Dëshmia/Fran Fugaj: Pasi e pushkatuan, babanë e lanë lidhur këmbë e duar tërë ditën

0
238

Frani ishte ende fëmijë, kur të atin, vetë i pestë, e arrestuan edhe e ekzekutuan në Priskë të Tiranës. Komunistët nuk kishin ardhur ende në pushtet, por ekzekutimet pa gjyq i kishin nisur. Pasi i vranë, të pesë burrat i lanë tërë ditë lidhur, këmbë e duar dhe më pas i hodhën buzë një përroi për t’u zhdukur gjurmët.

Fran, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Më 9 janar ’38 kam lindur. Kemi qenë 3 vëllezër dhe një motër dhe nënën e babain kuptohet. Rreth vitit ’42, babai ka, për nevoja kuptohet ajo, është veshur xhandar, në Tiranë, në postën e Varrit të Bamit si i thonë, i kanë thënë në atë kohë, tani nuk e di si i thonë. Kanë shkuar komunistët, e asaj kohe kuptohet, kanë shkuar për t’i kapur. Në ’44-ën pra kanë shkuar, me i kap.

Po në ’44-ën ka qenë xhandar?

Po. Ka filluar para ’44-ës, kuptohet.

Në Tiranë?

Po në Tiranë. Ka qenë vetë i pestë te posta e Varrit të Bamit. Këto i kam më tepër të dhëna kështu, nga ajo gazeta që është “55” i kam pasur disa të dhëna të sakta, që e kam ndjekur se kuptohet se çfarë moshe kemi qenë ne.

Keni qenë të vegjël fare. Çfarë ndodhi pasi shkuan për t’i kapur?

Edhe kanë shkuar tani për t’i arrestuar në postë. Këta nuk e kanë hapur postën se kanë qenë 5 vetë, dy kanë qenë të Malësisë së Madhe, babai dhe dy prej Rrëshenit: 5. Kanë shkuar për të marrë komandantin e postës për të hapur derën, se nuk ua kanë hapur. Atëherë kuptohet e kanë hapur derën, i kanë arrestuar të pestë. I kanë çuar në Priskë të Tiranës, i kanë pushkatuar. I kanë lënë tërë ditën atje se edhe sot...

Në ’44-ën?

Po. Në tetor të ’44-ës. Edhe i kanë lënë tërë ditën aty, se kemi biseduar kemi shkuar atje në fshat. I kanë lënë tërë ditë aty lidhur, këmbë e duar.

Sa vetë kanë pushkatuar?

Pesë.

I kanë pushkatuar në tetor të ’44-ës, pa ardhur ende në fuqi komunistët?

Pa ardhur në fuqi. Po, pa ardhur.

Çfarë ndodhi pas pushkatimit? E morët trupin e babait?

Edhe të tërë i kanë lëshuar, si me thënë, në një përrua në një qoshe përroi aty. Në çfarë moshe ishim ne atëherë, nuk mund ta ndiqnim se ku është varosur, ku, se ishim të gjithë të vegjël. Edhe...

Ku jetonte familja në atë kohë?

Në Fishtë. Edhe ne morëm pastaj të dhëna se në filan vend janë pushkatuar. Edhe shkuam atje, morëm sa për shenjë kuptohet ajo punë, se ata jo pa qëllim i varrosnin në një qoshe përroi, se përrua i themi ne. Jo pa qëllim, po me u zhduk komplet.

Fran çfarë ndodhi me familjen tuaj pasi e pushkatuan babain?

Në familjen tonë nuk kemi pasur ndonjë problem kështu, po ne s’na jepte shkollë kush, na trajtonin me një fjalë si njerëz të papëlqyeshëm për sistemin.

A kishit dyshime se ju survejonte Sigurimi?

Pa diskutim, pa diskutim. Se atëherë rrinin operativa nëpër fshatra tërë ditën, silleshin. Ne na shikonin me sy jo të mirë tërë kohën.

Ka pasur njeri që ju ka bërë keq gjatë asaj kohe?

Tani çfarë me të thënë tani, dihet ajo punë.

Ju vetë ku keni punuar?

