë. Nuk e dija sesa e dhimbshme do ishte për mua që unë të mira të këqija i hoqa me atë nënë dhe ajo që ishte aq fatzezë, më dhimbsej dhe e doja shumë, por nënë s'ka më në botë, një është, megjithatë unë i thashë: epo mirë, e varrosim atje. Porositi arkivol, e sollën atje, solli qefinin, sollën një hoxhë, e vendosën atje. Doktori tha: Kjo, vetëm nga tronditjet e makinë, ka për ta derdhur gjakun, që të mbytë dynjanë. Zoti Hysni, nuk e ka keq, më falni që ndërhyj. Edhe kështu e bëmë: e varrosëm atje. Babai shkoi në Degë. Për aq kishte lejë nga Dega, kurse unë do nisesha për këtej, por atë natë fjetëm në hotel ne se shkoi dita kështu si po them. Në mëngjes, do nisej autobusi, ishim të dy. Edhe unë u ktheva si gjëma që më kishte gjetur edhe unë u nisa për këtej, edhe babai ishte nisur në Vlorë. Po i kishin dhënë letrën e lirimit. Edhe erdhi, se makina e Vlorës për Elbasan vinte më shpejt, kurse për në Kuç më vonë edhe na përcolli ai ne. Kur na përcolli, qante edhe dridhej burri. E kam në sy dhe në mend sa herë të them baba dhe të dëgjoj, edhe kisha baba të rrallë, babanë që më kishte rritur tërë edukatë e tërë të mira, gjithë mençuri. Tha: "Do nisem, por më thanë që: shko merr plaçkat dhe hajde këtu të marrësh fletën e lirimit se je liruar që në datën 1 maj". Atë ditë ishte 17 maj. Duhej të vritej ajo, që të vendosej...Dhe pas 16 vjetëve që hoqi gjithë ato ai dhe mua që m'u thanë sytë për babë e për shtëpi babai, ai u lirua. U lirua të nesërmen pasi vuri të shoqen në varr. E shoqja e tij ishte e pafajshme, se s'e dinte politikën çfarë ishte. S'kishte punuar në politikë. Mirë atij që ia vunë këmborën që i thanë ke dashur politikën tjetër, po ime ëmë ç'kishte, që nuk e merrte vesh poltikën, po ne fëmijët? Akoma edhe po vuaj, akoma dhe sot, po këtë kam në kokë e në mend, që nuk më ngrenë kokë as fëmijët e mi, as fëmijët e fëmijës.

Sa kohë jetuat në Elbasan?

Pasi u ktheva këtu, në '68-ën, më sjellin një copë letër, se kishim bërë një shtëpi të shkretë, se u drobitëm duke ndenjur nëpër vrimat e këqija, laj e pastro dhe në llumra ishim dhe në ngushticë, por të paktën u ndanë toka dhe e ka punuar burri i shkretë, me thonjtë e tij, pa harxhuar me usta, por vetë e bëri të tërën, unë në krah tjetër, duke qitur sytë me punë dore, me të qepur, ky me kazmë e lopatë e bëri shtëpinë vetë dhe në '68-ën erdhën si "bukuroshë të mirë": "duhet të largoheni që këtej se do bëhen malet fusha. Do shkoni në rrethin e Elbasanit". Deshëm, s'deshëm, erdhi makina e Degës, na shpunë në Kosovën e Elbasanit, se Kosova e vogël ishte e Lushnjës, u bënë dy Kosova. Me gjithë dyzet familje na shpunë atje. Atje, kemi ngrënë dynjanë. M'u rritën fëmijët atje. Dy djemtë i martova atje, nipat e mbesat i kam rritur atje.

Me vëllezërit e arratisur çfarë ndodhi?

Vëllai i madh, edhe i sëmurë, nga sanatoriumi atje, sa u bë më mirë, e futi Titoja në kampin e internimit shtatë vjet, pa marrë letër tjetër, por kur jam takuar në '90-ën me gruan e tij, atëherë kam marrë vesh ku kishte qenë në atë kohë. Nga shtatë vjetët që i bëri te Titoja, e dërguan në Itali, në Itali bëri dy vjet, italianët i liruan fare edhe ky u stabilizua në Francë, kishin aq kokë shqiptari, të vendosur, sa nga dheu i kanë nxjerrë gratë, i kanë marrë myslimane se ishin myslimanë, i kanë marrë me gjuhë shqipe, se ishin shqiptarë edhe të gjashtë fëmijët, e flasin shqipen si gjuhën e nënës se dhe nënën e kishin shqiptare dhe babanë shqiptar dhe në mes të Parisit, ata e flisnin shqipen për bukuri. Shkuan pastaj në Amerikë. Ky tjetri u kap në Greqi. E kapën grekët, e futën në burg dhe internim. I thoshin: Ju ka dërguar Enver Hoxha për të bërë spiunllëqe këtu. Nuk keni ardhur se jeni të pakënaqur. "Aman na lironi, se e dimë ne sa vemi te Enver Hoxha". Edhe e mbajtën 4 vjet në burg atë. Edhe vëllanë e vogël. Edhe ai, nga Greqi, shtet më shtet, janë takuar të dy vëllezërit, pas 15 vjetëve, por ne kemi marrë vesh që janë të gjallë nga të arratisurit e parë, që kishin ikur që në '45-ën, kurse im vëlla kishte ikur në '50-ën. Edhe na dërguan, sesi kishin marrë vesh nga familjet e tyre që mamaja ime ishte internuar në Savër, edhe u dërgonin grave të tyre: I thoni familjes së Hysni Selenicës se djemtë janë shëndoshë e mirë, keni të fala! Në rreth miqësor e bënin atë letrën. Atëherë, ku vajti gëzimi ynë!

U takuat ndonjëherë me vëllezërit?

Edhe vëllai im ka vdekur 59 vjeç, pasi u martua, vdiq 59 vjeç. Afërsisht kur u rrëzua Muri i Berlinit, që unë nuk arrita dot... dhe atë e kam plagë. Të paktën të kisha folur në telefon, t'i kisha dëgjuar zërin. Po as letër. Kam një letër që kishte... 20 vjet përpara se të vdiste ma kishte dërguar atë letër dhe unë atë e mbaja kudo nëpër xhepa, edhe kur shkoja në punë, në një xhep të përparëses e mbaja me vete. Kur gjeja një çikë okazion, e lexoja. Asaj gërmat nuk i duken se nga lotët e mi, janë hapur gërmat, por unë e kam mësuar përmendësh si vjershë. E di, edhe prapë e mbaj, se e kam nga dora e atij. Dhe kjo ishte motra dhe vëllai që duheshin aq shumë, që s'kishin prishur gojë me njëri-tjetrin, se ne nuk ishim bërë për t'u ngrënë ose për t'u mërzitur sa vëllai i vogël thoshte: "Ne na ka bashkuar vuajtja kaq shumë, që mund ta durojmë dhimbjen e njëri-tjetrit"... Kështu...eh e sa e sa të tjera kanë kaluar që s'ka laps edhe letër që t'i kapë ato të miat. Por gjithnjë jam munduar, deri tani, të rri kokë lart, që të mos përmendim emrat e atyre që na kishin plagosur.

Sa vjet jetuat në Kosovë?

23 vjet. 17 vjet bëra në Elbasan. Pas 17 vjetëve, më hoqën nga shtëpia ime. Lajmet e Enver Hoxhës jepnin në televizor që në Shqipëri, nuk ka kasolle, janë të gjitha shtëpitë me radio e me krevate, kur vajtëm ne atje, kasollet ishin me gardh, të thurur si koshat. Iu lutëm përgjegjësit: na sillni ca dhe, baltë, ta mbulojmë atë se do vinte dimri. Edhe na kanë sjellë dy qerre me dhe. Dhe kemi fjetur një javë përjashta, që po na mbysnin mushkonjat se ishte korrik. I nxehti në krah tjetër. Edhe morëm ato, s'kishim ku të ngulnim një gozhdë, që t'i vinim një perde asaj derës jashtë. Ata, flinin me derë të hapur, çobenët. Atje kishte pasur familje çobenësh, na futën neve. Ata kishin meritat e tyre, të drejtat e tyre, nuk e kemi me çobenët, por e kemi me ligjin dhe qeverinë, që na hoqi nga qyteti, nga shtëpitë tona që tërë ato vuajtje që kishim duhet të vuanim akoma. Filluam dhe punë pastaj nëpër kodra, gra e burra atje, që të gjithë ngjiteshin dhe rrëzoheshin.

Çfarë pune keni bërë?

Punë krahu. Punë bujqësie, por ku hapeshin kanalet e thella, atje shkonin fëmijët tanë edhe ne. Ku ishte puna larg, nga Fierza, i thonë atij fshatit, në Dragot, dy orë larg. Gjer afër Dragotit do venim të kryenim punën përditë. Çfarë s'bënim. Stalla të reja...Edhe na paguanin me ditë, sipas kategorisë së dytë, të gjithë, ne dhe fëmijët, gratë, burrat. Im shoq kishte kategorinë e shtatë të ndërtimit. Ai hyri në kategorinë e parë, punonte me punëtorët. Edhe si silleshin ata punëtorët? Se kishin urdhra nga të mëdhenjtë, donin ta mbanin mirë me brigadierët ata, jo me ne. Më në fund, e fituan ata edukatën tonë e të gjitha. Edhe sot që kemi 10 vjet që kemi ikur që andej, po të na zësh në gojë, ata thonë: s'ka si ata njerëz.