Unë në fakt kam punuar shofer. Kam marrë një patentë në ushtri në atë kohë. Imagjino unë kam shkuar, në 53-shin ushtar, po pa ditur gjë fshati e as kurrkush. Mirëpo atëherë kishin nevojë. Imagjino, unë mbaj mend Lezhën, që nuk kishte 3-4 makina atë kohë, krejt Lezha kishin nevojë. Edhe u futa në punë me kooperativën, jo kurrkund tjetër dhe vazhdova. Po kuptohet se çfarë korrektësie jam detyruar për të zbatuar, me mbajt’ punën. Edhe ashtu kam ardhur deri sa e hëngri dreqi atë sistem. Ajo ishte fitorja më e madhe për momentin kur u rrëzua ai sistem që na e pruri në hundë tërë kohën. Edhe asnjë nga 7 kalamajtë që jemi: 3 vëllezër, 11 kalamaj, 3 vëllezër asnjë me shkollë, vetëm atë shkollën e detyrueshme asgjë tjetër.

Po fëmijët, brezi tjetër, u lejuan të shkolloheshin?

Jo, jo.

Asnjërit nuk i dhanë të drejtën e shkollës?

Asnjërit, asnjërit. Vetëm atë që e kishim të detyrueshëm: 7- vjeçaren dhe asgjë tjetër.

Fran, keni fëmijë?

Kam një djalë e një vajzë.

Ku janë ata sot?

Janë të rrritur. Vajzën e kam të martuar me fëmijë, djalin, të martuar edhe atë me fëmijë. Djali është në Amerikë ka mbi 10 vjet.

Përndjekja vazhdoi edhe me brezin e fëmijëve të Franit dhe vëllezërve të tij. Djali i një prej vëllezërve të Franit, Zefi tregon përvojën e tij në diktaturë.

Zef kur keni lindur?

Unë kam lindur në vitin 1966 në fshatin Fishtë.

Na tregoni pak historinë e familjes

Familja ime përbëhej nga dy xhaxhallarët dhe babai im. Në vitet ‘70, këta filluan ta merrnin veten me punë, në kooperativë dhe komunistët në fshat filluan t’i sulmonin tepër, jashtë mase. Unë kam dokumentet që sekretarët e bazës së partisë i shkruanin, në atë kohë, Komitetit të Partisë e të tjerëve që këta... për arsyen më të madhe se ky ishte shofer.

Z.Zef, gjyshi juaj është pushkatuar?

Po, gjyshi im është pushkatuar në fund të tetorit 1944.

Brezi i fëmijëve dhe ju vetë e keni ndjerë përndjekjen?

Duke qenë që gjyshi im i la xhaxhallarët e mi shumë të vegjël, në fillimet e ardhjes së komunizmit, këta nuk u persekutuan tepër dhe duke qenë se ikën ushtarë nga nevoja e madhe, se në atë kohë, çfarë më thonë mua, këta kanë vuajtur shumë për bukën e gojës se gjyshja ime çfarë kishte... tokë nuk kishin, shumë pak bagëti sa për të jetuar. Edhe këta ikën në atë kohë: xhaxhai im, Frani, shkoi ushtar edhe atje mori një patentë që ishin të kërkuar, për shofer edhe pa ditur gjë organizata bazë e partisë në fshat. Edhe erdhi puna, vjen atje në kooperativë dhe u fut shofer se ishte mangët për shofer. Në atë kohë e mbrapa, filloi persekutimi tepër i madh i këtyre. Dhe sekretarët e organizatave të partisë shkruanin: “Pse lini në punë të persekutuar? Ka babain e pushkatuar”. Edhe shumë njerëz i shkruanin këto letra, po me punën e tyre, si të gjithë të persekutuarit që kanë punuar shumë dhe me devotshmëri, jo për t’i dhënë atij sistemi, por për të mbrojtur veten. Në vitet ’70, erdhi persekutimi më i madh, lufta e klasave. Edhe këta u persekutuan tepër, jashtë mase. Unë mbaj mend që jemi 11 fëmijë, asnjë nuk na kanë çuar në shkollë. Jam i etur tepër për shkollë.

Nga arkiva e familjes Doko/ Kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here