Edhe djemtë e xhaxhallarëve tuaj u përndoqën, apo jo?

Një xhaxha kishte tre djem, njëri kishte mbaruar shkollën në Vjenë, ekonomist.

I kanë burgosur. Një e vranë, i bënë atentat. Mbaroi shkollën në Romë për oficer marinar. Edhe e kanë vrarë me atentat në qershorin e '44-ës, njërin djalë. Djali më i madh, ai pse ishte martuar me të bijën e një ministri të Zogut dhe për atë e morën më tepër në shenjestër se s'kishte futur duart në politikë as për një palë, as për tjetrën. Kur e morën në dorë pastaj, e futën brenda, e lanë të shoqen, nuse të re, me një djalë 15 muajsh dhe s'pa më ajo burrë. As ai s'pa grua. E shpunë në Burrel, e dënuan me 10 vjet. Ai kur bëri 7 vjet...E shoqja ishte vajzë e vetme, të atin ia kishin pushkatuar, me të ëmën. Iku nga Korça, vajti në Tiranë, mori dhe djalin e vogël. Edhe ndenji të rregullohej, por i thoshin: "Ti e ke burrin në burg, nuk të japim. Por të paktën arsimtare, mësuese në fshat". "Jo"! "Bëj shkurorëzim burrit, pa të rregullojmë"..."Mirë-tha ajo- por unë nuk do ta vë firmën në zemër. Do ta bëj formalisht". Kur i vajti shkurorëzimi atij, Mihal Boshi, quhej, brenda dy orëve që firmosi shkurorëzimin atje në Burrel, i shkoi 24 orë gjak nga hunda dhe nga goja dhe dha shpirt.

Një djalë që i mbeti, shkoi në Selitë se ishte hapur miniera e Selitës sa një çikë rrogë, e dërgonte kur vinte njeri, me dorë, që të mos ia gjenin adresën. Edhe vonë, atë me të shoqen e kanë mbajtur në Çermë, të internuar. Pastaj e çuan në Savër të Lushnjës. Aty u bënë 60 e ca vjet. Edhe sikur u rregulluan një çikë. Aty janë me gjithë fëmijët.

Pasi u larguat nga Kosova, ku shkuat?

Me rastin e rënies së Murit të Berlinit, na kthyen në Elbasan prapë dhe unë, nga mërzitja e madhe që hoqa gjatë kohës, se unë nuk e shijova fëmijërinë, nuk e shijova rininë, nuk e shijova mesin e jetës, nuk e shijova as pleqërinë, mora edhe nuse djemsh, rrita atje dy palë nipa e mbesa, barkun tim i shpura të vegjël që të gjithë edhe i rrita atje, unë e di si i kam rritur. Se ndenjëm 25 vjet jo pak, edhe kisha bërë në mend që unë do bëj një histori, se shpresa nuk vdes kurrë dhe vetëm ajo shpresë na kishte mbetur. Dhe unë thosha, që nëse do rrëzohet ky regjim i mallkuar i komunizmit, do bëj një histori, edhe fletët do i bëjë të gjitha të zeza dhe gërmat do ia bëj të bardha, por kur jam kthyer, jam kthyer 60 e ca vjeç dhe gjatë atyre viteve që erdha këtu, kokën me dorë s'kishim nga ta kapnim, se punonin 5 punëtorë dhe mezi merrnin 500 lekë. Edhe djemtë e martuar u bënë me fëmijë, u bënë me nuse. Ne u shtuam, nga pesë veta që vajtëm u bëmë dymbëdhjetë veta edhe kur jemi kthyer që andej jemi kthyer vetëm me 7 mijë lekë, edhe atë 7 mijë lekëshin ia dhamë një makine 7 tonëshe që mblodhëm plaçkat e shtëpisë që erdhëm këtu dhe nuk kemi pasur një lekë, as të ardhura se u shkrinë dhe ndërmarrjet, u shkrinë ndërtimet, mbetën edhe djemtë pa punë, pa le gratë dhe fëmijët. Kemi ardhur vetëm me dy pensione këtu dhe me rrogën e njërit djalë që punonte në kanalet e ujërave, që merrte një gjoja rrogë. Me atë jemi rregulluar këtu, 12 veta. Edhe me sedër, me nder, me vullnet që kishim në shpirt për ta bërë të jetën, me punë, me nder, me duar.

Nga arkiva e familjes Doko

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here